Arta* ishte 17-vjeçare kur u dënua me nëntë vjet e dhjetë muaj burgim.
“Nuk e imagjinoj daljen”, thotë ajo. “Nuk e di qysh ka me u kanë ajo ditë kur të lirona, se nashta, këtu më ka fjetë shpirti ma rehat”.
Së bashku me dy persona të tjerë, ajo u dënua për vrasjen e një 24-vjeçari. Krimi kishte ndodhur në tetor 2014, kur edhe u arrestuan që të tre. Dy personat e tjerë fillimisht u dënuan me burgim të përjetshëm por Gjykata e Apelit më vonë ua shkurtoi dënimet në 25 vjet burgim njërit dhe 22 vjet tjetrit.
Arta po e vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan (QKL).
“Arsyeja pse jam në burg është shumë e fortë dhe unë du me u ndëshku për ata që e kam ba. Ndjej që e kam marrë ata që e meritoj”.
Arta është dënuar për vrasje dhe e ka vuajtur gjysmën e dënimit. Foto: Gentis Zaskoku.
Ajo nuk dëshiron të flasë për krimin, pasi siç thotë, i rikthehen në kujtime ditët më të këqija të jetës së saj.
Për dhomën kujdeset që të jetë e pastër, sidomos kur ka “mysafirë”. Thotë se prej kur është lajmëruar që do të vijë një gazetare ta intervistojë, është kujdesur që dhoma të duket e rregullt dhe e pastër.
Dhoma e saj dallon shumë prej atyre të banoreve tjera në atë objekt. Përmes punimeve të dorës me ngjyra ajo thotë se tenton që t’i japë ngjyra edhe jetës së saj brenda, kurse pelushët e vegjël që ja kanë sjellë familjarët janë të vetmit që ia kujtojnë jetën që kishte përpara se të hynte aty.
“Kam qenë tip më sportiv dhe e kam dashtë sportin shumë”, thotë ajo, pa e shkëputur shikimin nga një pikë imagjinare në mur.
Në Qendër ka edhe mjedise sportive, të cilat ajo thotë se i frekuenton rregullisht. “Është kanë ëndërr e jemja me e vazhdu sportin, mirëpo tash e shoh si profesion juridikun”.
Brenda Qendrës Korrektuese, Arta ka përfunduar shkollën e mesme teknike, por tani ka zgjedhur tjetër drejtim për profesionin që dëshiron të ketë në të ardhmen dhe planifikon të fillojë studimet në Fakultetin Juridik në AAB.
“Ndoshta, eksperienca dhe padrejtësitë që i shoh çdo ditë më kanë shty që ta studioj juridikun”, tregon ajo.
Studimet do t’i ndjekë tani që e ka kaluar gjysmën e dënimit, duke përfituar të drejtën, si gjithë të miturit, që ta kalojë nga një fundjavë çdo muaj në shtëpi. Megjithatë, ditët e tjera do t’i kalojë në Qendrën Korrektuese.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, të gjithë të miturit e mbajnë dënimin e tyre me burgim në institucionin korrektues për të mitur derisa të mbushin moshën 23 vjeçe.
Ndarja fizike e të miturve nga të rriturit në qendrat korrektuese në Kosovë është e detyruar me ligj. Por në praktikë ndodh ndryshe për të miturat në QKL, e cila është e vetmja qendër korrektuese në Kosovë që strehon të dënuarat femra.
Ajo nuk e ka marrë vesh nga përfaqësuesit e institucioneve gjyqësore që i janë shkelur të drejtat, por nga komunikimi me të dënuarat e tjera.
Arta, e cila do t’i bëjë 23 vjet në shkurt 2020, thotë se e ka kaluar krejt dënimin në të njëjtin objekt me gra të moshës madhore.
Megjithëse kjo nuk është e vetmja shkelje ligjore me të cilën përballen të dënuarat e mitura, mbetet ndoshta më e prekshmja, duke qenë se është një realitet të cilin e jetojnë në çdo çast të jetës së tyre pas hekurave.
Të burgosura në mesin e të dënuarave të rritura
Në nëntor 2019, në QKL qëndronin tri të mitura: një e dënuar, një me masë edukuese dhe një e paraburgosur. Të miturit nën moshën 16-vjeçare që kryejnë krime vuajnë dënime edukative dhe nuk mund të dënohen me më shumë se pesë vjet në burg.
Bashkë me këto të mitura, në të njëjtën objekt vuanin dënimin për krime të ndryshme edhe 42 gra të rritura. Kapaciteti i përgjithshëm në QKL raportohet nga vetë institucioni të jetë 132 vende, burra dhe gra.
Arta thotë se që prej fillimit — kur ligjërisht është dashur të trajtohet si e mitur — e ka vuajtur dënimin në QKL bashkë me të dënuarat në moshë madhore, dhe vetëm më vonë e ka kuptuar që i janë shkelur të drejtat, jo nga komunikimi me përfaqësues të institucioneve gjyqësore por me të dënuarat e tjera.
Ndonëse mohon t’i ketë ndodhur ndonjë incident nga ndarja e hapësirës me të dënuarat e rritura, sërish thotë që ekspozimi ndaj tyre si e mitur nuk i ka sjellë diçka të dobishme.
“Na mendojmë ndryshe prej tyre”, thotë ajo. “Nuk ka pasë të dënuara që [më] kanë folë… qysh unë duhet me vazhdu të ardhmen ose për aktualitet, për mësime, për senet që janë prioritet për mua”.
Në Qendrën Korrektuese në Lipjan të miturat e kryejnë dënimin në të njëjtin vend me të rriturat, edhe pse ligji kërkon që ato të ndahen. Foto: Gentis Zaskoku.
Eksperti ligjor Kushtrim Palushi thotë se qëndrimi i të miturve në të njëjtin objekt me të rriturit është shkelje e qartë e ligjit, por përveç kësaj, sistemi korrektues ballafaqohet edhe me mangësi të tjera kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, të miturit e paraburgosur duhet të ndahen nga madhorët në përputhje me moshën dhe gjininë — atyre duhet t’u ofrohet ndihmë e posaçme sociale, edukative, psikologjike, mjekësore dhe fizike. Njëjtë duhet të jetë edhe me të miturit me masë edukative, që duhet të kenë një objekt të veçantë, gjysmë të hapur.
“Vajzat e mitura do të duhej të kishin trajtim dhe rutinë tjetër nga të rriturat, duke përfshirë më shumë kohë të cilën e kalojnë në ambient të hapur, programe edukative sociale”, thotë ai.
Arta krenohet me mënyrën si e ka dekoruar dhomën e saj. Foto: Gentis Zaskoku.
Por rutina e të miturave dhe të rriturave është e njëjtë.
Zgjimi fillon në orën shtatë. Mëngjesi hahet në tetë, e më pas kushdo që ka dëshirë mund të punojë në lavanderi apo në kuzhinë; pagesa ditore është një euro.
Arta punon në lavanderi. Ajo fillon punën në orën nëntë deri në kohën e drekës në mesditë. Pas drekës, ajo mund të ushtrojë sport për një orë. Më pas, kushdo që punon mund t’i kthehet punës deri në orën katër pasdite dhe pas kësaj ore të gjitha pa përjashtim kthehen në pavijon.
Kodi i Drejtësisë për të Mitur përcakton edhe që një i mitur i privuar nga liria duhet të qëndrojë së paku tri orë jashtë hapësirës së mbyllur, çka në praktikë nuk ndodh.
Klevis Vejsari nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka monitoruar QKL-në dhe thotë se qëndrimi i të dënuarave të mitura në të njëjtin vend me të rriturat në fakt po e dëmton qëllimin që ka institucioni korrektues.
“Theks i veçantë i është bërë sigurisë fizike, që të mos ketë arratisje dhe ka munguar dukshëm puna se çfarë po bëhet me këta fëmijë”, shprehet Vejsari.
Të miturat trajtohen njëjtë si të rriturat.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), çdo vit ka përgatitur raporte dhe ka njoftuar mediat për shkeljet që u bëhen vajzave të mitura me qëndrimin e tyre në të njëjtin objekt me të rriturat në QKL.
Një shkelje tjetër ndaj të miturave në Qendrën Korrektuese në Lipjan është se të tri kategoritë — ato në paraburgim, me masë edukuese dhe të dënuarat — qëndrojnë së bashku. Në mungesë të një objekti për vajzat e mitura, ato qëndrojnë në të njëjtin pavijon dhe i nënshtrohen të njëjtit trajtim me të rriturat.
Gjatë viteve të qëndrimit në QKL, ndonëse e dënuar, madje për një vepër të rëndë, Arta e ka ndarë dhomën me vajza me masë edukuese. “Unë kam pasë në dhomë vajza që kanë qenë me masë edukuese dhe kemi qenë njëjtë të trajtuara”, thotë ajo.
Drejtori i Burgjeve, Nehat Thaçi, thotë se kjo ndodh për shkak të numrit të vogël të të miturave që janë të dënuara, në paraburgim, dhe me masë edukuese. “Shumë rrallë kemi të paraburgosura femra, e që t’i aplikojmë metodat duhet të jenë më shumë të paraburgosura ose të burgosura,” thotë ai.
Ky arsyetim përdoret gjithashtu për të arsyetuar mungesën e resurseve dhe të investimit në objekt.
Arta nuk e dinte se po i shkeleshin të drejtat në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Foto: Gentis Zaskoku.
Drejtori i QKL-së, Isuf Ibërdemaj, i cili është në këtë post që nga prilli i viti 2019, pajtohet që kategoritë e ndryshme të të dënuarave, sipas ligjit, nuk duhet të qëndrojnë në të njëjtin objekt. Gjithashtu, ai thotë se në kushtet aktuale është e pamundur të kryhen të gjitha rutinat për secilën kategori dhe shpreson që në të ardhmen të ketë një objekt të veçantë për vajzat e mitura.
“Tash siç janë të gjitha kategoritë e femrave, edhe madhoret e paraburgosura dhe të dënuara, edhe të miturat me masë edukuese, të paraburgosura dhe të dënuara, e kemi absolutisht të pamundur që t’i zhvillojmë të gjitha rutinat dhe programet rehabilituese konform Kodit për Drejtësi për të Mitur”, thotë Ibërdemaj.
Punëtori social Tefik Halili, i cili punon prej dhjetë vjetësh në QKL, thotë se në rrethanat që gjendet qendra, mbajtja e të dënuarave të kategorive të ndryshme në të njëjtën hapësirë është domosdoshmëri, ndonëse nuk është e preferueshme.
Ai tregon se në mungesë të mbajtjes në ambiente të dedikuara, stafi i Qendrës Korrektuese merr masa të atypëratyshme, të cilat pak a shumë kufizohen në sistemimin e vajzave nëpër qeli të veçanta.
“Mundohemi që të klasifikojmë një vepër që një vajzë e ka kryer padashje, pakujdesi, ose rrethana të tjera që do të ndikonin pozitivisht, sa i përket sjelljes. Mundohemi që të mos qëndrojnë me ato që kanë kryer vepra të rënda si vrasje, prostitucion dhe grabitje”, thotë Halili.
Sipas Palushit, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Drejtësisë që harton ligje dhe i propozon ato.
“Shërbimi Korrektues është nën Ministrinë e Drejtësisë dhe i zbaton politikat që i harton kjo ministri. Shërbimi Korrektues i ka nën menaxhim burgjet dhe qendrat korrektuese”, thotë ai.
"Për më tepër, modelet e sjelljes që po pranohen nga këta të mitur mund të jenë pozitive në aspekte të caktuara. Por, ekziston rreziku për të imituar sjellje negative."
Natyra Agani, psikoterapiste dhe psikologe klinike.
Në pyetjet e drejtuara ndaj Ministrisë së Drejtësisë, ky institucion u përgjigj duke thënë që të njëjtat duhet t’i drejtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Çka ndodh në objekte të përziera
Sipas specialistëve, mbajtja e të dënuarave të mitura në të njëjtat ambiente me të rriturat ndikon në mungesën e trajtimit të diferencuar që ato duhet të përfitojnë, në vetë sigurinë e tyre, si dhe mbi një sërë aspektesh të shëndetit mendor dhe proceseve riintegruese.
Por, i pyetur mbi ndikimin që mund ta kenë të miturat që vuajnë dënimin në të njëjtin objekt me të rriturat, koordinatori i shëndetit mendor në burgjet e Kosovës, Granit Shatri, nuk pranoi të flasë. “Nuk më pëlqen të flas për punën që bëj”, tha ai.
Ekspertë të tjerë vënë theksin te pasojat dhe rreziqet e mbajtjes së të dënuarave të mitura bashkë me madhoret.
Natyra Agani, specialiste e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë si dhe ligjëruese në UP,i e sheh të pavend qëndrimin e të miturve me të rritur sepse modelet e sjelljes mund të kopjohen.
“Duhet të ketë ndarje sa i përket moshës, gjinisë, dhe patologjisë së çrregullimeve”, thotë ajo. “Ndikimet mund të jenë disadimensionale, por ato më shqetësuese mund të jenë abuzimet fizike dhe emocionale dhe traumat e ndryshme. Gjithashtu, modelet e sjelljes që marrin këto të mitura mund të jenë pozitive në disa aspekte, por ekziston edhe rreziku i modelimit të sjelljeve negative”.
Një ndikim të tillë e ka hasur edhe punëtori social në QKL, Tefik Halili, i cili së bashku me psikologun, merren me mirëqenien e të miturve që vuajnë dënimin në këtë qendër.
“Kemi pasur një rast, një e mitur ka qenë me masë edukuese dhe shpesh ka ra në ndikim të disa grave aty”, thotë ai. “Përmes asaj, janë munduar që t’i arrijnë qëllimet. Kur kanë dashtë të bëjnë zhurmë, me e destabilizu situatën, e kanë përdorë të miturën si mjet. E kur kemi insistuar ne si staf profesional e kemi vërejtur që indikacionet po vijnë prej madhoreve, që e kanë nxitur ose motivuar të bëjë sherre”.
Punëtori social i QKL-së, Tefik Halili, i ka parë të miturat duke u manipuluar nga të rriturat. Foto: Gentis Zaskoku.
Sipas Halilit, kjo ndodh për shkak të “karakterit të ndikueshëm” dhe rrethanave prej nga vijnë të miturat.
Edhe zyrtarja e KMDLNJ-së Valentina Demolli thotë se është i panatyrshëm qëndrimi i një të miture në të njëjtën qeli me gratë e tjera që kanë kryer krime të rënda apo që janë të dënuara me periudhë më të gjatë me burgim, dhe se gjatë monitorimit në QKL ka vërejtur një rast ku ka pasur diskutime të ashpra mes madhoreve dhe një të miture.
“Ka pasur një rast ku ka qenë një vajzë 16-vjeçare që ka pasur probleme me gratë e tjera, por që ka qenë si pasojë se vajza e mitur ka qenë përdoruese e narkotikëve dhe ka pasur momente kur ka pasur probleme dhe ngacmime me të rriturat”, thotë Demolli.
Roje dhe gardianë, por jo profesionistë të tjerë
Mungesa e stafit professional për të punuar me të miturat ndikon në qasjen e tyre te shërbimet që u nevojiten.
Qendra Korrektuese në Lipjan numëron 101 pjesëtarë të stafit korrektues dhe të uniformuar, gjysma e të cilëve janë tek objekti i meshkujve kurse gjysma tjetër te femrat. Përveç tyre, ka edhe mbikëqyrës të lartë dhe punëtorë të kujdesit shëndetësor.
"I gjithë ky staf që është i angazhuar nuk e ka përgatitjen e duhur për të punuar as me femra e aq më pak me të mitur."
Valentina Demolli, KMDLNJ
Por në gjithë këtë staf shëndetësor është vetëm një psikolog, dhe sipas Aganit, është e pamundur të përmbushet trajtimi i nevojshëm me vetëm një psikolog për rreth 100 të burgosur.
“Mungesa e ekipës multidisiplinore ku do të përfshinte edhe psikiatrin, punëtorin social dhe infermierin do përmirësonte dukshëm shërbimet për këtë target grup. Në të kundërtën kualiteti i shërbimeve vihet në pyetje, sigurisht, jo për faj të profesionistëve”, thotë Agani.
Arta thotë që gjatë këtyre viteve e ka vizituar disa herë psikologun. Me të ka biseduar për vuajtjen e dënimit dhe sipas saj, i ka ndihmuar që ta pranojë situatën por edhe të planifikojë për një të ardhme tjetër.
Organizatat që monitorojnë QKL-në thonë se qendra korrektuese ka mungesë të stafit të trajnuar, por kjo është mohuar nga institucioni. Foto: Gentis Zaskoku.
Arta thotë që stafi sillet më ndryshe me të se me të dënuarat e rritura. “Sillen më butë, nuk na kqyrin sikur të dënuara, por sikur fëmijët e tyre”, thotë ajo.
Vejsari nga KOMF thotë që mungesa e stafit të përshtatshëm ndikon negativisht te riintegrimi i të dënuarave.
“Mungon stafi edukativ që të punojë në rehabilitimin e të miturit, të punojë në menaxhimin e sjelljes së të miturve, se i gjithë qëllimi është që këta të mitur të mos riviktimizohen menjëherë me dalje, por të mund të riintegrohen suksesshëm në shoqëri”, thotë ajo.
Ndërkaq Demolli thotë se mungesa e stafit korrektues dhe uniformues të shkolluar për të punuar me të mitur delikuentë është një nga problemet kryesore në QKL, për të cilin kanë raportuar me vite të tëra, por që asnjëherë nuk është marrë ndonjë veprim.
“I gjithë ky staf që është i angazhuar nuk e ka përgatitjen e duhur për të punuar as me femra e aq më pak me të mitur”, thotë ajo. “U mungojnë trajnimet profesionale, angazhimet e tjera që do të përkonin me kategorinë me të cilën punojnë”.
Por, Thaçi thotë se stafi tërë kohën trajnohet për sjelljen me të miturit, prandaj ata janë profesionistë. “Vlerësoj që stafi ynë në vazhdimësi trajnohet edhe me projekte të ndryshme nga brenda, e po ashtu edhe nga projekte nga jashtë”.
Njëjtë me kolegun e tij mendon edhe Ibërdemaj.
“Më shumë se shumica e tyre kanë një stazh 15-20 dhe 30 vjet. Ky staf ka punuar edhe para luftës, që i bjen se këta përveç përvojës dhe eksperiencës kanë edhe trajnime ekstra, qoftë me vendorë apo ndërkombëtarë, që lidhen me trajtimin e të miturve”.
Shqetësim për të është vetëm mosha e shtyrë e gardianëve dhe stafit tjetër në QKL. Sipas tij, kjo mangësi nuk është vetëm në QKL por në të gjitha qendrat korrektuese në Kosovë. Ai qartëson se mosha është arsyeja pse ata duhet të shkojnë në pension dhe asesi joprofesionalizmi.
Diskriminimi ndaj të dënuarave
Pranë objektit të femrave në QKL, ndodhen hapësirat e destinuara për meshkujt. Të dënuarit në këto dy objekte trajtohen në mënyra të ndryshme. Të paktën për djemtë e mitur, ligji gjen zbatim në disa aspekte.
Për shembull, djemtë e mitur i kanë objektet e ndara fizikisht nga të rriturit dhe tash e dy vjet ata që janë me masë edukuese nuk e ndajnë objektin me të dënuarit.
Trajtimi më i mirë i djemve nuk kufizohet vetëm te hapësirat në shfrytëzim, por mbulon edhe përfitime të tjera, gjithashtu të parashikuara me ligj.
Arta e përdor rregullisht oborrin e rekreacionit të QKL-së për sport. Foto: Gentis Zaskoku.
Në rast të sjelljeve të mira, djemve të mitur mund t’u ndryshohet dënimi prej “të burgosur” në “me masë edukuese”. Këtë e përcakton një panel brenda Qendrës Korrektuese, i cili vlerëson sjelljet e të miturve.
Por ndërsa paneli ka për detyrë t’i vlerësojë të dyja gjinitë e të miturve, vetëm djemtë kanë përfituar nga lehtësimet për sjellje të mirë duke kaluar te qendra gjysmë e hapur.
“Femrat nuk e kanë këtë mundësi. Aktualisht nuk kemi mundësi se vetë objekti është në atë formë sa nuk e kemi mundësinë e ndarjes fizike të tyre”, thotë drejtori i QKL-së, Ibërdemaj.
Sipas drejtorit, qendra është e pajisur mirë, me salla të rekreacionit, salla leximi, bibliotekë dhe punëtori për trajnime.
Demolli nga KMDLNJ thotë se kjo qendër është ndërtuar edhe për vajza me masë edukuese, por numri i vogël i tyre dhe stafi i paktë ka bërë që në këtë qendër të dërgohen vetëm djemtë.
Edhe Vejsari nga KOMF thotë se Kodi i Drejtësisë për të Mitur e parasheh që të dënuarat e mitura duhet të qëndrojnë në një qendër të hapur.
Por praktikat diskriminuese mes të dënuarve djem dhe burra dhe të dënuarave vajza dhe gra shtrihen edhe në aspekte të cilat nuk përcaktohen nga mundësitë fizike të objekteve dhe hapësirave përkatëse.
Ndasitë në bazë të gjinisë shtrihen edhe në programe që për qëllim kanë aftësimin dhe riintegrimin e të dënuarve në QKL, ku grave u ofrohen kurse “për gra”, ndërsa burrave “për burra”.
Arta, së bashku me disa prej të dënuarave të rritura, ka ndjekur kursin për floktari pasi si opsione kishte atë ose rrobaqepësinë.
“Unë e kam zgjedhë floktarinë për shkak që më pëlqen. Kursi ka zgjatë gjashtë muaj dhe ka qenë tre herë në javë”, thotë ajo. “Nëse nuk gaboj, djemtë e mbajnë edhe kursin e informatikës që kisha pasë shumë qejf me e vazhdu”.
Arta nuk është informuar që mund të ndjekë kurse të tjera, ndaj dhe nuk ka kërkuar që ta ndjekë kursin e informatikës.
Demolli nga KMLDNJ thotë që pak a shumë, në QKL ekziston një përcaktim gjinor sa u përket kurseve dhe deri më tani kurset e vetme që kanë ndjekur të miturat dhe të rriturat kanë qenë për floktari dhe rrobaqepësi.
Për dallim nga të miturit djem, vajzat e përsërisin më rrallë veprën pasi e kryejnë dënimin.
Drejtori Ibërdemaj thotë që nuk e di se si ka funksionuar para se ai të vinte në këtë pozitë prillin e kaluar, por që nga ardhja e tij edhe vajzat do të kenë mundësi të ndjekin kurse për informatikë.
“Unë i inkurajoj gratë që të ndjekin kurse edhe për IT, por edhe elektrikë dhe trajnime të tjera, jo vetëm për rrobaqepësi dhe floktari por edhe zanate të tjera që cilësohen si për burra”, thotë Ibërdemaj.
Drejtori i ri i QKL-së thotë se synon ta ndryshojë këtë dallim mes trajtimit në bazë të gjinisë, por ka edhe nisma të tjera për trajtim të barabartë që shkojnë përtej kompetencave të tij.
Për shembull, të gjithë të burgosurit mund t’i shkruajnë Presidentit të Kosovës për t’i kërkuar falje të dënimit, kompetencë e garantuar sipas nenit 84 të Kushtetutës. Arta në fund të vitit 2018 i kishte shkruar Presidentit për kërkim falje, por sipas saj, asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
Demolli nga KMDLNJ thotë se të dënuarat e rritura nuk kanë marrë asnjë falje gjatë viteve të fundit, ndonëse sjelljet i kanë të shkëlqyera, duke përbërë kështu, edhe një tjetër qasje diskriminuese ndaj grave që vuajnë dënimin.
Gjatë monitorimit të përvitshëm që bën KMDLNJ, rezulton se për dallim nga të miturit djem, vajzat e përsërisin më rrallë veprën pasi e kryejnë dënimin.
Sipas Demollit, gjatë viteve të fundit ka pasur vetëm dy apo tri raste kur të miturat kanë kryer përsëri krime pas vuajtjes së dënimit.
Sa i përket recidivizmit, psikologia zhvillimore Agani mendon se duhet të dizajnohen dhe implementohen programe parandaluese, të cilat në Kosovë janë pothuajse inekzistente. “Evidenca empirike ka treguar që puna më e madhe duhet të jetë në riintegrimin e tyre, në mënyrë që të parandalohen përsëritjet e veprës”, thotë ajo.
Një objekt i ri
Më vonë këtë vit, Qendra e Paraburgimit për meshkuj të rritur do të mbyllet dhe do të hapet si objekt për të dënuarat femra, së paku përkohësisht.
“Kjo qendër do të ridizajnohet me të gjitha planet përcjellëse për femrat e dënuara dhe të paraburgosura, për femra të mitura të dënuara, të paraburgosura dhe me masë edukuese”, thotë Ibërdemaj.
Së shpejti, gratë e të gjitha moshave do të vendosen në një objekt tjetër, ndërsa QKL-ja do të jetë vetëm për djemtë e mitur. Foto: Gentis Zaskoku.
Në vendin ku ndodhen aktualisht, vajzat e mitura dhe gratë e ndajnë të njëjtin oborr me djemtë e mitur, diçka që është raportuar çdo vit nga KMDLNJ.
Për shkak të oborrit të përbashkët, Arta e pranon që mund të takohet rastësisht me djemtë e mitur, por nuk flet për ngacmime.
“Nuk kemi kontakt, por mundemi me u pa kur të kalojmë për me shku në punë, për ambulantë ose diçka tjetër”, thotë ajo. “Pra veç kalimthi mundemi me u pa”.
Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi, thotë që objekti i ri do të mundësojë ndarjen mes të miturave dhe të rriturave.
“Të miturat do të jenë të ndara nga të rriturat”, thotë ai. “Objekti do të jetë i njëjti, por do të jenë ndaras në krah, e që do t’i plotësojë kushtet me standardet më të larta”.
Ai nuk jep detaje se si do të realizohet ndarja mes dy kategorive dhe se si diçka e tillë do të ndikojë te trajtimi përkatës.
Ndërkaq, në shpërfillje të dispozitave ligjore për trajtimin e të miturve në burgjet e Kosovës, niveli i ulët i delinkuencës nga vajzat e mitura po i penalizon ato, duke qenë se sipas arsyetimeve të përfaqësuesve të sistemit korrektues, numri i vogël i të dënuarave nuk i justifikon burimet dhe investimet e nevojshme për t’i trajtuar ato sipas kushteve që i dikton ligji.
Eksperti ligjor Palushi thotë se të gjitha vajzat që kanë qëndruar në QKL kanë pasur shkelje të të drejtave të tyre të garantuara me ligj, dhe se mund të ndërmarrin veprime ligjore për dëmet e pësuara.
“Vajzat e mitura që janë mbajtur në burg ose në paraburgim me të rritura, mund ta padisin shtetin për dëmet emocionale që mund t’ua kenë shkaktuar për faktin se të njëjtat që kanë qëndruar në burg ose në paraburgim me të rritura, kanë pësuar dëme emocionale që mund të kenë ndikuar në jetën e tyre”, thotë Palushi.
Ai shton që shteti nuk mund të justifikohet që në mungesë të vajzave të mitura që bëjnë krime, ato që bëjnë, të vuajnë dënimin me të rriturat. Sipas tij, ky justifikim i shtetit nuk është i vlefshëm dhe i tillë do të ishte vetëm nëse do përmbusheshin disa kritere, të cilat në praktikë nuk përmbushen.
“Një e mitur nuk guxon në asnjë rrethanë të kalojë kohë, për shembull, me një grua që është në vuajtje të dënimit për ndonjë krim të dhunshëm; për narkotikë apo krime të ngjashme”, thotë Palushi. “Së dyti, shteti duhet t’i ofrojë mundësi për edukim, programe trajnimi dhe aftësim, njësoj apo ngjashëm sikurse e mitura do të trajnohej në qendër për të mitur”.
Ndërkohë, vajzat si Arta bëhen gra që dalin nga sistemi korrektues pothuajse pa mbështjetje apo udhëzim.K
*Ky emër është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e individit në mënyrë që të mos ndikojë në riintegrimin e saj në shoqëri pas kryerjes së dënimit.
Foto kryesore: Gentis Zaskoku.
Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.