Më 2 dhjetor, Mbretëria e Bashkuar (MB) u bë vendi i parë perëndimor që miratoi një vaksinë kundër COVID-19. Rregullatori britanik i produkteve medicinale MHRA konfirmoi se vaksina e Pfizer/BioNTech është e sigurt dhe e efektshme, meqë doli se ofron mbrojtje prej rreth 95% kundër COVID-19.
Programi i imunizimit i MB-së filloi të martën (më 8 dhjetor) dhe përmes tij së pari do të vaksinohen njerëzit mbi moshën 80 vjeç, si dhe stafi mjekësor në disa institucione të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror.
Miratimi nga autoritetet shtetërore për nisjen e përdorimit të vaksinave kërkon disa prova klinike ku vlerësohet efektshmëria dhe siguria e vaksinës në faza të ndryshme, si dhe një proces rigoroz të verifikimit. Ky proces zakonisht merr vite të tëra, herë-herë deri në 10 vjet, por shkencëtarët ia kanë dalë ta arrijnë fazën e miratimit për një vaksinë kundër COVID-19 brenda një viti — dhe shpresohet që vaksina të tjera kundër COVID-19 po ashtu do të miratohen së shpejti.
Pas miratimit vjen procesi i shpërndarjes, i cili paraqet sfidë krejt të veçantë. Vaksinat duhet të ruhen dhe të mbahen në kushte të rrepta deri sa të dërgohen te përdoruesit përfundimtarë, stafi duhet të përgatitet për përdorimin dhe dhënien e sigurt të vaksinës, si dhe duhet të vihen prioritetet për marrësit — gjëra që kërkojnë planifikim të përpiktë logjistik.
Jemi këshilluar me ekspertë dhe kemi folur me autoritetet përgjegjëse në Kosovë për t’i kuptuar më mirë informatat rreth vaksinave kundër COVID-19 dhe kur vaksinat mund të dërgohen në Kosovë.
Çfarë janë vaksinat?
Zhvillimi i vaksinave konsiderohet si një ndër arritjet më të mëdha të shëndetit publik, meqë shpëtohen miliona jetë çdo vit përmes parandalimit të sëmundjeve të rënda sikur difteria, tetanozi, gripi dhe fruthi, të cilat në të kaluarën kanë shkaktuar vdekje në masë të madhe. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) vlerëson se 2-3 milionë vdekje parandalohen çdo vit si rrjedhojë e imunizimit.
Shumica e vaksinave përmbajnë një komponent të dobësuar ose të neutralizuar të patogjenit që shkakton sëmundje, i cili quhet antigjen. Këta antigjenë stimulojnë sistemin e natyrshëm të imunitetit duke aktivizuar antitrupat. Kjo do të thotë që nëse ata hasin virusin në të ardhmen, tanimë do të jenë të përgatitur ta mposhtin.
Brezat e rinj të vaksinave — të njohura si mRNA — përmbajnë vetëm një udhëzim që i tregon trupit se si t’i prodhojë antitrupat vetvetiu, në vend se t’i injektojë antitrupat drejtpërdrejt. Sidoqoftë, asnjëri nga këta komponentë nuk është i dëmshëm për personin e vaksinuar.
Cilat vaksina kundër COVID-19 po i afrohen miratimit?
Tash për tash, tri vaksina po i afrohen miratimit nga autoritetet rregullative. Dy nga më premtueset janë vaksina e Pfizer/BioNTech — e cila tashmë është miratuar në MB — dhe ajo e zhvilluar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve Moderna. Të dyja shfrytëzojnë teknologjinë mRNA.
Të dyja kompanitë kanë dorëzuar aplikime për miratim emergjent pranë disa autoriteteve rregullative në ShBA dhe BE, ndërsa sipas rezultateve nga provat klinike të zbuluara nga këto kompani, të dyja vaksinat kanë një shkallë efektshmërie prej rreth 95%.
Vaksina e tretë që besohet të jetë shumë e efektshme është e AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it; kjo përdor një formë të dobësuar të virusit për ta stimuluar reagimin imunitar dhe ka shfaqur rezultate efikasiteti mes 62% dhe 90%, varësisht nga regjimi i dozave. Sipas të dhënave fillestare, kjo vaksinë është më e efektshme kur jepet së pari një gjysmëdozë dhe më pas një dozë e plotë, ne vend se kur jepen dy doza të plota.
Imazhi: Arrita Katona / K2.0.
Vaksina Oxford/AstraZeneca prodhohet në bazë jofitimprurëse dhe prandaj është më e lira, me çmim prej rreth 3 funtash (3.20 euro) për dozë — domethënë pesë herë më e lirë se vaksina Pfizer/BioNTech, e cila pritet të jetë më e lirë se vaksina e zhvilluar nga Moderna. Ajo po ashtu ka disa përparësi logjistike, por ende po i kalon kontrollet e rregullatorëve dhe nuk është miratuar për përdorim.
Kreshnik Hoxha, i cili ka doktoratë në inxhinieri të kristaleve dhe punon në MB si menaxher shkencor për zhvillimin e barnave të reja, thotë se shkallët e efikasitetit të secilës vaksinë janë përtej kritereve që kërkohen për miratimin e vaksinave.
“Deklaratat e rezultateve nga vetë grupet shkencore tregojnë që vaksinat kanë efikasitet të lartë — ç’është e vërteta, është shumë më i lartë sesa kriteri i efikasitetit prej 50% që përmendet nga autoriteti rregullativ i ShBA-së FDA”, thotë ai.
Sa u përket të dhënave për sigurinë, Hoxha thotë se në bazë të të dhënave të botuara pas testimeve, efektet anësore të këtyre vaksinave kanë qenë të lehta, sikur dhimbja e krahut pas vaksinimit, ndërsa nuk janë zbuluar efekte anësore të rënda.
“Nëse raportet preliminare mbesin të njëjta edhe pas vlerësimit të plotë të vaksinave dhe të miratimit të tyre, atëherë do të kemi fatin për të pasur vaksina pa efekte anësore në afat të shkurtër,” thotë Hoxha.
A do të pranojë Kosova vaksina?
Shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare tashmë kanë nënshkruar marrëveshje me prodhues të vaksinave për blerjen e dozave të para të vaksinës. Një nga akterët kryesorë që merret me dërgimin ndërkombëtar të vaksinës është Aleanca e Vaksinës – Gavi, një bashkëpjesëmarrje e hisedarëve të ndryshëm që përfshin OBSh-në, Bankën Botërore dhe UNICEF-in, i cili tashmë siguron vaksinime për miliona fëmijë anekënd botës çdo vit.
Në prill të këtij fiti, Gavi plasoi nismën COVAX, e cila synon “ta shpejtojë zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave kundër COVID-19”. Një pjesë e kësaj nisme është dërgimi falas i vaksinave për 92 vende me të ardhura të ulëta ose të mesme sipas kategorizimit të Bankës Botërore.
Si një ndër vendet e Shoqatës së Bankës Botërore për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) — të cilat kanë mundësi për të marrë para hua për shkak të niveleve relative të skamjes — Kosovës po ashtu i takojnë këto doza falas të vaksinës.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se është në kontakt me Gavi COVAX qysh nga korriku i këtij viti dhe se vaksinat do të dërgohen “kurdo që të miratohen për përdorim” nga rregullatorët ndërkombëtarë.
Sipas Ministrisë, Kosova do të marrë 360,000 vaksina falas nga COVAX — sasi që mjafton për vaksinimin e 20% të popullatës.
Aleanca Popullore e Vaksinave ka paralajmëruar se 70 vende me të ardhura të ulëta do të mund të vaksinojnë vetëm një në 10 persona në vitin 2021.
Nisma COVAX ka thënë se do t’i shpërndajnë vaksinat te marrësit sipas Kornizës së Alokimit të Drejtë të OBSh-së, sepse kërkesat botërore për vaksina pritet të jenë më të mëdha sesa furnizimi i disponueshëm. Ajo parasheh shpërndarjen e të gjitha vaksinave në mënyrë të barabartë nëpër shtete “deri sa të gjitha të kenë mjaft për ta mbrojtur 3% të popullsisë” në mënyrë që së pari të mbrohen punëtorët e kujdesit shoqëror dhe shëndetësor.
“Pastaj, me rritjen e disponueshmërisë gjatë vitit 2021 dhe më tej, shpërndarja duhet të vazhdojë në mënyrë të barabartë deri sa të gjitha vendet të kenë mjaft për ta mbrojtur 20% të popullsisë së tyre, gjë që duhet të përfshijë të gjitha grupet e rrezikut të lartë që janë prioritet në shumicën e vendeve dhe territoreve”, thotë nisma.
Përkundër përpjekjeve për qasje të barabartë në vaksina në tërë botën, Aleanca Popullore e Vaksinave — e cila përfshin Amnesty International, Oxfam dhe organizata të tjera të të drejtave të njeriut — ka paraljmëruar se shumica e popullatës në vendet në zhvillim nuk do të marrin vaksinën në vitin 2021. Meqë shumica e vaksinave kundër COVID-19 blihet nga vendet e pasura, bile ndonjëherë aq shumë sa për ta vaksinuar popullatën e tyre disa herë, ky rrjet thotë se 70 vende me të ardhura të ulëta do të mund të vaksinojnë vetëm një në 10 persona vitin që vjen.
A do të ketë vaksina për njerëzit me rrezikshmëri më të ulët?
Me përjashtim të vaksinave falas që do të sillen nga COVAX për 20% të popullatës së Kosovës, pjesa e mbetur do të duhet të blihet.
“Nga vlerësimet fillestare të bëra nga [Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike] në korrik dhe gusht, qëllimi ishte të vaksinohej 70% e popullatës, ose rreth 1.2 milionë vaksina gjithsej”, ka thënë Ministria për K2.0. “Por para 10 dhjetorit, kur do të mbyllet [procesi i aplikimit në COVAX], sasia do të vlerësohet edhe një herë për të parë nëse ka nevojë për më shumë ose më pak vaksina, duke ditur se në fillim do të dhurohen 360,000 [vaksina]”.
Çmimi për blerjen e dozave shtesë të vaksinës nga COVAX ende nuk dihet, ndërsa Ministria thotë se ende ka mbetur për t’u negociuar çmimi i blerjes.
Imazhi: Arrita Katona / K2.0.
Kryeministri Avdullah Hoti po ashtu ka përmendur shkurtimisht se Qeveria po përpiqet të marrë doza shtesë të vaksinës. Megjithatë, ai nuk ka thënë nëse Kosova tashmë ka nënshkruar ndonjë kontratë të drejtpërdrejtë të blerjes me një furnizues vaksinash.
“Jemi në rrugë të mirë për të rritur numrin e vaksinave që i marrim, përtej asaj shumës prej 20% që marrim nga OBSh-ja”, ka thënë Hoti në një konferencë për shtyp më 1 dhjetor. “Jemi duke punu në disa fronte, nëse mund ta quaj kështu, për të siguru këtë vaksinë, edhe përmes partnerëve tanë, edhe përmes vendeve mike, edhe drejtpërdrejt me kompanitë që kanë certifikuar vaksinën”.
Kush do ta marrë vaksinën?
Pas sigurimit të vaksinave, vendeve u mbetet të vendosin si do të zbatohet programi i vaksinimit, duke përfshirë identifikimin e grupeve me prioritet.
Po ashtu do të jepen rekomandime të hollësishme nga OBSh-ja me të miratuar të vaksinës. Sidoqoftë, grupet e cenueshme sikur stafi mjekësor i frontit të pandemisë, banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike pritet të jenë prioritet për imunizim.
Në shumicën e vendeve vaksina nuk pritet të jetë e detyrueshme, por disa vende, përfshirë Serbinë, po e shqyrtojnë këtë mundësi.
Në mënyrë që programet e vaksinimit të jenë të suksesshme, ato zakonisht kërkojnë imunizimin e një përqindjeje të lartë të popullsisë. Me vaksinimin e një pjese të madhe të popullsisë krijohet imuniteti i tufës, që e bën të pamundshme bartjen e një sëmundjeje. Përqindja dallon varësisht nga sëmundja dhe nga efikasiteti i vaksinës, pra është ende e paqartë se çfarë përqindje e popullsisë do të duhet të vaksinohet për krijimin e imunitetit të tufës kundër COVID-19.
"Duhet të punojmë më fort për t'i bindur skeptikët rreth të mirave të vaksinës dhe për integritetin e procesit të zhvillimit dhe të miratimit."
Kreshnik Hoxha, specialist i zhvillimit të barnave
Kjo nxit pyetjen se sa njerëz do të jenë të gatshëm të vaksinohen. Një sondazh që përfshiu 20,000 pjesëmarrës në 27 shtete gjeti se 74% e njerëzve do të ishin të gatshëm të merrnin një vaksinë. Sidoqoftë, rezultatet dallojnë prej vendit në vend. Për shembull, në Kinë vetëm 3% e njerëzve kanë thënë se nuk do ta merrnin një vaksinë, kurse në Rusi 46%.
Në Evropë, vendet më skeptike për vaksinat kundër COVID-19 janë Polonia, Hungaria dhe Franca. Për ata që nuk duan ta marrin vaksinën, arsyeja kryesore që japin është shqetësimi për efektet e mundshme anësore.
Përqindja e njerëzve në Kosovë që janë të gatshëm ta marrin vaksinën kur kjo të mundësohet është ende e panjohur, por Hoxha thotë se ndërgjegjësimi i publikut për këtë çështje është kyç.
“Njerëzit mund të kenë rezerva ose shqetësime për vaksinën për shkak të shpejtësisë së zhvillimit të saj,” thotë ai. “Dhe me këtë grup skeptikësh duhet të punojmë më fort për t’i bindur rreth të mirave të vaksinës dhe për integritetin e procesit të zhvillimit dhe të miratimit”.
Cilat janë sfidat logjistike?
Dërgimi fizik i vaksinave kërkon një varg mjedisesh me temperaturë të kontrolluar, i njohur si zinxhiri i ftohtë. Kjo përfshin dhoma të ftohta, frigoriferë, ngrirës, kuti të ftohta dhe transportues të vaksinave. Sipas OBSh-së, mosmbajtja e vaksinave në temperaturë optimale gjatë magazinimit ose transportimit është arsyeja kryesore për prishjen e afro gjysmës së vaksinave që shpërndahen nëpër botë.
Vaksina Pfizer/BioNTech që së voni u miratua për përdorim në MB duhet të ruhet në temperaturë prej -70 C. Kjo, sipas Hoxhës, paraqet sfidë për shumë shtete.
“Ngrirësit me temperatura kaq të ulëta gjenden rrallë dhe duhet të sigurohen posaçërisht për vaksinimin me këtë vaksinë”, thotë ai.
Për ta ndihmuar procesin e shpërndarjes, Pfizer/BioNTech ka dizajnuar një enë të veçantë që mban temperaturën e rekomanduar përmes akullit të thatë (dioksid karbonit të ngrirë) deri në 10 ditë. Sidoqoftë, edhe ky sistem mund t’i ketë kufizimet e veta, sikur mungesa e akullit të thatë — një përbërës thelbësor për mbajtjen e temperaturës tejet të ftohtë.
Pas shpërndarjes, vaksina Pfizer/BioNTech mund të mbahet në temperaturë të frigoriferit për pesë ditë, por atëherë shfaqet një sfidë tjetër logjistike meqë mund të mbartet vetëm katër herë para se të mund të bëhet e paefektshme.
Vaksina Moderna zakonisht duhet të magazinohet në -20 C dhe po ashtu mund të qëndrojë në temperaturë frigoriferi deri në 30 ditë, ndërsa vaksina Oxford/Astrazeneca mund të magazinohet në temperatura të rëndomta të frigoriferit.
Kosova ka pajisje relativisht të vjetra të zinxhirit të ftohtë, të cilat datojnë nga viti 2000. Këtë vit, UNICEF-i ka kryer një vlerësim të sistemit të zinxhirit të ftohtë i cili ka treguar se për ta zbatuar programin e vaksinimit kundër COVID-19 pa e komprometuar programin e rregullt të imunizimit, kërkohet zëvendësimi i pajisjeve.
“Pajisjet e zinxhirit të ftohtë që tash për tash përdoren në Kosovë për magazinim të vaksinave janë tejet të vjetruara, duke e ditur se janë instaluar para 20 vjetësh me ndihmë të UNICEF-it, kështu që [vendi] është në pozitë të dobët për t’u ballafaquar me kërkesën e lartë ndërsa Kosova përgatitet për vaksinat e reja kundër COVID-19”, thotë Dafina Zuna, zyrtare për komunikim në Programin e UNICEF-it për Kosovë.
Nevoja për zëvendësimin e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë po ashtu theksohet në Planin e Imunizimit për 2019-2021 nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, Minstria nuk veçon kur do të ndodhë zëvendësimi, por vetëm thotë se janë në proces të blerjes së pajisjeve të zinxhirit të ftohtë me para të marra hua nga Banka Botërore.
Çfarë po bëjnë vendet e tjera në rajon?
Kosova është i vetmi vend në rajon të cilit i takojnë vaksinat falas nga COVAX. Shtetet e tjera duhet t’i blejnë vaksinat vetë dhe shumica tashmë kanë nisur proceset e prokurimit.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić ka thënë se Serbia ka siguruar blerjen e 1.8 milionë dozave të vaksinës nga COVAX. Ai po ashtu ka thënë se janë në bisedime për sasi më të mëdha me partnerë sikur Rusia dhe Kina, vende që po i zhvillojnë vaksinat e tyre.
Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë ka thënë se vendi ka bërë një parapagesë për COVAX për 570,000 doza të vaksinës. Bosnja dhe Hercegovina po ashtu ka nënshkruar një marrëveshje me COVAX për blerjen e rreth 1.2 milionë vaksinave, ndërsa entiteti i Republikës Serbe të Bosnjës po ashtu thuhet se ka porositur doza të vaksinës ruse Sputnik V, e cila ende po kalon nëpër prova masive.
Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi ka thënë se Mali i Zi ka kërkuar rreth 250,000 vaksina përmes COVAX, ndërsa një listë e shteteve në webfaqen e Gavi-t tregon se Maqedonia e Veriut po ashtu ka shprehur interes me shkrim për blerjen e vaksinave përmes COVAX.K
Imazh i ballinës: CC0.
Ky publikim është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) nëpërmjet Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).