Blogbox | #TePremtetGazmore

Të Premtet Gazmore: ejani të vallëzojmë!

Nga - 01.05.2020

Le t’i kthejmë kohët e mira.

Para izolimit, të premtet shërbenin për ta lënë pas javën e punës, për të dalë në kafene ose në bar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë e familjen.

Mbase të premtet ishin ditët që çelnin fundjavat me vallëzim, me dëfrim në klubet e natës, dhe me çaste të këndshme në kinema apo diku tjetër. Ose ndoshta nisnin kohët e relaksimit nëpërmjet ecjeve malore, sportit, apo thjesht përmes leximit të një libri të mirë.

Çfarëdo qoftë ajo që ju ka bërë të ndiheni mirë të premteve, ne duam të ndihmojmë ta kthejmë këtë disponim – madje edhe në këto kohë – duke përmbledhur ngjarje të mira dhe pozitive prej vendeve të ndryshme të botës.

Të gjithëve do të na bënte mirë pak festë këto ditë, dhe fatbardhësisht miqtë tanë në Maqedoni të Veriut tashmë kanë nisur një të tillë. Ja ripërpunimi në maqedonishte i këngës “Bella Ciao” me emrin “Korona Chao”. Hajde së paku të ngremë dolli, të kërcejmë dhe të rrezikojmë t’i bezdisim komshinjtë (pak, veç pak).

Eja hedhim valle!

Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit ishte të mërkurën më 29 prill, por nuk është aspak vonë për të luajtur valle dhe për të festuar.

Shikojeni këtë video me sportistë të famshëm sikur LeBron James, Alex Oxlade-Chamberlain, Serena Williams and Cesc Fabregas duke e larguar mërzinë e ngujimit përmes kërcimit me familjen. Sepse, edhe yjet kanë qejf të bëjnë festë — qoftë edhe në pizhame.

Ose, ja ku është aktorja dhe ndërmarrësja Jessica Alba duke nxitur bashkëshortin e saj të kërcejë. Shyqyr që s’jemi të ngujuar me të.

Ndërkaq Dua Lipës nuk i prish fare punë të festojë e ulur me shoqet e saj.

Nuk janë vetëm të famshmit që kanë dëshirë të kërcejnë; ja një video e lezetshme me disa mjekë dhe infermierë duke u zbavitur edhe pse po punojnë në ballë të krizës.

Dhe, ja disa valltarë të rinj e frymëzues nga Shkolla Veriore e Kërcimit Bashkëkohor duke na dhënë një shfaqje të bukur nga shtëpia, ndërsa Universiteti i Maltës po ashtu mbajti një shfaqje të tillë kërcimi onllajn.

Në fund, hidhjani një sy valltarit profesionist Albert Garcia nga Spanja duke ua bërë një dhuratë fqinjëve teksa nxjerr plehrat nga shtëpia. Pra, nuk është e thënë që s’mund ta nxjerrësh bërllokun me stil!

Bëj art për shpresën

A jeni gati të bëni art shpresëdhënës? OJQ-ja artistike Fine Acts u ka kërkuar 50 artistëve nga e gjithë bota të bëjnë posterë me temën e shpresës për projektin e tyre “Pranvera e Shpresës”. Këta posterë mund të shkarkohen falas dhe mund t’i vini në muret a telefonët tuaj nëse i pëlqeni, por jokomercialisht.

Gjithashtu mund të bëheni pjesë e projektit; Fine Acts tash po pranon punime nga artistët e rinj gjithandej.

“Besojmë se shprehja e krijimtarisë është një ndër mënyrat më të efektshme për t’u dhënë njerëzve shpresë dhe fuqi, gjë që është e rëndësishme për t’iu kundërvënë ndjenjave të ankthit dhe pafuqisë që mund të shkaktohen gjatë ngujimit”, thotë bashkëthemeluesja dhe drejtoresha e Fine Acts, Yana Buhrer Tavarnier.

Eurovizioni përgjithmonë

Njëri nga zhgënjimet e shumta këtë vit ka qenë anulimi i Garës së Këngës Eurovizion.

Por për fat të mirë, në të njëjtat data që ishte caktuar të mbahej gara, më 12 dhe 14 maj, do të organizohet një shfaqje e veçantë e Eurovizonit ku do të luhen të gjitha këngët me renditjen e tyre origjinale të gjysmëfinales. Për më shumë, “Eurovision: Shine a Light” do të mbahet më 16 maj, në ditën kur ishte caktuar finalja e garës. Të gjitha shfaqjet do të mund të ndiqen përmes YouTube-it.

Po ashtu është hapur një garë për videon më të mirë të dashamirëve të Eurovizionit. Organizatorët po kërkojnë video 20 sekondëshe nga dashamirët duke i performuar këngët e garuesit të preferuar deri më 5 maj. Lëreni pastrimin e tualetit këtë fundjavë, Eurovizioni ka nevojë për ju!

Të gjitha këngët e garuesve gjenden ne YouTube dhe përfshijnë favoritët e sivjetmë, Rusinë dhe Islandën, si dhe favoritin e përvitshëm të Kosovës, Shqipërinë, e cila përfaqësohet nga fituesja e X Factor Albania, Arilena Ara. Nxirrni xixat, argjendin e kostumet dhe na mahnitni me videot e juaja!

Vallëzo sikur je fill vetëm

Mos rrini vetëm si vëzhgues por niseni vallen!

Evolution Dance në Kosovë ofron kurse kërcimi nga shtëpia dhe ngjarje kërcimi prej Facebook-ut dhe Instagram-it. Shkoni te faqet e tyre për oraret dhe detajet e tjera.

A do t’ju përqente ta mësonit kërcimin me Baletin e Qytetit të Njujorkut në ndërkohë? Kompania po ofron kurse falas për të rinjtë.

Tash është koha ta shfrytëzoni internetin për t’i ndjekur kurset e personaliteteve sikur të koreografit të Broadway Christopher Noffke, i cili mban Kursin e Kërcimit për Teatrin Muzikor drejtpërdrejt në Instagram çdo të martë dhe të enjte nga ora 9 e mbrëmjes me kohën e Kosovës. Kushedi, ndoshta do t’i bashkoheni skenës në Londër a Broadway dikur në të ardhmen?

Koreografja e njohur e zhanrit hiphop nga Zelanda e Re Parris Goebel, e cila e ka themeluar ekipin Royal Dance që është bërë kampion botëror tri herë radhazi, po ashtu po mban kurse herë pas here gjatë ngujimit. Nëse keni dëshirë të mësoni se si bëhet kjo, ndiqeni faqen e saj.

Drama “Gratë Trojane” do të transmetohet nga FemArt të premten. Foto: Fjolla Besimi.

Doni më shumë salsa apo kërcim afro-karibik? Hidhjani një sy faqes së Ballet Hispanico në Instagram për “Wepa Wednesdays,” “Take back Tuesdays” dhe kurset e tjera javore për kërcim. Kompania e njohur e kërcimit mban këto kurse briliante për t’ju aktivizuar dhe për ta shijuar jetën në mënyrën autentike latine.

Faqja Dancing Alone Together ofron kurse të tjera onllajn për kërcim prej gjithë botës, dhe shumica janë falas.

Nëse ju pëlqen vetëm ta shikoni kërcimin, Baleti Kombëtar i Kosovës po ashtu po i transmeton performancat e mëhershme në Facebook. Ndiqeni linkun për transmetimet e mëparshme dhe ato që vijnë.

Ndoshta ju pëlqen teatri bashkë me kërcimin? Mund ta këqyrni transmetimin e FemArt të shfaqjes “Gratë Trojane”. Ajo është performuar si pjesë e festivalit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës para dy vjetësh, dhe do të transmetohet më 1 maj në faqen e tyre në Facebook.

Dhe për fund, mos e ndizni ndonjë zjarr!

Pasi keni kryer të gjitha kërcimet dhe ju ka marrë uria, mbase doni të hani diçka, por mos harroni, siguria vjen e para! Jo sikur një kuzhinier britanez që pati një çast jo fort të rehatshëm në programin e mëngjesit.

Edhe Britney Spears kishte ca telashe me flakët së fundi kur njoftoi se e kishte bërë shkrumb palestrën e saj para disa muajsh. S’ka arsyetim më të mirë për t’iu shmangur ushtrimeve.

Imazhi i ballinës: Yll Selmani, foto nga Baleti Kombëtar i Kosovës.

Cilat rrëfime ju kanë gëzuar këtë javë? Keni plane interesante për fundjavë? Ndani ato me neve në platformat tona në rrjetet sociale apo nëpërmjet imejllit.