Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Shumë fjalë, pak punë: Të Drejtat e Njeriut në Kosovë në vitin 2016

Nga - 27.12.2016

Edhe pse retorika ka qenë pozitive, pak përfitim është ndjerë këtë vit nga ana e komuniteteve të rrezikuara të Kosovës.

Viti që po e lëmë pas ishte përplot fjalime udhëheqësish kosovarë të cilët përpiqeshin të portretizoheshin si promovues të një vendi shumëkulturor i cili garanton të drejta të barabarta për secilin, ndërsa institucionet të cilat ata i udhëheqin nuk ia dolën të ofronin kushte më të mira të jetës për qytetarët e Kosovës.  Ky ishte gjithashtu vit me shumë sfida për shumë qytetarë, sidomos për ata në pozita të ndjeshme, që t’i gëzojnë të drejtat themelore, duke filluar nga shërbimet shëndetësore e deri te arsimi e punësimi.

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet ta finalizojë një strategji dhe plan veprimi gjithëpërfshirës për të drejtat e njeriut, i cili do të shërbejë si dokument bazë, me hapa konkretë të cilat duhet t’i ndërmarrin palët e interesit për t’i promovuar dhe për t’i shtyrë përpara të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës. Strategjia duhet të hyjë në fuqi në vitin 2017, megjithëse koha e saktë mbetet ende e paqartë. Por duke marrë parasysh se sa pak është arritur përgjatë këtyre viteve përmes strategjive të ndryshme që fokusoheshin në grupe të ndryshme njerëzish, strategjia e re ka pak gjasa të japë shpresa të mëdha, pos nëse përfaqësuesit politikë tregojnë vullnet të njëmendtë për zbatimin e saj.

Ndërsa po i afrohemi fundit të vitit, K2.0 i grumbullon në një vend disa prej çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, të cilat ishin pjesë e debatit publik gjatë vitit 2016 por që ende nuk kanë tërhequr vëmendjen apo veprimet e merituara.

Ankthi thellohet për familjet e të zhdukurve

Shpresat e mijëra familjeve të të zhdukurve të Kosovës u shuan gjatë verës pas një konfirmimi se nuk kishte varrezë masivenë Kampusin e Universitetit të Prishtinës. Gërmimet me urdhër të Prokurorit Special të Kosovës filluan në korrik, pasi dëshmitarët pretenduan se zona me barishte përreth Universitetit fshihte një varrezë masive me shqiptarët e vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

17 vjet pas përfundimit të luftës ende nuk ka përgjigje për familjet e rreth 1,650 personave që ende konsiderohen të zhdukur, derisa viti 2016 vetëm se ua zgjati ankthin edhe për një vit.  Numri i personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës u zvogëlua me kalimin e viteve, kryesisht për shkak të zbulimit sistematik të varrezave masive  – ky numër dikur ishte 6,000.  Çdo raport në lidhje me ekzistimin e mundshëm të ndonjë varreze masive i rrit shpresat e familjeve të personave të zhdukur, se ndoshta mund të gjejnë një fije qetësie.

missing-persons1

Çështja e personave të zhdukur asnjëherë nuk ka qenë në tryezën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, përkundër kërkesave të organizatave të shoqërisë civile dhe të familjeve të të zhdukurve që kjo çështje të jetë pjesë e bisedimeve. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se ka mosgatishëmëri për zbulimin e informacioneve, sidomos nga ana e Serbisë, meqë kjo do të niste edhe një proces të hetimit dhe të përndjekjes së të përfshirëve në vrasje, apo në fshehje të gjurmëve nëpërmjet zhvendosjes së të vrarëve.

Edita Tahiri, ministre e dialogut e Kosovës, tha në tetor se kjo çështje nuk është diskutuar në Bruksel sepse Bashkimi Europian ka kërkuar lista të personave të zhdukur dhe as Serbia e as Kosova nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë lista të tilla.

Pas kritikave të ashpra nga aktivistët e të drejtave të njeriut — një numër organizatash të ndryshme e kanë listën e plotë të personave të zhdukur — Tahiri menjëherë e tha të kundërtën e asaj që kishte deklaruar më parë. Ajo tha se Kosova i ka paraqitur Bashkimit Europian listën e personave të zhdukur, mirëpo theksoi se dialogu nuk kishte vazhduar sepse Serbia nuk kishte qenë e gatshme ta jepte listën lidhur me lokacionet e personave të zhdukur.

Këtë vit, për herë të parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të këmbëngulë që ta çojë çështjen e personave të zhdukur në Bruksel. Pastaj, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell deklaroi se Ambasada Britanike dhe Qeveria e Kosovës po e nisin një projekt për ndërtimin e kapaciteteve për trajtim efiçent dhe efikas të çështjeve që kanë të bëjnë me personat e zhdukur.

Ndërsa familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të presin për ndonjë lajm a zhvillim të ri, telashet e tyre ka kohë që janë harruar nga shoqëria dhe nga institucionet. Një presion më i madh nga institucionet e Kosovës të paktën do t’u jepte një fije shprese që të marrin vesh diçka në lidhje me fatin e më të dashurve të tyre.

Shpresa u vonua për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Dhuna në familje dhe ngacmimi seksual, martesat e të miturtve, diskriminimi i madh në punësim dhe të drejtat pronësore — lista nuk mbaron me kaq. Diskriminimi i grave kosovare nuk është vetëm dukuri e pranishme në familje dhe në tregun e punës, por ai shtrihet edhe në drejtësi, polici e shërbime sociale. Viti 2016 ishte edhe një vit pa ndonjë nismë e cila do të merrej seriozisht me ndonjë çështje për sigurimin e barazisë më të mirë për gratë në Kosovë.

Pastaj kemi deri në 20,000 gra kosovare të cilat janë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kur në shkurt të vitit të kaluar hynë në fuqi rregulloret për krijimin e një Komisioni të Pavarur i cili do ta verifikonte statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me mijëra të mbijetuara kishin shpresa të mëdha se ishin afër ushtrimit të të drejtës së tyre për reparacion.

violence-against-women

Aktivistët e të drejtave të njeriut vazhdimisht kanë theksuar se respektimi i reparacioneve për të mbijetuarat do ta zvogëlonte mosbesimin që shumë e ndjejnë. U prit deri në vitin 2014 që Kuvendi ta amendamentonte ligjin për të drejtat e viktimave civile, i cili të mbijetuarve të dhunës seksuale ua njeh statusin e viktimave civile të luftës.

Arban Abrashi, ministër i punës dhe i mirëqenies sociale – ministri përgjegjëse për themelimin dhe mbështetjen sipas rregullores së re — vazhdimisht ka deklaruar se procesi i verifikimit të të mbijetuarve do të niste së shpejti. Por ‘së shpejti’ ka dalur të jetë një periudhë krejt e panjohur, sepse as në 2016 Komisioni ende nuk është themeluar, edhe pse disa përfaqësues nga institucionet publike janë emëruar për këtë Komision në vjeshtë të këtij viti.

Funksionalizimi i Komisionit me gjasë do të ndodhë në vitin 2017; ai do të ofrojë shpresë sa i përket qasjes së të mbijetuarve në të drejtat e tyre për reparacione. Procesi i verifikimit dhe i identifikimit mund të ketë ndikim në përfshirjen e grupeve të cilat kurrë nuk kanë gjetur vend në debatet publike në Kosovë në lidhje me dhunën seksuale gjatë luftës: të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të komuniteteve pakicë.

Zyrtarisht tolerantë, jozyrtarisht homofobë

Viti 2016 pati vizibilitetin më të madh të lëvizjes Lezbike, Gej, Biseksual, Transgjinor dhe Interseksual (LGBTI) në Kosovë deri më tani. Marshi i fundit i krenarisë i LGBTI, i cili u organizua për vitin e tretë me radhë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë fitoi përkrahjen e aktivistëve, qytetarëve, përfaqësuesve qeveritarë dhe të personaliteteve ndërkombëtare të profileve të larta. Edhe vetë Presidenti Hashim Thaçi ishte i pranishëm, duke deklaruar se ‘çdo qytetar në Kosovë, pavarësisht prkatësisë etnike, gjinore e seksuale, gëzon të drejta të barabarta’.

lgbt-1

Thaçi u thirr në Kushtetutën e Kosovës, por barazinë të cilën ai e përmendi rrallëherë ndjehet nga komuniteti LGBTI. Ngjajshëm, vizibiliteti i aktivizmit të LGBTI, nga marshi e deri te aktivitetet tjera, nuk e ngriti edhe vizibilitetin e tyre në sferën publike.

Garancitë ligjore të cilave iu referohej Thaçi janë kontestuar nga aktivistët, duke pohuar se megjithëse martesat ndërmjet gjinisë së njëjtë garantohen me Kushtetutë, Ligji për Familjen e cënon këtë duke e përkufizuar martesën si një akt ndërmjet një burri dhe një gruaje.

Hendeku ndërmjet deklarimeve publike dhe qëndrimeve prapa skenës i cili cënon mbështetjen institucionale përsëri nxori kokën. Përkundër porosisë së Thaçit për gjithëpërfshirje, kolegu i tij nga PDK-ja, kryekuvendari Kadri Veseli u kap duke e përshkruar politikanin kryesor të opozitës, Albin Kurtin, me fyerjen homofobike ‘peder’, gjatë një serie bisedash të përgjuara telefonike të cilat i kishte publikuar Insajderi gjatë verës që lamë pas.

konferencën e parë rajonale të LGBTI të mbajtur në tetor, nikoqir i së cilës ishte Qeveria e Kosoës dhe LGBTI Equal Rights Association for Western Balkans and Turkey (ERA), u theksua se personat LGBTI në Kosovë janë pre diskriminimesh më të mëdha në rajon.

Aktivistët theksuan se Kosova ka bërë progres shumë të vogël me rastin e parë gjyqësor në lidhje me komunitetin LGBTI. Këtë vit, dy persona gej u sulmuan në vendin e tyre të punës, dhe për herë të parë në Kosovë ky sulm përfundoi në gjykatë, krahas 18 sulmeve kundër personave LGBTI të cilat ishin raportuar në Policinë e Kosovës që nga paslufta. Megjithatë, Gjykata Themelore në Ferizaj nuk e mori parasysh se motivi i sulmit kishte lidhje me orientimin seksual të viktimave.

Me siguri se as viti 2017 nuk do të sjellë ndryshime drastike sa i përket këtij komuniteti. Por, zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se komuniteti LGBTI duhet t’i vazhdojë diskutimet sa i përket intervenimeve në sistemin e drejtësisë, dhe zbatimit të ligjit. Meqë raporti i parë transgjinor u botua gjatë këtij dhjetori, gjithashtu u pa e nevojshme që debati të orientohej drejt sfidave specifike me të cilat ballafaqohen personat transgjinorë.

Strategjitë e reja, qëndrimet e vjetra

Strategjia e re, e shumëpritur për integrimin e romëve, ashkalive dhe egjiptasve 2017-2021 më në fund u prezantua në formën e saj finale në nëntor të këtij viti. Në vitin 2015, kur qeveria së bashku me akterët relevantë e nisën procesin e hartimit të strategjisë së re, atë e planifikuan për periudhën 2016-2020. Por gjatë këtij viti ata ishin larg finalizimit të saj, e të mos flasim për zbatimin e saj.

Viti 2016 nuk prodhoi asgjë të papritur për këto tri komunitete të ndjeshme, të cilat vazhdojnë të jetojnë në margjina të shoqërisë. Udhëheqësit kosovarë vazhduan me retorikën e tyre boshe të “përpjekjeve të tyre për përfshirjen e romëve, ashkalive, dhe egjiptasve’. Por përgjimet e publikuara gjatë verës kanë treguar se kur flitet për përfitimin e pikave politike në Bruksel dhe përpara bashkësisë ndërkombëtare, liderët politikë vendorë nuk ngurrojnë t’i instrumentalizojnë edhe grupet më të margjinalizuara.

minorities

Toni përbuzës dhe gjuha fyese të cilën e përdori Grabovci e Veseli gjatë një bisede të përgjuar në lidhje me një vizitë të Veselit së bashku me një delegacion përfaqësuesish të pakicave, zbuloi qasjen eksploatuese të cilën e kanë figurat e larta politike në Kosovë.

Fakti se institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre nuk kanë treguar vullnet të njëmendtë për përfshirjen e romëve, ashkalive dhe egjiptasve portretizohet më së miri me rezultatet e strategjisë së fundit (2009-2015).

Raportet e monitorimit tregojnë se pas shtatë vitesh zbatimi strategjia nuk ua ka përmirësuar jetën këtyre tri komuniteteve. Romët, ashkalitë, dhe egjiptasit përsëri ballafaqohen me shumë sfida në ushtrimin e të drejtave të tyre — në mes tjerash — në shëndetësi, punësim, drejtësi e mirëqenie sociale, ndërsa përfaqësimi i tyre në institucione publike dhe vendimmarrje mbetet shumë i kufizuar. Për t’i arritur pikësynimet, strategjia e re ka planifikuar intervenime në katër sektorë: në arsim, punësim dhe çështje sociale, në shëndetësi dhe banim.

Duke qenë se arsimi konsiderohet si mjeti kyç për fuqizimin e komuniteteve të ndjeshme, insitucionet e Kosovës së pari duhet të merren me shkallën e lartë të braktisjes që i prek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas. Luftimi i disktiminimit nëpër klasa do të ishte një fillim i mbarë.K

Imazhet: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • 28 Dec 2016 - 13:08 | Ardian:

    Mendimi im eshte, ka edhe me shume per te shtuar, por ndoshta nuk ja vlen qe te shkruajm me,Ekomonia,Drejtesia,Shendetsia,Kultura,Mirqenja sociale,Neputizmi,korrupcioni,e gjitha duhet ber nje swot analiz,duke marr nje ofenziv drastike qe per se cilen te merren seriozisht ose ka nje arsy qe shkon keshtu kjo situat,megjithate nuk ka mundesi te behet ajo çfare ne shpresojim...

KOMENTO