S`fundmi | #TePremtetGazmore

Të premtet gazmore

Nga - 10.04.2020

Le të ndihmojmë për t’i kthyer kohët e mira.

Para izolimit, të premtet shërbenin për ta lënë pas javën e punës, për të dalë në kafene ose në bar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë dhe me familjen. 

Mbase të premtet ishin ditët që çelnin fundjavët me vallëzim, me dëfrim në klubet e natës, dhe me çaste të këndshme në kinema apo diku tjetër. Ose, ndoshta ishin kohët e relaksimit nëpërmjet ecjeve malore, sportit, apo thjesht përmes leximit të një libri të mirë.

Çfarëdo qoftë ajo që ju ka bërë të ndiheni mirë të premteve, ne duam të ndihmojmë që ta kthejmë këtë disponim — madje edhe në këto kohë — duke përmbledhur disa ngjarje të mira dhe pozitive prej vendeve të ndryshme të botës. 

Natyra po kthehet

Një efekt anësor i izolimit të njerëzve është rikthimi i natyrës në mënyrë të lezetshme. Në Uells, një tufë dhish e pushtuan një fshat pothuajse të zbrazët. 

Ndërkohë, në Kosovë u kthye rrëqebulli i njohur dhe i rrezikuar i Ballkanit. Së voni, kjo shtazë vetmitare është kthyer në anën kosovare të vargmalit të Sharrit. Pasi që rrëqebulli është aq i ndruajtur, është vështirë ta gjurmosh. Këto fotografi u bënë nga kamerat e fshehura në pyje dhe u raportuan nga grupi për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, Environmentally Responsible Action (ERA). Në 2015 u regjistrua prova e parë e rrëqebullit në Kosovë pas disa dekadash, kur u fotografua një rrëqebull në Bjeshkët e Nemuna në perëndim të vendit.

Foto: ERA / Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit

 

Gjithashtu, ndotja e ajrit është reduktuar shumë dhe shpejt anembanë botës. Aktualisht, gati gjysma e popullsisë së botës i nënshtrohet kufizime të ndryshme, pasi që janë ndaluar fluturimet, janë mbyllur fabrikat dhe janë reduktuar qarkullimet e automjeteve. Si rrjedhojë, cilësia e ajrit në botë është përmirësuar, posaçërisht në qytete. Përmirësimi i ajrit është gjë e mirë për të gjithë, dhe veçan për faktin se ekspozimi ndaj ajrit të keq thuhet se është një nga faktorët e rrezikut për COVID-19.

Aleanca Evropiane për Shëndetin Publik, një organizatë joqeveritare evropiane, po i inkurajon njerëzit të vazhdojnë ta reduktojnë ndotjen e ajrit duke ecur dhe duke përdorur biçikleta më shumë në vend të vozitjes së automjeteve, veçanërisht pasi të kryhet izolimi. 

Madje edhe korja e Tokës po lëviz më pak për shkak të aktivitetit të reduktuar. Shkencëtarët thonë se falë lëvizjes së kufizuar mbi tokë, ata do të kenë mundësi t’i zbulojnë më mirë sinjalet e lëkundjeve të tokës që shkaktojnë tërmete.

(Ende) ka atmosferë dashurie

Edhe pse një virus vdekjeprurës po na detyron një të rrimë brenda, kjo nuk do të thotë që dashuria s’do të rrojë si e tillë. Pandat më në fund po çiftëzohen në Hong Kong (ndoshta krejt çka u ka munguar është pakëz privatësi). 

Edhe pse është mbyllur kufiri ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës, një çift i moshuar, rreth 80 vjeç të dy, vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin çdo ditë. Meqë janë njoftuar para vetëm dy vitesh, ata janë të përkushtuar t’i vazhdojnë kontaktet me njëri-tjetrin, kështu që takohen çdo ditë te kufiri për të biseduar dhe për ta mbajtur gjallë dashurinë e tyre.

E ashtuquajtura “superhënë e pembe” i dha javës një nuancë romantike. Foto: Ferdi Limani.

Madje edhe trupat qiellorë janë kthyer në formë: “superhëna e pembe” u paraqit të martën në mbrëmje anembanë Evropës. Hëna në fakt nuk është e pembe, por quhet ashtu për shkak të myshqeve me atë ngjyrë që lulëzojnë në këtë kohë sipas besëtytnive të disa fiseve autoktone të Amerikës.

Supërhënën i shohim kur hëna është e plotë dhe arrin në pikën më të afërt ndaj Tokës në orbitën 27 ditëshe, duke e bërë atë të duket më e madhe dhe më e ndritur se zakonisht. Kjo ndodh rregullisht një herë në vit, por në vitin 2020 i kemi tri! Nëse s’e keni zënë këtë të fundën, pa merak — superhëna e radhës do të ndriçojë në maj. 

Çfarë të presim

Izolimi mund të bëhet bajat shumë shpejt por mos shtini magneta në hundë si ky astrofizikani që u mundua ta zbulojë një vegël për ta parandaluar prekjen e fytyrës në mënyrë që të mbrohemi më mirë nga COVID-19. 

Në vijim i kemi paraqitur disa aktivitete interesante për ta lehtësuar tendosjen e izolimit fizik gjatë kësaj fundjave:

Është e Diela e Pashkëve dhe tenori i madh Andrea Boçeli do të këndojë në Duomo di Milano, një prej katedraleve më të njohura në botë. Koncerti do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube prej orës 19:00.

Teatrot e Kosovës janë bërë bashkë për të transmetuar çdo natë të muajit prill nga një performancë të ndryshme prej orës 20:00. Të premtën (10 prill) do të shfaqet “UN Inspektori”, shfaqja e së shtunës është “Eshtrat që vijnë vonë”, ndërsa të dielën mund ta shihni “Koloneli Zog”.

Foto nga Rave Travel.

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) është duke transmetuar produksione kosovare online si dhe në RTK. Në orar mund t’i gjeni kohët e transmetimit, ndërsa produksionet mund t’i shikoni në Vimeo

Rave Travel do ta transmetojë një DJ set si çdo të shtunë në faqen e tyre në Facebook. Këtë javë është Uran B. nga brendi i eventeve të muzikës elektronike Hapësira.

Ju duhet diçka për fëmijët? OJQ Education Comes First është duke postuar çdo ditë lojëra interesante në gjuhën shqipe në faqen e tyre në Facebook.

Dhe mos harroni, të hënën është ditë pushimi!K

Cilat lajme të mira ju kanë bërë të buzëqeshni këtë javë? A do të merreni me diçka interesante në këtë fundjavë? Ndani planet e juaja me neve në platformat tona në rrjete sociale apo nëpërmjet email-it.

Imazhi i ballinës: Aleanca Evropiane për Shëndetin Publik.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.