Pikëpamje

Të gjitha gratë kanë një thikë në shpinë

Nga - 08.12.2021

Shfaqja “Stiffler” shpërfaqë realitetin e dhunshëm të grave në Kosovë.

Dy mantelbardha janë të shtrira për shtatë palë qejfe. Kokat e secilës, mbështetur në këmbët e njëra-tjetrës. Skenë që të imponon rehati të menjëhershme. Kjo rehati, sidoqoftë, prishet kur në skenë hyn gruaja e tretë. Prej fillimit, është e qartë që koka e kësaj gruaje nuk do të mbështetet e as përkëdhelet nëpër këmbët e askujt. Ajo është e pavend. Nuk i shkëlqejnë flokët, të cilat i ka të kapura shkujdesshëm. Nuk i shkëlqen palltoja ngjyrë kafe. As fytyra, me makiazh të prishur prej lotëve me gjasë, nuk i shkëlqen. Me të, sidoqoftë, është më e lehtë të lidhesh, sepse ajo nuk është e përkryer. Ajo është si ne të tjerat. 

Vendosen pozicionet. Gruaja me flokët e kapura shkujdesshëm, me gjysmë frymë, rënkon për ndihmë, pra është nevojtare. Gratë e shtrira në këmbët e njëra-tjetrës, janë ato që mund të ofrojnë ndihmë, pra që bartin pushtetin e dhënies së ndihmës e mbi të gjitha, pushtetin e mosdhënies së ndihmës.  

Kështu fillon procesi. Ky proces, ka skena të ndryshme, por në thelb mbetet i njëjti – marrëdhënie midis nevojtarit dhe pushtetit pervers. Procesi është si ai i Josef K. te Kafka. E vërteta e vetme e tij është pazgjidhshmëria. Fillojnë formularet, letrat, procedurat e pranimit. Fillojnë pyetjet. Proceset gjyqësore. Këtu fillon edhe lidhja midis vulgaritetit që bën vaki në skenë dhe asaj që ndodh jashtë skenës. Lidhja me realitetin po aq vulgar, jashtë teatrit.

“Emri, mbiemri, emri i babës?” pyesin njëzëri mantelbardhat (luajtur nga aktorët Adrian Morina dhe Armend Smajli), me flokë rozë, neon. “Hava (Sadik) Mara”, përgjigjet me gjysmë fryme gruaja e papërkryer (luajtur nga aktorja Rebeka Qena). Kjo është gruaja nevojtare, të cilës ia mësojmë emrin, por kurrë nuk ia themi atë përtej procedurave, përtej formulareve. Hava është një grua, emri i së cilës thuhet vetëm kur ajo shtypet, shahet, përulet, fajsohet.

Gjyqi i Hava Marës vazhdon. Pozicionet mbesin të njëjta. Nevojtarja dhe të pushtetshmit. Tash, në stacion të policisë. Hava, nevojtarja, përplaset nga një qosh, në tjetrin. Herë e shtyn njëri, herë tjetri. Të gjithë e pyesin atë: “Pse? Ku ke qenë, çfarë ke bërë?”. Havës pra, i ruhet me përdhunë pozicioni i saj prej nevojtareje. Ndërrojnë vetëm njerëzit që kanë pushtetin për t’i dhënë apo për të mos i dhënë ndihmë. Policët, rreshterët, mjekët, vëllezërit e saj. 

Hava Marën e takojmë në shfaqjen “Stiffler”, me regjisor Kushtrim Koliqin dhe dramaturge Doruntina Bashën.

Por kush është në fakt, Hava Mara?

Hava ka një thikë në shpinë. Ajo është një grua me thikë në shpinë. Një grua, të cilës thikën në shpinë ia ka ngulur një burrë. Në motel. Pas marrëdhënies seksuale. Kur Hava ishte zgjatur për t’i marrë paratë e saj. Hava, në të gjitha kombinimet është prishje e rehatisë. Havat tjera, po ashtu.

Ajo është njolla e zezë në mantelët e bardhë në spital, në shifrat e uniformave të policëve, në zyrat bilur të koorporatxhinjëve, është rrudha në kravatat e hekurosura për merak të gjykatësve. Hava është gruaja që ia ka zënë udhën një burri të martuar. Hava është gjaku i kurvës, të cilën s’e lanë asnjë cisternë me ujë. Asnjë deterxhent. Hava pra, është telashe. Brengë.

Hava ua prishi rehatinë motrave medicinale, të cilave të gjithë duhet t’u themi motra, përpos Havës, sepse ajo është tepër e pandershme. Ajo më pas ua prishi rehatinë policëve, të cilëve iu desh të hyjnë në procesin e mundimshëm të gjetjes së krimit. E gjuajtën Havën sa në një qosh, në tjetrin për t’ia nxjerrë fjalët. Për ta detyruar Havën që të thotë fjalë sa për të thënë, në një situatë ku fjalët janë të panevojshme. Aty, sërish u kriminalizua Hava e jo thika në shpinën e saj. Hava u shndërrua në krimin e shoqërisë sonë të pafajshme. Policët që i vunë damkën, nuk u gjykuan kurrë nga askush.

“Stiffler” është shfaqje që të dërmon.

Në fund, pas gjuajtjeve e përplasjeve, Havës i mbet thika në shpinë. Thikë “Stiffler”. Mbi të gjitha, u përfundua se gjëja më e shtrenjtë në trupin e saj ishte ajo thikë dhe se pa thikë në shpinë, Havën nuk do e njihte askush, as për ta shtypur, as për ta sharë, e lëre më për ta pyetur se si është, se a i duhet diçka. Gratë duhet ta kenë të paktën një thikë në shpinë, një vrimë plumbi në gjoks, një të çarë në bark, për të pasur qasje në hapësirat e ruajtura të spitaleve, policisë, gjykatave. Kurdo që gratë provojnë të bëjnë çfarëdoqoftë për t’iu shmangur thikave e plumbave, atyre sikur u thuhet “kthehu nga ke ardhur, kur të të vrasin, do të të marrim parasysh”. 

Prandaj, “Stiffler” është shfaqje që të dërmon. Të ngarkon në një nivel të padurueshëm. Kjo e bën shfaqjen të rëndësishme, po aq sa e bën të patejkalueshëm shqyrtimin e rrethanave në të cilën është e vendosur vetë shfaqja. Kur e sheh Hava Marën e “Stiffler”, që ka një kërkesë të thjeshtë, pra që dikush t’ia heqë thikën nga shpina, përpos që e ndien therrjen e saj, të ikë mendja në hapësirën jashtë teatrit, tek Havat e panumërta që sillen poshtë e lartë zyrave e sporteleve të spitaleve, stacioneve të policisë, gjykatave. 

Ky është elementi më i padurueshëm i shfaqjes “Stiffler” – të bëhet minuta, shekull. Sepse në thelb, kështu është kur zgjidhja e dhunës ndaj grave bëhet hall i burokratëve që zbaviten me vuajtjen e grave deri në perversion dhe me ngulm dëshirojnë të riprodhojë vazhdimisht rrethana ku gratë janë viktima, me qëllim që të kenë objekt tallës përjetësisht. 

Hava, përkundër gjithçkaje, sillet mirë. Kjo është kryesisht pritshmëria nga një grua e përdhunuar, apo një grua e therur me thikë: që përkundër vuajtjes së padurueshme fizike e emocionale, ajo megjithatë të sillet si një grua e përkryer. Pra, në rrethana krejtësisht kaotike, të dhunshme, gruaja duhet të jetë e këndshme dhe fjalëpak. 

Kështu e njohim Havën. Një grua marrëzisht të qetë, që me mirësjellje histerike, kërkon t’ia heqin nga shpina thikën. Në parim, të duket që në spital, Havës do t’ia largojnë thikën nga shpina. Pasi i bëhet gjyqi i parë në sportelin e emergjencës, pasi detyrohet të pastrojë të vjellat e saj dhe urinën e një djali të vogël, Hava, megjithatë del nga spitali me thikë në shpinë. 

“Nuk je as e para, as e fundit”, i thuhet Havës në përballjen e saj në recepsionin e spitalit. Dhe më e dhimbshmja është që të gjithë e dimë se kjo është e vërtetë. Prandaj, Hava jemi të gjitha. Sepse njëmend, Hava nuk është as gruaja e parë e as e fundit që do të trokasë nëpër dyer me një thikë në shpinë, e të gjithë prapa dyerve, jo që nuk do t’ia heqin atë thikë, por do ia lëkundin ngapak, lartë-poshtë, aq sa për t’u siguruar që Hava e di ku e ka thikën, aq sa për t’u siguruar që Hava e ndien në asht dhimbjen e thikës. Dhe më e keqja është, që shoqëria jonë, atë që i ndodhi Havës e përjeton si ngjarje të largët dhe rrnesën e tyre e organizojnë asisoji që t’i kapërcejnë këto raste si pa sherr, t’u sillen përreth, pa i prekur, pa i shkundur. 

Por, kjo ecje ka një fund. Fundi nuk është i këndshëm. Kur personazhet e saj përballen me një situatë të ngjashme vetë, Margaret Atwood shkruan “Ne ishim njerëzit për të cilët nuk shkruanin gazetat. Jetonim në hapësirat e bardha në qoshe të shtypit. Na jipte më shumë liri. Jetonim në hapësirat midis rrëfimeve”. Kjo liri përfundon, sepse të gjithë jemi të palirë, për aq kohë sa të këtë Hava midis nesh. Dikur do të ngushtohet hapësira e bardhë midis rreshtave në shtyp, sepse të gjithë do bëhemi njerëz për të cilët shkruajnë gazetat.

Përse na shkundë një shfaqje si “Stiffler”?

Në Kosovë, gratë e vrara dhe të përdhunuara ende fajësohen për prishjen e rehatisë së atyre që duhet t’u ofrojnë mbështetje. Pra, diskutimi nuk është te thikat në shpinat e tyre, por te fakti se si ato kanë guxuar të ndodhen në situata ku një thikë u ngulet në shpinë.

Cila rehati prishet? Ose kujt po i prishet rehatia? Kjo duhet të jetë pyetja. Kush janë ata që krijojnë rehati në një vend ku gratë përdhunohen gjatë e përdhunuesit dënohen shkurt? Kosova nuk ka rend as rehati, që dikush ta prishë atë pastaj. Kosova është kaosi prej të cilit përfitojnë vetëm përdhunuesit.

Cilën rehati e prishi Sebahate Morina, kur u vra pasi kishte raportuar një sërë herash dhunën ndaj saj? Ajo u fajësua sepse nuk i kishte shkuar për qejfi burokracisë, pra s’ishte paraqitur në intervistën e dytë. Pra, anipse ajo eci në stacionin e policisë me një ‘thikë në shpinë’, problemi ishte se përse ajo nuk e artikuloi dhimbjen e saj sipas kornizave të dëshiruara prej policisë. Nuk mjaftoi ‘thika në shpinën’ e saj. Ajo duhej ta shpjegonte thikën, ta përshkruante. Ashtu, midis stuhisë së shpjegimeve e mungesës së tyre, u vra. Askush nuk na u shpjegua neve, përse u vra Sebahate Morina?

Marigona Osmani, 18-vjeçarja që u hodh si leckë pranë dyerve të emergjencës në Ferizaj, në pikë të ditës, kujt ia prishi rehatinë? Dardan Krivaqa, i akuzuari kryesor për vrasjen e saj, duket se ishte i akuzuar për gjithsej 135 vepra penale, përpara se vrasja e Marigonës t’i bëhej i 136ti. Askush nuk na e shpjegoi, përse bredhte i lirë Dardan Krivaqa?

Çfarë rehatie prishi një 15-vjeçare, e cila nën kërcënimin e një thike, u kidnapua e u përdhunua nga dy burra. Ajo, me ‘thikë në shpinë’ shkoi në polici dhe raportoi atë që i kishte ndodhur ​​– por 8 ditë e 8 muaj u dënua përdhunuesi i saj. Arsyetimi ishte se përdhunuesi tash është i martuar dhe shkurt e prerë, nuk ia vlen barra qiranë që atij t’i prishet jeta ideale që ka ndërtuar mbi supet e një 15-vjeçareje të përdhunuar. Lartë e poshtë, ‘thikën në shpinën’ e 15-vjeçares tashmë nuk e lëvizë përdhunuesi, por gjykatësit. Askush nuk na e shpjegoi, përse u lirua ky përdhunues?

Kur Hava Marat e Kosovës përplasen nëpër muret e spitaleve, të stacioneve të policisë e gjykatave, i bie që pronarët e thikave janë të lirë.

E tash, pak ditë pas premierës së “Stiffler”, figurat e përdhunuesve të një gruaje kurohen me mjeshtri nga gjykatësit, të cilët veç sa nuk na ftuan t’i duartrokisnim ata. Gjykata Themelore në Gjilan në një aktgjykim e kishte fajsuar 19-vjeçaren se prapa përdhunimit të saj qëndrojnë “shprehitë jo të mira morale” të të përdhunuarës, njëlloj si te “Stiffler”, kur teksa Hava tregon se çfarë i ka ndodhur (se si një burrë ia ka ngulur thikën në shpinë), policët i kthehen me britmë: “Kriminelja e quan dikënd tjetër kriminel”. Askush nuk na e shpjegoi, përse iu bë gjyqi viktimës?

Kur Hava Mara e “Stiffler” ndodhet në tavolinën lëvizëse që shtyhej e hidhej gjithandej skenës jo fort të madhe të teatrit, nuk do të themi më: “Kujdes, ka një thikë në shpinë. Ajo mund t’i lëvizë. T’i shkojë më thellë. T’ia çajë mushkëritë, aortën apo kushedi se cilin organ”. Hava Mara dhe të tjerat që nga minuta në minutë mund të shndërrohemi në Hava, do të themi mjaft më, ashtu siç dimë ne, në mënyrat tona. Dhe mënyrat tona nuk do të jenë të qeta, fjalëpak, sepse nuk ka qetësi kur secila ditë mund të jetë dita kur na ngulet thika në shpinë. 

Kur Hava Marat e Kosovës përplasen nëpër muret e spitaleve, të stacioneve të policisë e gjykatave, i bie që pronarët e thikave janë të lirë. I bie që shoqëria jonë është bërë shoqëri thikash, armësh. E shpinat tona, nuk mund të jenë kanvasi ku shkruhet historia e burrave më. Shpinat tona s’janë hapësirë ku policët, gjykatësit shfryjnë mllefet e tyre.

Kur Hava Marat e Kosovës zvarriten e Stifflerët janë ligj, atëherë drejtësia është bartur prej gjykatave tek përdhunuesit. Kur drejtësia bartet në duart e përdhunuesve, nuk ka rehati, prandaj gratë më së paku duhet të brengosen për mirëmbajtjen e rehatisë. Gratë më së paku e kanë borxh të shpjegohen. 

Kur Hava Marave të Kosovës, nën ligjin e Stifflerëve u thuhet se ia kanë ngulur vetes thikën në shpinë, prokurorët e gjykatësit duhet ta dijnë se zullumi këputet prej së trashi dhe se shtypja herëdokur pasohet me vullnet të pandalshëm për çlirim e më pas, me çlirim. 

E ky çlirim, do prishë, ashtu edhe siç duhet, rehatinë e atyre që pushojnë në gjakun e Havave të Kosovës. Do të prishë rehatinë e zullumqarëve.


*Shënim i redaksisë: “Stiffler” është prodhuar nga organizata joqeveritare Integra. Shfaqja pati premierën më 4 dhjetor 2021, në teatrin “Oda” ku dhe do të vazhdojë të shfaqet më 17 dhe 18 dhjetor. Përkrah Rebeka Qenës, e cila e luan rolin e Hava Marës, në role të ndryshme janë aktorët Adrian Morina dhe Armend Smajli. 

Imazhi i ballinës: Fotografia nga Integra.