Jashtë ishte goxha nxehtë, tipike për një ditë vere në Mal të Zi. E dija që s’duhet të vishja pantallona të gjata. Po s’kisha ç’të bëja; u përgatitëm për udhëtimin tonë të parë për në Sveti Stefan dhe ngjarja kërkonte një veshje pak më të bukur.
Atë verën famëkeqe të vitit 2020, kur turizmi në Mal të Zi ndaloi për pak kohë, për shkak të pandemisë, ia kalova më së miri. Si një turist i njëmendtë, vizitova plazhe, në të cilat përndryshe nuk do të shkoja kurrë, jo vetëm se mbipopullohen me njerëz gjatë verës, por edhe sepse janë të shtrenjta. Vizitova edhe parqet kombëtare. Pastaj vendosa që këtë udhëtim ta çoja një hap tutje.
Duke përdorur përvojën time gazetareske, arrita ta siguroj një turne me ciceron, në qytetin e famshëm të hoteleve, Sveti Stefan, një perlë e detit Adriatik. Gjithashtu, paturpësisht mora guximin dhe me njëfarë nonshalance i ftova edhe tre kushërinj. Ishte mundësi që të jepej një herë në jetë, një mundësi që ia vlente ta përdorje mençur.
Sveti Stefan është fytyra e turizmit të Malit të Zi. Ka përplot reklama për turizmin veror në Mal të Zi, por është e vështirë ta mbash mend një të vetme që nuk e shfaq ishullin e vogël me shtëpi me çati të kuqe të grumbulluara, nën këmbanën e një kishe. Megjithatë, as unë dhe as kushërinjtë e mi s’e kishim vizituar ndonjëherë atë vend më herët, e lëre më t’i shihnim prej afër apartamentet luksoze të “Aman Resorts”.
Kjo s’është diçka e pazakontë për Malin e Zi. Edhe pse shumë liderë dhe personalitete botërore — nga Orson Welles, Sophia Loren dhe Kirk Douglas te Victoria dhe David Beckham — e kanë vizituar këtë vend gjatë dekadave të fundit, shumica e malazezëve nuk e kanë vizituar kurrë Sveti Stefanin. Shpesh bëjmë fotografi të shpejta me peizazhet e njohura në prapavijë, qoftë prej lart nga rruga, qoftë poshtë plazhit, por vetëm pak njerëz kanë mundësinë ta eksplorojnë këtë vend me rëndësi kulturore dhe historike për Malin e Zi. Për shumicën e vendasve, ai mbetet një vendpushim veror luksoz, që jo vetëm që nuk është i qasshëm për të gjithë, por në fakt, është i hapur vetëm për mysafirët e hotelit luksoz, që e menaxhon tërë atë vend.
Kjo është njëra nga arsyet pse peizazhi kulturor i Sveti Stefanit (së bashku me parkun e afërt “Miločer”) u përfshi në listën e shtatë vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara të Evropës këtë prill.
Botuar nga Europa Nostra, një grup i shoqërisë civile, që punon për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Evropës dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve, lista përfshin edhe dy vende të tjera të Ballkanit: Varrezat Përkujtimore Partizane në Mostar (Bosnjë e Hercegovinë) dhe Mullinjtë e ujit të Bistricës në Petrovac të Mlavit (Serbi).
Gjithë ajo bukuri që nuk mund ta shohim
“Shteti malazez e ka privatizuar pothuajse gjysmën e këtij thesari kombëtar dhe ua ka marrë qytetarëve të vet të drejtën prej domenit të tyre publik”, thekson Europa Nostra në njoftimin e tyre. “Ndryshimet e paautorizuara të ndërtesave dhe hapësirave po ndryshojnë gjithë aspektin e zonës. Teatri veror popullor dhe publik është mbyllur dhe çmontuar. Qasja e publikut në qytetin e vjetër të Sveti Stefanit dhe pjesë të tjera të zonës ka qenë e ndaluar, madje edhe gjatë muajve të dimrit kur hoteli ka qenë i mbyllur, duke e bërë të pamundur për vendasit dhe turistët që s’janë të ftuar të hotelit ta shijojnë këtë peizazh kulturor”.
Organizata thekson se Sveti Stefan është shpallur vend i trashëgimisë kombëtare nga Mali i Zi, gjithashtu edhe se kisha me të njëjtin emër ka marrë fonde nga UNESCO për restaurim në vitin 1984. Një shqetësim i veçantë, sipas Europa Nostra, është ndërtimi i planifikuar i një hoteli të madh “pranë hyrjes së parkut “Miločer”, gjë që do të shkaktonte dëme të konsiderueshme në të gjithë zonën kulturore dhe natyrore të Sveti Stefan dhe parkut “Miločer” dhe do të dëmtonte bukurinë e vijës bregdetare.
Paneli Këshillëdhënës për programin “7 më të rrezikuarat” thekson se këto sjellje janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Konventën e Faros, të cilën Mali i Zi e pranoi në vitin 2008. Nënshkruar nga 27 vende, konventa thotë se çdo person ka të drejtë ta përdorë trashëgiminë kulturore dhe “të kontribuojë në pasurimin e saj”.
Sveti Stefan u radhit në listën e vendeve më të rrezikuara në Evropë falë grupit civil “Nisma për Sveti Stefanin”. Ata i bëjnë thirrje qeverisë malazeze që ta kufizojë zhvillimin e pronave të palujatshme, zhvillim që për ta është pengues në rrafshin kulturor dhe mjedisor dhe kërkojnë që zona të kthehet në një të mirë publike, gjëra për të cilat qeveria është e përkushtuar tashmë pas nënshkrimit të konventës së sipërpërmendur.
Cilat janë gjërat që mund të blihen me para?
Ky lloj keqpërdorimi qeveritar prej dekadash me trashëgiminë kulturore ka sjellë një situatë në të cilën shumë malazezë thjesht janë dorëzuar. Është bërë e pranueshme që — kushti është që nëse ke para të mjaftueshme — mund të blesh ose të marrësh me qira çdo gjë që dëshiron dhe kështu ta mbash atë larg publikut, duke e bërë atë ose të padisponueshme ose vetëm sporadikisht të qasshme.
Në vitin 2007, qeveria malazeze vendosi të jepte me qira gjithë qytetin e hotelit së bashku me “Villa Miločer” dhe ish-hotelin “Kraljičina Plaža” — të cilat ndodhen në hapësirën tokësore pranë rrugës së ngushtë të ishullit — për një periudhë prej disa dekadash. “Adriatic Properties”, kompania qiramarrëse, u zotua të investojë 50 milionë euro së bashku me pagesat vjetore të qirasë. Një shtojcë e mëvonshme e zgjati periudhën e qirasë së Sveti Stefan deri në vitin 2049, ndërsa qiraja vjetore u zvogëlua nga 1.6 milion euro në 1.1 milion. Për më tepër, të gjitha palët u pajtuan për ta zgjatur qiranë e hotelit “Kraljičina Plaža” përpara se “Adriatic Properties” ta rrënonte atë dhe të fillonte ta ndërtonte një hotel të ri në vend të tij.
Pas mbylljes fillestare gjatë pandemisë, Sveti Stefani qëndroi i mbyllur vitin pasues për shkak të ballafaqimeve të përshkallëzuara me banorët lokalë, që kundërshtonin projektet e reja të ndërtimit dhe që kërkonin hapjen e plazheve. “Adriatic Properties” më pas ngriti padi shumë-milionë eurosh kundër qeverisë së sapozgjedhur të Malit të Zi.
Një arbitrazh i mbajtur në Londër vazhdon që nga viti 2021. Rreth këtij procesi, herë pas herë kanë rrjedhur informata të pakonfirmuara lidhur me përparimin e ngadaltë të tij. Pikërisht kur dukej se Sveti Stefani do të mbetej i mbyllur këtë verë, qeveria malazeze mbajti një takim me “Adriatic Properties” më 3 maj. “Kemi marrëveshje!” deklaroi më pas kryeministri Dritan Abazović. “Pas tri vjetësh, Aman po e hap Sveti Stefanin”.
Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë publike, kështu që është e paqartë se kush do të jetë i pari që do ta vizitojë ishullin dhe kur, kush do të ketë qasje në plazhet aty pranë dhe çka do të ndodhë me ndërtimin e një hoteli “Kraljičina Plaža” krejtësisht të ri. Një pikëpyetje mbetet për të gjitha çështjet për të cilat paralajmëroi Europa Nostra.
“Çlirimi” i shkurtër i plazheve që e rrethojnë ishullin, në të cilin publiku i gjerë fitoi qasje pas një kohe kaq të gjatë, shkaktoi shumë debate.
Atë verë të parë kur mbyllja e Sveti Stefanit filloi të dukej e sigurt, mbaj mend që njerëzit bënin gjithfarë komentesh. “Nuk e di cili është problemi. Nuk e kuptoj. A duhet të notojë Victoria Beckham në të njëjtin vend që notoj unë?”, pyeti një mik në njërin nga debatet tona të nxehta. Ai nuk shihte problem me mënyrën se si trashëgimia kulturore e një vendi, plazhet dhe parqet u dorëzohen të pasurve. Në fakt, e gjithë kjo ideja se “mund të bësh çka të duash nëse ke boll para” është bërë kaq pjesë përbërëse në mendësinë tonë sa që vështirë se vihet në pikëpyetje ndonjëherë.
S’e di se ku duhet të shkojnë për not David dhe Victoria Beckham, po ky është halli im më i vogël. Është shumë më e rëndësishme të pyesësh se për çfarë arsye dhe me çfarë kushtesh shteti jep me qira trashëgiminë kulturore, çfarë kontratash publike u jepen kompanive private dhe sa transparent është kontraktimi. Po ashtu, ne duhet të hulumtojmë se sa para ka fituar qeveria malazeze nga kjo qira e caktuar dhe të tjera të ngjashme. Dhe mos të fillojmë të flasim se çka e pret një vend, nëse e trajton trashëgiminë e tij kulturore në këtë mënyrë.
Njëri nga argumentet e mia të preferuara është se paratë s’mund ta blejnë llojin e promovimit që vizita e familjes Beckham ia dhuron Malit të Zi. Ndoshta kjo është e vërtetë. Megjithatë, këto përgjithësime shpesh thjesht mistifikojnë gjithë procesin e promovimit të industrisë së turizmit. Sigurisht që ka promovime të tjera që blihen me para — promovime që duhet të jenë pjesë e strategjive më të gjera të turistike dhe promovimit të planifikuar të potencialit turistik të Malit të Zi.
Nëse e konsiderojmë si kulm të planifikimit tonë strategjik në turizëm, dhënien me qira të pakufizuar të vendndodhjeve të caktuara dhe trashëgimisë kulturore, kam frikë se jemi gjithçka por jo strategjikë. Përkundrazi, s’frikësohem — e di mirë se kush përfiton.
Tek në vitin 2020, destinacionit turistik të quajtur Mali i Zi iu kujtua se ekzistojnë edhe turistët vendorë. Është një shtet ku resortet e fëmijëve janë mbyllur prej vitesh, ndërsa të rejat nuk arrijnë të zhvillohen. Kjo është arsyeja pse një numër i madh fëmijësh nuk kanë mundësi, jo vetëm të shkojnë në bregdetin e tyre për pushime verore apo ta vizitojnë trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore, por as ta shohin detin. Kjo nuk është aspak befasi marrë parasysh se të paktën një e treta e fëmijëve malazezë jetojnë në varfëri.
Është një shtet ku një ose dy komplekse turistike hapen pothuajse çdo vit, teksa hotelet e epokës jugosllave, që u ofronin punëtorëve dhe familjeve të tyre qasje të lirë në det, ose nuk ekzistojnë më ose janë privatizuar. Është shtet ku numri i plazheve falas të qasshme për të gjithë po zvogëlohet.
Pavarësisht krejt kësaj, ne ende do të shqetësohemi se ku do të shkojë familja Beckham — David, Victoria dhe fëmijët e tyre — me pushime verën e ardhshme? Ky njëmend është problemi ynë më i vogël.
Imazhi i ballinës: Ivan Čučuk / Europa Nostra.