Blogbox | Ambienti

Të premtet për të ardhmen — Kosovë

Nga - 22.03.2019

Si fëmijët po sjellin ndryshim global.

Tani në kohërat moderne, brenda një viti në Tokë nga 10,000 – 100,000 specie gjallesash zhduken. Pyjet që dikur popullonin 14 përqind të sipërfaqes së Tokës, sot shtrihen vetëm në gjashtë përqind të saj. Burimet ujore ndoten vazhdimisht nga ujërat e zeza, nafta, substancat radioaktive, si dhe nga bujqësia, kështu duke ndikuar negativisht në shëndetin tonë dhe në ekosistem.

Në gusht të vitit 2018, Greta Thunberg, një vajzë 15 vjeçare nga Suedia, duke qenë e vetëdijshme për pasojat ambientale në të ardhmen e afërt, filloi të mos shkonte në shkollë për të protestuar. Për Gretën, kjo formë e protestës ishte mënyra më efektive për ndryshim. Ajo nisi të dilte pranë parlamentit Suedez çdo ditë për dy javë rresht. Kështu dhe filloi lëvizja me përmasa globale #FridaysforFuture (#TëPremtetPërTëArdhmen). Protestat po zhvillohen çdo të premte, ku pjesemarrës janë kryesisht fëmijët, të cilët shtrojnë pyetjen “Pse të studiojmë për një të ardhme të cilën ndoshta nuk do ta kemi?”

Greta, së bashku me aktivistë të tjerë të rinj në mbarë botën, ishte e brengosur për shkak të mungesës së iniciativave për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe ambientale. Këto ndryshime shkaktohen nga keqtrajtimi i burimeve natyrore në emër të ekonomisë dhe luksit të një pakice botërore.

Këto çrregullime në natyrë ndikohen nga aktiviteti jonë i përditshëm, duke na bërë ne —  njerëzit — shkaktar dominant të ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale..

Në rrethana të tjera, këto fakte alarmuese do të rezultonin në shpallje të një krize globale, por në realitetin tonë, ajo nuk ndodhë. Por Gretën në këtë nismë, filluam ta mbështesim me mijëra fëmijë e të rritur nga e gjithë bota sepse jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që kjo brengë është e jona dhe se përgjegjësia na takon të gjithëve njësoj si banorë të planetit Tokë — edhe nëse kjo do të thotë ndryshim të sistemit.

Në Kosovë, arsyet mbi ndotjen e ajrit dhe ambientit janë të shumta dhe shpeshherë nuk dihet fajtori kryesor. Automjetet, termocentralet e qymyrguri, mbeturinat, janë vetëm disa nga faktorë të ndryshëm që ndikojnë në ndotjen e ambientit ku ne jetojmë. Analiza të ndryshme shqyrtohen gjithashtu në “Çfarë zgjedhje, përveç të gjelbërtës?”, ku për më tepër tregohet që nivelet e ndotjes së ajrit në Prishtinë mbërrijnë sasi alarmuese që ndikojnë rëndë në shëndetin tonë.

Pikniku #TëPremtetPërTëArdhmen përballë ndërtesës së Qeverisë. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Në dy të premtet e fundit, komuniteti Termokiss në Prishtinë ka organizuar #TëPremtetPërTëArdhmen, që do të vazhdojnë edhe gjatë të premteve të ardhshme. Këto organizime janë të hapura për të gjithë personat që shqetësohen për ndryshimin klimatik, si dhe për mbrojtjen e ambientit në këtë kohë. Përpos piknikut në asfalt përpara ndërtesës së Qeverisë, u zhvillua dhe një diskutim rreth kësaj nisme në kontekstin e Kosovës, për të kuptuar më mirë se cilët mund të jenë hapat konkret që mund t’i ndërmarrim.

Për të gjithë ata që po e lexojnë këtë artikull dhe dojnë të ndërmarrin ndonjë veprim, atëherë:

Nëse je nxënës, mund të mendosh për zgjidhje dhe hapa konkret të cilët mund t’i marrim që të gjithë dhe mund të bashkangjitesh në #TëPremtetPërTëArdhmen; mund të flasësh me prindërit për të kërkuar mbështetje, duke iu sqaruar arsyet prapa qëndrimeve tua; mund të flasësh me mësues dhe nxënës të tjerë, duke iu treguar se pse është e rëndësishme që ta mbrosh ambientin, klimën e planetin tonë.

Nëse je prind, mund të flasësh me fëmijët tuaj duke iu treguar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit; mund t’i njoftosh për këtë lëvizje globale; mund të flisni me mësues në shkollë duke iu treguar se e mbështetni vendimin e fëmijëve tuaj t’i bashkangjiten lëvizjes, në mënyrë që ta mbrojnë të ardhmen tonë; mund të flisni me prind dhe komshi të tjerë, dhe mund t’i ndihmoni fëmijëve të përgatiten për #TëPremtetPërTëArdhmen.

Nëse jeni mësues apo pjesë e stafit shkollor, ju mund të flisni me nxënësit e juaj dhe t’i informoni më shumë për këtë lëvizje dhe rëndësinë e saj; mund të flisni me administratën e shkollës dhe mësues të tjerë për të treguar mbështetjen tuaj për këtë kauzë, dhe të bashkangjiteni vetë në #TëPremtetPërTëArdhmen.

Duhet të diskutojmë, hulumtojmë dhe të fillojmë të ndërmarrim hapa konkret për të ardhmen tonë. Kjo krizë ambientale është çështje shqetësimi që tejkalon të gjithë kufinjtë. Është diçka që mbërthen çdo specie e cila sot gjallnon në Tokë dhe është përgjegjësi e secilit prej nesh të mundohemi ta ndryshojmë, në çfarëdo mënyre që mundemi.  

Foto kryesore: Fikret Ahmeti / K2.0.

KOMENTET

2
SHIKO KOMENTET
  • 10 Apr 2019 - 19:12 Gazeta: Lajme Portal i mire
  • 24 Mar 2019 - 22:39 Gazeta: Shkri i mire https://www.gazetashendeti.com/
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.