Blogbox | #TePremtetGazmore

Të premtet gazmore: Dëfrim në ngujim

Nga - 15.05.2020

Le t’i kthejmë kohët e mira.

Para izolimit, të premtet shërbenin për ta lënë pas javën e punës, për të dalë në kafene ose në bar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë dhe me familjen. Mbase të premtet ishin ditët që çelnin fundjavët me vallëzim, me dëfrim në klubet e natës, dhe me çaste të këndshme në kinema apo diku tjetër. Ose ndoshta ishin kohët e relaksimit nëpërmjet ecjeve malore, sportit, apo thjesht përmes leximit të një libri të mirë. 

Çfarëdo qoftë ajo që ju ka bërë të ndiheni mirë të premteve, ne duam të ndihmojmë ta kthejmë këtë disponim — madje edhe në këto kohë — duke përmbledhur disa ngjarje të mira dhe pozitive prej vendeve të ndryshme të botës.

Nuk e dimë nëse Shekspiri vërtet e ka shkruar Mbretin Lir ndërsa izolohej nga murtaja, por e dimë se kemi kaluar mjaft kohë në ngujim dhe janë gjërat e vogla ato që na sjellin gëzim. Për shembull, këta muzikantë që e kanë gjetur një mënyrë edhe për të na argëtuar, edhe për t’i shuar frustrimet e tyre. 

A po dëfreheni gjatë ngujimit?

Shpresojmë që së shpejti të mund të dalim e të bredhim, t’i takojmë miqtë dhe ta pyesim njëri-tjetrin për përvojat nga ngujimi.

Kur të vijë ajo ditë, 11 vjeçari Gui Khoury nga Brazili do të mund t’u tregojë të gjithëve se si është bërë njeriu i parë që e ka bërë një rrotullim 1080 shkallë në një rampë vertikale. Mund të themi që përvojat tona të ngujimit s’janë dukur të tilla.

Ndërkaq ne të tjerët mund të aspirojmë për diçka kësisoj. Një fustan elegant për t’i hedhur plehrat përjashta ua ndreq ditën të gjithëve.

Disa të tjerë kanë zbavitur nga shtëpia, sikur këta dashamirë të operës, duke i shfaqur të gjitha ndjenjat e ngujimit, të qeshurat e kështu me radhë.

Nëse ju duhen më tepër aktivitete frymëzuese, ja këngëtarja Sophie Ellis-Bextor me fëmijët e saj duke hapur Diskotekën e Kuzhinës. Ende vlen këshilla: rri n’shpi. Ende s’ke nevojë të shkosh gjëkundi. (Meqë ra fjala, ku mund ta gjej një top diskotekash onllajn?)

Shumë njerëz e kanë përfshirë të gjithë familjen. Madje edhe baballarët nevrikë. Një familje që vallëzon së bashku e përballon ngujimin shëndoshë… ëm… nejse, më kuptoni se ç’dua të them.

Ndërkohë, Ansambli NewBorn ka performuar së bashku nga izolimi. Kështu na tregojnë të gjithëve se ende mund të bëjmë muzikë të bukur pavarësisht nga lloji i kufizimeve.

Dhe anekënd botës kemi gjetur njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Në Skoci, njerëzit po lënë ushqim në kabina të telefonëve për ata që kanë telashe financiare.

Mësoni për disa nisma të qytetarëve të rëndomtë të Kosovës në serinë #Podumetkallxu të K2.0.

Ta bëjmë si duhet

Meqë maskat janë të domosdoshme për të dalë jashtë, Termokiss ka krijuar një skemë lokale për qepjen e maskave në mënyrë që të dhurohen për njerëz që kanë nevojë për to.

Megjithatë, janë disa gjëra që nuk bëjnë fare kur vjen puna te maskat. Kjo grua ka vendosur ta bëjë një vrimë në maskën e saj për ta lehtësuar frymëmarrjen. Të mos ju shkojë mendja andej!

Dhe kjo ndërmarrëse bëri vrima për pipëza në maskat e saj që të pini kokteje kur të jeni jashtë. Do të pimë brenda, faleminderit.

Mos harroni, edhe nëse mbani maskë, prapë duhet t’i lani duart dhe të rrini dy metra larg njerëzve të tjerë. Për disa prej nesh është vështirë ta parafytyrojmë se si duken dy metra. Mund ta imagjinoni një LeBron James të shtrirë mes jush dhe dikujt tjetër, ose një veturë Smart, ose pakëz më pak se gjatësia e një Zastave — nëse jeni nga Florida, një aligator.

Dhe nëse doni informata të mëtejme për përmbajtjen e masave të reja, shikojeni këtë video nga Ministria e Shëndetësisë dhe Videosinteza.

Kujt mund t’i gëzoheni

Tungjatjeta gejmerë! Do të mbahet një garë e madhe onllajn e lojës CS:GO me fillim prej të shtunës, e sponsoruar nga Komuna e Prishtinës dhe një ndërmarrje hamburgerësh. Fituesit marrin 800 euro. Me ato para mund të bleni shumë hamburgerë për vete dhe për ekipin (llojin e tyre natyrisht mund ta zgjedhni vetë).

Ndoshta doni të bëheni më seriozë me ngujimin onllajn. Terre des Hommes do ta mbajë një ligjëratë onllajn: “Let’s Talk: If Women Led the World” (“Le të bisedojmë: Nëse gratë do ta udhëhiqnin botën”). Eh, sikur…

Dhe në fund, kur të dalim nga ngujimi…

Dalja nga banesat tona mbase mund të ngjajë më këtë (megjithatë nuk sugjerojmë të hani trëndafila). Deri atëherë, duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.