Gati çdo mbrëmje në gjashtë muajt e fundit, gjashtë studentë juridiku nga Universiteti i Prishtinës (UP) janë mbledhur rreth librave dhe shënimeve të tyre në Fakultetin e Juridikut, ndonjëherë në një zyrë, herave të tjera në gjykatën e Fakultetit.
Pesë net të javës – ndonjëherë edhe në fundjavë – nëpër borë e shi, ata bashkohen vullnetarisht për të diskutuar dhe ndarë idetë për diçka që shpresojnë se do t’u ndihmojë ta përcaktojnë të ardhmen e jetës profesionale.
Yll Sadiku, Vlera Rexha, Zgjim Mikullovci, Donika Bunjaku, Gerta Ragipi dhe Levik Rashiti janë zgjedhur për ta përfaqësuar UP-në dhe Kosovën në garën Willem C. VIS Moot, më të madhen dhe më të mirënjohurën në fushën e ligjit tregtar dhe të arbitrazhit në botë.
Çdo pranverë, qindra universitete të mëdha prej vendeve të ndryshme të botës bëhen bashkë në Vjenë të Austrisë, për të garuar me homologët në disa raste të simuluara gjyqësore.
UP-ja është përfaqësuar në këtë garë prej vitit 2002, dhe standardet e saj janë rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjithë kohës, ndërsa pjesëtarët e këtij universiteti i kanë matur forcat kundër homologëve nga universitete shumë më të mëdha.
Sivjet, studentët e UP ishin në 15 përqindëshin më të lartë të 380 garuesve, duke lënë prapa universitetet si Yale, Harvard, Duke, Columbia, Stanford, Cornell, Oxford, Queen Mary University of London, King’s College London dhe London School of Economics.
Akuzat e parashtruara në VIS Moot janë të dizajnuara për t’i matur njohuritë dhe aftësitë e avokimit të studentëve në lidhje me dy elemente të ligjit ndërkombëtar, që janë të inkorporuara në një çështje juridike të detajuar hipotetike, të cilën studentët e analizojnë dhe e studiojnë. Këto dy elemente janë ligji procedural, nëpërmjet të cilit maten njohuritë e tyre për ligjin e arbitrazhit tregtar, si dhe një element thelbësor i ligjit që merret me të drejtën ndërkombëtare të kontratës.
Ekipet e studentëve fillimisht punojnë për ta prodhuar një memorandum rreth 50 faqesh për një rast hipotetik ndërmjet dy kompanive prej dy shteteve të imagjinuara që kanë një konflikt lidhur me një kontratë komerciale, para se ta prezantojnë rastin me argumente të avancuara.
Yll Sadiku, student i vitit të tretë, i cili ishte pjesë e ekipit të sivjetshëm, shpjegon se qëllimi i garës VIS Moot nuk është domosdoshmërisht të fitosh apo të humbësh, apo që të arrihet një vendim.
“Ideja e gjithë kësaj është se si e prezanton rastin, çfarë oratori je, sa mund ta mbrosh qëndrimin”, thotë ai. “Nuk është për ta gjetur një përgjigje definitive apo për të ardhur në një vendim për zgjidhjen e problemit. Në fakt është mjaft e balancuar [ndërmjet paditësit dhe të paditurit]”.
Yll Sadiku ishte pjesë e ekipit të përbërë prej gjashtë studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët shkëlqyen në garën prestigjoze Willem C. Vis Moot në Vjenë të Austrisë më herët gjatë vitit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Pasi që UP ka prodhuar rezultate gjithnjë më të mira gjatë viteve, është rritur edhe standardi i konkurrencës për ta përfaqësuar universitetin.
Ky proces tradicionalisht i përfshin tri faza: një thirrje të hapur për CV dhe një letër shpjeguese, një memorandum të shkurtër me analizë ligjore të një rasti hipotetik dhe pjesëmarrje në paraqitjen gojore të një rasti, si dhe prezantimin e tij në dy role – në rolin e paditësit dhe të paditurit.
Por vitin e kaluar, procesi i kualifikimit u zgjerua për ta përfshirë një memorandum të dytë dhe paraqitjen e një rasti të dytë, për ta kufizuar më tej listën e aplikuesve të përzgjedhur.
Teorikisht, ekipi duhet të përbëhet nga të paktën katër studentë; megjithatë, më shumë nevojiten për hulumtimet e kërkuara për një garë të këtij niveli. Universitetet e tjera ndërkombëtare i kanë deri në 10 veta për ekip, në mënyrë që pjesëmarrësit të familjarizohen me përvojën para se të shkojnë për të garuar një vit më vonë.
Për UP-në u nevojit një kërkesë speciale për rektorin e Universitetit në mënyrë që të shtohet numri i studentëve deri në gjashtë.
Shpërfillja e rrethanave
Vërtet, suksesi i vazhduar i UP-së në garën VIS Moot ka befasuar në disa mënyra.
Burimet që i ka në dispozicion ekipi janë shumë më të pakta se ato të ekipeve të universiteteve të tjera. Para se të mbahej gara në Vjenë, ekipi i UP kishte marrë pjesë në vetëm një garë me rreth 60 universitete në Budapest të Hungarisë, për ta parë konkurrencën dhe aftësitë e disa prej ekipeve të shteteve të tjera.
Në një ditë të zakonshme të përgatitjes, ekipi bëhej bashkë pasdite, pasi pjesëtarët i kryenin obligimet universitare si ligjëratat dhe mësimet për provime, dhe përgatiteshin deri në mbrëmje; gjatë kësaj kohe, ata gjenin argumente, kryenin hulumtime, konsultoheshin me autorë të ndryshëm dhe përgatiteshin për prezantimin e tyre.
Në mbrëmje, ata takoheshin me profesoreshën Donika Qerimi apo profesoreshën Vjosa Osmani – mbikëqyrëset e tyre për këtë garë, të cilat në të kaluarën kanë marrë pjesë si studente – për të diskutuar për çështje të reja, për autorë dhe për argumente të cilat mund t’i përdorin potencailisht.
Vlera Rexha thotë se ekipi shpeshherë punonte për 12 orë në ditë për t’u përgatitur për garën e prillit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Sipas Vlera Rexhës, studente e vitit të katërt dhe pjesëtare e ekipit, disa universitete të tjera ofrojnë mundësinë që studentët ta marrin një semestër pushim për t’u fokusuar vetëm në përgatitjet për këtë garë. Megjithatë, kjo nuk ndodhi në rastin e studentëve të UP, të cilët u deshën të punonin njëkohësisht për garën dhe për studimet e tyre të vazhdueshme. Ndonjëherë duhej të punonin nga 12 orë në ditë.
“Çdo ditë kishim fakultet, ligjërata, punë”, thotë ajo. “Por kjo na afroi me njëri-tjetrin, dhe ishte më lehtë të bashkëpunojmë… vetëm për garën VIS kemi folur gjatë këtyre muajve”.
Përveç punës së madhe, ekipi gjithashtu u ballafaqua me pengesa praktike, prej sfidave logjistike dhe administrative, deri te ato financiare.
Ndryshe nga ekipet e UP në vitet e kaluara, studentët e këtij viti kishin qasje në një dhomë caktuar në universitet, të cilën mund ta përdornin për t’u përgatitur për garë. Por aspektet e tjera, si mungesa e bibliotekës universitare apo e planit për financim të qëndrueshëm, ua bënë më sfiduese punën.
Qerimi dhe Osmani theksojnë se koha që është shpenzuar duke kërkuar financim, mund të ishte shpenzuar në mënyrë efektive me trajnime për studentë, veçanërisht kur kemi parasysh që kjo garë është dëshmuar si diçka që ka ngritur profilin e universitetit gjatë viteve. Qerimi thotë se studentët i kanë pyetur nëse ka ndonjë mënyrë për t’ua mbuluar të gjitha shpenzimet, dhe pasi që kjo nuk ishte e mundshme, studentët nuk aplikuan për të marrë pjesë.
Për shkak të kombinimit të mungesës së financimit dhe gjetjes së financimit në moment të fundit, studentët u ballafaquan me probleme bazike, si për shembull ishin të akomoduar larg vendit ku mbaheshin seancat orale në Vjenë, dhe mëditjet i kishin mjaft të kufizuara.
Por vështirësia më e madhe, sipas profesoreshave, ishte mungesa e librave adekuatë. Kjo e bëri të domosdoshme që ata të gjenin mënyra alternative për të siguruar burime të përshtatshme, për shembull duke i blerë vetë librat për t’i ndarë me studentët në konferenca apo gjatë vizitave në universitete ndërkombëtare.
Si në shumë fakultete të tjera, kishte ankesa fundamentale prej studentëve për kualitetin e mësimdhënies në ligjëratat e rregullta të studimeve të juridikut në këtë universitet.
Rexha dhe Sadiku theksojnë se fakulteti po kërkon metoda të mësimdhënies, qasje dhe nisma të reja, pasi që aktualisht kemi balanc shumë të vogël ndërmjet mësimdhënies teorike dhe praktike.
Punëtorët e rinj të stafit mësimdhënës në Fakultetin e Juridikut janë munduar të zbatojnë metoda të reja në orët e seminarëve për t’i bërë ato më angazhuese, për shembull duke shfaqur filma dokumentarë, duke planifikuar vizita në laboratorë forenzikë, duke sjellë mënyra të reja për vlerësimin e njohurive dhe duke inkurajuar forma të reja komunikimi.
“Ajo që doja ta bëja shumë është thjesht t’ua ofroja studentëve ato për të cilat kisha nevojë unë kur isha studente”, thotë Furtuna Sheremeti, e cila thotë se u mundua të sillte ide të reja në klasë që kur u emërua si asistent-profesoreshë për modulin e Kriminalistikës në nëntor 2018.
Por mendësia e tillë me sa duket është ende më shumë përjashtim sesa normë. Qerimi thotë se mangësitë e sistemit aktual i lënë studentët të papërgatitur për jetën profesionale përtej fakultetit. Ajo thotë se me punë vullnetare, duke i trajnuar studentët për garën VIS Moot, ata po mundohen t’i mbushin këto zbrazëti.
Shfrytëzimi i mundësive
Pavarësisht pengesave, me punë të madhe studentët e UP-së kanë filluar ta krijojnë një reputacion duke treguar veten në këtë garë botërore.
Osmani, e cila i ka trajnuar studentët për këtë garë prej vitit 2003 – dhe e cila para kësaj ishte pjesë e gjeneratës së parë të studentëve që morën pjesë në të – thotë se kjo garë rigoroze shërben si përgatitje e shkëlqyer për karierat e tyre.
Ajo pohon se gjithmonë u thotë studentëve: “Nëse mund ta bësh këtë [VIS], mund të bësh gjithçka”.
Ka më se 15 vjet që Vjosa Osmani i ndihmon studentët e Universitetit të Prishtinës të përgatiten për garën e përvitshme VIS Moot. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
VIS ka ndihmuar për ta vendosur UP-në në hartë për këtë fushë, pasi memorandumi i shkruar i ekipit të saj u zgjodh në top 10 në vitin 2013, dhe pjesëmarrësit e saj në tri vitet e fundit arritën dy herë rundin e 64 grupeve të fundit.
Ronald Brand, profesor në Pittsburgh University dhe një nga autorët kyç në fushën e arbitrazhit dhe të ligjit tregtar, i duartrokiti arritjet e UP-së dhe Kosovës në një garë kaq të rëndësishme.
“Universiteti i Prishtinës ka bërë një punë të shkëlqyer duke arritur në rundin e 64-ve; është arritje shumë e madhe, dhe ata e kanë bërë dy herë – kjo është një arritje mahnitëse për një vend të vogël me nivel tjetër të burimeve”, thotë ai, dhe shton se studentët e UP-së shpeshherë e kanë kthyer të mirën duke u bërë trajnerë dhe mentorë për gjeneratat e ardhshme.
Profesori thekson rëndësinë ndërkombëtare të garës VIS Moot, duke shpjeguar se është bërë event filtrues që e bashkon komunitetin e arbitrazhit dhe të ligjit tregtar.
“Është platformë për zhvillimin e arsimit juridik në fushën e arbitrazhit dhe të ligjit tregtar – gjithashtu, është bërë pikë e takimit për arbitrat, profesorët, studentët”, thotë ai. “Vërtet e kap vëmendjen e komunitetit të arbitrazhit nëpër botë”.
Qerimi i njeh mirë përfitimet potenciale të kësaj gare, pasi asaj iu ofrua mundësia për t’i kryer studimet Masters në Universitetin e Pitsburgut pas performancës në garën VIS para disa viteve, dhe tani ajo i trajnon gjeneratat e reja.
Donika Qerimi i njeh përfitimet potenciale të performancave të mira në garën VIS Moot, sepse pas paraqitjes së fuqishme në këtë garë, ajo e siguroi një vend në një kurs Master në ShBA. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ajo pajtohet që kjo garë është bërë pothuajse industri në vetvete. “Fakti që ka shumë investime në të, tregon se merret shumë seriozisht nga universitetet dhe punëdhënësit e ardhshëm”, thotë ajo.
Rexha dhe Sadiku duan të zhvillojnë karierë në fushën e ligjit ndërkombëtar dhe tregtar, dhe duan ta kthejnë të mirën duke i ndihmuar gjeneratat e ardhshme të studentëve, siç kanë bërë paraardhësit e tyre. Ato thonë që VIS i ka mësuar si të kryejnë hulumtime dhe analiza të avancuara juridike, si dhe i ka ndihmuar t’i avancojnë aftësitë e prezantimit verbal. Të dyja thonë se përvoja e fituar në këtë garë u ka mundësuar të zhvillojnë aftësitë jetike që përbëjnë një avokat të mirë.
Sadiku thotë që një nga arritjet e tij nëpërmjet kësaj përvoje ka qenë avancimi i oratorisë deri në pikën ku tani me lehtësi i mbron dy linja të kundërta të argumentimit të njëjtën ditë, diçka me të cilën kishte vështirësi në të kaluarën. Pjesëmarrja në garë i mundësoi ta zotëronte këtë aftësi.
Rexha beson se pjesëmarrja në këtë garë “i ka theksuar pak më shumë mangësitë personale dhe na ka ndihmuar shumë për t’i përmirësuar ato, e kështu jemi bërë më profesionistë”.
Ajo reflekton se si gjatë fazës së aplikimit dhe të përgatitjeve për garën, fliste shumë shpejt. Por me praktikë, u bë aq e mirë sa arbitrat filluan t’i japin komplimente për shpejtësinë e saj.
“Mund të them që kjo garë ka qenë një fakultet i mësimnxënies”, thotë ajo.
Megjithatë, pasi që pak punë po bëhet për t’i trajtuar problemet ekzistuese të burimeve të kufizuara në Fakultet, si dhe problemet e thella në mënyrën se si gjeneratat e reja të studentëve po mbesin të papërgatitur, studentët që tani po aplikojnë për edicionin e vitit të ardhshëm të garës VIS Moot si duket do të ballafaqohen me të njëjtat sfida si gjeneratat e kaluara.
“Thjesht shpresoj se niveli i mbështetjes do të vazhdojë të rritet, si nga universiteti, ashtu edhe nga institucionet… me sa duket pak dihet për rëndësinë e këtyre garave, veçanërisht jashtë komunitetit juridik”, thotë Qerimi.
“Nuk e kuptojnë që VIS quhet olimpiada juridike për shkak të relevancës së madhe që ka, për shkak se nuk ka garë tjetër në botë kaq të madhe në fushat e ligjit të arbitrazhit dhe të ligjit ndërkombëtar tregtar, që janë fusha të së ardhmes”.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.