S`fundmi | #TePremtetGazmore

Të premtet gazmore: muzikë dhe ushqim

Nga - 17.04.2020

Le të ndihmojmë për t’i kthyer kohët e mira.

Para izolimit, të premtet shërbenin për ta lënë pas javën e punës, për të dalë në kafene ose në bar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë dhe me familjen.

Mbase të premtet ishin ditët që çelnin fundjavët me vallëzim, me dëfrim në klubet e natës, dhe me çaste të këndshme në kinema apo diku tjetër. Ose ndoshta ishin kohët e relaksimit nëpërmjet ecjeve malore, sportit, apo thjesht përmes leximit të një libri të mirë.

Çfarëdo qoftë ajo që ju ka bërë të ndiheni mirë të premteve, ne duam të ndihmojmë ta kthejmë këtë disponim – madje edhe në këto kohë – duke përmbledhur disa ngjarje të mira dhe pozitive prej vendeve të ndryshme të botës.

Ishte javë e gjatë për të gjithë ne me vendosjen kufizimeve të reja, por mos keni merak — do t’jua tregojmë disa gjëra që shpresojmë se do t’ju bëjnë të qeshni dhe të ndiheni mirë, dhe disa të tjera që do t’i prisni me ëndje, pa marrë parasysh a jeni 1-sh apo 9-sh

Këto ditë nuk do të kalojmë aq shumë kohë jashtë, por kur të dilni, mos i harroni maskat ose shallet. Në Çeki po i marrin aq seriozisht maskat, saqë po i detyrojnë edhe nudistët t’i mbajnë ato (edhe pse janë lakuriq nga koka deri te këmbët).

Muzikë gjithandej

Këngët e Violeta Rexhepagiqit, ikonës së muzikës së viteve të 80-a në Prishtinë, u dëgjuan në kryeqytet të enjten mbrëma. Këngëtarja që ishte në pararojën e muzikës new wave rock (roku i valës së re) që frymëzoi shumëkënd në Kosovë ndërroi jetë dje, kështu që për ta nderuar atë u lëshuan disa këngë të saj në Stadiumin Fadil Vokrri prej orës 8:15 deri në orën 8:30 të mbrëmjes. 

Ishte hera e dytë që zërimi i stadiumit të Prishtinës u përdor për t’i dhënë muzikë qytetit këtë javë. Pasi qyteti u karantinua zyrtarisht të dielën, për ta ngritur moralin e prishtinalive, Plisat — grupi i tifozëve të Klubit Futbollistik Prishtina — e lëshuan himnin e tyre “Rrugës Sypatrembur’ me zërimin e fuqishëm të stadiumit. 

Albumi i ri i Dua Lipës, e cila ka prejardhje nga Kosova, u zgjodh e para në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.

“Future Nostalgia” është albumi i parë i Lipës që ka arritur numrin një në Mbretërinë e Bashkuar, dhe është albumi i parë i një soloartisteje femër që zë vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020. Babai i saj krenar, Dukagjini, shkroi në Twitter që ajo gjithashtu i ka tri kangë në top dhjetëshen e Mbretërisë së Bashkuar dhe katër në top pesëshen e ShBA-së. Dua Lipa na kujton që duhet të rrimë në shtëpi e të kënaqemi me albumin e saj të ri nëpërmjet këngës “Stay at Home”.

Javën e kaluar ishin Pashkët Katolike dhe me to erdhën edhe disa performanca të bukura muzikore onllajn, përfshirë interpretim e “Ave Maria” nga Katedralja e djegur dhe e zbrazët e Notre Dame në Paris. Kjo këngë u këndua nga aktorja dhe këngëtarja franceze Judith Chemla gjatë meshës së Pashkëve që u mbajt nga Arqipeshkvi i Parisit dhe u transmetua drejtpërdrejt onllajn. Vëreni se si muzikantët ishin të veshur me pajisje mbrojtëse.

Disa muzikantë tjerë mbajtën koncerte në automjete. Në Budapest, pjesëtarët e Orkestrës Kombëtare hungareze vozitën nëpër lagje duke lëshuar performancat e tyre nga dritaret e veturave. Kjo na kujton origjinën e orkestrës në periudhën komuniste kur ata udhëtuan anembanë vendit për të mbajtur performanca, duke u ndalur edhe në fshatrat më të vogla. 

A doni ta dëgjoni virusin COVID-19? Mbase keni dëgjuar mjaft për të, por tani mund ta dëgjoni atë njëmend. Shkencëtarët e krijuar një hartë muzikore të virusit “në mënyrë që t’i gjejnë vendet në proteina ku mund të lidhen antitrupat apo ilaçet — thjesht duke kërkuar sekuenca specifike muzikore që u përgjigjen atyre vendeve”. 

Pra një DJ vërtet mund t’ua shpëtojë jetën.

Bamirësia

The Ideas Partnership i ka mbështetur familjet që kanë nevojë për ndihmë, posaçërisht gjatë krizës së tanishme. Këtë muaj, ata kanë ndihmuar 130 familje me ushqim dhe mënyra tjera të mbështetjes.

“Kemi ndihmuar familjet në Janjevë, në Graçanicë dhe në Fushë Kosovë — familjet kroate, shqiptare, rome, ashkalike dhe egjiptiane”, thotë themeluesja e organizatës Elizabeth Gowing. “Kemi marrë donacione në formë të fondeve prej donatorëve privatë, por edhe ushqime dhe produkte higjienike që janë dhënë si donacion nga Klubi Ndërkombëtar i Prishtinës”. 

Gjithashtu, organizata ka arritur ta rekrutojë një grup vullnetarësh për t’u mësuar njerëzve aftësi të ndryshme përmes rrugëve virtuale. 

“Qëllimi ynë ishte t’i marrim 10 vullnetarë këtë muaj, dhe tashmë e kemi arritur këtë. Seanca e parë u mbajt këtë javë. Ishte një seancë për gjuhën angleze që u mbajt nëpërmjet një videothirrjeje në WhatsApp me një pensionere në Mbretërinë e Bashkuar dhe fëmijë të përzgjedhur nga mësuesja jonë e kopshtit në Fushë Kosovë”, thotë Gowing. 

Foto: Erduan Ramic. Foto nga The Ideas Partnership.

Donacione me ushqim, produkte higjienike apo para për familjet në nevojë mund të jepni duke kontaktuar The Ideas Partnership nëpërmjet imejllit, ndërsa nëse keni kohë të lirë dhe aftësi të cilat doni t’i ndani, mund të punoni si vullnetar në faqen e organizatës në Facebook.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, Kapiten Tom Moore i mbledhi më shumë se 17 milion funta (mbi 19 milion euro) për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS) duke ecur në oborrin e tij. Të enjten, ai pjesën e fundit të 100 xhirove në oborrin e tij të gjatë 25 metra, gjë që u transmetua drejtpërdrejt në televizion, duke e përfunduar një sfidë që ia kishte vënë vetës për ta kryer para se t’i mbushë 100 vjet në fund të muajit. 

Kapiteni Moore shërbeu gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishte për qëllim t’i mbledhë 1,000 funta (rreth 1,130 euro) për NHS-në. Por fushata e tij u përhap stuhishëm dhe i frymëzoi njerëzit anembanë Mbretërisë së Bashkuar.

Jeni të uritur?

Shumë prej nesh po ia bëjmë vetes qejfin gjatë izolimit, kështu që kuzhinierja amerikane Ina Garten — e njohur gjithashtu si “Kontesha e Zbathur” — ka filluar të transmetojë video në Instagram duke i mësuar njerëzit si të bëjnë “koktej karantine”. Sepse po përballemi me një krizë dhe diku në botë gjithmonë është ora 5 e pasdites. 

Nëse po iu mungon një restorant i posaçëm që përgatit pulë të fërguar, të cilin nuk do ta cekim me emër këtu, atëherë shikoni videot e Dan Fell, një burrë në Mbretërinë e Bashkuar i cili i ka kaluar 18 muajt e fundit duke krjiuar recetën e përkryer (a ka ditur ai diçka që ne nuk kemi ditur për pandeminë?).

Një video e Fell në YouTube, e cila tregon recetën dhe teknikën e përgatitjes, ka më shumë se 38,000 shikime. Tani mund ta bëni edhe në shtëpi dhe t’i pini një apo dy (e ndoshta tri apo katër), si të premteve të zakonshme! Mos harroni të keni kujdes dhe të rrini të sigurt nëse jeni duke fërguar dhe duke pirë njëkohësisht!

Çfarë të prisni

Festivali FemArt, festivali i parë feminist për artet në Kosovë, dhe më i madhi në rajonin e Ballkanit, është shtyrë për në tetor të këtij viti, por tani mund ta përjetoni nga shtëpia. Organizatorët po i transmetojnë tri ngjarje në javë në faqen e tyre në Facebook, përfshirë këtu koncerte, ekspozita, performanca dhe diskutime.

“Kishte kërkesë nga audienca jonë, të cilët na shkruanin duke thënë se do të ishte mirë t’i ndanim ngjarjet e FemArt për shkak të kualitetit të lartë të artit, si dhe për ta theksuar rëndësinë e artisteve gra që janë prezantuar”, thotë Zana Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Artpolis, që organizon festivalin.

Të premtën më 17 prill prej orës 8:00 në mbrëmje, FemArt do ta transmetojë një koncert të këngëtares portugeze Lucibella në Teatrin Oda, për ta nderuar Cesaria Evora-n.

Qendra Sociale Termokiss tani është duke transmetuar aktivitete të ndryshme nga programi i rregullt i tyre në lloj-lloj platformash të rrjeteve sociale. Ata thanë “për një kohë të gjatë synonim të transmetojmë onllajn dhe kishte shumë kuptim t’ia fillonim tani”. 

Të hëneve transmetohet Online Open Mic prej orës 6:00 në mbrëmje, ku muzikantët, komedianët, poetët, tregimtarët dhe performuesit e të gjitha llojeve mund të performojnë në skenën onllajn. 

“Online Open Mic është një seancë ku të gjithë janë të mirëseardhur të performojnë me mikrofon dhe ta shprehin vetën para të tjerëve, apo thjesht të zbaviten me performancat”, thotë Termokiss. “E keni mundësinë të shoqëroheni, ta shprehni vetën, por edhe të mbetni anonim”.

Mos harroni t’i shikoni yjet në netët e radhës.

Të hënave prej orës 8:00 të mbrëmjes transmetohen filma të regjisorëve shqiptarë, pas së cilëve mbahen diskutime me regjisorët. Të martave prej orës 6:00 në mbrëmje transmetohet kursi për Meditim dhe Joga, që përcillet me tinguj ambient dhe një seancë muzikore.

Termokiss gjithashtu transmeton Antenën disa herë në javë, ku listat muzikore të anëtarëve të komunitetit transmetohen në kanalin e tyre në YouTube.

faqen e komunitetit në Facebook, videot e klubeve të tyre të gatimit, artizanateve dhe kopshtarisë transmetohen çdo javë. Gjithashtu, Termokiss është duke mbajtur ngjarje ndërvepruese çdo javë nëpërmjet Zoom. Linkat publikohen paraprakisht në faqet e tyre në rrjete sociale.

Të dielën më 19 prill prej orës 8:00 të mbrëmjes, Kori Filarmonik i Kosovës do ta transmetojë një performancë që e kanë mbajtur më 10 mars të këtij viti në Kishën Katolike të Shën Ndout në Prishtinë. Performanca do të dirigjohet nga Hajrullah Syla.

E për fund, mos harroni t’i shikoni yjet në netët radhës, pasi që do të shihet shiu i përvjetshëm i meteoreve Lyrid. Më së shumti do të vërehen më 21 dhe 22 prill, por do të vazhdojë deri më 30 prill. Në netët me qiell të hapur mund të shihen rreth 10 meteorë brenda një ore. 

Shikojeni qiellin prej orës 10:30 në mbrëmje për t’i parë meteorët. Por koha më e mirë për t’i parë është në agim. Ja një arsye për t’u zgjuar më herët! 

Dhe mos harroni, e hëna është ditë pushimi! (Përsëri!)

Cilat rrëfime ju kanë gëzuar këtë javë? Keni plane interesante për këtë fundjavë? Ndani ato me ne në platformat tona në rrjetet sociale apo nëpërmjet imejllit.K

Imazhi i ballinës shfaq Lucibella-n në koncertin në Teatrin Oda gjatë FemArt në vitin 2019 (Foto: Blerta Hoçia).