Jo larg qendrës së Tiranës, aty ku sot ngrihet katedralja ortodokse, përballë saj, në krahun tjetër të rrugës, shquhet jo pa vështirësi kontura e zbehtë e një ndërtese të vjetër. Gjethet e shumta të një bime kacavjerrëse kanë prekur dritaret e katit të dytë dhe ngjyra e blertë i ka mbuluar deri diku tullat e kuqe të ballkonëve dekorativë.
E njohur prej kohësh si “Shtëpia me gjethe”, sot, kjo godinë ka marrë një funksion të ri: ish selia e Sigurimit – shërbimit shtetëror policor të intelegjencës dhe sigurise që vepronte gjatë diktaturës totalitare komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri – tani është bërë muze. Në qershor u takova me drejtoreshën e sapoemëruar të muzeut në oborrin e mbuluar nga gjethet.
Përgjatë korridoreve të ngushta, në të dy katet e shtëpisë, dyert e dhomave qëndrojnë të hapura. Një ndriçim i zbehtë ekspozon objekte të panjohura… dhe ja, papritur, në një prej dhomave, në vend të një dritareje, është vendosur një tabllo arti! Është vepër e Edison Gjergos, piktorit i cili dikur u dënua me tetë vjet burg pasi u arrestua nga Sigurimi. Viktima dhe xhelati, bashkë, nën të njëjtën çati!
Pasi u përdor nga Gestapoja gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtëpia e Gjetheve më vonë u shfrytëzua nga Sigurimi si zyrë për hetime. Foto: Artan Rama.
Natyrisht, jo rastësisht. E njihja atë tabllo: ”Epika e yjeve të mëngjesit”. Bluja magjike e një sfondi dramatik dhe mjekra e bardhë e rapsodit e linte në hije grupin partizan. “Epika” e cila shënoi ngritjen dhe rënien e autorit, dhe në fund çoi deri te arrestimi i tij. Poshtë, nën vitrinë, gjendet dosja formulare me numër 6095.
Këshillat në dosjen me numër 6095
Të dhënat operative të Sigurimit, të pastruara nga pluhuri, ekspozohenpër publikun për herë të parë, por emrat mungojnë. Të gjithae mrat e operativëve, bashkëpuntorëve dhe hetuesve janë fshirë me bojë të zezë. Në vend të tyre janë vënë pseudonimet si: “Bufeja e madhe”, “Artisti”, “Fatmiri”, “Plani”, “Shkopi”. Pas njollave të zeza fshihen agjentë dhe informatorë të fshehtë.
Vështroj nga afër dokumentet dhe lexoj… “Edison! Ti duhet të harrosh se cila është shija jote dhe cila është shija e mirë! Ne duhet të punojmë se cila është shija e të gjithëve” Ishte një “këshillë” nga Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Kështu raportonte agjenti i fshehtë “Bufeja e madhe” për Sekretarin e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Dosja operative 6095 përmban gjithsej 148 fletë, dhe informacione të dhëna nga “Bufeja” janë me dhjetëra. Në një tjetër dokument shkruan: “Burimi njofton se ka vajtur disa herë për të takuar Edison Gjergon në studion e tij dhe në datën 1. 11. 1974, rreth orës 19:00, shkoi në studion e tij dhe e gjeti atë së bashku me të fejuarën…”
E pyes drejtoreshën, nëse e dinin që Edisoni kishte qenë i fejuar. Ajo tundi kokën dhe buzëqeshi lehtë dhe tha se komisioni përzgjedhës nuk është marrë me anën private – sipas saj, atyre u kishte interesuar fenomeni, e jo emrat. Pastaj papritur shtoi: “Poshtë, në dalje, një zonjë ka lënë një shënim në librin e përshtypjeve… ka shkruar se ka qenë e fejuara e tij!”
Ideja se njeriu që përmendej në dosje kishte ardhur në muze dhe, për më tepër, ishte vet e fejuara e tij, shkaktoi tek unë një emocion të fortë. Zbrita shkallët dhe e shfletova librin nga fundi. Ja se ç’gjeta:
“Unë jam një viktimë e këtyre përgjimeve të tmerrshme që më shkatërruan ëndrrën e jetës. Isha fejuar me Edisonin në maj të 1974 e deri kur u arrestua në janar të 1975-s…Edisoni mbetet i paharruar në zemrën time!”.
Në fund ishte lënë një numër telefoni! I telefonova dhe e lamë të takoheshim.
U takuam dy ditë më pas në një kafe të qetë. Përpara meje qëndronte një zonjë, portreti i së cilës përçonte një ngjyrë të ngrohtë. Nxora bllokun dhe shënova gjithçka që dëgjova.
“Edisonin e njoha kur ai ishte në moshë të pjekur dhe me pikëpamje të qarta për jetën”, më tha ajo. “Rininë e hershme nuk arrita t’ia njoh, ndërsa pjekurinë artistike, po. Unë studioja për arkitekturë, ndërsa ai ishte artist i jashtëzakonshëm. Planet dhe volumet mund t’i krijonte përmes ngjyrave”. Ajo fliste ngadalë dhe me fjali të shkurtra, por edhe lirshëm dhe me një mall të ndrojtur që fshihej pas çdo fjale që thoshte, aq sa kisha frikë ta ndërprisja.
Edison Gjergo gjatë vitit të parë të dënimit, pasi ishte arrestuar në janar të vitit 1975 me arsyetimin se vepra e tij “Epika e yjeve të mëngjesit” kishte “pikëpamje pesimiste”. Foto: Artan Rama.
Shtatë muaj dashuri
“Një herë më bëri një portret, ku pozova për tri seanca. Ishim në studio dhe papritur më urdhëroi që të shtrihesha në divan. ‘Gjej një pozicion të rehatshëm dhe mbaje dorën lart, ja kështu… Do të duhet të qëndrosh disa orë, më tha.’ Ai portret ishte një mrekulli. Njësoj si stili i Modilianit”. Ajo heshti dhe më vështroi.
“A ishit bashkë kur kompozoi Epikën?”, e pyeta.
“Jo, sapo e kishte përfunduar kur u njohëm”, u përgjigj plot siguri, para se të vijonte rrëfimin. “Qëndruam shtatë muaj së bashku. Në 2 janar të vitit 1975 bëmë një fejesë të mrekullueshme. E arrestuan dy javë më vonë. Ishte 7:30 e mëngjesit. E ngritën nga krevati. Ishte me pizhama kur e morën. Më pas më kërkuan që të dorëzoja çelësin e studios së Edisonit. Kur vajta në mesditë në Lidhjen e Shkrimtarëve, te shkallët doli Sekretari e më tha: ‘Edisoni është armik i popullit dhe i partisë!’ E mori çelësin dhe u fut brenda. E tërë bota ime ishte në atë çelës”.
Pasoi një heshtje. Nuk isha i sigurtë se a duhej të vazhdoja të shtoja pyetje. Gruaja hodhi vështrimin jashtë, por m’u duk se shihte diku tjetër. Ishim zhytur të dy në të shkuarën e një njeriu pa të ardhme, ndonëse me një talent të jashtëzakonshëm. M‘u kujtuan fjalët e tij të shkruara në një prej faksimileve të deklasifikuara: “Jam në një gjendje mërzitjeje të vazhdueshme. Jo vetëm unë, por edhe shokët që kam. Askush nuk thotë një fjalë gëzimi. Edhe kur duket se fillon një jetë e re menjëherë krijohen kushte e rrethana që e mbysin atë”.
Ishte një informacion që “Bufeja e madhe” ia raportonte oficerit operativ, disa muaj përpara se Edisoni të arrestohej. U përpoqa të përfytyroj se çfarë shprese duhej t’i kishte ngjallur piktorit fejesa me ish studenten 24-vjeçare të arkitekturës, çfarë fuqie mund t’i jepte artit të tij!
Raportet e Sigurimit për caqet e tyre tani janë në dispozicion për publikun, edhe pse emrat janë redaktuar. Foto: Artan Rama.
E pyeta se çfarë kishte ndodhur më pas. Gruaja mori frymë thellë dhe u mendua pak. Kishin kaluar më shumë se 40 vjet, por kujtesën e kishte akoma të freskët.
“Takohesha fshehurazi me mamanë e Edisonit në shtëpinë e tezes së tij”, filloi ajo. “Nuk ishte e lehtë edhe për të! Në burg, Edisoni kishte nevojë për veshje dhe ushqime. Një ditë mblodha dhuratat e fejesës dhe në një prej takimeve sekrete ia dorëzova Kornelias – kështu quhej e ëma. I thashë: ‘Mund t’i shesësh këto’. Ajo nuk i pranoi, por unë këmbëngula. ‘Merri se ke shpenzime’, i thashë, ‘Dhe Edisoni ka nevojë për to’. Ia zgjata sërish. Ajo heshti dhe iu mbushën sytë me lotë. Kështu për pesë vjet ne vazhduam të takoheshim në këtë mënyrë. Unë komunikoja me Edisonin nëpërmjet saj, me kode. Por me kohë ai u bë më i heshtur. Takimet tona u rralluan dhe e ëma thoshte se kjo bëhej për të mirën time, se ishte vetë ai nga burgu që e kërkonte këtë gjë. Kërkonte të më mbronte”.
Papritur gruaja u ndal, por unë vazhdoja të shkruaja. Mendimet fluturuan larg, në qelitë e Spaçit, ku i burgosuri kishte mbrojtur të vetmen gjë të mirë që kishte marrë nga kjo jetë duke e larguar, duke i dhënë një mundësi për të vazhduar!
Dashuri jashtë mase
“Ju, a u takuat… kur ai u lirua?”, pyeta më konkretisht.
“Jo. Asnjëherë. Kur doli nga burgu unë isha ende e pamartuar. Por ai nuk u afrua. Ishte kohë e tmerrshme. Ai e dinte se ndiqej nga Sigurimi. Më pas u martua. Të dy u martuam, me të tjerë. Im shoq është njeri i mirë, por unë e mbajta këtë histori përbrenda. Edisoni më donte jashtë mase, më respektonte dhe unë kisha ndikim të jashtëzakonshëm tek ai. Ditën që vdiq kisha një parandjenjë. Isha e plogësht dhe ndihesha e lodhur. Një shoqe e imja në njoftoi. E lashë punën dhe po kthehesha në shtëpi. Rrugës, diku pranë Qendrës, qëndroi një autobus. Dikë njoha mes njerëzve kur po zbrisnin. Ishte autobusi që kthehej nga varrezat. Ishte i vetmi. Mbajta zi një muaj të tërë, aq sa fillova të bija në sy.
Gruaja u ndal dhe më shikoi. Ndoshta priste që të thoja diçka, por ndihesha i pafuqishëm. Pastaj u tërhoq dhe kërkoi në çantë. Kisha shumë pyetje, por zgjodha të heshtja. Mendja më shkoi te njëra prej fletëve të deklasifikuara në muze që mbante datën 8 shtator 1989. Aty shkruhej:“dosja e përpunimit operativ 2B arkivohej pranë Seksionit IV, për shkak se objekti kishte ndërruar jetë”. Edison Gjergo vdiq prej inflamacionit akut të pankreasit në Spitalin e Tiranës në verën e vitit 1989, pra zyrtarisht përgjimi kishte përfunduar si për paradoks disa muaj pas vdekjes!
“Po me portretin, ç’u bë… ju, e ulur në divanin e studios?”, guxova të pyes.
“Nuk u gjet! Gjithçka u sekuestrua nga Sigurimi. Dikur bëra një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk mora përgjigje. Siç duket është vjedhur!”, përfundoi dhe heshti për një kohë. “Prej tij kam vetëm unazën e fejesës të cilën ai e konceptoi vetë. Por në një prej tabllove janë disa vajza që punojnë në fabrikë. Te njëra prej tyre jam unë. Ai vizatoi portretin tim”.
“Nuk e ke kaluar akoma?”, e pyeta.
“Është dhimbje dhe fat ta provosh. Jeta të rrëmben. Ke një si dëshirë që të mban gjallë, por kur nuk realizohet deri në fund është dhimbje e madhe, e përhershme. E vetmja gjë që kam fituar janë dy fëmijët e mi, vajza dhe djali im, që është një skulptor i talentuar.
E mbylla bllokun. Kisha një trazim dhe njëfarë ndjenje faji brenda vetes.
“Kam dhe një pyetje të fundit. Çfarë përshtypje ju la Muzeu i Përgjimeve atë ditë?”
Ajo u mendua dhe nuk lëvizi për një kohë.
“Atje pashë pasqyrën e kotësisë që i mori jetën një njeriu. Pashë dëshmitë e urrejtjes dhe të ambicjes… një listë e tërë njerëzish kundër tij! Prandaj doja të flisja kundër maskarenjve që i bënë keq Edisonit, që iu vunë pas dhe dëshmuan kundër tij, kur ai ishte në kulm, kur ishim të dashuruar. Por ata i kishin mbyllur emrat! Është mirë të mos i mbyllin emrat”.
Sigurimi kishte në dispozicion teknologjinë më moderne për t’i kryer aktivitetet e tyre, përfshirë këtu pajisje të importuara nga Gjermania, Rusia, Japonia dhe Kina. Foto: Artan Rama.
Kishin kaluar tre orë deri sa ajo më tregoi këtë histori tejet të trishtë, por kur po dilja e dija saktësisht se çfarë duhej të bëja. M’u deshën disa ditë për të zbuluar emrat e informatorëve dhe oficerëve të sigurimit të cilët ishin të përfshirë në çështjen e Edisonit.
Kur ende më duhej që të kryeja edhe një verifikim të fundit, u ktheva te “Shtëpia me gjethe”. Trazimi më kishte kaluar dhe ndjenja e fajit të pashpjegueshëm ishte zëvendësuar prej një besimi të brendshëm. E kisha lënë të takohesha me të fejuarën e Edisonit, por këtë radhe do të flisja unë. Ajo duhej të dinte. Të mësonte pra, se cili kishte qënë agjenti i zellshëm “Bufeja e madhe”, të mësonte se cilat ishin emrat e vërtetë të mbuluar me të zezë; nëse ishin gjallë, nëse ishin dëmshpërblyer si ish të përndjekur, apo kishin marrë suplemente pleqërie si ish-ushtarakë në lirim. Eh, sa shumë gjëra do të mësonte. Nuk kisha më asnjë dilemë. Heshtja u ndihmon fajtorëve e jo viktimave!
Në sheshin përpara shtëpisë fryu një erë e lehtë. Gjethet u ngritën pa zhurmë dhe po aq butë u lëshuan përsëri. Në oborrin e mbuluar me gjethe, në të cilin ishin fasadat me ballkonë dekorativë dhe në brendësi të së cilit ruheshin misteret e ish Sigurimit, gjithçka dukej e paqtë.
Foto kryesore: Artan Rama.