Në thelb | Termet

Të dëshpëruar dhe të margjinalizuar, viktimat e tërmetit presin përgjigje

Nga - 05.12.2019

Njerëzit që veç se ishin të prekshëm në mesin e atyre që kanë pësuar më së shumti.

Në mbrëmjen e së enjtes, më 28 nëntor, mbi njëqind njerëz me çanta pritën pranë Stadiumit Niko Dovana në Durrës për autobusët që kishin për t’i çuar në Kosovë. Ata ishin të fundit nga qindra të tjerë që ishin strehuar në stadium një natë më parë. 

Shumë prej tyre kishin kaluar gjithë kohën në shatora, pa mjete të ngrohjes, pa ujë për t’u larë dhe pa mundësi për t’u kujdesur për veten. Disa ishin të lënduar ose kishin fëmijë të lënduar, por po kërkonin një vend të sigurtë për të fjetur para se të kërkonin ndihmë mjekësore. Një numër i madh i tyre ishin romë.

Orët kaluan e autobusët nuk erdhën dhe njerëzit gjithnjë më shumë po e humbnin besimin që autobusët do të vinin.

Mijëra njerëz u evakuuan nga Durrësi dhe fshatrat përreth në ditët pas tërmetit të magnitudës 6.4 që ndodhi në orët e hershme të 26 nëntorit. Foto: Arianit Ramiqi / K2.0.

Rreth orës 6pm, dy autobusë kaluan pranë stadiumit dhe hynë në oborrin e Shkollës Leonik Tomeo që ishte shndërruar në pikën kryesore të distribuimit për ndihmat që po vinin prej jashtë vendit. Kjo shkaktoi huti dhe kaos. Njerëzit u mblodhën rreth autobusëve duke shpresuar që kjo ishte mundësia e tyre për të ikur. Ngadalë, lajmi u përhap që autobusët nuk kishin ardhur për t’i transportuar njerëzit, por për të sjellur më shumë vullnetarë.

Një burrë i irrituar bërtiti: “Çfarë do të bëjnë ata [vullnetarët]? Kemi nevojë për strehim!”

Ky mendim rezonoi me atë që po e shprehnin plot njerëz të shpërngulur nga Durrësi, Thumana dhe fshatrat përreth në ditët pas tërmetit të fuqishëm të magnitudës 6.4 që e goditi Shqipërinë perendimore të martën në mëngjes. 

Ndonëse ishin falenderues për ushqimin dhe teshat që i kishin marrë nga donatorët nga Evropa dhe më gjërë, ata që ishin zhvendosur nga tërmeti ende nuk kishin përgjigje për fatin e shtëpive të tyre – që për shumicën ishte pasuria e vetme – e as premtime për strehim adekuat. Urgjenca dhe panika pas fatkeqësisë kishte filluar të shpërbëhet në një ndjesi të mungesës së shpresës, deri sa shumë prej tyre filluan ta kuptojnë që kjo mund të jetë normalja për ta tash e tutje. 

Shumë prej atyre që janë goditur më së keqi nga tërmeti dhe pasojat e tij veç se kishin qenë ndër njerëzit më të prekshëm edhe para fatkeqësisë.

Liri Kuçi, aktiviste e Organizatës Politike që ka qenë shumë e përfshirë në përpjekjet reaguese ndaj tërmetit, argumenton që tërmeti i ka ngritur në sipërfaqe disa çështje sociale sa i përget reagimit të menjëhershëm dhe problemeve strukturore më afatgjata.

"Është popullata e gjorë që për shkak të pamundësisë ekonomike është detyruar të pajtohet me shtëpi të ndërtuara keq."

Liri Kuçi, Organizata Politike

Ajo e jep shembullin e familjeve rome dhe egjiptiane, shumë prej të cilave, sipas saj, janë ballafaquar me diskriminimin e qytetarëve të tjerë dhe të shtetit. Është raportuar që disa institucione u kanë thënë atyre që kanë tepër shumë fëmijë dhe që nuk ka shtretër dhe mbulesa të mjaftueshme për të gjithë. 

Pjesëtarët e këtij komuniteti kanë deklaruar se ndaj tyre po veprohet padrejtësisht si në mundësinë e strehimit ashtu edhe në radhën e atyre që udhëtojnë drejt Kosovës, pasi rastet e tyre merren si abuzive dhe nuk konsiderohen po njësoj të dëmtuar sa bashkëqytetarët e tyre të bardhë”, thotë ajo.

Kuçi gjithashtu argumenton se tërmeti i ka ekspozuar disa krime që janë kryer kundër të varfërve dhe të margjinalizuarve në dekadat e fundit, posaçërisht sa i përket mungesës së rregullave për ndërtime. 

“Në fund viktimat, pësuesit, vuajtësit ngelen qytetarët e thjeshtë dhe të varfër, që kanë investuar e janë munduar gjatë gjithë jetës së tyre të ndërtojnë një strehë të sigurtë”, thotë ajo. “Popullsia e varfër dhe për pasojë me banesa të ndërtuara dhe/ose të blera më pak cilësore për shkak të pamundësisë ekonomike, janë ajo kategori që janë prekur më së shumti, shtuar kësaj faktin kur bëhet fjalë për grupe të margjinalizuara dhe të diskriminuara siç janë popullsitë rome dhe egjiptiane, që përballen vazhdimisht me pasigurinë e ushqimit, punës, jetës dhe banesës.”. 

Fshatrave po u mungon strehimi

Në fshatin Mazhë e Vogël afër Thumanës, Ibrahim dhe Sybe Dema i kalojnë ditët dhe netët e tyre nën një hije në oborrin e tyre, ku bashkë me familjen janë strehuar prej natës kur shtëpia e tyre u dëmtua nga tërmeti. Si plot fshatarë tjerë, ata kanë frikë ta lënë shtëpinë e tyre sepse mund të hynë hajnat për të plaçkitur.

Të vetmin kontakt me zyrtarët shtetërorë prej kur ndodhi tërmeti e patën dy ditë para takimit me K2.0, kur inxhinierët erdhën për ta vlerësuar shtëpinë e tyre si të pabanueshme dhe i këshilluan të mos hynë brenda. Ata thonë që nuk morën përgjigje as për atë se çfarë mund të bëhet me shtëpinë e tyre, as ndonjë zgjidhje të përkohshme.

Prej kur ka ndodhur tërmeti, Sybe Dema dhe bashkëshorti i saj kanë fjetur në një magazinë në oborrin e tyre. Foto: Arianit Ramiqi / K2.0.

Situata e familjes Demaj është pak më e mirë se ajo e shumicës së fshatarëve që kanë zgjedhur të rrinë afër shtëpive të tyre në këtë zonë. Pasi që nuk kanë ku të strehohen, shumë prej tyre flejnë në ambient të hapur apo në tenda të improvizuara. Distribuimi i ndihmave është përqendruar në qytezat dhe qytetet më të dëmtuara, duke e bërë të vështirë qasjen në tenda – ato që i duhen më së shumti – nëpër zona rurale.

Ibrahimi, i cili e humbi një dorë në një aksident pune para 25 vitesh, e konsideron shkatërrimin e shtëpisë së tij si tragjedinë e dytë më të madhe të jetës së tij dhe është afër t’i humb të gjitha shpresat.

“Shteti ka fjetur”, thotë ai. “Ejani këtu dhe të paktën na shprehni ngushëllime për situatën tonë. Edhe unë jam njeri. Jam i stresuar. Ndihem i vetmuar.”

Sfidat e kujdesit 

Katërdhjetë kilometra më larg, në Durrës, dhjetëra njerëz presin te porta e shkollës Leonik Tomeo për t’i marrë nëpërmjet grilave rezervat dhe ushqimin e ofruar. 72 orë pas tërmetit kryesor, K2.0 është këtu, por shumë prej atyre që nuk e kanë askënd për t’u ndihmuar ende po presin për rezerva bazike. Plot ankohen që janë përjashtuar nga qendra e distribuimit, dhe nuk kanë asgjë për të bërë përveç për ta shikuar malin e ndihmave që janë mbledhur, por në të cilat nuk kanë qasje. 

Nënat dhe kujdestarët tjerë të fëmijëve të rinj ballafaqohen me një barrë unike në strehimore të përkohshme. 

Marsida dhe miku i saj kanë pritur para Leonik Tomeos nga mëngjesi. Ata ishin larguar nga një shkollë në afërsi ku kishin qenë të strehuar për shkak se ishin shqetësuar për jetët e fëmijëve të tyre, pasi që një tërmet i fuqishëm që kishte ndodhur më vonë e kishte shkundur ndërtesën.

Apartamenti i Marsidës ishte shkatërruar gjatë tërmetit dhe prej atëherë ajo ka fjetur në strehimore të përkohshme më fëmijët e rinj të saj. “Qiradhënësi më tha se ndërtesa llogaritej e pabanueshme dhe se nuk mund të bënte asgjë për këtë, kështu që kam mbetur këtu”, thotë ajo.

Ajo është një nga plot nëna, posaçërisht ato të fëmijëve të rinj, të cilët po i shprehin shqetësimet e tyre për distribuimin e materialeve dhe kushtet sanitare në strehimore. Vështirë gjinden pelenat – plot gra thonë se kur kanë gjetur pelena, u kanë dhënë shumë më pak se që kanë nevojë foshnjet e tyre.

“Shikoje – m’i dhanë gjashtë pelena dhe më thanë që këto duhet të më dalin për dy ditë”, thotë ajo. “Foshnjeve duhet t’ua ndërrojmë të paktën pesë pelena në ditë. Si janë të mjaftueshme këto?”

Marsida dhe gratë tjera janë ankuar që nuk u kanë dhënë mjaftueshëm pelena dhe sende tjera të domosdoshme për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Foto: Lorina Hoxha / K2.0.

Ndonëse ushqim ka, pjesa më e madhe ka mungesë të vlerave ushqyese. Në kampet e ngritura në Thumanë, plot njerëz kanë raportuar se kanë marrë ushqim me afat të skaduar. Sanduiçët e thjeshtë me sallamë ishin i vetmi lloj i ushqimit që u distribua të premtën në mëngjes dhe pasdite nga pika e distribuimit në shkollën Leonik Tomeo.

Derisa njerëzit u mblodhën për t’i marrë sanduiçët e dorëzuar prej vullnetarëve nëpërmjet grilave të oborrit të shkollës, Marisa e hap karrocën e foshnjes së saj për ta shfaqur fytyrën e fëmiut.

“Shikoje çfarë po shpërndajnë. Vetëm bukë dhe sanduiçë”, thotë ajo. “A mendoni që kjo foshnje mund të hajë bukë? As nuk i kanë dalur dhëmbët! Me çfarë duhet ta ushqejë foshnjen time?”

Në afërsi, te shkolla Bernardina Qerraxhia, një shkollë tjetër që është shndërruar në një strehimore të përkohshme, ka gra tjera që e vajtojnë pamundësinë për t’u pastruar. Një grua thotë se u kthye në shtëpinë e saj të shkatërruar një natë më parë për ta larë vetën dhe tre fëmijët e saj sepse nuk mund ta duronte më atë ndjenjë të papastërtisë.

Ajo e ngrit djalin e saj nga karroca për të treguar që e ka lagur vetën përsëri, dhe shpjegon se i ka vetëm tri pelena për disa ditë.

Mungesa e standardeve të ndërtimit

Fakti që Shqipëria ka pësuar nga një tërmet kaq i madh nuk është një befasi e madhe.

Sizmologët theksojnë që për shkak të pozitës së prekshme të Shqipërisë ndërmjet pllakave tektonike euro-aziatike dhe afrikane, ky vend pritet t’i përjetojë disa tërmete të mëdha brenda këtij shekulli. Tërmeti i fundit me magnitudë më të lartë se 6.0 ndodhi në 1979 afër kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, duke i lënë 136 të vdekur.

Pas tërmetit të magnitudës 6.4 që ndodhi të martën në mëngjes kanë ndodhur edhe qindra tërmete më të vogla pasuese dhe ato po vazhdojnë tash më shumë se një javë më vonë.

Më i forti ndodhi më pak se katër orë më vonë me magnitudë 5.4, por Stephen Hicks, sizmolog në Imperial College London, thotë që gjasat për të ndodhur një tërmet pasues më i fuqishëm janë shumë të vogla dhe frekuenca e këtyre tërmeteve pasuese do të reduktohet shpejt.

“Çfarëdo probabiliteti të ketë për një tërmet tjetër në ditën e parë, në ditën e dytë probabiliteti është gjysmë më i vogël se ditën e parë, dhe në ditën e 10 do të ketë përafërsisht një probabilitet që është sa 1/10 e atij të ditës së parë”, thotë ai.

Mijëra ndërtesa u shkatërruan apo dëmtuan shumë nga tërmeti i 26 nëntorit, e tërmetet pasuese ende po vazhdojnë. Foto: Arianit Ramiqi / K2.0.

Megjithatë, edhe pse frekuenca e tërmeteve po ulet, prapëseprapë mund të kemi tërmete pasuese me magnitudë mbi 5.0 edhe disa muaj më vonë. Hicks thekson se koha dhe lokacioni i tërmeteve nuk mund të parashikohet dhe gjasat që frekuenca e tërmeteve të mëdha në rajon të ndryshojë janë të vogla.

Meqë mijëra ndërtesa anembanë Shqipërisë veç se janë dëmtuar shumë apo janë shkatërruar krejtësisht dhe tërmetet pasuese pritet të vazhdojnë, ekspertët thonë se vlerësimi i integritetit strukturor të ndërtesave tjera është i domosdoshëm. 

Luljeta Bozo, profesoreshë e inxhinierisë në Universitetin e Tiranës, theksoi në një intervistë të bërë së fundmi për A2: “Një kuptim minimal kulturor që duhet ta kemi është që jetojmë në tokë që do të dridhet kohë pas kohe.” 

Për Bozon, kjo do të thotë që çdo ndërtesë e propozuar që ka për qëllim të qëndrojë për një qind vjet duhet të llogaris që do të ballafaqohet me dy apo tri tërmete të mëdha. 

Në ditët pas tërmetit, çështja e industrisë së ndërtimeve të parregullta në Shqipëri ka kaluar në ballë të diskutimit publik pasi ka filluar të zbulohet konteksti i 51 vdekjeve tragjike.

"Ne shpeshherë themi: 'Tërmetet nuk i vrasin njerëzit. Ndërtesat i vrasin.'"

Stephen Hicks, sizmolog

Tani plot i kanë mësuar procedurat standarde për reagim ndaj tërmetit, rekomandimet tipike si “ulu në tokë, fshehu nën diçka, dhe mbahu”, që duhet të ndjeken nga ata që jetojnë në ndërtesa që nuk paraqesin rrezik për t’u shembur. Por shumë pak njerëz e kishin këtë garanci të martën në mëngjes. 

Në fund të fundit, shumë pak varet prej njerëzve të zakonshëm: “Ne [sizmologët] shpeshherë themi: “Tërmetet nuk i vrasin njerëzit. Ndërtesat i vrasin”, shpjegon Hicks. 

Bozo theksoi se po të kishin qenë të ndërtuara sipas rregullave të duhura dhe prej njerëzve të kualifikuar, as nuk do t’iu kishim afruar këtij niveli të dëmit.

“Janë dy gjëra që çuan deri te këto shembje”, tha ajo. “Së pari, njerëzit nuk e dinin ku të ndërtojnë, dhe kështu ndërtuan në terren të dobët. Për shembull, nuk duhet të ndërtohet në kënetën e Durrësit. Kjo ishte kategorikisht e ndaluar. Por tani këneta e Durrësit është bërë qytet, dhe nuk ka garanci për sigurinë e këtyre ndërtesave”.

Për më tepër, Bozo theksoi se studimet e mikrozonimit sizmik janë kryer në çdo qytet në Shqipëri dhe ishin në dispozicion, por ato nuk janë përdorur nga ata që e kanë menaxhuar ndërtimin në vend prej rënies së komunizmit në fillim të viteve të 90-a. Këto studime specifikisht paralajmëruan kundër ndërtimit në bregun e Durrësit, ku tashmë disa hotele janë shembur.

“Tjetra është që ndërtimet nuk janë kryer prej personave të kualifikuar”, tha ajo. “Janë shkelur rregullat më elementare që mundësojnë stabilitetin e ndërtesave… Po themi që po e përdorim EuroCode – këto janë fjalë të zbrazëta. EuroCode nuk ka fuqi ligjore dhe kjo e bënë mbikqyrjen pothuajse të pamundhshme”.

Situata aktuale është në kontrast të fortë me rregullat e ndërtimit para tranzicionit të Shqipërisë. Për Bozon, është përgjegjësi e qeverisë jo vetëm vlerësimi dhe klasifikimi i gjendjes së çdo ndërtese pas tërmetit, por rikthimi i rregullave të fuqishme të ndërtimit, në mënyrë që mbindërtimet e rrezikshme dhe konvertimet e kateve përdhesë të mos legalizohen më. 

“Nuk kemi kontroll mbi realizimin e këtyre projekteve. S’ka fare kontroll”, tha Bozo në një intervistë për Ora News. “Kanë kaluar 25 vjet me ndërtime pa kurrëfarë rregulla”.

"51 personat që e humbën jetën gjatë tërmetit janë dëshmi e rrëmujës me leje ndërtimi në këtë vend."

Liri Kuçi, Organizata Politike

Kryeministri Edi Rama është munduar të paraqitet si i rreptë në lidhje me ndërtimet e parregullta në ditët e fundit, duke thënë “Do të ia kërkojmë atyre që i kanë ndërtuar [këto ndërtesa të dëmtuara]… ose t’i riparojnë vet, ose do t’i çojmë në burg.” Gjithashtu, disa hapa fillestarë janë marrë për të hetuar shkeljet në ndërtime me synim për t’i ndjekur penalisht personat përgjegjës.

Por Kuçi nga Organizata Politike thekson se është tepër vonë për ata që e humbën jetën në tërmetin e së martës.

Mbi pesëdhjetë e një personat që humbën jetën gjatë tërmetit, më shumë sesa viktima të një fatkeqësie natyrore, janë dëshmitarë të rrëmujës dhe lejeve të ndërtimtarisë në vend, duke nxjerrë në pah partneritetin e qeverisjes lokale dhe qendrore me bizneset dhe pronarët e mëdhënj të ndërtimeve pa kriter”, thotë ajo. “U desh të binte një tërmet i përmasave të tilla që më në fund në Shqipëri të diskutohej seriozisht për krimin që i kemi bërë bregdetit tonë”.

Banorët të pasigurtë

Vendasit në Durrës raportojnë se ndërtesat më të reja në lagje kishin kate të mbindërtuara pa leje. 

Duke bërë me gisht drejt një ndërtese 11-katëshe që ishte krejtësisht e shtrembëruar, një furrtar, i cili preferonte të mbetet anonim, thotë se ndërtesa kishte leje vetëm për shtatë katë, dhe se katet tjera u shtuan pa marrë parasysh se a kishte mundësi t’i mbështesnin themelet e saj mbindërtimet.

Në Lagja 18, disa ndërtesa të shkatërruara të banimit janë të rrethuara me shirit, të shënuara si të pabanueshme. Dhjetëra njerëz shihen të ulur në trotuar para shtëpive të tyre me plot sende dhe mobilje, duke pritur të transportohen te shtëpitë e familjarëve apo kudo tjetër që kanë gjetur strehim.

Dy burra të ri vrapojnë lart e poshtë duke lëvizur mobiljet nga apartamenti i tyre në një ndërtesë që është dukshëm më e dëmtuar se tjerat.

Disa ndërtesa në Lagjen 18 në Durrës janë shënuar si të pabanueshme. Foto: Lorina Hoxha / K2.0.

“Sa larg po thua që është ajo ndërtesa atje prej kësaj?” pyesin ata, duke bërë me gisht drejt një ndërtese në afërsi. “Ndoshta 40 metra. Por shikoje se si duket ajo në krahasim me këtë. Te ajo e kanë ndërtuar themelin, por në këtë jo. Shteti ka harruar për neve moti”.

Një burrë tjetër, i cili rri i ulur në mobiljet në oborrin e të njëjtës ndërtesë, thotë se zyrtarët e qytetit nuk i dhanë informata kur erdhën për ta regjistruar ndërtesën e tyre si të pabanueshme. Ata thonë se shkuan në Komunë për të pyetur për mundësitë për t’u sistemuar diku tjetër dhe Komuna u tha të shkojnë në zyrën e Qarkut.

“Qarku – i mbyllur. Nuk është askush aty, është ditë pushimi”, thotë ai. “Kështu pra: Lagjet janë shkatërruar dhe zyra [e Qarkut] është e mbyllur”. 

Sonila Kapllani jetonte në një ndërtesë më të vjetër me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj, të cilat i ka çuar në Berat për të jetuar me prindërit e saj. Ajo dhe bashkëshorti i saj kanë fjetur në veturën e tyre prej të martës.

Ndërtesa ku banonte Sonila Kapllani është regjistruar si e pabanueshme, por ajo thotë që nuk mund të largohet nga kjo zonë sepse ka frikë që nuk do të marr mbështetjen e domosdoshme nga autoritetet lokale për t’u marrë me pronën e saj. Foto: Lorina Hoxha / K2.0.

Kapllani shpjegon që ka raportuar të çara të mëdha dhe dëme shqetësuese të apartamentit të saj pas tërmetit të magnitudës 5.6 që ndodhi më 21 shtator të këtij viti.

“Ne shkuam dhe u regjistruam te zyrja [komunale] për të na inspektuar banesën tonë. Ata nuk erdhën kurrë, edhe pse thanë që do të vijnë”, thotë ajo. “Në fund i mbusha vet të çarat. Në fakt, sapo e kisha përfunduar kur goditi ky i fundit”.

Kapllani dhe bashkëshorti i saj thonë se pas tërmetit të fundit, inxhinierët erdhën dhe kryen një vlerësim fillestar të apartamentit të tyre dhe e regjistruan si të pabanueshëm, por nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje të zbatueshme.

“Na thanë shkoni në Kosovë. Nuk mund të shkoj në Kosovë sepse nuk mund ta lë shtëpinë time kështu”, thotë ajo. “Ne po rrimë këtu dhe po i presim inxhinierët. Njëri prej policëve më tha se ata merren vetëm me njerëzit që janë ende këtu, që ata që kanë shkuar mund të gjejnë vet zgjidhje”. 

Bashkia Durrës ka shprehur se përveç që do ta prioritizojnë sigurimin e strehimit për njerëzit e prekur, ata janë të fokusuar në inspektim të ndërtimeve dhe shkatërrim të ndërtesave që nuk mund të riparohen. Vetëm pasi të kryhet ky proces do të nis puna e rindërtimit.

Duke ecur nëpër lagjet e Durrësit, është e pamundur të mos mendosh pse disa ndërtesa e kanë pësuar shumë më keq se tjerat. Tërmeti i ka zhveshur nga burimi më bazik i sigurisë pronarët e shtëpive në zona rurale dhe qiraxhinjtë urbanë.

Disa ditë pas tërmetit, K2.0 u takua me një banor më të moshuar të qytetit i cili ishte në mesin e të fundit që kishin mbetur në rrugët e braktisura. Duke parë një ndërtesë të lartë që është ndërtuar së fundmi dhe ishte pjesërisht e shembur, banori i quajti ngjarjet e së martës “një masakër”.K

Foto kryesore: Lorina Hoxha / K2.0.