Mentorimi | Në thelb | Shoqëria

Të plakësh i/e vetëm

K2.0 kaloi ditën në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë.

Nga , Xhorxhina Bami - 09.05.2019

Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë, njëjtë si institucionet e ngjajshme në vend pranon vetëm persona që kanë mbetur pa përkujdesje familjare. Aktualisht në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet  janë të vendosur 70 persona: 39 gra dhe 31 burra. Shtëpia në Prishtinë ka kapacitet për deri në 100 persona.

Kërkesa kryesore për pranim është që të moshuarit të jenë mbi 65 vjeç dhe të mos kenë fëmijë. Por autoritetet e shtëpisë së moshuarve shpjegojnë që edhe personat që kanë vetëm vajza gjithashtu pranohen; kjo shpjegohet me atë se shumica e vajzave në Kosovë nuk trashëgojnë pronë dhe si rrjedhojë nuk kanë shtëpi në emër të tyre.

Vendosja e tyre kryesisht bëhet përmes Qendrave për Punë Sociale të Komunës së Prishtinës.

“Kam qenë 42 vite e martuar. Nuk pata fëmijë. Më vdiq burri dhe jetova me disa të afërm. Më kanë mbajtur për 10 vite. Ata u ndanë secili në shtëpi të vetën e me familje të vetën. Më marrin si mysafire herë pas here. Më merr malli për rini. Kur kam qenë më e re, kam qepur shumë, po tani s’kam më aq shumë fuqi. Kam qepur rreth 20 copë, çorape edhe dorashka”.

- Nefise Batatina.

Shtëpia e të moshuarve mbështetet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me furnizime, veshmbathje, ushqim, dhe lëndë djegëse. Përgjatë viteve edhe donatorë të ndryshëm kanë ndihmuar shtëpinë në shumë forma, prej pajisjes me komodina të vogla e deri të mini-kuzhinat.

Raze Aliqkaj, drejtoreshë e shtëpisë që 14 vjet thotë që shërbimet dhe infrastrukura janë vazhdimisht duke u përmirësuar. Ajo si ilustrim merr përdorimin e peletit për ngrohje prej dimrit të kaluar, që njihet si lëndë djegëse më e favorshme për mjedisin.

Të gjitha shërbimet në shtëpi janë 24 orëshe. Tek shërbimi social përfshihen aktivitetet gjatë ditës si terapia e punës, të mësuarit e shkrim-leximit, leximi I librave, shikimi i filmave apo emisioneve, ngjyrosja, vizatimi e lojëra të ndryshme.

“Gjith’ jetën kom dashtë me u mësu me lexu edhe me shkru. Krejt të afërmit janë t’shkollum, po mu qishtu ‘hajt se ty s’vyn shkolla, t’martojna’ meta pa u shkollu. Kështu vonë ia kom nisë me e mësu alfabetin e gjuhën, që t’kisha ditë ma herët nashta ia kisha pa hajrin e kisha mrri diçka në jetë”.

- Hata Uka.

Pjesën më të madhe të jetës zoti Idriz Krasniqi e kaloi në Kroaci, larg vendlindjes. Ai u vendos në Kroaci në vitin 1963 dhe jetoi atje rreth 55 vite, deri sa u kthye në Kosovë për të kaluar vitet e fundit të jetës. Gruaja i vdiq rreth 20 vite më parë, gjatë luftës së Kosovës. Më vonë ai humbi edhe të birin e vetëm.

Fillimisht Idrizi ka qenë në një shtëpi për të moshuar në Kroaci por dëshira e tij më e madhe ka qenë që të kthehej e të vdiste në vendin e tij. Prandaj ai është paraqitur në Ambasadën e Kosovës në Kroaci dhe ka kërkuar ndihmë për t’u kthyer në Kosovë.

“U kam thënë që dua të shkoj në adhe e të vdes në Kosovë”, thotë ai.

Idrizi po banon në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë që nga shkurti i këtij viti. Ai gjithashtu ka vizita nga të afërm që s’i kishte parë për një kohë të gjatë, si nipi i tij që e viziton gati përditë.

“Për shkak se shumica nuk kanë pasur fëmijë biologjik dhe as përkujdesje, banorët e shtëpisë së të moshuarve kanë më shumë zbrazëti emocionale që e shfaqin më shumë tani në pleqëri. Ne mundohemi që edhe atë zbrazëti emocionale t’ia lehtësojmë disi se për t’ia mbushur plotësisht është pak vështirë. Gjithsesi mundohemi t’i bëjmë të ndihen më mirë, më të qetë e gjithashtu të mbështetur dhe ende të dobishëm për shoqërinë. Kur rri me ta, ata ndihen më mirë, e shprehen më lehtë, e ndihen më të lumtur. Jemi një familje e madhe që mundohemi të mbështesim njëri tjetrin në çdo aspekt”.

- Raze Aliqkaj, drejtoreshë në shtëpinë e të moshuarve që 14 vjet.

Foto kryesore: Besarta Breznica / K2.0.K