Në thelb | COVID-19

Të lodhur nga pandemia

Nga - 18.05.2021

Pandemia dhe masat shoqëruese kanë lënë pasoja të rënda në shëndetin mendor.

Sikur edhe shumë prindër të tjerë, Danijela L. nga Zagrebi ka kaluar vitin duke baraspeshuar punën dhe nevojat e fëmijëve. Dy bijat e saj — e vogla është në kopsht, ndërsa e madhja në shkollën fillore — kanë shkuar në shkollë dhe janë vetizoluar “me ndërrime”. Ditët e Danijela-s u përqendruan në gatim, blerje harxhi, dhe pastrim, ndërsa po ashtu ndihmonte fëmijën e madh me detyra të shtëpise dhe zbaviste tjetrin.

“Nuk jam e palumtur. Thjesht jam e mbyllur brenda këtyre katër mureve dhe jam më pesimiste sesa kam qenë”, thotë Danijela për K2.0 dhe shton se vëmendja e saj është shkatërruar sepse bën shumë gjëra në të njëjtën kohë dhe më pas i lë anash të gjithat për të bërë diçka tjetër.

Edhe pse pranon se po përjeton një kohë të vështirë, Danijela thotë se nuk ka kërkuar ndihmë psikologjike, as për vete e as për fëmijët.

“Pavarësisht të gjithave, vazhdoj t’ua dal punëve në krye”, thotë ajo.

Shumë do të thoshin se Danijela ka shpëtuar mirë nga pandemia: Ajo ka shëndetin, çatinë mbi kokë, nuk ka humbur ndonjë të afërm dhe ka vend pune. Në kohën e botimit të këtij artikulli, pandemia kishte marrë 7,623 jetë në Kroaci, 8,871 në Bosnjë dhe Hercegovinë, 6,623 në Serbi dhe 2,222 në Kosovë.

Në një kontekst ku të gjithë njerëzit humbin të dashurit e tyre, shëndetin dhe vendet e punës — ndërsa vazhdojnë përpjekjet për mbijetesë — të folësh për shëndetin mendor mund të tingëllojë si luks. Sidoqoftë, kjo nuk është aspak e vërtetë.

Pasojat e (pa)dukshme të pandemisë

Rezultatet e një studimi të kryer nga Universiteti i Manchester-it në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se në dhjetor të vitit të kaluar, më se 42% të pjesëmarrësve në ShBA kanë raportuar simpome të ankthit dhe depresionit, gjë që përbën rritje prej 11% nga viti paraprak. Të dhënat e studimit sugjerojnë se kjo situatë është e pranishme edhe në vende të tjera të botës.

Këto rezultate lidhen jo vetëm me pandeminë, por edhe me pasojat që i kanë sjellë shoqërisë masat e ashpra të ngujimit. Kështu, sipas të dhënave nga një studim i Bankës Botërore me titullin “Ndikimi Ekonomik dhe Shoqëror i COVID-19”, nga pranvera 2020, i gjithë rajoni i Ballkanit ka raportuar shkallë rekorde të punësimit dhe shkallë rekorde të papunësisë së ulët në fund të vitit 2019.

Nga prilli 2020, thuajse 40% e rritjes së punësimit në vitin 2019 ishte bjerrë. Përveç kësaj, gjatë vitit të kaluar, PBB-ja është zvogëluar për 9.6% në Kroaci dhe 6.5% në Serbi, gjë që përbën rënien më të madhe në prodhim që nga 1999.

Sipas një studimi të tetorit 2020, të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në 130 shtete, pandemia e koronavirusit ka trazuar ose penguar krejtësisht punën e shërbimeve të shëndetit mendor.

Njëkohësisht, sipas një studimi të tetorit 2020, të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në 130 shtete, pandemia e koronavirusit ka trazuar ose penguar krejtësisht punën e shërbimeve të shëndetit mendor, edhe pse ka kërkesë të vazhdueshme për këtë lloj asistence. Tetëdhjetë e nëntë për qind e vendeve pjesëmarrëse të studimit kanë konfirmuar se shëndeti mendor dhe mbështetja psikoshoqërore janë pjesë e planeve përkatëse kombëtare të gatishmërisë, del se vetëm 17% kanë burimet e mjaftueshme për të financuar shërbime të tilla.

Vendet e rajonit në Ballkan nuk përbëjnë përjashtim.

“Në rrafshin praktik, shërbimet e mjaftueshme të mbështetjes nuk janë të disponueshme”, thotë Marina Milković. Ajo është psikologe në Shoqërinë e Psikologëve të Zagrebit, një organizatë joqeveritare që ka për qëllim kontribuimin në angazhimin shoqëror të psikologëve, ndër të tjera. Ajo shton se autoritetet rrallëherë cekin shëndetin mendor kur diskutojnë për mirëqenien dhe pandeminë.

“Dëgjojmë për masat shëndetësore dhe ekonomike, por ka dhembshuri e bisedë të paktë për mënyrën se si kjo ndikon shëndetin tonë psikologjik”, shpjegon ajo.

Përgjigjja e shoqërisë civile

Ndryshe nga autoritetet, sektori civil është shumë më i përfshirë në ofrimin e asistencës. Që nga pranvera e vitit të kaluar kur nisi pandemia, disa shoqata në rajon kanë ofruar ndihmë online dhe përmes telefonit kur nuk ishte e mundshme ballë për ballë për shkak të masave të ngujimit.

Në vitin 2016 është themeluar një Festival i Shëndetit Mendor me temën “Llaf në shtëpi”. Ai u bë akoma më i rëndësishëm me ardhjen e pandemisë.

Festivali i Shëndetit Mendor “Llaf në shtëpi” u bë akoma më i rëndësishëm gjatë pandemisë kur nisën të ofrojnë ndihmë online. Foto nga Festivali i Shëndetit Mendor.

Ky festival drejtohet nga një grup organizatash dhe institucionesh të qytetit që janë të angazhuara aktivisht në avokimin për përmirësim të shëndetit mendor, kurse për momentin ofrojnë mbështetje përmes emailit dhe me chat. Koordinatorja e nismës Marija Rosandić thekson se shërbimet e tyre janë falas dhe të hapura për të gjithë. Veçoria më e re është shërbimi përmes chat-it.

“Kemi kuptuar se shërbimi me chat është një zgjidhje e mirë që siguron anonimitetin”, thotë Rosandić. “Mund të shkruajmë mesazhe në telefon dhe s’është e thënë që të tjerët ta marrin vesh. Nëse dikush jeton me një familje të madhe dhe nuk do që anëtarët e tjerë ta dëgjojnë duke folur, kjo është një zgjidhje e mirë”, shpjegon ajo dhe shton se nga maji i vitit të kaluar deri në mars 2021, ky shërbim i këshillimit ka kryer më se 300 biseda me 96 njerëz përmes shërbimit të chat-it.

Rosandić thotë se njerëzit ua shprehin vështirësitë për kontrollimin e ndjenjave; me frikat, zemërimin dhe paqartësinë që kanë ndier gjatë pandemisë. “Është shfaqur një lloj shqetësimi i nivelit të lartë ose madje një lloj indiference. Kjo është pikërisht një ndër strategjitë për menaxhimin e stresit, një shkëputje nga situata”, na thotë Rosandić.

Rezultatet e mbledhura deri më tash tregojnë se njerëzit mbi moshëm 65 vjeçe, por edhe individët më të rinj, ishin ata që janë ndikuar më së shumti nga shqetësimi emocional në fillim të pandemisë.

Në ndërkohë është kryer një studim nga Fakulteti i Filozofisë i Novi-Sadit me titullin “Qëndrueshmëria në kontekstin e pandemisë së COVID-19”. Ky studim ka filluar mu në fillim të pandemisë, në prill 2020, ndërsa është përpjekur t’i identifikojë mënyrat se si pandemia ndikon shëndetin psikologjik. Deri më tash janë përfshirë 6,000 njerëz, kurse 1,200 deri 1,300 kanë marrë pjesë gjatë fazave të studimit.

Rezultatet e mbledhura deri më tash tregojnë se njerëzit mbi moshëm 65 vjeçe, por edhe individët më të rinj, ishin ata që janë ndikuar më së shumti nga shqetësimi emocional në fillim të pandemisë.

“Fillimisht brezat ndërmjet janë ndikuar më së paku nga ndryshimi i mënyrës së jetesës sepse vazhdonin të shkonin në punë, të kujdesen për të vegjlit si dhe për të vjetrit. Jetët e pjesës tjetër të njerëzve kanë ndryshuar goxha më shumë”, thotë Milica Lazić, një nga bashkautoret.

Milica Lazić është një nga bashkautoret e studimit për qëndrueshmërinë në kontekstin e COVID-19 që përfshin 6,000 respondentë. Foto nga arkivi personal i Milica Lazić-it.

Ndërsa ka vazhduar pandemia, rezultatet e studimit tregojnë se njerëzit kanë përjetuar një rënie të trazimit emocional, por lodhja është në rritje e sipër.

“Në fillim, kur kemi pyetur njerëzit se kur mendojnë se do të mbarojë pandemia, shumica e respondentëve kanë thënë ‘brenda tre deri gjashtë muajsh’. Më e ulëta ka qenë përqindja e atyre që kanë thënë se do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj”, shpjegon Lazić dhe shton se njerëzit janë të shqetësuar nga nocioni që s’mund ta parashikojmë fundin e pandemisë ose të dimë se si do të duken jetët tona në të ardhmen.

Lëngimi

Marina Milković nga Shoqëria e Psikologëve të Zagrebit vëren trende të ngjashme dhe na kujton se vetëm para një viti, të gjithë njerëzit përqendruan përpjekjet dhe mjetet për t’u përshtatur me pandeminë. “Punëtorët shëndetësorë u duartrokitën. U abonuam me të gjitha informatat që lidhen me pandeminë duke u munduar të gjenim mënyra për t’u adaptuar me ngujimin. Megjithatë, tash po përjetojmë lodhje”, thotë ajo.

Sipas profesorit të menaxhmentit dhe psikologjisë në Universitetin e Pennsylvania-s Adam Grant, lodhja është ndjenja mbizotëruese në jetën dhe mjedisin e tij sivjet. Në një artikull për këtë çështje, Grant përdor termin “lëngim” për të përshkruar tërë situatën.

“Lëngimi është një ndjenjë amullie dhe boshllëku. Sikur të sodisësh jetën tënde përmes një xhami të mjegulluar”, shkruan Grant në artikullin e tij për The New York Times.

Lodhja, paqartësia dhe stërzgjatja e pandemisë mund të ketë pasoja më afatgjate dhe serioze për shumë njerëz.

Lodhja, paqartësia dhe stërzgjatja e pandemisë mund të ketë pasoja më afatgjate dhe serioze për shumë njerëz. Kjo ndodh sidomos te ata që janë izoluar plotësisht për një kohë të gjatë, si dhe për të moshuarit që janë në situatë të rëndë financiare. Për më shumë, as fëmijët dhe të rinjtë nuk kursehen.

“Është po ashtu një periudhë më e gjatë me mësim të shpeshtë online, pa udhëtime përjashta dhe pa shoqërim. Dhe nëse të mungojnë këto gjëra kur je 14-15 vjeç, nuk do të mund t’i kompensosh kur të bëhesh 20 vjeç”, thotë Milković.

Për Danijela L., me të cilën kemi folur në fillim të artikullit, kjo është pikërisht rrethana keqësuese në betejën e saj me pandeminë. Ajo thotë se e ka të vështirë të kuptojë se si dyqanet dhe restorantet rrinin të hapura, ndërsa fëmijët nuk lejoheshin të shkonin në shkollë ose në kopsht.

Izolimi vijues ka lënë pasoja serioze te të rinjtë, siç theksohet në rezultatet e një studimi të kryer nga Agjencia Kroate për Shkencë dhe Arsim të Lartë; kjo është diçka që vetë Danijela vëren se ndodh në familen e saj teksa fëmijët i nënshtrohen izolimit dhe kanë pak mundësi për shoqërim.

E bërë me studentë universitetesh, studimi tregon se gjysma e respondentëve kanë ndier ankth dhe depresion gjatë mësimit në largësi dhe më shpesh sesa më parë. Më të ndikuarit janë të rinjtë që vuajnë nga ankthi shoqëror, të cilët kanë vështirësi me menaxhimin e situatave sociale. Mungesa afatgjate e mundësive për shoqërim veç ua ka keqësuar situatën.

Ndër më të ndikuarit janë po ashtu fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në kushte të rënda financiare ose në familje të mëdha, pa mundësitë e duhura për të marrë pjesë në mësim online dhe për studim. “Njëkohësisht, të rinjtë nuk marrin as një ‘faleminderit’ të thjeshtë; çfarë ka rëndësi’. Ata shpeshherë përmenden si përhapës të infeksionit. Më tej, publikohen informata për atë se si organizojnë grumbullime të mëdha e të papërgjegjshme”, thotë Milković.

Shkas për Çrregullimin e Stresit Pastraumatik

Është ende e paqartë se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i pandemisë së koronavirusit në shëndetin mendor në përgjithësi. Por mbase më së paku rëndësi u kushtohet njerëzve që tashmë mbartin përvoja traumatike nga lufta dhe vuajtjet përcjellëse nga vitet e 90-ta, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë së rajonit.

Një studim i bërë në Novi-Sad ka pasur këtë aspekt në fokus. Milica Lazić thotë se kanë shikuar studimet e mëhershme që tregojnë se njerëzit me përvoja të kaluara traumatike kanë reaguar në mënyrë të skajshme ndaj ngjarjeve me intensitet mesatar, ndërsa të tjerët thonë se ata kanë mbijetuar deri më tash dhe mund ta tejkalojnë edhe këtë.

“Jemi mjaft të rryer. Por çështja është se ne po mbijetojmë vetëm sepse nuk i procesojmë traumat."

Tihana Majstorović, Menssana, Sarajevë

Sidoqoftë, menaxherja e projektit pranë Shoqatës për Mbrojtjen e Shëndetit Mendor Menssana në Sarajevë Tihana Majstorović thekson se “mbijetesa nuk do të thotë domosdo jetesë”.

“Populli unë është ekspert për mbijetesë. Kombi ynë nuk e sheh të befasishme kur humbet vendi i punës, kur ka frikë për më të paktat e ekzistencës”, thotë Majstorović.

“Jemi mjaft të rryer. Por çështja është se ne po mbijetojmë vetëm sepse nuk i procesojmë traumat. Gjithë këto përvoja të luftës nuk janë procesuar kurrë, gjë që është e rrezikshme për shëndetin mendor”. Majstorović po ashtu nënvizon se, pavarësisht nga përvojat e të 90-tave, perceptimi i rrezikut te njerëzit e rajonit nuk është domosdo i njëjtë me atë të njerëzve që nuk kanë vuajtur nga lufta.

I kryer me 138 njerëz, 11 vjet pas konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, një studim afatgjatë për pasojat psikologjike të luftës tregon se ekziston një ndikim i vazhdueshëm kumulativ për shëndetin mendor. Ky ndikim vihet re në reagimet e njerëzve ndaj ngjarjeve traumatike, të cilat përfshijnë shpërfillje e madje ankth të tepërt.

Më se 400 njerëz kanë kryer vetëvrasje në BeH vjet (193 në Federatë dhe 218 në Republikën Serbe).

“Më kujtohet kur ka ndodhur sulmi terrorist ndaj ambasadës së ShBA-së në Sarajevë në vitin 2011. Policia kishin derdhur nëpër rrugë për t’i larguar njerëzit dhe për t’ua ndërruar kahjen. Një grua me një fëmijë kishte kaluar pranë një polici duke thënë se, tekqë nuk është vrarë në të 90-tat, asnjë terrorist nuk mund ta bëjë tash. Kemi një qasje të ngjashme ndaj koronavirusit, veçanërisht për shkak të trashëgimisë së luftës”, thotë Majstorović.

Ajo thekson se Bosnja ka qenë lidere në rajon për asistencën e shëndetit mendor dhe trajtimin e çrregullimin e stresit pastraumatik (ÇSPT) pas luftës, por se ekziston po ashtu një mospërputhje mes burimeve dhe nevojave, si dhe një mungesë e dijes që mund të kërkohet edhe asistencë mjekësore parandaluese.

Shoqata Menssana në Sarajevë ka organizuar një numër punëtorish gjatë pandemisë për klientët e saj. Foto: Shoqata për Mbrojtjen e Shëndetit Mendor Menssana.

“Nuk e kemi zhvilluar një kulturë të kujdesit për veten para se të lëndohemi, që të kërkojmë asistencë parandaluese; e lëre më ndihmë profesionale psikologjike. Kërkojmë ndihmë vetëm atëherë kur treni del nga binarët”, thotë ajo.

Statistikat e zymta të vetëvrasjes në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH) gjatë kësaj periudhe prej një viti e gjysmë konfirmojnë pohimet e saj. Më se 400 njerëz kanë kryer vetëvrasje në BeH vjet (193 në Federatë dhe 218 në Republikën Serbe), gjë që është 7.9% më shumë në krahasim me vitin e kaluar në Republikën Serbe dhe 2.6 në BeH). Ankthi i vazhdueshëm, kanosja ndaj stabilitetit financiar dhe mënyrës së jetesës, si dhe një ndjenja e dëshpërimit kanë çuar drejt këtyre shifrave të kobshme. Është rezultati më i keq që mund ta ketë pandemia në shëndetin mendor.

Majstorović këmbëngul se pandemia i ka dhënë një goditje njerëzisë sonë, natyrës njerëzore që kërkon shoqërim. Ajo thotë se kjo është përvojë tejet traumatike dhe nuk begenis termin “normalja e re”.

“Besoj se duhet të përshtatemi me këtë situatë, por edhe duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi të drejtë të ndihemi të ndikuar dhe të penguar”. Majstorović është e vendosur kur thekson se të gjithë kanë të drejtën të ndihen se situata aktuale është anormale dhe se ajo që u ndodh nuk është e drejtë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.