Çështja e targave u rikthye sërish për t’i vënë në pah tensionet e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Vendimi i fundit, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka quajtur “zbatim gradual të politikës për targa të paligjshme”, nënkupton se që nga 1 nëntori, Policia e Kosovës ka filluar me shqiptimin e vërejtjeve për vozitësit, që ende posedojnë targa të lëshuara nga Serbia për veturat e Kosovës. Duke filluar nga 1 prilli 2023, pronarëve të veturave do t’u kërkohet të kenë targa të Kosovës.
Ishte e dukshme se vendimi nuk i pëlqeu Departamentit të Shtetit të ShBA. Pak ditë para zbatimit, ambasadori i ShBA në Kosovë Jeff Hovenier tha se preferenca e vendit të tij për këtë temë është shtyrja e çështjes për t’i shmangur tensionet.
Kur Kurti vazhdoi me planet e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një letër ku shprehte zhgënjimin dhe shqetësimin e tyre që qeveria e Kosovës nuk po vepronte siç i kërkohej. Zhgënjimi i tyre u bë i qartë më 10 nëntor, kur një vizitë zyrtare në ShBA e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, e planifikuar për në dhjetor, u shty papritur.
Më 21 nëntor, një tjetër kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrjen për një muaj të fazës së dytë të zbatimit — e cila kërkonte që të shqiptoheshin gjoba për vozitësit me targa të paligjshme duke filluar nga 22 nëntori dhe e cila shkaktoi dorëheqje masive të serbëve të Kosovës nga vendet e tyre të punës në sistemin e Kosovës në veri të vendit — përsëri nuk u pranua. Përfaqësuesi i Lartë i BE Joseph Borell përdori fjalë veçanërisht të ashpra për Kosovën, duke thënë se qeveria tregoi “mungesë respekti për detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare”. Në momentin e fundit ndërhynë ShBA dhe sugjeruan një shtyrje prej 48 orësh, e cila u pranua shpejt nga Kurti.
Kurti fillimisht filloi të merrej me çështjen e targave në shtator të vitit 2021. Që nga fillimi ishte e qartë se bëhej fjalë për më shumë sesa thjesht targa, por kishte të bënte me vendosjen dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës përballë refuzimit të palës serbe. Vetëvendosje ka kohë që përqendrohet t’i japë përmbajtje sovranitetit bosh të Kosovës.
Vetëvendosje kërkon t’ua rimarrë pushtetin mbështetësve ndërkombëtarë të Kosovës.
Vetëvendosje, dhe veçanërisht Kurti, janë të vetëdijshëm se sovraniteti i Kosovës nuk sfidohet vetëm nga pengesat e vazhdueshme të Serbisë. Si lëvizje e majtë e angazhuar në kritikën dekoloniale të marrëdhënieve të pushtetit, partia kërkon ta rimarrë pushtetin edhe nga mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës. Kësisoj, vendimi i fundit i Kurtit për targat ka të bëjë me ripërcaktimin, nëse jo ballafaqim të marrëdhënieve të veçanta të Kosovës me ShBA dhe vendet e Kuintit (Francë, Gjermani, Itali, Mbretërinë e Bashkuar). Megjithatë, ky ripërcaktim është i ndërlikuar.
Sovraniteti i Kosovës, sado i paplotë në nivel ndërkombëtar, është kryesisht i garantuar nga ShBA dhe vendet e Evropës Perëndimore. Në të njëjtën kohë, vetë këto vende, me ndërhyrjet e tyre të shpeshta në politikën e përditshme të Kosovës, janë pengesat më të mëdha për sovranitetin e plotë të Kosovës. Ballafaqimi i Kurtit me këtë paradoks po fiton mbështetje brenda vendit, por a po e shpërqendron qeverinë e tij nga adresimi i çështjeve të tjera të rëndësishme që lidhen me mosfunksionimin dhe gjendjen e rëndë në të gjithë vendin?
Nga shpëtimtarë në pengesa
Në vitin 1999, bashkë me forcat aleate, ShBAnisën bombardimet e NATO kundër Serbisë për ta ndaluar pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 2008, ShBA ishin të rëndësishme në koordinimin, planifikimin dhe në përgatitjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe në sigurimin e njohjes ndërkombëtare. Mirënjohja dhe adhurimi që shumica e shqiptarëve të Kosovës kanë për ShBA është e dukshme në mënyrën se si u mirëpritën trupat amerikane në vitin 1999, si u ngritën statujat e ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-sekretares së shtetit Madeleine Albright në Prishtinë dhe se si shqiptarët e Kosovës festojnë ditëlindjen e Bill Clinton.
Në mes të një sentimenti të tillë publik, elitat politike të pasluftës në Kosovë — kryesisht ish-udhëheqësit e rezistencës guerile — ndërtuan një marrëdhënie të ngrohtë, varësie dhe nënshtruese ndaj Ambasadës së ShBA në Prishtinë.
Për shkak të qëndrimit pengues të Serbisë ndaj Kosovës, si dhe angazhimit të plogësht, nëse jo të pavëmendshëm të Bashkimit Evropian me Kosovën, dukej se basti më i mirë për elitën kosovare ishte t’i linte ndërkombëtarët — idealisht amerikanët — të merreshin me çështjet. Për këtë qëllim, gjatë dy dekadave, ata kanë krijuar një narrativë në të cilën raporti “po-zotëri” me Ambasadën e ShBA paraqitej si sinonim i mbrojtjes së interesave të Kosovës.
Elitat politike të pasluftës në Kosovë ndërtuan një marrëdhënie relaksuese dhe nënshtruese ndaj Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.
Ndryshe nga paraardhësit e saj, që vepruan si zbatues të bindur dhe jokritikë të politikave ndonjëherë të diskutueshme të administratorëve ndërkombëtarë, Vetëvendosje i ka kritikuar prej kohësh paradokset e shtetndërtimit ndërkombëtar në Kosovë, shpeshherë duke ekspozuar tiparet neo-koloniale të ndërhyrjes liberale perëndimore.
Për shembull, pas vendosjes së Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në fillim të viteve 2000, Vetëvendosje shpejt e kritikoi statusin e misionit si antidemokratik dhe që nuk i përgjigjej pritshmërive të qytetarëve të Kosovës. Aktivistët e Vetëvendosjes shpesh u përleshën me policët e UNMIK dhe udhëhoqën një fushatë për vandalizimin e veturave të tyre.
Në vitin 2007, Vetëvendosje organizoi një fushatë mbarëkombëtare për t’i bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga UNMIK në Kosovë. Me argumentimin se zgjedhjet ishin thjesht simulime të demokracisë, Vetëvendosje e mbushën vendin me mbishkrime me akronimin UNMIK, i cili në shqip nënkuptonte “Unë Nuk Merrem me Interesat e Kosovës”.
Megjithëse lëvizja nuk ishte kundër një pranie ndërkombëtare në vetvete, por ishte kundër statusit të UNMIK, i cili ishte bërë vetë fuqia sovrane. Rreth të njëjtës periudhë, aktivistët e Vetëvendosjes ngjyrosën muret e sapo-ngritura rreth ndërtesës së UNMIK në Prishtinë me mbishkrime që thonin “KOLONIALIZMI UNMIK”, si koment për administratën ndërkombëtare të rrethuar dhe të shkëputur.
Vetëvendosje prej kohësh nuk ka pasur një marrëdhënie as të ngrohtë e as të nënshtruar me Ambasadën Amerikane.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë me ndihmën e aleatëve perëndimorë. Kushtetuta e Kosovës, himni kombëtar dhe flamuri kombëtar u hartuan duke ndjekur kufizimet e ngushta të asaj që Ambasada e ShBA dhe partnerët e tjerë perëndimorë vendosën se ishin vlerat dhe estetika e duhur. Vetëvendosje asokohe shpalljen e pavarësisë e konsideronte të zbrazët. Ata talleshin me flamurin se nuk përfaqësonte popullin e Kosovës dhe duke thënë: “Kushtetuta aktuale është për Kosovën, por jo e Kosovës… Kosova duhet të ketë kushtetutë sovrane, historike, kombëtare, qytetare dhe demokratike. Kushtetuta aktuale nuk është asnjëra prej tyre”.
Për më shumë, Vetëvendosje, asokohe një lëvizje politike dhe ende jo një parti, kishte marrëdhënie me Ambasadën Amerikane që nuk ishin as të afërta dhe as nënshtruese. Në telegramet diplomatike të vitit 2007 të botuara nga Wikileaks, ambasadorja e ShBA në Prishtinë, asokohe Tina Kaidanow shkroi se arrestimi i Kurtit — pas protestave të dhunshme të 10 shkurtit 2007, ku policia rumune e Kombeve të Bashkuara (OKB) vrau dy protestues të Vetëvendosjes — ishte “lajm i mirë për Kosovën” dhe se Kurti përbënte “rrezik t’i ikte gjykimit nga prokurorët [dhe] rrezik për sigurinë publike”.
Në vitin 2011, Vetëvendosje u shndërrua në parti politike dhe mori pjesë në zgjedhjet e atij viti. Një ditë para zgjedhjeve, ambasadori i ShBA në Prishtinë, Christopher Dell vizitoi selitë e partive politike për t’u uruar një proces të drejtë dhe demokratik. Kur gazetarët e pyetën nëse planifikonte ta vizitonte edhe Vetëvendosjen, Dell deklaroi shkurt “nuk i kam takuar dhe nuk do t’i takoj”, duke u dërguar mesazh zgjedhësve të Kosovës se cilat parti politike kishin bekimin e Shteteve të Bashkuara, një përpjekje e nënkuptuar për t’i ndikuar votuesit.
Përpjekjet e Vetëvendosjes për t’i përmirësuar marrëdhëniet e Kosovës me ShBA janë bërë sfiduese për shkak të marrëdhënies së kaluar dhe ndërhyrjes afatgjate të papenguar e ShBA në qeverisjen e Kosovës, përfshirë edhe zgjedhjen e një presidenteje përmes një zarfi të mbyllur dhe rrëzimin e qeverive.
Në tetor të vitit 2019, Vetëvendosje, në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), erdhi në pushtet për herë të parë pasi fitoi zgjedhjet nacionale me 26% të votave. Në fillim të vitit 2020, pikërisht kur filloi pandemia, ShBA dhe sponsorët e tjerë ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës ringjallën marrëveshjen që përfshinte një shkëmbim të territoreve për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, diçka që më parë ishte mbështetur jozyrtarisht nga ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini. Marrëveshja përfshinte kërkesat që Kosova t’i hiqte taksat ndaj produkteve serbe. Pasi Kurti refuzoi propozimin, LDK thirri votë mosbesimi që në fund rezultoi me rrëzimin e qeverisë.
Vota e mosbesimit e LDK-së u projektua drejtpërdrejt nga administrata Trump, veçanërisht nga i dërguari special i presidencës së ShBA për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell. Dy muaj pas votimit të mosbesimit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK, Arben Gashi, deklaroi se Grenell i kishte dhënë ultimatum shtatë ditësh LDK-së për ta rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga Kurti. “Ne e kemi pasë në mënyrë qartë dhe të saktë të shkruar, i kemi pasë shtatë ditë me rrëzu qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhë mesazh, e gjashta, e pesta, e katërta, nuk ka ende kurgjo të re…”, pati deklaruar Gashi për Kanal 10 të Kosovës.
Pavarësisht ndërhyrjes së administratës Trump dhe mospëlqimit të qartë të saj ndaj Vetëvendosjes, për habinë e shumë njerëzve, votuesit kosovarë dolën kundër preferencave politike të qeverisë amerikane në zgjedhjet vijuese. Më 14 shkurt 2021, Vetëvendosje e Kurtit, në koalicion me partinë e ndarë të LDK “Listën Guxo” të kryesuar nga presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, dyfishoi rezultatin e votave dhe fitoi zgjedhjet me një fitore të thellë e të paprecedentë prej më shumë se 50%.
Vetëvendosje erdhi në pushtet pavarësisht mospëlqimit të Departamentit të Shtetit të ShBA.
Rezultatet treguan se edhe pse shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës i konsiderojnë amerikanët çlirimtarë dhe i adhurojnë Clintonët dhe Albright, nuk janë të pavëmendshëm ndaj ndërhyrjes jodemokratike të Departamentit të Shtetit të ShBA. Vetëvendosje ia doli të vinte në pushtet dhe ta dyfishonte bazën e saj elektorale pavarësisht mospëlqimit të Departamentit të Shtetit të ShBA dhe jo falë afërsisë nënshtruese ndaj tyre.
Sigurisht, Kurti nuk është lideri i parë që përpiqet ta forcojë sovranitetin e Kosovës përballë pengesave të Serbisë, megjithëse përpjekjet e kaluara ishin sporadike dhe jetëshkurtra. Për shembull, në vitin 2011, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën kur qeveria e Kosovës u përpoq të vendoste kontrollin në dy pikat kufitare në pjesën veriore të vendit, në Jarinje dhe Bërnjak. Mes tensioneve të armatosura me serbët lokalë, polici kosovar Enver Zymberi u vra në detyrë.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët ishin të ndjeshëm ndaj kërcënimeve nga administratorët ndërkombëtarë, si shkak i akuzave ndaj tyre për korrupsionin e pasluftës dhe aferat kriminale, mbi Kurtin nuk mund të bëhej presion në të njëjtën mënyrë. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë akuzë të besueshme për korrupsion lidhur me udhëheqjen e tij dhe analistët në Kosovë shkruajnë se ai ka arritur ta krijojë një mit të autoritetit suprem moral. Kjo dukshëm e ka vënë atë në një pozitë më të rehatshme për sa i përket qëndrimit të tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Krahas ripërcaktimit të marrëdhënieve me ShBA, duket se Kurti po rinegocion edhe marrëdhëniet e Kosovës me BE. Gjatë kohës në opozitë, ai kundërshtoi çdo marrëveshje të re me Serbinë, duke argumentuar se në vend të kësaj të bëhej një riparim i duhur i marrëveshjeve të mëparshme, shumë prej të cilave ishin zbatuar pjesërisht apo aspak. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, disa herë përsëriti se dialogu i ndërmjetësuar nga BE mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte prioriteti i tij i gjashtë ose i shtatë. Çka në fakt po sinjalizonte nuk ishin aq shumë prioritetet e tij, por qasja e tij ndaj dialogut.
Ajo çfarë kemi parë që kur Kurti ri-mori detyrën në shkurt është se ai, ashtu si paraardhësit e tij, po udhëton shpesh për në Bruksel. Megjithatë, gjatë këtyre vizitave, ka insistuar në masat e reciprocitetit me Serbinë dhe ka përparuar agjencinë e Kosovës që të flasë dhe të veprojë si shtet legjitim sovran. Gjithashtu, ai ka ekspozuar marrëdhëniet asimetrike të pushtetit mes dy vendeve që mbahen në formulën e BE për trajtimin e dialogut.
Megjithëse ai nuk po udhëheq më fushatat e grafiteve kundër UNMIK apo EULEX, marrëdhënia e Kurtit me BE dhe ShBA tani që është në pushtet pasqyron rrënjët e Vetëvendosjes si një lëvizje e majtë e bazuar në kritikë dekoloniale. Qoftë nëse lëvizja vendos grafite me sprej “EULEKSPERIMENT” nëpër hapësirat publike të Prishtinës apo vepron në mënyrë të pavarur në arenën diplomatike ndërkombëtare një dekadë më vonë, Kurti ka treguar përkushtim për t’i ekspozuar mënyrat se si intervencionistët liberalë perëndimorë eksperimentojnë me modele të reja të ndërhyrjes politike dhe ekonomike në Kosovë.
Targat s’janë gjithçka
Me fitoren e paprecedentë të Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021 erdhën pritshmëri të mëdha për atë që mund ta realizojnë. Trashëgimia e tmerrshme e qeverive të mëparshme, e njollosur nga korrupsioni dhe nepotizmi në shkallë të gjerë gjatë 20 viteve, vetëm sa i shtoi shpresat dhe pritshmëritë e mëdha.
Megjithatë, për shumë njerëz në Kosovë, progresi që ata prisnin deri tani ka qenë i ngadalshëm. Sektori i arsimit dhe shëndetësisë mbeten të rënduar nga probleme strukturore dhe ka pak shpresa për përmirësim. Në fakt, targat, dialogu me Serbinë dhe marrëdhëniet e Kurtit me ShBA kanë qenë në qendër të debatit publik në Kosovë prej muajsh. Kjo ka larguar vëmendjen nga çështjet e ndotjes së ajrit, inflacionit, reformave aq të nevojshme në sektorin e shëndetësisë dhe krizës gjithnjë e më të afërt energjetike.
Ndonëse Kosova është mikpritëse e misionit më të madh të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët në botë, EULEX, megjithatë kosovarët nuk janë të mirëpritur në BE. Është i vetmi vend në Evropë, përveç Rusisë, Turqisë dhe Bjellorusisë që nuk gëzon udhëtimin pa viza në BE, pavarësisht se i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave në vitin 2016. Dhe pavarësisht nga prania e dukshme e ShBA në politikën e përditshme në Kosovë, as aty kosovarët nuk gëzojnë udhëtim pa viza.
Për më shumë se dy dekada, aleatët perëndimorë u kanë mbajtur leksione kosovarëve se si të bëhen shtet sipas parimeve perëndimore. Kosovarëve u është kërkuar që në formë jokritike të mirëpresin idetë liberale perëndimore të shtetndërtimit. Në të njëjtën kohë, për më shumë se dy dekada, kosovarët janë injoruar nga të njëjtët mbështetës dhe kanë mbetur të veçuar si “Të tjerët”.
Në vazhdën e një poshtërimi të tillë, shumë kosovarë shohin një fije dinjiteti në qëndrimin parimor të Kurtit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Por deri në çfarë mase ky qëndrim parimor ndaj akterëve ndërkombëtarë mund të kompensojë për problemet strukturore dhe të përditshme të vendit?
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.