Pyje e hapësira fushore u përshkuan nga zjarret në fillim të gushtit të këtij viti në Kosovë. Vëmendje morën veçanërisht zjarret në fshatin turistik në vargmalet e Sharrit, Prevallë, që zgjatën 10 ditë.
Krahas zjarrfikësve të Kosovës, ndërhyri edhe KFOR, teksa ditët me shi që pasuan i shuan zjarret. Këto zjarre shpërfaqën sërish kapacitetet e mangëta për t’u ballafaquar me këtë dukuri të pashmangshme, që duket se kanë shumë gjasë të shpeshtohet në të ardhmen. Në vitin 2023, nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) u ngrit alarmi se Kosova bën pjesë në vendet me nivel esktrem të rrezikut për zjarre pyjore.
Kjo u pa edhe në terren viteve të fundit kur, ashtu si shumë vende të tjera në botë, vendi u përball në vazhdimësi me zjarre pyjore dhe zjarre në hapësira rurale, që njihen si fushore. Sipas të dhënave dërguar K2.0 nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në periudhën janar-qershor 2024, pati 32 raste të zjarreve, që përfshinë 155 hektarë, ku nga kjo sipërfaqe, 104 hektarë ishin në pyje, kurse 51 hektarë në tokat pyjore.
Ndryshimet klimatike, të shoqëruara me temperatura të larta të pazakonta dhe periudha të zgjatura të thatësisë, kanë krijuar një terren të favorshëm për përhapjen e shpejtë të zjarreve. Por, në Kosovë jo të gjitha zjarret shkaktohen nga kushtet e ndërlidhura me ndryshimin klimatik, ekzistojnë edhe ato që nxiten qëllimshëm. Edhe në këto raste, përhapja bëhet më e lehtë në kushtet e tanishme klimatike.
Pasojat e dëmshme të zjarreve janë të dukshme jo vetëm në mjedis, por edhe në ekonomi, shëndetin publik dhe sigurinë e banorëve. Të ndikuara nga faktorët natyrorë e njerëzorë, këto zjarre kanë sjellë dëme të mëdha veçanërisht në ekosistemet e zonave të mbrojtura, siç janë dy parqet nacionale “Sharr” dhe “Bjeshkët e Nemura”.
Kapacitetet e kufizuara të zjarrfikjes në vend kanë bërë që menaxhimi i këtyre emergjencave të jetë sfidues dhe i rrezikshëm. Përveç mungesës së pajisjeve, si helikopterë për shuarjen e zjarreve, kapacitetet e zjarrfikësve vendas janë të kufizuara për shkak të trajnimeve të pamjaftueshme dhe infrastrukturës së dobët. Shpesh, për reagim të shpejtë nevojitet trajnimi dhe angazhimi i komunitetit, si reagues të parë.
Zjarret shpesh janë të qëllimshme
Gjithkund nëpër botë, zjarret shkaktohen nga faktorë natyrorë e njerëzorë, qoftë për shkak të pakujdesisë a gabimeve të paqëllimshme, në Kosovë është shqetësuese që një pjesë e madhe e këtyre zjarreve janë të qëllimshme.
Nehat Koçinaj, zyrtar për çështje ligjore, marrëdhënie ndërkombëtare dhe marrëdhënie me publikun në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) thotë se zjarret në fushë dhe pyje shpeshherë janë të lidhura me praktikat bujqësore ose turizmin, por nuk mungojnë rastet kur qëllimet prapa këtyre veprave janë dashakeqe, si kur u vihet zjarri fushave bujqësore.
Bujqit, për të pastruar tokën e tyre pas të korrave, shpesh nuk investojnë kohë për ta punuar dhe përgatitur atë në mënyrë tradicionale, por zgjedhin metodën e djegies për t’i larguar mbetjet e bimëve. Kjo mënyrë e pastrimit të tokës krijon kushte të favorshme për shpërthimin e zjarreve, veçanërisht gjatë periudhave të thata, duke shkaktuar dëme të mëdha në natyrë dhe përreth zonave bujqësore.
Ekspertët dhe MBPZHR kanë bërë thirrje vazhdimisht në publik të mos përdoret kjo praktikë pas korrjeve sepse sjell vetëm dëme. Sipas ministrisë, ato parcela duhet të trajtohen me masa agroteknike për lërim të cektë, duke krijuar kushte që mbetjet të dekompozohen, që rrit pjellshmërinë e tokës. Pavarësisht këtyre thirrjeve e shpjegimeve, fermerët nuk duket se po binden. Kjo nuk ndodh vetëm në zonat që janë larg zonave të banimit apo komunikacionit. Në vitin 2024, zjarret u shfaqen edhe në disa toka me grurë në afërsi të autostradës “Ibrahim Rugova”, duke rrezikuar edhe qarkullimin në autostradë.
Një arsye tjetër që mund t’i motivojë djegiet e qëllimshme është se djegiet e pyjeve përcillen me tenderë për pastrimin e pyjeve nga trupat e djegur dhe rrëzuar nga vjetërsia. Kjo është diskutuar si incentivë, në një hulumtim të “Preportr”, për zjarrvënie të qëllimshme që ato të pastrohen dhe zjarrvënësit të përfitojnë nga sasia e drunjve që pastrojnë. Por, shpeshherë është vërejtur që gjatë pastrimit, kompanitë prejnë edhe drunj që nuk janë të djegur, duke keqpërdorur kontratën.
Djegiet apo zjarrvëniet qoftë të fushave apo maleve janë të sanksionueshme me gjoba. Sipas Ligjit për Pyjet, çfarëdo forme e ndezjes së zjarreve në pyje dhe toka pyjore sanksionohet me gjobë nga 500 euro deri në 20,000 euro.
Për të ndaluar këtë praktikë, MBPZHR këtë vit ka nxjerrë një vendim për të ndëshkuar bujqit të cilët djegin hamulloret e tyre, tokat e korrura. Ata që kapen duke kryer këtë vepër, do të privohen tri vjet nga subvencionimi dhe grantet e qeverisë. Por, ekzistojnë vështirësi për të shtrirë kontroll në gjithë vendin. Ministria nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për numrin e rasteve të gjobitura deri tash.
Ndërkohë, zjarret në pyje, veçanërisht në male, janë të lidhura kryesisht me aktivitetet rekreative të njerëzve, siç janë turistët ose grupet që bëjnë ngjitje malore gjatë fundjavave. Mungesa e kujdesit gjatë ndezjes së zjarreve të vogla, bishtat e cigareve, apo materialet e ndezshme të lëna pas, janë ndër faktorët që kontribuojnë në zjarret në pyje. Temperaturat e larta në periudha të gjata, që e thajnë gjithë pjesën e gjelbër dhe rrjedhimisht e bëjnë shpejt të ndezshme, e rrisin rrezikun. Një shishe e vetme xhami e lënë në natyrë, në bashkëveprim me rrezet e diellit, mund të rezultojë në ndezje të zjarrit.
Këtyre i shtohen edhe veprat dashakeqe nga individë, të cilët qëllimisht shkaktojnë zjarre për arsye të panjohura ose kriminale. Koçinaj nga AME, vë në dukje se fenomeni i piromanëve, individëve që shkaktojnë qëllimisht zjarre, është një problem serioz që kërkon mobilizimin e menjëhershëm të institucioneve të zbatimit të ligjit.
Djegia e pyjeve, përpos prerjes, është faktori kryesor në zhdukjen e hapësirave pyjore, në shpyllëzim. Shpyllëzimi i vazhdueshëm ka disa ndikime negative afatgjate, si humbjen e biodiversitetit, rritjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike, erozionin dhe degradimin e tokës, ndërprerjet e cikleve të ujit dhe ndikimet socio-ekonomike.
MBPZhR ka treguar se ata tentojnë të mbajnë ritmin duke i pyllëzuar zonat e shpyllëzuara, që të rigjenerohen ekosistemet. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, gjatë vitit 2023 janë pyllëzuar 142.8 hektarë, kurse në vjeshtë të këtij viti do të pyllëzohen 100 hektarë me fidanë.
Pavarësisht se shpeshtimi i zjarreve konsiderohet një ndër pasojat kyçe që do të vinë nga ndryshimet klimatike, korniza ligjore në Kosovë nuk ofron plan konkret veprimi për luftimin e kësaj dukurie.
Sipas Strategjisë Shtetërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera 2023-2028, nga viti 2000, numri i zjarreve është rritur vazhdimisht. Ekipet zjarrëfikëse dhe ekipet tjera reaguese kanë reaguar mesatarisht 2,000 deri 3,000 herë në vit. Në këtë strategji shkruhet vetëm një fjali për rritjen e rrezikut të zjarreve si rezultat i ndryshimeve klimatike.
MBPZHR në përgjigje për K2.0 ka listuar djegiet që kanë ndodhur në tri vitet e fundit, që në total janë 4,579 hektarë pyje dhe toka pyjore.
“Në vitin 2023, nga zjarret kanë qenë të përfshira 328 hektarë pyje dhe toka pyjore; në vitin 2022, nga zjarret kanë qenë të përfshira 1,598 hektarë pyje dhe toka pyjore dhe në vitin 2021, nga zjarret kanë qenë të përfshira 2,653 hektarë pyje dhe toka pyjore”, thonë nga MBPZHR.
Kapacitetet për menaxhim
Një nga sfidat më të mëdha në menaxhimin e zjarreve është mungesa e mjeteve adekuate, veçanërisht helikopterëve për shuarjen e zjarreve nga ajri. Aktualisht, Kosova nuk disponon asnjë helikopter të tillë në flotën e saj, gjë që e detyron të kërkojë ndihmën e KFOR sa herë që sipërfaqet me zjarr bëhen të pamenaxhueshme, sikur rastin e fundit në zjarrin e përhapur në Prevallë më 4 gusht që vazhdoi deri më 14 gusht. Kjo varësi nga burimet e jashtme e bën menaxhimin e zjarreve një proces të ngadaltë dhe të ndërlikuar, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
“Helikopteri nuk është dëshirë, është nevojë e kahmotshme, e patjetërsueshme, është detyrim i shtetit të Kosovës ta mendojë dhe ta zgjidh sa më parë”, thotë Koçinaj nga AME. Për këtë çështje nuk është përgjigjur Ministria e Punëve të Brendshme, por në një intervistë, ministri Xhelal Sveçla ka thënë se blerja e helikopterit nuk u lejohet nga KFOR, për shkak se Kosova nuk kontrollon hapësirën e vet ajrore, por KFOR.
Institucioni përgjegjës në Kosovë për koordinimin e të gjitha strukturave që veprojnë në rast të emergjencave, përfshirë reagimin ndaj zjarreve, është Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave. AME mbështetet te Qendrat Kombëtare 112, të cilat janë të hapura 24 orë në ditë dhe shërbejnë për të shkëmbyer informacionet, koordinuar emergjencat dhe për të ngritur koordinimin në nivel më të lartë me partnerë qendrorë, rajonalë, lokalë apo edhe të sektorit privat, kur paraqitet nevoja dhe niveli i rrezikshmërisë.
Mungesa e kapaciteteve brenda AME vihet re edhe te Koçinaj, i cili kryen tri role brenda agjencisë. “Në rajon veç një pozitë e imja ka 30 zyrtarë. Çka të them më shumë, kjo mjafton. Jemi të mbingarkuar dhe nuk ka rekrutim e as përcjellje të kërkesave tona për ngritje të kapaciteteve”, thotë Koçinaj.
Kapacitetet për ballafaqimin me zjarret në Kosovë janë një çështje kyçe në kontekstin e terrenit të vështirë malor që e karakterizon vendin. Sipas Koçinajt, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm te kapacitetet e institucioneve qeveritare për t’u përballur me zjarret. Sipas tij, duhet punuar në rritjen e vetëdijësimit të komunitetit, banorëve të zonave të prekura, që të jenë reaguesit e parë dhe të përgatiten për këtë detyrë. Bashkëpunimi i tyre me zjarrfikësit është qenësor.
Gjatë zjarreve në Prevallë, ndihma që qytetarët i dhanë zjarrfikësve u bë lajm nëpër mediet ndërkombëtare. Almedin Smaili, 26-vjeçar, bashkë me tre shokë të tij, për disa ditë me radhë, me motoçikletat e tyre malore transportuan vullnetarisht ujë për shuarje të zjarrit e ushqim e pije për zjarrfikësit. Ata ishin të patrajnuar, po ndihma e tyre ishte qenësore. Makinat e zjarrfikësve nuk mund të ngjiteshin në lartësinë e duhur në terrenin rreth 1,900 metra mbi nivelin e detit. Kështu, dy burra në bazën e departamentit të zjarrfikësve mbushnin çanta shpine me ujë prej 25 litrash secila dhe më pas Allmedini me shokë i transportonin ato te ekipet e tjera për t’i përdorur për të shuar flakët. Shumicën e kohës ai mbante dy çanta shpine me ujë, gjithsej 50 litra, ushqime dhe shishe me ujë të pijshëm.
“Për të arritur pikën më të lartë me ujë në shpinë na duhen tre orë dhe djali [Almedin] e ka bërë për më pak se dhjetë minuta”, kishte thënë për mediumin britanez “Metro”, Flamur Hoti, komandanti i zjarrfikësve. “Ne kurrë nuk e imagjinuam se ai mund të ishte kaq i dobishëm.”
Ndihma e banorëve para më shumë se një dekadë në shuarjen e zjarrit tek “Maja e Bajrakit”, një nga majet më të larta të Maleve të Sharrit, ishte thelbësore. Terreni shumë i papërshtatshëm për të lëvizur me makina, i kishte shtyrë banorët e Dellocit të Suharekës të çonin ujë deri te zjarrfikësit me anë të kuajve.
Komuna e Suharekës, e cila rrethohet me vargmalet e Sharrit, goditet çdo vit nga zjarret. Në vitet 2021-2022 pati rreth 12 vatra zjarri brenda ditës. Menaxhimi i këtyre zjarreve kërkoj përfshirjen e njësiteve të qyteteve tjera. Nisur nga kjo situatë, në Suharekë kishte pasur një organizim vullnetar me anë të një shoqate vullnetare të zjarrfikësve.
Enver Shabani, i cili për 17 vite ka qenë zjarrfikës, tash në pozitën e drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Suharekës, kujton se në vitin 2022 kishin aftësuar 10 vullnetarë.
“Kemi kërkuar që AME t’i trajnojë 10 vullnetarë dhe atë kohë për tri ditë ata janë trajnuar për të shërbyer në kohë kur zjarret apo fatkeqësitë tjera kërkojnë forcë shtesë”, thotë Shabani, duke thënë se ka vështirësi të madhe për të gjetur zjarrfikës vullnetarë apo sezonalë. Vetëm këtë vit, më 2024 në Suharekë kanë qenë të angazhuar pesë zjarrëfikës vullnetarë.
Nëpër vende tjera, ekzistojnë praktika për angazhimin e vullnetarëve të përgatitur për shuarjen e zjarreve, që mund të implementohen edhe në Kosovë. Shabani tregon se në Gjermani kjo rregullohet me ligj, ku zjarrfikësit vullnetarë lajmërohen në rastet kur duhet ndihma e tyre dhe kanë të drejtë që të lënë vendin e punës atë ditë, por duke u paguar me orë të shërbimit. Për më tepër, ata bartin me vete një pajisje të ngjashme me telefonin, që i lajmëron për emergjenca.
Shabani, në përvojën e tij të gjatë në këtë fushë, thotë që komunitetet e fshatrave që janë të rrezikuar nga zjarri gjithmonë u vijnë në ndihmë ekipeve të zjarrfikjes, por u mungon trajnimi profesional.
“Neve na ka ndodhur të thirrim kryetarin e fshatit që të mobilizohen dhe janë mobilizuar”, thotë ai. “Kjo ndodhë gjithmonë nga banorët. Por, është e rëndësishme që ata të reagojnë menjëherë”.
Ndërkohë AME ka një plan për krijimin e një brigade operacionale të specializuar për reagim ndaj emergjencave të mëdha, si zjarret. Ky plan është përgatitur që nga viti 2021.
“Ky projekt ka kosto të larta dhe kërkon angazhimin e plotë të institucioneve për ta realizuar, por mbetet një hap thelbësor për të përmirësuar kapacitetet e vendit për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore”, thotë Koçinaj. Krijimi i një brigade të tillë, nën drejtimin e AME, do të përfshinte rekrutimin, trajnimin dhe përgatitjen e personelit për të përballuar emergjencat brenda dhe jashtë vendit.
Por ky plan ende nuk është implementuar për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe burimeve njerëzore nga MPB. MPB nuk është përgjigjur në pyetjet e K2.0.
Gjendur në këtë situatë, Koçinaj sugjeron se zhvillimi i kapaciteteve të komunitetit është çelësi për një përgjigje të shpejtë dhe efektive, duke mundësuar që vetë komunitetet të jenë në vijën e parë të mbrojtjes kundër zjarreve. Kjo konsiderohet si mjeti më i shpejtë për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
“Në rastet kur zjarrfikësit dhe forcat e tjera emergjente aktivizohen me vonesë, situata përkeqësohet dhe zjarret përhapen më gjerësisht. Ndaj, qytetaria aktive dhe mobilizimi i komunitetit janë thelbësore për të minimizuar dëmet në natyrë”, thotë ai.
AME mundëson në Akademinë për Siguri Publike aftësim për vullnetarë dhe ekipe që mund të mobilizohen nga komunat e rrezikuara nga zjarret. Por, Koçinaj thotë nuk ka interesim as nga komunat as nga komuniteti, anipse këta të fundit nuk hezitojnë të ndihmojnë sa herë ka nevojë.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Ilustrimet: Dina Hajrullahu / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.