*Shënim i redaksisë: Një seksion shtesë është shtuar (më 17 Nëntor, 2015) në fund të këtij artikulli për të sjellë zhvillimet më të reja për ngërcin politike në Kosovë.*
Një seri e fotografive tashmë të njohura prej Kuvendit të Kosovës janë shfaqur në vend, rajon dhe botë në javët e fundit. Vezët, filikaqat dhe gazi lotsjellës ishin vetëm disa prej formave të pazakonshme të protestës që u përdorën nga deputetët e opozitës si pjesë e përpjekjeve të tyre efikase për të bllokuar punën e Kuvendit. Protestat janë të lidhura me dy marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Kosova në Gusht me Serbinë dhe Malin e Zi, për të cilat kritikuesit thonë se janë kundër interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Me 22 shtator, kur Kryeministri Isa Mustafa erdhi për të prezantuar marrëveshjen me Serbinë për Kuvendin, në vend se të ketë vëmendjen e të gjithë deputetëve, Mustafa u prit me vezë nga disa anëtarë të opozitës, duke shkaktuar pezullimin e seancës. Në javën e vijuese, me 1 tetor, deputetët e opozitës vendosën ta bllokojnë fizikisht seancën e Kuvendit duke qëndruar në foltoren e Kryetarit të Kuvendit, dhe duke refuzuar që të lëvizin nga aty.
Pakënaqësia nuk u kufizua vetëm në ndërtesën e Kuvendit. Një seri sulmesh me vezë nga ana e aktivistëve i kanë shënjestruar zyrtarët e qeverisë, duke përfshirë Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashin, dhe Zëvendës Ministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimin, ndërsa Mustafa dy herë është dashur ta pastrojë kostumin e tij prej të verdhës së vezëve.
Eskalimi më serioz i situatës deri sot ndodhi me 12 tetor pas arrestimit të deputetit të mirënjohur të opozitës, Albin Kurtit, si pjesë e hetimeve për incidentin e parë me gaz lotsjellës në Kuvend. Qindra aktivistë nga Vetëvendosje e Kurtit u mblodhën para stacionit të policisë ku ai po mbahej, duke protestuar për arrestimin e tij që ata pretendonin se është i motivuar politikisht, si dhe për faktin që nuk ishte shpallur ndonjë urdhër arresti nga Policia e Kosovës. Gjatë disa orëve të tensionuara, xhamat e dritareve të stacionit të policisë në Prishtinë u thyen, dhe e njejta gjë ndodhi edhe me xhamat e selisë së partisë së koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e gjithashtu edhe u dogjën automjete, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës duke u përpjekur që ta shpërndajë turmën. Kurti u lirua po atë natë, dhe lirimin e tij ia atribuoi presionit të protestuesve.
Ngjarjet rreth arrestimit të Kurtit vetëm i thelluan tensionet politike në Kosovë, pasi që të gjitha partitë përdorën një retorikë edhe më përçarëse.
Derisa kriza politike vazhdon, ne e shpjegojmë situatën duke analizuar shtatë pyetjet thelbësore që duhet shtruar.
1. Për Çka Është e Gjithë Kjo?
Ngecja aktuale është e lidhur kryesisht me dy marrëveshjet ndërkombëtare, të dyja të nënshkruara në javën e njejtë nga Kosova në gusht të këtij viti.
Me 25 gusht, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbianënshkruan një marrëveshje në Bruksel në katër fusha kryesore: energjinë, telekomunikacionin, lirinë e levizjes në qytetin e Mitrovicës që është i ndarë në baza etnike, dhe krijimin e ‘Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe’ (ose ‘Zajednica’). Kjo e fundit ka shkaktuar kundërshtimin më të shprehur, pasi që marrëveshja duket se ofron Asociacionit fuqi të plota në sferën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, policisë, dhe doganave, si dhe ka një president, kuvend dhe flamur të tyre.
Marrëveshja për themelimin e një Asociacioni së pari u arrit në parim në prill të vitit 2013 si pjesë e marrëveshjes së parë të Brukselit, pjesë e procesit të dialogut bilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, pavarësisht spekulimeve të shumta në atë periudhë kohore, nuk u zbuluan detaje të mëtejshme derisa u finalizua marrëveshja e dytë në gusht.
Pika e dytë e kundërshtimit është një marrëveshje për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi që u nënshkrua me 26 gusht në Vjenë. Nënshkrimi i marrëveshjes erdhi pas një debati të nxehtë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, ku disa deputetë shfaqën pakënaqësi të madhe për vijat e reja kufitare, duke pretenduar se Kosova ka humbur territor si rezultat i marrëveshjes.
2. Kush Po i Kundërshton Marrëveshjet dhe Çfarë Duan në Fakt Kundërshtarët e Marrëveshjeve?
Kundërshtimi më i zëshëm për marrëveshjet po vjen prej partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, ku një aleancë joformale është krijuar në mes të Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.
Vetëvendosje vazhdimisht e ka ngritur zërin kundër dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pa e kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës, si dhe pagimit të dëmshpërblimeve të luftës e kërkimit të faljes për krime luftë nga ana e Serbisë. Pra nuk ishte befasi që ata ishin pishtarë të kundërshtimit të marrëveshjes në Bruksel në gusht, që nisi derisa dialogu ishte duke në proces e sipër.
Kundërshtimi kryesor ndaj marrëveshjes së demarkacionit të kufirit erdhi prej AAK, pasi që bastioni tradicional politik i tyre afër kufirit të Kosovës me Malin e Zi ndikohet veçanërisht. Lideri i AAK, Ramush Haradinaj, ishte veçanërisht i zëshëm për këtë çështje, pasi që ai vjen prej zonës që po debatohet.
Në shumë mënyra blloku opozitarë nuk është se përputhet për çdo gjë , që mund të shihet në taktikat që po përdoren tani. Ndonëse Vetëvendosje gjithmonë ka qenë në opozitë dhe shpeshherë kanë marrë pjesë në protesta e aktivizëm, përfshirja e AAK në mënyra të tilla alternative të politikave opozitare është zhvillim më jo i rëndomtë. Jo vetëm se Haradinaj ishte ish-kryeministër i Kosovës, por partia e tij mbështeti marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 në parim, dhe deri në shkurt të këtij viti kishin një përfaqësues si pjesë e negociatave. Ngjashëm, deri në vitin e kaluar, lideri i Nismës, Fatmir Limaj, ishte një prej figurave kyçe të pasluftës në partinë aktuale të koalicionit, PDK, madje edhe në kohën kur Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua.
Pasi që zërat e tyre janë më të fuqishëm kur kombinohen me njëri tjetrin, bllokui opozitës i ka bërë thirrje qeverisë që të tërhjek nënshkrimin prej të dy marrëveshjeve. Ata thonë se marrëveshja për ‘Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe’ dobëson rrënjësisht sovranitetin e Kosovës, pasi që do të krijojë një organ me ‘fuqi ekzekutive‘ në fushat e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, dhe sigurisë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, Asociacioni do të përfaqësonte një ‘bosnjizim’ të Kosovës (referencë e kompleksitetit të organizimit të qeverisjes së Bosnjes) meqë rast do ta bënte shtetin e Kosovës jo funksional.
Mustafa ka mohuar këtë, duke deklaruar pak pasi u nënshkrua marrëveshja, se Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive dhe se marrëveshja e plotë është në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Qeveria insiston se marrëveshja është në interes të Kosovës pasi që ka mbështetje të gjërë nga komuniteti ndërkombëtarë dhe kështu mundëson që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre të integrimit evropian.
Kundërshtimi ndaj marrëveshjes së demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është në shumë mënyra më e drejtpërdrejtë – sepse është në thelb për territor. Sipas Haradinaj (dhe më vonë edhe sipas opozitës, prej që është formuar blloku opozitarë), mijëra hektarë të tokës së Kosovës i janë dhënë Malit të Zi me këtë marrëveshje. Ai e akuzoi Mustafën për ndarje të Kosovës dhe dhënie të territorit të saj për Malin e Zi, dhe premtoi të bllokojë zbatimin e marrëveshjes. Haradinaj po bënë thirrje për një rishqyrtim të marrëveshjes, dhe për rivendosje të kufirit.
Qeveria pretendon se marrëveshja e arritur për kufi me Malin e Zi është bërë sipas kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë, dhe se Kosova nuk ka humbur asgjë pëllëmbë tokë si rezultat i saj. Përsëri, marrëveshja është duartrokitur prej komunitetit ndërkombëtarë që rezulton në fuqizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Malin e Zi.
3. Pse Po Ndodh Kjo Ngecje Tani?
Taktikat e opozitarve me profil të lartë në Kuvend nisën kur Mustafa u mundua të prezentojë marrëveshjen me Serbinë para deputetëve muajin e kaluar. Opozita thotë se kjo është krejtësisht një shfaqje; se qeveria nuk po paraqet asgjë të re që nuk është thënë në sferën publike deri tani, dhe nuk po nxit votim në diçka që është ‘marrëveshje e kryer’. Sipas opozitës, veçse dihet saktësisht se çfarë ka për të thënë qeveria, dhe kështu, prezentimi i marrëveshjes në Kuvend është një gjë krejtësisht e kotë.
4. Pse Nuk Përdor Opozita Mënyra Më Konvencionale?
Blloku i opozitës është në pozitë të vështirë. Pasi që dy partitë më të mëdha në Kuvend – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe PDK – kanë formuar qeverinë aktuale me koalicion (së bashku me Listën Serbe dhe parti tjera minoritare), opozita është më e paktë në numra dhe është gati si e pashpresë; me më shumë se dy të tretat e 120 deputetëve i përkasin qeverisë. Edhe nëse marrëveshjet votohen në Kuvend – alternativë që aktualisht nuk duket e mundshme – rezultati do të ishte praktikisht përfundim i ditur.
Për shkak të pozitave të tyre dhe fuqisë së ndjenjave të lidhura me këto çështje, opozita mendon se duhet të bëjë më shumë, e jo thjeshtë të ngritet në këmbë e t’i diskutojë marrëveshjet në format konvencional. Duke bllokuar punën e Kuvendit, opozita insiston që po bënë hapa legjitim për të parandaluar vazhdimin me marrëveshje që opozita thotë se janë të dëmshme për shtetin.
Edhe pse nuk artikulohet në mënyrë kaq eksplicite nga opozita, ndoshta edhe është e kujdesshme që të mos shihet dobësia e saj, opozita e konsideron vazhdimin e debatit si të pakuptimtë; duke mbajtur debat ‘normal’, opozita mendon se do i jepte ligjshmëri marrëveshjeve, dhe se pastaj qeveria mund të pretendojë që ato janë miratuar me procese demokratike.
Veprimet e pazakonshme të opozitës jo çuditërisht janë kritikuar ashpër nga zyrtarët e qeverisë. Zëvendës Ministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, që ishte një prej të sulmuarëve me vezë, tha se nuk është e pak të quhen aktivistët e Vetëvendosjes
“Brigada të Kuqe“, duke iu referuar organizatës radikale paramilitare marksiste/leniniste nga Italia në 1970-at dhe 1980-at.
Megjithatë, zëvendës presidenti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, i tha Kosovo 2.0 se veprimet e opozitës janë koherente me praktika evropiane. “Këto nuk janë metoda që ne i kemi shpikur në Kosovë, këto janë metoda perendimore dhe shpeshherë këto metoda quhen të dhunshme në Kosovë, por është gabim i madh të quhen ashtu”, tha ai. Gjuajtja e politikanëve me vezë sigurisht se nuk është diçka e re; Britania e Madhe njihet më së shumti për këtë praktikë pasi Kryeministri David Cameron, ish lideri i Partisë së Punës Ed Miliband dhe lideri i Partisë së Pavarur të Mbretërisë së Bashkuar Nigel Farage të gjithë përfunduan me vezë në fytyrat e tyre në vitet e fundit si rezultat i veprimeve të aktivistëve. Megjithatë, gjuajtja e vezëve brenda parlamentit, dhe nga kolegët e tyre të zgjedhur (siç ishte rasti me Isa Mustafën), duket se është standard i ri i prezentuar në Kosovë.
5. E Opinioni Publik? Çfarë Duan Kosovarët?
Askush nuk e di me të vërtetë. Edhe pse marrëveshjet dhe veprimet e opozitës sollën vëmendje dhe diskutime të mediave, ka munguar një debat më i gjërë në mesin e qytetarëve të rëndomtë.
Janë disa të dhëna që mund të jenë indikative. Së pari, një analizë joshkencore e pikëpamjeve që po shprehen prej ‘aktivistëve të kolltukut’ në Facebook sugjeron se ka shumë qytetarë që janë ambivalent ndaj politikës më gjerësisht; edhe nëse nuk e mbështesin qeverinë, nuk pajtohen as me taktikat përçarëse që po përdoren nga opozita. Të dhëna më të matshme vijnë në formë të një peticioni të organizuar nga opozita kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, që raportohet të ketë mbledhur më shumë se 200,000 nënshkrime në qytetet kryesore të Kosovës. Megjithatë, asnjë protestë masive nuk është thirrur ende nga opozita, gjë që aludon se ata mund të mos kenë mjaft besim që do të mund t’i mblidhnin shumë njerëz.
Çaushi i Vetëvendosjes mohon këtë. Ai thotë se mungesa e protestës popullore deri tani është për shkak se nuk ka qenë e domosdoshme; opozita ka pasur mënyra tjera. Nëse qeveria “vazhdon të jetë kokëfortë”, ai thotë se shpejti do të mbahen protesta gjithëpopullore.
Në media dhe shoqërinë civile, nuk ka pasur mungesë të diskutimit të marrëveshjeve, veçanërisht për atë me Serbinë. Kur kjo marrëveshje u nënshkrua së pari në gusht, kishte edhe të tillë që folën në favor të saj. Kolumnisti i Kohës DItore, Halil Matoshi, pretendon se ‘Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe’ do të kishte autonomi individuale, kryesisht të bazuar në autonomi kulturore, por aspak në autonomi territoriale/politike, dhe kështu duhet të mbështetet. Por në përgjithësi, kishte më shumë zëra që folën kundër saj.
Megjithatë, paralizimi i Kuvendit për gati dy muaj dhe veçanërisht metodat që po përdoren nga opozita kanë shkaktuar fragmentim të opinioneve. Lumir Abdixhiku, kolumnist i Kohës Ditore dhe drejtor i Institutit Riinvest, ishte një prej atyre që publikisht e kundërshtoimarrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur ajo u prezantua. “Asociacioni i Komunave Serbe, me parimet e paraqitura, krijon nivel tjetër të autonomisë në vend”, tha ai për Kosovo 2.0. “Në të njejtën kohë, sjelljet e opozitës në mosrespektimin e institucioneve ose përdorimin e mekanizmave institucional të Republikës për të kundërshtuar marrëveshjen janë qasje anti-republikane, pavarësisht motiveve dhe argumenteve të paraqitura nga opozita rreth marrëveshjeve”.
6. Çfarë Po Thotë Komuniteti Ndërkombëtar?
Çfarëdo që ndodh në politikën e Kosovës, zërat e anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar janë të pashmangshëm. Ka shumë zëra që thonë se kur komuniteti ndërkombëtar iu thotë politikanëve ‘kërceni’, politikanët vendorë pyesin ‘sa lartë’ duhet të kërcejmë? Rivotimi i fundit në Kuvend për themelimin e gjykatës speciale (për ndjekje penale të krimeve serioze që supozohet se janë kryer prej anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe pas luftës me Serbinë) shpeshherë tregohet si rast tipik: Themelimi i gjykatës fillimisht u refuzua nga Kuvendi, por u miratua në një seancë të dytë votuese, që u organizua shpejtë pas presionit të madh ndërkombëtar.
Në krahasim me opinionin e paqartë dhe ambivalent publik brenda Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka treguar mbështetje të qartë për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe ka dënuar masat që po merren nga opozita për të bllokuar punën e Kuvendit.
Një deklaratë e përbashkët nga Zyra e BE-së në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Ambasadat/Zyret e Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë pas incidentit të parë me gaz lotsjellës në Kuvend e qortuan opozitën për veprimet e dhunshme. Ata i përshkruan “veprimet e dhunshme” të opozitës si “të mjerueshme, të pamatura dhe të papranueshme”, dhe apeloi që të respektohen “parimet themelore të demokracisë”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëlloj kritikoi “sjelljet e tmerrshme të deputetëve të caktuar të opozitës” që “tallen me një prej institucioneve më të rëndësishme demokratike në Kosovë”. Në deklaratëqë nxiste opozitën që të “hiqte dorë nga përdorimi i dhunës si taktiktë politike”, SHBA theksoi se “armët nuk kanë vend në parlament”.
7. Çfarë Do të Ndodh Tani?
Ende nuk e dimë. Në një deklaratë të përbashkët të lansuar pas përçarjes së fundit në Kuvend, opozita u zotua të vazhdojë me veprimet e saja deri sa qeveria të tërhiqet prej dy marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se vetëm atëherë do ta kthejnë normalizimin institucional dhe social në Kosovë.
Dy alternativa që opozita i ka paraqitur janë mbajtja e referendumit për marrëveshjet dhe thirrja e zgjedhjeve të hershme. Abdixhiku i Kohës Ditore thotë se këto qasje mund të ofrojnë rrugë të zbatueshme përpara për të thyer bllokimin aktual politik. “T’i lëmë qytetarët të vendosin fatin e vendit përfundimisht”, tha ai. Megjithatë, asnjëra prej këtyre zgjidhjeve të mundshme nuk janë të drejtpërdrejta. Etika dhe ligjshmëria e thirrjes së referendumit për çështje që kanë ndikim në minoritete janë të diskutueshme, ndërsa qeveria ka pak gjasa se do të rrezikojë humbjen e votave që mund të shkaktojnë tërheqjen e mundshme të Kosovës prej marrëveshjeve që mbështeten shumë prej komunitetit ndërkombëtar.
Mundësia e protestave masive është gjithashtu realitet i mundshëm, pasi që opozita vazhdimisht ka aluduar këtë rrjedhë veprimesh. Të premtën e kaluar (16 tetor), udhëheqësit e AAK bënë thirrje për mobilizim të aktivistëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve për “një protestë finale” kundër qeverisë, megjithatë nuk janë dhënë detaje të mëtejme. Masa të tilla janë dëshmuar të jenë pjesërisht efektive në të kaluarën: në shkurt protestat masive në rrugët e Prishtinës shkaktuan përjashtimin e Zëvendës Kryeministrit të Listës Serbe, Aleksandar Jablanovic, për komentet kontraverse që i kishte bërë për nënat Gjakovare që bllokuan pelegrinët serb në Krishtlindjes Ortodokse. Megjithatë, është ende e paqartë se a ekziston e njejta fuqi e ndjenjës në mesin e qytetarëve për çështjet aktuale politike, dhe dimensioni ndërkombëtar i marrëveshjes përsëri ka gjasa që ta bëjë ndryshimin e mendimit të qeverisë edhe më të vështirë.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndërhyrë për t’u munduar që t’i jep fund ngecjes politike në vend. Jahjaga u takua ndarasme liderët e qeverisë me në koalicion dhe tre liderët e opozitës më herët gjatë kësaj jave, por duket se ka pak përparim për të tejkaluar ngecjen për shkak tv qëndrimeve diametrisht të kundërta; të dy palët kanë shprehur se nuk janë të gatshme të bëjnë kompromis.
Pasi që ngecja po vazhdon dhe nuk duket se e ka ndër mend të përfundojë, një seancë tjetër e Kuvendit është thirrur për nesër (e premte, 23 tetor) në 16:00. Opozita e ka quajtur këtë lëvizje “provokim” dhe ka thënë se do të vazhdojë të pengojë punën e Kuvendit.
Siç duket të gjithë duan zgjidhje për krizën aktuale – por se çfarë është ajo zgjidhje, mbetet të shihet.
Shtesa e redaksisë (7 Nëntor, 2015):
Opozita ka bërë thirje për një “manifestim” nesër (e shtunë, 28 nëntor) në Prishtinë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe kundër qeverisë në përgjithësi. Data e tubimit nuk është rastësi; është organizuar qëllimshëm që të përkojë me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me shpresën që të kenë më shumë mbështetje kundër marrëveshjeve, për të cilat opozita argumenton të jenë kundër interesit kombëtar. Derisa opozita vazhdimisht ka deklaruar që “manifestimi” do të jetë paqësor, zyrtarët qeveritar gjatë ditëve të fundit kanë shtuar kritikat, duke akuzuar opozitën për qëllime të dhunshme.
Duket që tubimi do të mbahet nesër, pavarësisht masave të marra në javët e fundit në përpjekje për të ndalur përshkallëzimin e krizës së tanishme politike. Më 28 tetor, Presidentja Jahjaga ka deklaruar ta ketë dërguar çështjen e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur për kushtetutshmërinë e saj. Gjykata më pas mori “masa të përkohshme” më 10 nëntor duke ngrirë implementimin e Asosacionit deri më 12 janar, 2016, derisa të kryejë një vlerësim të plotë. Megjithatë, opozita me shpejt njohtoi që do të vazhdojë me protestat derisa marrëveshja të anulohet tërësisht.
Një përpjekje tjetër për ta zhbllokuar ngërçin politik ka ardhur përmes propozimit jo-partizan nga dy rebelët e partive, të premten e kaluar (20 nëntor). Vjosa Osmani e LDK-së dhe Ilir Deda i Vetvendosjes prezantuan një plan për ta zgjedhur ngecjen e tanishme politike, që do tu mundësonte opozitës dhe qeverisë ta shpëtojnë fytyrën e vet. Fillimisht, propozimi përfshiu themelimin e një komisioni hetimor të përbërë nga deputetët e Kuvendit me detyrën për ta vlerësuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Komisioni do të udhëhiqej nga opozita, me përfaqësues nga partitë tjera dhe do të përfshinte të paktën pesë ekspertë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Deri në fund të mandatit të ti 30 ditor, një konsensues do të arrihej nga të gjithë anëtarët që votojnë.
Së dyti, propozimi përcakton që Kuvendi duhet të zgjedhë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, me konsensus ndërpartiak, për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e Asosacionit. Nëse Gjykata Kushtetuese dështon të arrijë deri te vendimi, çështja do t’i dërgohet Komisionit të Venedikut të Këshillit Evropian për qartësim dhe rekomandime. Më në fund dokumenti thotë që duhet të ndërmjetësohet nga Presidentja, dhe të nënshkruhet nga liderët e pesë partive kryesore politike, para se të votohet si rezolutë nga Kuvendi brenda shtatë ditëve.
Propozimi kryesisht hasi në heshtje zyrtare, derisa qeveria dhe partitë opozitare peshonin pozicionimet e tyre. Sidoqoftë, Haradinaj i AAK-së, je (më 26 nëntor) sugjeroi që kushtet e propozimit janë të pamjaftueshme për opozitën, e cila ende këmbëngul për anulimin e të dy marrëveshjeve ndërkombëtare para se të ndalin veprimet e tyre përçarëse.
Muaji i fundit nuk ka parë rënie të protestave joformale të opozitës, as në Kuvend apo në rrugë. Seanca e Kuvendit që duhej të mbahej me 23 tetor u shndërrua në farsë, derisa përgjatë 10 orëve përpjekjet e shumta për ta mbajtur seancën u penguan me gaz lotsjellës, megjithë forcat e pranishme të sigurisë në Kuvend që u sollën në përpjekje për të siguruar mbarëvajtjen e punës së kuvendit. Qeveria në fund mbajti seancë 10-minutëshe pas dyerve të mbyllura në bufenë e kuvendit pa deputetët e opozitës, e cila përfundoi në ora 01:45 të mëngjesit. Jashtë Kuvendit, policia speciale përdori topa uji për të shpërndarë aktivistët e paqetë të opozitës, të cilët gjuanin koktej molotovi.
Përpjekja e vetme për të mbajtur seancë të rregullt të Kuvendit në muajin e fundit përfundoi me rezultate të ngjajshme. Të martën e kaluar (17 nëntor), opozita edhe një herë shpërndau gaz lotsjellës dhe Albin Kurti përdori sprej lotsjellës në drejtim të kryeministrit, Isa Mustafa, duke shkaktuar braktisjen e kuvendit. Duke evokuar ngjarjet e mbrëmjes me seancën e vonshme, qeveria u ri-mblodh në një dhomë tjetër dhe miratuan buxhetin për 2016, derisa deputetët e opozitës u bllokuan për të hyrë në dhomë nga forcat e sigurisë. Jashtë, gazi lotsjellës po ashtu u përdor për të shpërndarë aktivistët e opozitës që u mbledhën në protestë.
Pas përçarjes, urdhër-arreste u lëshuan për katër deputetë të opozitës, duke përfshirë Kurtin, të cilat policia u përpoq t’i implementojë në mëngjesin e ardhshëm. Deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi u arrestua, por tre të tjerët nuk u gjetën. Protestat pas arrestimit të Kadaj-Bujupi u udhëhoqën nga deputetët e opozitës, të cilët bashkë me aktivistë u mblodhën jasht Kuvendit duke kërkuar lirimin e saj. Përleshje të dhunshme, në mes protestuesve dhe policisë pasuan edhe një herë, menjëherë pasi që Kurti arriti në vendin e ngjarjes për të dhënë fjalim, me gurë që gjuheshin në drejtim të dritareve të ndërtesës së qeverisë dhe policisë që përgjigjej me gaz lotsjellës. Përleshje të mëtejshme vazhduan në mbrëmje, pasi që u lajmërua se Kadaj-Bujupi ishte dënuar me 30 ditë paraburgim.
Kurti u zotua që do të marrë pjesë në “manifestimin” e së nesërmes, pavarësisht urdhërit për arrestin e tij, ndërsa policia ka deklaruar qe do ta arrestojnë nëse e shohin. Nesër do të shohim nëse mbizotërojë qetësia apo përleshjet.K