Blogbox | #TePremtetGazmore

Të Premtet Gazmore: Potpuri

Nga - 08.05.2020

Le t’i kthejmë kohët e mira.

Para izolimit, të premtet shërbenin për ta lënë pas javën e punës, për të dalë në kafene ose në bar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë dhe me familjen.

Mbase të premtet ishin ditët që çelnin fundjavët me vallëzim, me dëfrim në klubet e natës dhe me çaste të këndshme në kinema apo diku tjetër. Ose ndoshta ishin kohët e relaksimit nëpërmjet ecjeve malore, sportit, apo thjesht përmes leximit të një libri të mirë. 

Çfarëdo qoftë ajo që ju ka bërë të ndiheni mirë të premteve, ne duam të ndihmojmë ta kthejmë këtë disponim – madje edhe në këto kohë – duke përmbledhur disa ngjarje të mira dhe pozitive prej vendeve të ndryshme të botës, dhe ato që mund t’i prisni të ju vijnë drejt e në shtëpitë e juaja. 

Këtë javë kemi filluar me lehtësimin e kufizimeve. Le ta shijojmë në mënyrë të përgjegjshme atë 90 minutëshin e dytë të lirisë.

Por këtu po ja fillojmë me gazetaren Gjeraqina Tuhina që u ballafaqua si bos me një situatë të punës në shtëpi. T’i nderojmë nënat që kanë punuar dhe janë kujdesur për fëmijët njëkohësisht në këtë periudhë. Të gjithave po ua dilni. Pa marrë parasysh se çka. 

Bamirësia në botë

Populli i Irlandës ia ktheu borxhin amerikanëve indigjenë duke i mbledhur mbi 2.7 milion euro për fiset Navaho dhe Hopi të cilat janë prekur së tepërmi nga virusi COVID-19.

Në 1847, gjatë Zisë së Bukës në Irlandë, fisi Choctaw i kishte mbledhur 170 dollarë amerikanë (rreth 5,000 dollarë apo 4,630 euro me vlerën e sotme) për ta ndihmuar Irlandën; sipas të dhënave të besueshme, zia e bukës në Irlandë — e cila atëherë ishte koloni britaneze ua mori jetën rreth një milion irlandezëve. 

Ky akt nuk u harrua kurrë, sidomos për shkak se fisi Choctaw vetëm disa vite më parë ishte shpërngulur me dhunë nga trualli i tyre në juglindje të Shteteve të Bashkuara dhe ishte detyruar të vendoset në Oklahoma nga qeveria e ShBA-së. Largimi me dhunë i rreth 100,000 njerëzve u bë i njohur si “Shtegu i Lotëve” për mijëra pjesëtarët e fisit Choctaw dhe të fiseve të tjera që ndërruan jetë gjatë rrugës.

Kur COVID-19 e goditi rezervacionin e fiseve Navaho dhe Hopi dhe sistemin e tyre shëndetësor, fiset e hapën një GoFundMe. Tani, Irlanda po ia shpaguan aktin historik të mirësisë Irlandezët do të thoshin Ní neart go cur le chéile nuk ka fuqi pa bashkim. 

Lajme të mira për adhuruesit e sportit

Më 8 maj kthehet liga futbollistike e Koresë së Jugut, me masa të posaçme kundër COVID-19. Liga e Koresë së Jugut është një nga ligat më të mira në Azi. Pra, a do të bëheni tifoz të Daego apo Gwangju, apo do të bëheni me ata që e kanë fitoren më të sigurt, kampionët e ligës Jeonbuk? 

Ndërkohë, Bundesliga gjermane ka deklaruar se do të kthehet këtë muaj por prapa dyerve të mbyllura, duke e vazhduar sezonën aty ku ka ngelur. Ligat spanjolle, kroate dhe turke pritet të kthehen në qershor, por edhe këto prapa dyerve të mbyllura.

Dhe disa komentatorë të sportit e kanë ruajtur formën. Shikoni komentatorin skocez të ragbit dhe të tenisit Andrew Cotter duke ushtruar në shtëpi me qentë simpatikë të tij. S’po na pritet për ndeshjen e kthimit. 

May the 4th be with you

Këtë javë ishte dita e “Star Wars”. Përherë më 4 maj, adhuruesit e kësaj serie të filmave i nderojnë filmat e tyre të dashur (ndoshta jo “Attack of the Clones”, e lëre më Jar Jar Binks). Siç është e zakonshme për “Star Wars’, adhuruesit ishin me madhësi, trajta dhe gëzofe të ndryshme

Ose nëse jeni në Universitetin East Anglia, keni kujdes prej kësaj

Natyra vazhdon të rikthehet

Sa kemi qenë të gjithë të izoluar, natyra e ka rimarrë përsëri rruzullin. Flamingot rozë janë kthyer në masë të madhe nga Afrika dhe Mesdheu jugor në Lagunën e Nartës afër Vlorës.

Në Parkun Kombëtar të Divjakës, disa kilometra në veri të lagunës, janë kthyer pelikanët dalmatë, që rrezikohen të zhduken. Kjo është një nga ligatinat e fundit në Evropë ku zogjtë shtegtarë ende mund të kthehen për t’u shumuar, dhe pelikanët thuajse e kishin braktisur krejtësisht këtë pjesë në vitet e fundit.

Nga Kalifornia është parë dukuria e bioluminishencës në Oqeanin Paqësor, e njohur edhe si “Vala e Kuqe”. Vit pas viti, përqendrime të mëdha të disa algave të caktuara formohen në oqean dhe lëshojnë shkëlqim gjatë lëvizjeve. Sivjet ishte shumë më e pasur, mbase për shkak të mungesës së njerëzve. Këtu mund t’i shihni disa delfinë duke notuar nëpër këtë shkëlqim.

Pak modë

Florence Welch nga Florence and the Machine e performoi një verzion akustik të këngës hit të bendit të saj, “You’ve Got The Love” për të mbledhur fonde për Costume Institute të Metropolitan Museum of the Art në Qytetin e Nju Jorkut. 

Normalisht, në të shtunën e parë të majit mbahet Met Gala Ball, e cila, duke bërë bashkë emra të njohur të modës, mbledh fonde për institucionin. Këtu mund ta shikoni Costume Institute, ekspozitën e fundit të tij, si dhe ta vizitoni gjithë muzeun.

Simptomat e izolimit 

E dimë që të gjithë jemi bërë të parehatshëm dhe mezi presim të dalim nga shtëpitë. Dhe e dimë që kjo sakrificë na sjell një rimëkëmbje më i qëndrueshëm më vonë. 

Por të gjithë kemi pasur momente ku jemi ndier si ky djalë pesë vjeç, i cili i mori tre dollarë, e vodhi veturën e familjes dhe shkoi në Kaliforni për ta blerë një Lamborghini. Me ty jemi, djalosh.

(Shënim nga redaktorja… Ne nuk e mbështesim vjedhjen e veturave dhe as vozitjen e fëmijëve pesë vjeç).

Çfarë të presim

Përveç lajmit që festivalet e filmit në Kosovë do të kthehen këtë verë shpresojmë që të jetë ashtu erdhi edhe lajmi që festivalet më të mëdha të filmit në botë janë bashkuar për të na dhënë një lloj festivali të përbashkët. Festivalet e filmit Cannes, Sundance, Tribeca dhe Sarajevo janë vetëm disa prej më shumë se 20 festivaleve të mëdha anembanë botës që do të transmetojnë filma të ri në YouTube nga 29 maji për 10 ditë.

“We Are One: A Global Film Festival” ka për qëllim bashkimin e njerëzve për të parë dhe për të dëgjuar filma, dokumentarë, komedi, biseda dhe muzikë. Do të jetë hera e parë që festivalet e mëdha të botës po bashkohen në këtë mënyrë, dhe mund ta ndiqni nga shtëpitë tuaja.

Namaste, kemi ende kurse onllajn për Yoga. Provojeni një kurs për fillestarë nga Dodona.

Ose shikoni operën e Wiener Staatsoper. Opera legjendare e Vjenës do të transmetojë performanca pa pagesë gjatë gjithë periudhës së izolimit. Kështu që ndrequni mirë (ose jo, askush nuk ju sheh) dhe përcillni shtëpinë e operës ku Mozarti i debutoi veprat më të mira të tij. Rock Me Amadeus (Pyete nënën, nëse nuk e njeh). 

Shijoje të hënën se është ditë pushimi!

Imazhi i ballinës: Pamje nga edicioni i lajmeve i RTK-së.

Cilat rrëfime ju kanë gëzuar këtë javë? Keni plane interesante për këtë fundjavë? Ndani ato me neve në platformat tona në rrjetet sociale apo nëpërmjet imejllit.