Në thelb | Kafshët

Kujdesi për kafshët e Shqipërisë

Nga - 02.11.2017

Kërkohen ndryshime ligjore pas keqtrajtimit të kafshëve.

Në javët e fundit, qytetarët e Shqipërisë janë shokuar ga videot dhe fotografitë që u shpërndanë në rrjete sociale duke shfaqur keqtrajtim ekstrem të kafshëve. Këto pamje jo vetëm që kanë nxitur debate publike për këtë temë, por e kanë shtyrë shoqërinë civile dhe organizatat që punojnë për të drejtat e kafshëve të reagojnë duke kërkuar nga qeveria të ndryshohet legjislacioni ekzistues dhe të zbatohen masat kundër atyre që janë përgjegjës për keqtrajtimin e kafshëve.

Rasti i parë që e tronditi publikun ndodhi më 1 tetor, kur një grup i vendasve në Dibër, qytezë në Lindje të Shqipërisë, vrau një ari. Fotografia e kafshës së ngordhur u shpërnda nëpër rrjete sociale dhe nxiti shumë reagime zemërimi nga njerëzit të cilët ishin të shqetësuar nga vrasja e një kafshe që konsiderohet si specie e rrezikuar.

Vendasit e justifikuan këtë veprim duke thënë se ariu u kishte shkatërruar të mbjellat e misrit dhe i kishte trazuar shumë. “Ky ari u vra në fshatrin Kala e Dodë sepse i shkatërroi të gjitha të mbjellat tona. Na mori ushqimin tonë themelor”, shkroi një banor lokal për një media të Tiranës.

Bears in Albania, degë e grupit Animal Rescue Albania që mbron të drejtat e kafshëve, reagoi duke deklaruar se fshatarët me gjasë e kishin shkatërruar mjedisin e jetesës së kafshës, duke e nxitur atë të shfaqej në fshat. “Humbja e mjedisit të jetesës, e shkaktuar nga shpyllëzimi, e detyroi kafshën të kërkonte ushqim në vendet e tjera, dhe në fund ajo u ushqye me të korrat e kultivuara nga vendasit”, shkroi kjo degë e grupit në faqen e saj në Facebook.

Vrasja brutale e Bardhoshit

Vetëm dy ditë më vonë, një video e vrajses brutale të një qeni nga një adoleshent u shpërnda nëpër rrjete sociale, duke i nxitur përdoruesit e këtyre rrjeteve ta dënojnë plot zemërim këtë veprim. Ky qen pa emër, të cilit më vonë iu la emri “Bardhosh”, shihet duke u ngazëllyer deri sa afrohet djali, duke menduar se ai dëshiron të luajë me të. Por ky gëzim shpejt shndrrohet në vaj dhe britma, kur qeni i lidhur me zinxhirë rrahet dhe më pas vritet me sëpatë.

Policia e identifikoi adoleshentin si 14-vjeçar nga Kuçova, qytezë në Shqipërinë qendrore. Ata thanë se videoja u xhirua dhe u postua në Facebook nga dy bashkëmoshatarë të tij. Duke biseduar me Top Channel, 14-vjeçari tha se ishte penduar për faktin se kishte kryer këtë veprim brutal, por se nuk e kishte menduar se xhirimi i dhunës do të përhapej kështu në internet e t’i shkakonte më pas probleme.

Vrasja brutale e qenit ka nxitur protesta për të drejtat e kafshëve dhe peticion për ndryshime ligjore në Shqipëri. Foto: Merxhan Daci.

Në Shqipëri nuk ka legjislacion që përcakton masa ndëshkuese në mënyrë specifike për ata të cilët i keqtrajtojnë kafshët, por disa elemente të pjesëve të tjera të legjislacionit mund të jenë të zbatueshme. Për shembull, në rastin e ariut të vrarë, Ligji që rregullon gjuetinë mund të përdoret për t’i ndjekur penalisht individët të cilët e vranë ariun, meqë këto kafshë konsiderohen të mbrojtura. Po të shkonte rasti në gjykatë, kushdo që shpallet i fajtor sipas këti Ligji mund të dënohet me gjobë deri në 760 euro.

Ligji për Shërbime Veterinare gjithashtu ka elemente që lidhen me dhunën kundër kafshëve, por që zbatohen veçanërisht në rastet që lidhen me veterinarë privatë, si për shembull Neni 76, i cili thekson se secili veprim që shkakton dhimbje të panevojshme për kafshën është i ndaluar; shkelja e këti neni është e dënueshme me gjoba deri në 760 euro. Sipas Animal Rescue Albania, ky ligj është i mangët dhe krijon shumë huti.

Pas dy incidenteve të njëpasnjëshme të profilit të lartë që ndodhën në muajin e fundit, Saimir Tahiri, ish-Ministër i Punëve të Brendshme në Shqipëri dhe mbështetës i të drejtave të kafshëve, i kujtoi publikut se vitin e kaluar ai e kishte propozuar një Projektligj në Parlament, sipas së cilit kushdo që shpallet fajtor për torturim apo vrasje të një kafshe do të dënohej deri në gjashtë muaj burgim. “U detyrova të përsëris pas 1 viti propozimin për të ndaluar dhunen ndaj kafsheve… Parlamenti nuk dëgjoi për më shumë se 1 vit. Tani nuk mundet më [t’i injorojë thirrjet për veprim]”, shkroi Tahiri në një postim në Facebook.

“Për të ndalur abuzimin, për të ndalur vrasjet, për të ndalur torturën dhe dhimbjen, për vetë sigurinë tonë e cila cënohet nga individë të tillë të rrezikshëm, Shqipërisë i duhet një ligj për të ndëshkuar dhunen ndaj kafshëve.”

Animal Rescue Albania

Edhe Animal Rescue Albania reagoi duke e nisur një peticion nëpërmjet të cilit kërkohet kriminalizimi i dhunës ndaj kafshëve në Shqipëri. Synimi i tyre është grumbullimi i 20,000 nënshkrimeve, pas së cilit peticionin do ta dorëzojnë në Parlament, që ai të merret parasysh dhe të miratohet një ligj i ri.

“Nuk mundëm të bëjmë asgjë për Bardhoshin i cili humbi jetën i torturuar. Të mos lejojmë që ai të jetë thjesht një numër në listën rrënqethëse të krimeve mizore ndaj kafshëve”, shkruan ata në faqen e tyre në Facebook. “Për të ndalur abuzimin, për të ndalur vrasjet, për të ndalur torturën dhe dhimbjen, për vetë sigurinë tonë e cila cënohet nga individë të tillë të rrezikshëm, Shqipërisë i duhet një ligj për të ndëshkuar dhunen ndaj kafshëve”.

#1ligj4putra

Më 7 tetor u mbajt një protestë para Parlamentit. Aty qytetarët patën mundësinë edhe ta nënshkruanin peticionin. Më shumë se 10,000 nënshkrime u grumbulluan vetëm në pesë ditët e para të fushatës. Shumë njerëz erdhën në protestë me qentë dhe macet e tyre, e edhe më shumë e nënshkruan peticionin në ditët në vijim. “Unë e nënshkrova peticionin dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që e kam bërë së fundmi”, tha për K2.0 një pjesëmarrëse e re në protestë, Edona Maluka.

Besari, një djalosh 12-vjeçar i cili tha se i don kafshët shtëpiake, tha për K2.0 se mori pjesë në protestë kundër dhunës ndaj kafshëve përkundër faktit se nuk ka mundësi ta nënshkruajë peticionin, meqë nuk i ka mbushur ende 18 vjet. “Sot jam me Kokon, qenin tim të vogël”, tha ai.

Mbi 10,000 nënshkrime u grumbulluan në Tiranë në pesë ditët e para të fushatës për të drejtat e kafshëve. Foto: Merxhan Daci.

Andi Bora, student nga Tirana, gjithashtu beson se ka ardhur koha për ta bërë të kundërligjshme dhunën kundër kafshëve. “Unë besoj se dhuna kundër kafshëve ndodh çdokund në Shqipëri, por falë internetit, disa prej këtyre rasteve kanë dalur në lajme, dhe kështu mund të mendojmë për to”, tha ai për K2.0. “Unë rekomandoj fuqimisht që qeveria ta përgatisë një ligj me dënime, prej gjobave e deri te burgimi në raste ekstreme”.

Albi Beqiraj, njëri prej organizatorëve të protestës, e solli idenë për thurrjen #1ligj4putra, e cila gradualisht është bërë më e popullarizuar në internet. Ai shpjegoi se synimi i tyre do të përmbushet vetëm kur të dërgohet dhe të merret parasysh peticioni në Parlament.

95 përqind e të anketuarve tanë se duhet të merren masa ndëshkuese kundër njerëzve të cilët i keqtrajtojnë kafshët, e gati gjysma deklaruan se autorët e këtyre krimeve duhet të burgosen.

“Jemi duke punuar çdo ditë dhe në çdo skaj. Unë jam vullnetar këtu, dhe ne do të jemi pothuajse çdokund në Tiranë si dhe në qytetet e tjera deri sa t’i grumbullojmë këto 20,000 nënshkrime”, tha ai për K2.0. “Për ta realizuar këtë, kemi nevojë për mbështetjen e ligjvënësve tanë”.

Vetëm një javë pas vrasjes brutale të qenit nga adoleshenti, një rast tjetër shokues ndodhi në Berat, në Shqipërinë qendrore. Një burrë 40 e ca vjeçar u xhirua duke e hedhur qenin e tij në Lumin Osum, me një gur të lidhur rreth qafës, duke ia pamundësuar notin.

Së fundmi, një sondazh u organizua në faqen e njohur në Facebook për gazetari civile “Jeta Osh Qef”. Në këtë sondazh u kërkua prej njerëzve të votojnë për atë se çfarë mendojnë se duhet të ndodhë me njerëzit të cilët i shkelin të drejtat e kafshëve. 95 për qind e të anketuarve thanë se duhet të merren masa ndëshkuese kundër njerëzve të cilët i keqtrajtojnë kafshët, e gati gjysma deklaruan se autorët e këtyre krimeve duhet të burgosen.

Aktivistët në Shqipëri shpresojnë se diçka do të ndryshojë së shpejti dhe se kafshët do të jenë të sigurta e nuk do të keqtrajtohen. Foto:  Merxhan Daci.

Specifikisht, 28 për qind e njerëzve e mbështesin idenë se ata që i keqtrajtojnë kafshët duhet të burgosen nga 3 deri në 12 muaj, dhe 19 për qind thanë se “masa ndëshkuese më të rënda janë të domosdoshme”. 35 për qind e mbështetën idenë e “punës vullnetare”, që do të thotë përkujdesje për kafshët. 13 për qind e të anketuarve thanë se autorët e këtyre krimeve duhet të përballen me “gjoba të mëdha”, ndërsa vetëm 5 për qind thanë se ata nuk duhet të dënohen fare.

Megjithatë, aktualisht keqtrajtimi i kafshëve është ende dukuri e zakonshme në rrugët e Shqipërisë. Aktivistët thonë se deri sa të miratohet një ligj i qartë, këto raste brutale nuk do të kryhen, ndërsa mediat online do të vazhdojnë t’i shfaqin pamjet shokuese.K

Foto kryesore: Merxhan Daci.