Në thelb | Drejtësi

Prova nga përgjimet si dëshmi kundër aktivistëve të Vetëvendosjes

Nga - 26.01.2017

Shkëmbehen goditjet e para në seancën e tensionuar gjyqësore.

Ishin të vetmit që nuk nderuan kryetarin e trupit gjykues duke u ngritur në këmbë. Të ulur në bankën e të pandehurve, katër aktivistët e Vetëvendosjes të akuzuar për terrorizëm lidhur me sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit me zollë me 4 gusht 2016, prisnin të nis shqyrtimi fillestar gjyqësor tyre.

Të katërtit kishin të veshur fanella në të cilat ishte paraqitur fytyra e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosje që u arrestua bashkë me ta, e i cili vdiq në paraburgim në nëntor; babai i Deharit, Avniu, ishte i pranishëm në gjykatë duke ndjekur procedurën nga afër e përkrah familjarëve të të akuzuarve.

Por seanca e mëngjesit të së mërkurës, që ishte thirrur për të dëgjuar akuzat ndaj Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Adea Batushës dhe Egzon Haliti, përfundoi brenda orës me  plot tensione dhe akuza të avokatëve mbrojtës kundrejt prokurorit të rastit, Abdurrahim Islami. Mbrojtësit e aktivistëve kërkuan që ta përjashtojnë atë nga lënda. Kjo ishte kërkesa e vetme që u shqyrtua të mërkurën gjatë seancës.

Mbrojtës i Arfitit, avokati Ramiz Krasniqi, foli më së shumti, duke prezantuar para gjykatës një kërkesë të shkruar për përjashtimin e prokurorit special Islami, të cilin ai e akuzoi për ngritje të akuzave të anshme dhe politike.

“Ka raste gjyqësore që dalin në gjyq por nuk janë lëndë gjyqësore”, filloi ai. “Ato janë afera politike, mirëpo pikërisht me presionin e politikës, në vend se të zgjidhen në sallën e parlamentit apo qeverisë ato sillen në gjyq dhe si të tilla vetvetiu përmbajnë afera politike siç është ky rast”.

Krasniqi dhe avokatët tjerë mbrojtës u ndërprenë disa herë nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, i cili kërkonte argumente juridike e jo fjalime “politike”.

“Për pare në ditë sotit njeriu është në gjendje të bëjë gjithçka“, reagoi prokurori special Islami, duke aluduar kah avokatët mbrojtës të cilët ai i akuzonte për ngritje të akuzave politike e të pabaza ndaj tij, meqë janë paguar nga të pandehurit për ta bërë atë.

Gjykatësi aludoi se avokatët mbrojtës nuk patën argumente juridik për të mbështetur kërkesën për përjashtimin e prokurorit, por e referoi çështjen te kryeprokurori i shtetit, i cili është perosni me autoritet ligjor për të vendosur nëse një prokuror duhet të largohet nga rasti.

Katër aktivistët e partisë së opozitës, të cilët do të qëndrojnë në arrest shtëpiak të paktën deri në fund të shkurtit, e konfirmuan në seancë që do ta përdorin të drejtën e tyre për t’u mrbojtur duke u deklaruar gjatë seancave të gjykimit.

Aktakuza

Ndonëse akuzat nuk u lexuan dje në gjykatë siç u prit, K2.0 morri një kopje të aktakuzës 13-faqëshe, në të cilën këta katër persona akuzohen për terrorizëm; shkelje kjo që mund të dënohet me deri në 30 vjet burg. “Duke vepruar si grup dhe me role të ndara prej mesit të korrikut të vitit 2016”, aktivistët akuzuohen për përgatitje dhe planifikim të “veprimeve paraprake” në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës me 4 gusht të vitit të kaluar.

Në aktakuzë shkruan: “Të pandehurit kanë kryer shkeljen penale të ‘kryerjes së një vepre të terrorizmit’ nën Nenin 136, paragrafin 1 [që thotë se kushdo që shpallet fajtor për terrorizëm do të dënohet me minimum 5 vjet burg], si dhe Nenin 135, paragrafi 1.7 [shkaktim të rrezikut të përgjithshëm] dhe Nenin 31 [bashkëkryerje] të Kodit Penal”.

Këtë vepër, sipas prokurorit Islami, të akuzuarit e kanë kryer në bashkëkryerje me qëllim të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, frikësimit të qytetarëve dhe me qëllim që të detyrojnë Kuvendin e të mos e ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kundër së cilës VV kishte mbajtur edhe protesta.

Aktakuza, që nuk përfshinë informata që tregojnë se cili nga të akuzuarit e ka kryer sulmin me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit, liston në mesin e provave deklaratat e nëntë dëshmitarëve, si dhe transkriptet e përgjimeve. Veçanërisht aktakuza përmend “regjistrimim e thirrjeve telefonike, përmbajtjen e SMS-ve, transkriptet ligjore si dhe urdhërin e lëshuar nga Gjykata më 29.02.2016…”.

Data e këtij urdhëri të gjykatës për masa të fshehta tregon se ka pasur masa 6 muaj para se të ndodh sulmi në Kuvend. Megjithatë, kur K2.0 kërkoi nga prokurori special që të konfirmohet kjo, ai tha se mund të jetë “gabim teknik” në datë dhe se nuk u morrën masa të feshehta të përgjimit kundër të akuzuarve para sulmit.

Frasher Krasniq. Courtesy of VETEVENDOSJE!

Zëdhënësi i Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, është njëri prej katër aktivistëve të opozitës që janë akuzuar për terrorizëm për sulmin me granatë në ndërtesën e Kuvendit. Foto nga Vetëvendosje.

Një prej bisedave të veçuara nga informatat e përgjimeve që u përfshinë në aktakuzë është një e realizuar në mes të Frashër Krasniqit dhe një personi akoma të paidentifikuar. Në këtë bisedë, e realizuar më me 25 gusht 2016, personi i paidentifikuar e pyet Krasniqin se a është “në liri” dhe e akuzon atë për hedhje të granatës te transmetuesi publik i Kosovës ( RTK), pra një sulm tjetër që ndodhi me 23 gusht. “Mos gjuni asi sene, mos boni trazira palidhje”, tha ai, e Krasniqi iu përgjigj: “Hej, hej, këto janë akuza të rënda… në RTK na gjujna vec fjalë, e asi…”, dhe këtu përfundon inçizimi që po përdoret si dëshmi.

Sipas prokurorit special, biseda është një prej 2,092 bisedave telefonike në të cilat përfshihet Krasniqi, prej fillimit të përgjimeve pas sulmit, dhe ngritjes së aktakuzës kundër tij dhe të tjerëve me 28 dhjetor; të gjitha këto biseda telefonike, sipas aktakuzës u realizuan nga Krasniqi pas sulmit me synim të krijimit të alibive për të dhe të tjerët.

Mbledhja e provave

Pika fillestare e hetimeve ishte një motoçikletë gjysmë e djegur që u gjet në lagjen “Tauk Bahçe”, në Prishtinë në natën e sulmit në Kuvend; motoçikleta ishte përdorur për ta lansuar granatën me raketë drejt ndërtesës së Kuvendit, dhe për t’u larguar nga vendi i krimit.

Policia më pas e gjeti shitësin e motoçikletës. Ai shitjen e kishte bërë në uebfaqen ‘merr-jep.com’. Derisa i njëjti dha përshkrime për tre djemë të rinj që e kishin prezantuar vetën si studentë, e që blenë motoçikletën prej tij. Sipas aktakuzës, tre personat e përshkruar ishin Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe i ndjeri Astrit Dehari.

Astrit Dehari

Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan fillimisht në lidhje me sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, përfshirë Petrit Ademin, që u lirua më vonë.

Në mesin e të dyshuarve ishte edhe një student 26 vjeçar i mjekësisë, Astrit Dehari, i cili vdiq gjatë mbajtjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me 5 nëntor, 2016.

Zyrtarisht shkak i vdekjes së tij u tha të ketë qënë vetëvrasja, por kjo është kundërshtuar vazhdimisht nga familja e Deharit dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin për shkak të mungesës së besimit në institucionet e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk pritet të ndodh, dhe ekspertët aludojnë se hetimet ndërkombëtare janë ligjërisht të pamundshme.

Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha u ndërlidhën në hetime pas një letre elektronike që iu dërgua mediave një ditë pas sulmit, në të cilën përgjegjësi për sulmin morrën “banorët e Rugovës”; kjo letër elektronike u dërgua nga adresa e postës elektronike ‘[email protected]’. Atë ditë, Policia e Kosovës kërkoi IP adresën e mjetit që u përdor nga “rugovasit” për ta dërguar letrën elektronike nga kompania Google; kjo informatë i shpiu deri te një telefon celular që ishte shitur së fundmit nga një shitës ambulant i telefonave mobil në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se duke studiuar inçizimet e kamerave të sigurisë, policia zbuloi se Batusha kishte blerë telefonin në fjalë. Sipas deklaratës së shitësit të telefonave, vajza e re që bleu telefonin ishte e interesuar që të blente një telefon Android, dhe nëse prej ati telefoni “mund të dërgohen e-mail – e respektivisht a i punon Wi-Fi”.

Sipas prokurorit special, të dhënat elektronike që u përdorën për ta gjetur lokacionin prej të cilit u dërgua letra elektronike nga “Banorët e Rugovës” çuan deri te adresa e Krasniqit. Si pjesë e dëshmive të prokurorisë speciale përfshihet edhe një deklaratë nga një vozitës i taksit i cili pretendon se e kishte vozitur Batushën deri në atë adresë në ditën kur u dërgua letra elektronike.

Dëshmi tjetër që u listua si provë në aktakuzë ishte edhe raporti forenzikës i përpiluar pas inspektimit të vendit të ngjarjes, me datën 5 gusht 2016. Ky raport i forenzikës së fundmi u publikua nga sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i cili pretendon se nuk ka dëshmi që i lidhin aktivistët e akuzuar me sulmin.

Mbetet të shihet se a do të përmbushet kërkesa e mbrojtjes nga Kryeprokurori i Shtetit për ta larguar prokurorin special Islami nga rasti. Sapo të merrët ai vendim, gjykata do ta vendosë një datë për seancën e radhës, gjatë së cilës aktivistët e akuzuar pritet të deklarojnë se a janë të fajshëm apo të pafajshëm.K

Foto kryesore e huazuar nga Lëvizja Vetevendosje.