Në thelb | Politika

Dhjetë ditë të qeverisë së re të Kosovës

Nga - 20.09.2017

Nis mandati i Ramush Haradinajt si kryeministër.

Sot (20 shtator) është dita e dhjetë e Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës. Pas pritjes tre mujore prej zgjedhjeve në qershor deri te konfirmimi i rolit të tij të ri nëpërmjet Kuvendit me 10 shtator, Haradinaj dhe qeveria e tij i kanë kaluar dhjetë ditët e para duke u përballur me çështje të ndryshme, si kufijtë shtetëror, zhvendosjen e banorëve, e madje edhe me rrezikun nuklear që po e paraqet Korea e Veriut. Këto janë disa prej zhvillimeve kyçe të qeverisë së re në dhjetë ditët e para.

Shkarkoi komisionin për demarkacion

Dita e parë (11 shtator) nisi me një hap që nuk e befasoi askënd. Kryeministri i ri e shkarkoi komisionin shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi – këtë kërkesë Haradinaj i’a kishte bërë vazhdimisht ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Haradinaj tani e ka caktuar Shpejtim Bulliqin si udhëheqës të ri të  Komisionit Shtetëror për Demarkacion. Bulliqi, ish-deputet në kuvendin e Kosovës, njihet si kundërshtues i punës së komisionit të kaluar. Për këtë çështje ai madje votoi edhe kundër partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjatë fushatës zgjedhore, Haradinaj premtoi se kosovarët do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen brenda tre muajve të parë të mandatit të tij. Megjithatë, për t’u mundësuar kjo, njëri prej kushteve të Bashkimit Evropian është zgjidhja e çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që po duket të jetë proces tejet i ndërlikuar.

Çështja e demarkacionit është përfshirë në shumë në debate politike gjatë dy viteve të fundit. Haradinaj ka qenë i zëshëm kundër kësaj marrëveshjeje. Sa ishte pjesë e opozitës, ai ngulte këmbë se 8,000 hektarë të tokës së Kosovës do t’i ipeshin Malit të Zi po të kalonte marrëveshja e demarkacionit. Tani si kryeministër Haradinaj ka konfirmuar se janë duke punuar për ta bindur Malin e Zi që ta rinegociojë marrëveshjen origjinale e cila u arrit me 25 gusht, 2015, që tashmë është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi.

I çoi gazetarët përsëri në shkollë

Deri të enjten (14 shtator) pasiguria e këtij procesi dhe afati tre-mujor me sa dukej i dhanë kokëdhimbje Haradinajt, e kjo bëri që ai të tregonte pak muskujt e tij me gazetarë. Në një konferencë për shtyp, Haradinajt i humbi durimi kur një gazetare e pyeti për qëndrimin e ambasadës së SHBA-së rreth marrëveshjes së demarkacionit.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë. Problemi është i juaji. Nuk kam ndonjë koment”, reagoi ai, e më pas i këshilloi gazetarët duke thënë “shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi duke kërkuar nga Haradinaj “bashkëpunim e jo fyerje”. Për të ndihmuar me zbutjen e këtyre tensioneve, Haradinaj thirri një takim të hënën (18 shtator) me redaktorë dhe gazetarë për të diskutuar çështje që janë të rëndësishme për ta. Aty ai madje kërkoi falje. Shumë  gazetarë e refuzuan këtë ftesë, përfshirë këtu edhe kreun e AGK-së, Shkëlqim Hysenaj.

Vdekje të dyshimta në spital

Në ditën e parë pasi u emërua si Ministër i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se “do ta gjejë ilaçin për ta shëruar sistemin e shëndetësisë në Kosovë”. Por në ditët e tij të para në detyrë, Ismaili u përball me vdekjen e mistershme të katër personave brenda institucionit më të madh të shëndetësisë në vend, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ka dyshime se vdekjet erdhën si rrjedhojë e prodhimit të një gazi oksidol nga një kompani, Bubeari Komerc, që e furnizon QKUK-në me gazin oksidol (N20), e në fakt kjo kompani ka leje vetëm për ta importuar atë gaz. Sidoqoftë, rrethanat e rastit janë ende të paqarta dhe hetimet janë duke vazhduar. Me 14 shtator, Ismaili e dha një deklaratë nëpërmjet së cilës u zotua se do ta zbardhin rastin, si dhe i shpjegoi masat që i kishte ndërmarrë ministria për të garantuar një hetim të pavarur.

Akuza kundër Ministrit të Bujqësisë

Të mërkurën e kaluar (13 shtator), Ministri i ri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, u përfol të jetë përfshirë në keqtrajtimin e shqiptarëve të Kosovës që u krye nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës së vitit 1999. Sipas disa ish-fqinjëve të tij, të cilët rrëfyen për KTV, Rikalo dhe vëllai i tij njiheshin si keqtrajtues të shqiptarëve në lagjen Dardania në Prishtinë.

Këto akuza nxitën thirrje për shkarkimin e menjëhershëm të Rikalos. Partia opozitare Vetëvendosje lëshoi një deklaratë zyrtare nëpërmjet së cilës kërkuan shkarkimin e tij nga kjo pozitë. Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, sugjeroi të mbahej një interperlancë  në Kuvend për t’i diskutuar këto akuza.

Haradinaj reagoi duke bërë thirrje për qetësi dhe duke deklaruar se nuk ka dëshmi konkrete për keqtrajtim të shqiptarëve nga ana e Rikalos. Prokuroria Speciale e Kosovës ka lajmëruar se do t’i ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për t’i analizuar akuzat, por ende nuk është nisur një hetim zyrtar. Rikalo i ka mohuar të gjitha akuzat që janë paraqitur kundër tij.

Zgjidhje tjetër për krizën e vazhdueshme të energjisë elektrike

Në të njejtën ditë kur dolën akuzat kundër Rikalos, qeveria lajmëroi se kishte arritur një marrëveshje për shpronësim me banorët e Shipitullës në komunën e Obiliqit, dhe se kjo marrëveshje do t’u mundësonte atyre ta tejkalonin një krizë të mundshme të energjisë elektrike, meqë rezervat e thëngjillit janë shterur.

Ndonëse Kosova e ka rezervën e pestë më të madhe të linjitit në botë, përballet me probleme sa i përket qasjes në këto rezerva, meqë pjesa më e madhe shtrihet nën prona private. E vetmja mënyrë për të arritur te këto rezerva është duke i zhvendosur njerëzit nga shtëpitë dhe tokat e tyre, duke përshirë Shipitullën.

Një marrëveshje për shpronësim ishte arritur më parë me 30 gusht nga atëherë Kryeministri në largim, Isa Mustafa, por më pas dolën akuza që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po i shkel kushtet e marrëveshjes.

Me 12 shtator, Haradinaj mbajti takim me banorët në komunën e Obiliqit. Këta të fundit i shprehën shqetësimet e tyre se ekskavatorët e KEK-ut po i rrezikonin familjet e tyre duke mos qëndruar në perimetrin e caktuar brenda marrëveshjes: 250 metra larg pronave të tyre. Haradinaj deklaroi se do ta niste procesin e rivlerësimit të pronave dhe do të garantonte punësim për një anëtar të secilës familje, që do t’i prekej prona në Hade dhe Shipitullë – kjo kërkesë u bë nga banorët të cilët ishin të pranishëm në takim.

KTV raportoi se kryeministri kishte paralajmëruar se do të merreshin masa kundër atyre të cilët e kanë ngadalësuar procesin e shpronësimit në Hade dhe Shipitullë, ndonëse nuk dha hollësi për natyrën e këtyre masave. Kryeministri tha gjithashtu se zhvendosja e njerëzve do të bëhet sipas modelit në Hade – pavarësisht faktit se shumë është kritikuar mënyra e zhvendosjes së njerëzve në Hade, meqë shumë banorë vendas dhe grupe të shoqërisë civile argumentuan se u shkelën të drejtat e banorëve vendas.

Marrëdhënie fqinjësore

Shfaqja e një filmi të sponzoruar nga shteti serb para ambasadorëve të shteteve anëtare të UNESCO në Qendrën Kulturore Serbe në Paris bëri që zyra e Kryeministrit të aktivizohet të shtunën (16 shtator), duke dhënë deklaratë nëpërmjet së cilës e dënuan përmbajtjen e filmit si fyese dhe pjesë e “përpjekjeve të vazhdueshme për ta denigruar shtetin e Kosovës”. Kreu i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë dhe Metohijë në qeverinë serbe, Marko Djuric, e përshkroi reagimin si “çmimi i parë i madh për filmin”.

Pavarësisht këtij shkëmbimi armiqësor që në fillim të mandatit, qasja e Haradinajt me shtete fqinje nuk duket se do të jetë aq më ndryshe nga qasja e qeverisë së kaluar. Në vizitë te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vet kryeministri konfirmoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk ka alternativë”, sllogan i përsëritur vazhdimisht nga qeveritë e kaluara. Në të kaluarën, kur ishte në opozitë, Haradinaj e kishte pozicionuar vetën si kundërshtues të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e etiketuar si “proces të dështuar”.

Foto kryesore nga Zyra e Kryeministrit.