Blogbox | Të drejtat e njeriut

Të ndihmosh për të siguruar bukë për krejt

Nga - 04.09.2020

Rrëfimi prapa nismës vullnetare humanitare të Termokissit.

Në fillim të këtij viti, jam njoftuar me Termokissin përmes një shoku i cili më tregoi se kjo qendër shoqërore ishte një vend për të qenë aktiv, vullnetar për kauza të ndryshme, për të krijuar art, e për t’u bashkuar me një grup të rinjsh të hapur, mikpritës dhe të motivuar për ndryshim. Më herët nuk kisha dëgjuar asnjëherë për të apo për diçka të ngjashme, andaj isha kureshtar të shihja se si do të ishte. 

Në vizitën time të parë e pashë objektin dhe ambientin përreth. Gëzueshëm, ata më njoftuan me aktivitetet e tyre kryesore dhe hapësirën të cilën e përdorin, e që dukej se kishte një jetë të mëvetësishme — një ekosistem unik i Termokissit.  

Kopshti i vogël por mbresëlënës, i ndërtuar me ndihmën e punëtorisë për zdrukthëtari; pastaj platforma e katit të dytë që ende është duke u zhvilluar dhe ku është bërë mjaft përparim që prej fillimit të korrikut kur unë jam bashkuar, me hapësirën e saj për punë dhe shumë libra të cilët në veçanti ma tërhoqën vëmendjen; hapësira brenda e cila vazhdimisht ndryshon dhe zhvillohet e që disave mund t’u duket e çrregullt; arti intrigues në mure, tabela e pingpongut, madje edhe shumë qenë endacakë të cilët e kanë bërë Termokissin shtëpi të tyre. 

Periudha e izolimit mund të ketë ndikuar në rritjen e interesimit për natyrën, teksa shumë njerëz duan të jenë më afër vetes dhe natyrës përmes kujdesit për bimët.

Menjëherë, udhërrëfyesi im — ndoshta më i entuziazmuar se unë — ishte i hapur ndaj disa prej ideve që kisha për klube dhe aktivitete të reja. Por para se të bëja atë që doja dhe të sillja ndryshime, ndjeva përgjegjësinë që fillimisht të kontribuoja me punë vullnetare; të lija gjurmën time në qendër para fillimit të projekteve që do të kërkonin kohën dhe vëmendjen e të tjerëve. 

Në fillim ishte kopshti, diçka që kurrë nuk e kisha bërë më parë, me potencialin e tij që dukej i pafund dhe përkushtimin ngjitës të vullnetarëve. 

“Termokopshti” siç e quajmë ne, është një hapësirë e vogël afër ndërtesës ku kryesisht mbjellim perime dhe disa barishte. Në kopshtin për të cilin kujdesen anëtarët e palodhur të komunitetit tonë rriten domatet, domatinat, specat, borziloku, dhe perime të tjera të freskëta.

Kjo është duke u bërë tash e dy vite, fillimisht me katër shtretër të lartë për mbjellje, për ta provuar nëse do të funksiononte. Me kalimin e kohës është zhvilluar ngadalë, me shumë mësime të nxjerra përgjatë rrugës.  

Nisma e Termokissit për shpërndarjen e ushqimit i ndihmon njerëzit në Prishtinë të ushqehen falas me perime të shëndetshme të rritura në shtëpi. Foto: Qazim Gashi / K2.0.

Në vitin 2020 kopshti është rritur në mënyrë dramatike, me gjithsej dhjetë shtretër për mbjellje. E gjitha kjo krahas hulumtimit tonë rreth kopshtarisë — cilat bimë mund t’i kombinojmë për të arritur simbiozë më të mirë, e të tilla.   

Shumë vullnetarë si unë kanë shprehur interesim për klubin duke dhënë ide të reja, dhe kemi parë shumë të rinj që kanë dëshirë të mësojnë rreth kopshtarisë. Periudha e izolimit mund të ketë ndikuar në rritjen e interesimit për natyrën, teksa shumë njerëz duan të jenë më afër vetes dhe natyrës përmes kujdesit për bimët. 

Së fundi, kopshti ka lulëzuar derisa më shumë prej nesh bashkohen, dhe në vazhdimësi mësojmë gjëra të reja. 

Të njëjtit vullnetarë më njoftuan edhe me një nismë tjetër të quajtur “Bukë për Krejt”, e cila ishte ndërprerë për disa muaj.  Përmes përgatitjes dhe ndarjes së vakteve të shëndetshme me ata që kanë më së shumti nevojë, nisma synon të lehtësojë së paku disa nga vështirësitë e pranishme në komunitetet tona.

Bukë për krejt

Jemi bërë bashkë për të gatuar dhe shpërndarë ushqim për njerëzit e pastrehë dhe ata në nevojë, për të ofruar pak ndihmë në kohë të vështira.
Kjo është iniciativë vullnetare, me aktivistë që i rrokin gjërat në duart e tyre, ose duke përgatitur ushqim ose duke kontaktuar drejtpërdrejt me furnizues dhe bare si Soma, që mund të ofrojnë ndihmë materiale.

Ju ftojmë të bashkoheni në këtë rrugëtim, të ndihmoni në punët kolektive dhe ta përhapni fjalën.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e kësaj nisme përmes gatimit, donacioneve, shpërndarjes së ushqimit apo në ndonjë formë tjetër, mund të na shkruani në rrjetet sociale (Termokiss në Facebook dhe Instagram), ose në adresën [email protected]. Po ashtu, kemi kuti për donacione në Soma, Miqt Pub, Termokiss dhe Babaghanoush.

Ky është gjithashtu një projekt që na mundëson të përdorim prodhimet e rritura nga ne si përbërës në ushqimet që përgatisim. Natyrisht se ende kemi nevojë t’i blejmë produktet kryesore si orizin apo patatet nëse duam të bëjmë rizoto ose supë, por për perime mundohemi t’i përdorim ato nga kopshti, pa pesticide dhe kimikate, të rritura vetëm me dashuri, ujë dhe materie të pastra ushqyese nga toka. 

Bukë për të gjithë

Çdo vit në Qendrën Shoqërore Termokiss organizohet festivali “Krejt ka Pak”, gjatë të cilit mbahen punëtori, koncerte, e shfaqen filma të studentëve; në përgjithësi të gjitha aktivitetet e reja që i bëjmë gjatë tërë vitit përmblidhen brenda një jave. Manifestimi i vitit në një ngjarje të madhe. Organizimet të cilat fillojnë në mëngjes e vazhdojnë deri në mbrëmje zgjasin për disa ditë, kështu që ne i kalojmë ditët duke bërë aktivitete së bashku, ndër të cilat është edhe gatimi.  

Në edicionin e fundit, nga dhjetori i vitit 2019 në janar të 2020-tës, kishim mbështetje për produkte ushqimore nga Meridian. Kur pamë se ushqimi ishte më se i mjaftueshëm për ne, bile  dhe tepronte, e patëm idenë të gatuanim për ata mes nesh që janë më pak fatlumë dhe bashkërisht ta shpërndanim në qytet. Vullnetarët do t’i blinin ushqimet dhe do të gatuanin gjellë, supë e gullash në objektin e Termokissit. 

Shumë të rinj janë vullnetarë dhe kjo është përvojë unike për ta. Foto: Qazim Gashi / K2.0.

Ideja funksionoi më mirë se që kishim pritur. Ishte dimër. Çdo ditë mblidheshim bashkë herët në mëngjes për të përgatitur ushqim, derisa dy apo tre aktivistë ecnin në të gjithë qytetin për ta ndarë atë me më pak fatlumët e atyre ditëve të ftohta dimri. Përvoja ishte e pakrahasueshme. Shikimet prekëse falënderuese na kaplonin. Kjo na ndihmoi ta shihnim jetën të cilën më parë vetëm e kishim vështruar nga larg përmes një perspektive plotësisht të re.

Pak ndihmë në të mirë të dikujt pa kërkuar asgjë në këmbim, të bërit mirë si qëllim i vetëm dhe pa motive të fshehta është diçka që duhet ta përjetoni së paku një herë.  

“Dhuroni dashuri dhe ata do t’ua kthejnë”

Kur e takuam Sokolin — i cili është i pastrehë — ai ishte në rrugë derisa ne po shpërndanim ushqim për herë të parë këtë verë. Ky i moshuar gazmor nga Shqipëria i ndihmoi ekipit me karrocën kur ajo kishte ngecur, dhe i impresionuar me nismën e prezantoi veten tek vullnetarët e rinj. Që atëherë është bërë pjesë e komunitetit. “Dhuroni dashuri dhe ata do t’ua kthejnë”. Sokoli, i cili kishte përvojë të mëhershme në kopshtari dhe natyrë, na tregoi për bimët duke ndarë me ne njohuritë e tij të vlefshme se si të përmirësonim punën tonë me perime dhe si të kujdeseshim më mirë për fidanet e pemëve. 

Biseda me Sokolin mund të zgjasë për orë të tëra, qoftë për bimët, për jetën e përditshme të qytetit, apo për vështirësitë e jetës dhe gjendjen e tanishme, për politikën, jetën në fshat, kafshët, bujqësinë, apo çfarëdo tjetër. Nga Sokoli:

“Nisma më ka bërë shumë përshtypje, dhe më ka tërhequr humaniteti i saj. Veprimet humanitare nuk janë thjesht të moralshme apo diçka që e bëjnë dikë të ndihet mirë, por janë pjesë thelbësore e jona, e njerëzve. Ne ndihmojmë sepse solidariteti është në natyrën tonë derisa ndasitë na imponohen. Tani vij këtu dhe jap çfarë mundem”.

Takimi me njerëz si Sokoli, punimi i tokës për rritjen e ushqimit dhe mësimi për të ndarë atë që kemi me ata që kanë nevojë më ka ndryshuar duke ma bërë jetën më të pasur më ka hapur rrugë për ide të reja si dhe kujtime të pafund dhe miq të rinj.

Imazhi i ballinës: Qazim Gashi / K2.0.

KOMENTO