Në periferi të Prishtinës gjendet një objekt gjigant i rrethuar me sipërfaqe të rrafshtë e cila nuk ka gjë tjetër pos barit. Pjesërisht në pronësi të Komunës së Prishtinës në njërën anë dhe të kompanisë së ngohtores publike Termokos në anën tjetër, ky objekt për vite me radhë ka qenë i zbrazët.
Ky vend do të kishte mundësi të mëdha komerciale nëse do të privatizohej. Gjëja e parë që na vjen ndërmend është një qendër e madhe tregtare, me një hapësirë të përshtatshme për parking; dhe mbase me një kafaz me dy-tre arinj të murmë si atraksion për vizitorë.
Megjithatë, diçka e pazakontë ka ndodhur. Diçka që sipas standardeve aktuale të mendësisë qeveritare —sipas standardeve të rëndomta të Prishtinës — është e paimagjinueshme, e pakapshme: Objekti nuk u privatizua. Nuk ka qendër tregtare! Nuk ka arinj të trishtë apatikë! Bari aty vazhdon të rritet— me gjithë blerimin e tij!
Pse në këtë rast nuk u vunë në funksion procedurat standarde të mbushjes së xhepave? Çka shkoi mbrapsht?
Në vend të kësaj, disa të rinj e pushtuan këtë vend dhe atë dëshirojnë ta shndërrojnë në një hapësirë për takime shoqërore e kulturore. Ata thonë se dëshirojnë t’u ofrojnë të rinjve diçka që ata vetë nuk kanë pasur në rininë e tyre: Një vend ku njerëzit u ndihmojnë të tjerëve pa ndonjë leverdi financiare, dhe gjithçka që kërkohet është që hapësira të shfrytëzohet për t’u kalitur si qenie njerëzore.
Këtë vend ata e quajnë Termokiss — vendi i cili dikur njihej si ‘Termokos’ (Termo-ngrohje, Kos-Kosova), tani u shndërrua në puthje (megjithëse platonike) të ngrohtë.
K2.0 shkoi për t’ia hedhur një sy kësaj hapësire, dhe për ta analizuar këtë ide të re – se rinia dhe kultura janë më të rëndësishme se leverdia.
Le të rrjedhin idetë
“Edhe jena lodhë prej këtyne ndikimeve kulturore që është tu i pru kafiqi”, thotë Nikki Murseli, arkitekte me profesion, dhe pjesë e komunitetit Termokiss.
“Diqysh me dal krejt ditën edhe me nejt në kafe, është një send që e kena bo krejt edhe që hala e bajnë. Është thjesht shpenzim i kotë i kohës, mu ulë katër orë me bo një vo edhe veç me pi një cigare edhe me nejt me një vend”, vazhdon ajo, e pakënaqur.
“Edhe çka po dojmë është diçka ma ndryshe. Jo diçka ma ndryshe që nuk e ka pa bota, po diçka ma ndryshe për [Kosovën] – sepse bota ka ecë moti përpara me këtë send; na kena mbetë kogja përmas”.
Termokiss është hapësirë shoqërore, por përtej kësaj vështirë se mund të jepet një definicion konkret për shkak se është një koncept që ndryshon në vazhdimësi, që formësohet nga idetë e njerëzve të cilët shkojnë në këtë vend. Kjo hapësirë mund të shërbejë për ekspozita artistike, shfaqje filmash, si bibliotekë e vogël, për ngjarje kulturore, mbrëmje muzikore, ngjarje bamirësie, ligjërata, shkëmbime përvojash, gara shahu a ping pongu – nuk ka gjë që s’mund të bëhet në këtë hapësirë.
"Diqysh me dal krejt ditën edhe me nejt në kafe, është një send që e kena bo krejt edhe që hala e bajnë. Është thjesht shpenzim i kotë i kohës, mu ulë katër orë me bo një vo edhe veç me pi një cigare edhe me nejt me një vend”.
Ndërsa disa prej elementeve tashmë ekzistojnë, shpjegimi artistik i funksionimit praktik të Termokissit kur gjithçka të jetë gati do të ishte diçka e llojit: Një adoleshente, pasi t’i ketë futur gishtat në hundë, pasi ta ketë shikuar Facebook-un, dhe pasi të ketë kaluar nëpër të gjitha kanalet televizive, mërzitet dhe ia ngul sytë murit krejt e humbur. Përnjëherë i bie në mend një ide, vrapon te ndërtesa e Termokissit dhe bërtet, ‘EUREKA!’ Idenë e saj mund t’ua shpjegojë të tjerëve, dhe nëse ajo mbështetet nga të tjerët, secili do ta luajë rolin e vet që ajo ide ta shohë dritën.
Njomza Dragusha, studente e inxhinierisë mjedisore e cila ka qenë aktive në këtë projekt që nga fillimi, thotë se aryseja kryesore për zhvillimin e kërij shpirti të ri në Prishtinë është të përfshihen dhe të zbulohen talentët e ri në Kosovë, sidomos ata të cilët duhet t’i heqin të zitë e ullirit për të marrë mbështetjen e institucioneve dhe të organeve tjera.
“Hapësira sociale ose qendra sociale është super e hapur për çdo lloj ideje”, shpjegon ajo. “Tash ky komunitet, i cili veç që është tu punu gjithmonë mundohet mu zgjeru. Nëse një person tjetër vjen me një ide të tij, dhe nuk i ka kushtet e mjaftueshme për me zhvillu atë, e prezanton idenë e vet këtu edhe mandej krejt ky komunitet që është brenda në hapësirë vullnetarisht ka mu mundu me i’a zhvillu idenë [atij] personi”.
Për njerëzit që ndihen ndryshe, për ata që thjesht kanë nevojë për një vend për tu shoqëruar dhe ndihmuar, Termokiss përpiqet të jetë ai vend social që përmbushë këto nevoja njerëzore dhe ndihmon të rrjedhin idetë. “Fundi i fundit nuk ka nevojë diçka konkrete, mjafton mu shprehë edhe me gjet veten, edhe mu përfshi me një komunitet të ri i cili i pranon të gjitha mënyrat qysh ti mundesh me ekzistu”, thotë Dragusha.
Si në të gjitha vendet ku ndodhin socializimet dinamike, Murseli beson se në Termokiss mund të kalitesh si qenie njerëzore dhe të mësosh shkathtësi e vlera të cilat janë të domosdoshme në jetë; besimi, toleranca, ballafaqimi me sfida e probleme, vetëdijësimi shoqëror në lidhje me veten dhe të tjerët si dhe me aftësitë e kufijtë individualë. Dhe gjithçka është gratis, shton ajo!
“Jemi tu u mundu me pru qat ide, qat ndjenjën e integritetit, ndjenjën e të qenit bashkë”, thotë ajo. “Jo veç si individa që dalin me pi kafe edhe ulen me një vend. Se kur vjen këtu nuk është që ti mu njoftu veç me personin që e ki lanë me dalë me pi kafe. Unë sa herë që vi këtu e njoftoj një njeri të ri, sa herë vi qitu unë mësoj diçka të re. Edhe mësoj jo veç prej muhabetit, po edhe prej të bameve”.
Në një kafeteri do të ishte e çuditshme të shkosh dhe papritmas ta prezantosh veten para njerëzve të ri; në Termokiss do të ishte e çuditshme nëse nuk njoftohesh dhe nuk shoqërohesh.
Zhvillimi i konceptit
Ideja burimore e Termokissit lindi nga një projekt i ngjashëm në Bruksel, të quajtur Allee Du Kaai; pushtimi i përkohshëm i hapësirës, e hapur gjashtë ditë në javë, u implementua nga organizata ndërkombëtare Toestand, një OJQ belge e cila është e specializuar në rimëkëmbjen e objekteve të braktisura.
Në Allee Du Kaai, gjithmonë ka ndonjë aktivitet, siç janë punëtoritë, ekspozitat e koncertet, shpjegon artisti i pavarur grafik Gigi Lougy i cili punon me organizatën Toestand — njerëzit madje vinë dhe sjellin gjëra të cilat pastaj u jepen si donacione refugjatëve në qytet. “Është si një vendtakim i ndërmjetëm”, shpjegon ai. “Njerëzit dhurojnë gjëra që nuk u duhen, përfshirë edhe para, por këta njerëz të mirë duhet të gjenden dhe t’u tregohet se çka duhet të bëjnë”.
Pas suksesit të Allee Du Kaai, organizata Toestand vazhdoi të kërkonte një lokacion tjetër për projektin e tyre të ri. Pasi dëgjuan për Prishtinën nga kosovarët që jetojnë në Bruksel, ata morën vendim. “Po ju tregojmë pak se si mund të bëni gjëra pa para, pa buxhet”, thotë ai. “Sepse këto gjëra mund të bëhen me material të rimëkëmbur, nëse ke mjaft kohë, kontakte të mira, nëse mund të gjesh dru dhe shumë materiale tjera. Dhe njerëzit duhet t’i ndihmojnë njëri-tjetrit për t’i bërë gjërat [të ndodhin]”.
Për ta nisur këtë projekt, ata kontaktuan Info Quartier Mache, organizatë zvicrane, dhe së bashku u takuan me njerëzit nga Prishtina Architecture Week — dhe pikërisht kështu lindi një projekt i ri: Toestand Mache Prishtina.
Studentja e inxhinerisë mjedisore, Njomza Dragusha, së bashku me studentët e arkitekturës Krenare Junikun dhe Donald Alimin, u angazhuan në identifikimin e lokacionit dhe përgatitjen e punës në terren për revitalizimin e kësaj strukture. “Edhe ideja e projektit ka qenë që ajo hapësirë kur të rivitalizohet gjithsesi ka me i’u lanë qytetarëve”, thotë Dragusha. “Kështu që mënyra ma e lehtë për me i’a lanë qytetarëve është nëse na në këtë hapësirë nuk pagujmë qira. Shumica e hapësirave ose objekteve publike janë të zaptume te na në Kosovë, edhe mandej ke shumë problem me zgjedhë atë far procesi”.
Për temë diplome Juniku e kishte shkruar një libër për hapësirat e braktisura publike në Kosovë, i cili gjithashtu përfshinte informata për ndërtesën e Termokosit. Dragusha thotë se kishin pasur ëndrra të mëdha për revitalizimin e kësaj hapësire, dhe duke e ditur statusin dhe potencialin e saj, e zgjodhën si opsion më të përshtatshëm.
“Toka si parcelë, i takon komunës së Prishtinës, ndërsa kjo strukturë është e ndërtume prej Termokosit edhe mënyra ma logjike edhe ma e drejtë për me i’u qasë kësaj ka qenë me folë me të dy palët”, thotë Dragusha. Zyrtarëve të Termokosit u kishte pëlqyer ideja, kujton ajo, por ata donin leje nga Komuna e Prishtinës e cila, në anën tjetër, kërkonte miratimin e Termokosit.
“Ka shku procedura shumë ngadalë, sepse edhe drejtoresha e departamentit të kulturës [në Komunën e Prishtinës] nuk e merrke këtë punë me seriozitet”, thotë Dragusha. “Por me intervenime të ndryshme, na tu bo presion kena arritë me marrë këtë leje të [përkohëshme]”.
Pjesëtarët e komunitetit i thanë K2.0 se me ta vizituar Termokissin zyrtarët e Komunës së Prishtinës u zotuan se do ta mbështesin këtë nismë, megjithëse duhet pritur që ata ta lëshojnë lejen e përhershme për shfrytëzimin e hapësirës. Gjithçka që komuniteti i Termokissit mund të bëjë tani për tani është të shpresojë se diçka më fitimprurëse ose “nevoja thelbësore” për privatizim nuk do ta përmbysë qëllimin e tyre.
Të mësosh duke vepruar
Pas gjetjes së lokacionit, u desh një buxhet i vogël që gjërat të marrin kahje të duhur. Në anën tjetër të Evropës, gjatë kampionatit të futbollit Euro 2016, Toestand vendosi një ekran të madh në qendër të Brukselit dhe shiti birra — fituan 8,000 euro, mjaftueshëm për ta revitalizuar strukturën.
Rreth 40 vullnetarë nga Brukseli dhe Zvicra udhëtuan me autobusë për në Prishtinë në korrik të vitit të kaluar dhe filluan të bënin punë ‘hipsterësh’, të cilëve u erdhën në ndihmë njerëzit nga Kosova. “Gjetëm një ndërtesë të boshatisur pa kulm e cila shfrytëzohej nga përdoruesit e drogës”, thotë Lougy. “Vendosëm dysheme, vendosëm dritare, vendosëm kulm dhe krijuam kushte elementare për ta shfrytëzuar këtë hapësirë. Dhe tash e tutje njerëzit nga Prishtina mund të vazhdojnë me atë që ne filluam, dhe mund të nxjerrin diçka të mirë, kismet”.
Si me çdo ide tjetër sociale, rruga nuk ka qenë e shtruar me lule. Që kur u hap kjo hapësirë më 16 korrik, ajo është vandalizuar tri herë, duke bërë që Lougy të kthehej përsëri në Prishtinë, së bashku me bashkëshorten e tij dhe Louke Loco dhe salduesin Loic Welder, për t’i rregulluar dyert dhe për ta siguruar vendin.
“Tani më duhet të jem i sinqertë, janë disa njerëz që neve na u dukën shumë të mirë”, thotë Lougy, duke iu referuar disa të rinjve të cilët, sipas tij, e kishin vandalizuar hapësirën. “Një ditë pasi shkuam ata hynë dhe vizatuan shenja nacistësh gjithandej. Ne u dhamë një mundësi, i mirëpritëm, u thame se mund të vinin këtu: ‘Nuk ka problem, e shohim që jeni nacistë, por ne do t’ju ofrojmë një mundësi’. Por ata na e ngulën thikën pas shpine”.
Hera e parë kur hynë me forcë u vodhën shumë gjëra, ndërsa muret u shkarravitën (gabimisht) me simbole naciste. Hera e dytë dhe e tretë ishin më shumë vetëm për ta vandalizuar hapësirën, Sipas pjesëtarëve të komunitetit Termokiss, vandalizimi nuk ka lidhje me ideologjinë naciste, por me disa çuna që bëjnë sherre.
Nismëtarët e kësaj ideje të parët e pranojnë se ka hapësirë për përmirësim, dhe gjithmonë i mirëpresin kritikat të cilat u ndihmojnë të mësojnë gjëra. Duke folur për kohën e shkurtë të kaluar në Prishtinë, Lougy thotë se ka hasur në tendenca “për të thënë shumë, e për të bërë pak”. “Ka shumë ide të mira, shumë komente të mira, por duhet ta bësh atë që e thua”, thotë ai. “Ky është arti i njëmendtë… Nëse bën kështu, do të jesh më i miri”.
Ai gjithashtu sugjeron se në disa raste u desh ndryshimi i mendësisë për të përvetësuar një mënyrë tjetër të të vepruarit. “Duhet të mësohesh të punosh pa pagesë, se nuk është krejt te paraja; nëse punon, kënaqesh dhe kjo të bën të lumtur. Paraja nuk do të të bëjë të lumtur por kënaqësia është të bësh diçka për të ndihmuar në një projekt, i cili shndërrohet në një vend ku secili mund të vijë dhe ti je pjesë e tij. Shpresoj që njerëzit këtu mund ta ndjejnë këtë”.
Lougy thotë se duhet punuar drejt zhvillimit të një komuniteti më proaktiv. “Fqinjët kaluan këndejpari duke pyetur se çka po ndodhte aty”, shpjegon ai. “Plani ishte ta organizonim një takim informues me ta, por kjo kurrë nuk ndodhi”.
Tash për tash Termokissi po funksionon pa ujë, pa rrymë e kanalizim, duke e vështirësuar projektin dhe duke e pamundësuar organizimin e të gjitha ngjarjeve të cilat komuniteti do të dëshironte të ndodhnin; ka plane për organizimin e ngjarjeve për mbledhjen e fondeve, ku donatorët potencialë do të vinin dhe të njoftoheshin me vizionin dhe konceptin e kësaj hapësire, dhe, me shpresë, të japin donacione për të krijuar kushte elementare për organizimin e shumë ngjarjeve.
“Në fillim kur shkon diku dhe bën gjëra, bën edhe gabime, por nxjerr mësime, dhe rimëkëmbesh e bëhesh edhe më i fortë dhe më i mirë gjithnjë".
Lougy beson se të gjitha këto probleme janë sprova nga të cilat komuniteti do të nxjerrë mësime. “Secili projekt si ky tani është si një foshnje e cila ende nuk ka lindur” thotë ai. “Në fillim kur shkon diku dhe bën gjëra, bën edhe gabime, por nxjerr mësime, dhe rimëkëmbesh e bëhesh edhe më i fortë dhe më i mirë gjithnjë. Dhe nuk je në dijeni se ku do të të çojë ky projekt, por gjithçka do të shkojë mirë, nëse tema është e mirë, nëse gjen njerëz të duhur, gjithçka mund të marrë kahje të duhur. E unë besoj se ka shumë njerëz të motivuar të cilët mund t’i bashkohen ekipit”.
Një person i tillë është studenti i psikologjisë Endrit Jashanica i cili fillimisht u përfshi në këtë projekt kur një mik i tij e ftoi dhe i kërkoi një sharrë për të prerë dru për ta bërë ndërtesën më të sigurtë. “Thjesht erdha këtu dhe pruna sharren, dhe pashë tre njerëz tu punu. Ishin Lougy, Louke dhe Loic”, kujton ai. “U inkuadrova me ta dhe fillova me punu çdo ditë për tre a katër orë”.
Edhe pse nuk kishte shkathtësi të mëhershme në punët e dorës, ai ishte i vendosur të vazhdojë për shkak të atmosferës së mirë që e gjeti aty. “Vullneti për me ndreqë diçka të mirë për këtë vend më dha energji të mirë përderisa e di që ka me shku me një rrugë të duhun për këtë qytet edhe për këtë komunitet, një hapësire për kulturë, për art, për socialitet”, thotë ai, para se t’i ftonte edhe të tjerët që të bëhen pjesë e këtij projekti, edhe nëse nuk besojnë se kanë ndonjë shkathtësi të caktuar.
Një person tjetër është arkitektja Murseli, e cila përveç rolit të saj në Termokiss, ka edhe punë të rregullt. Ajo thotë se është pjesë e kësaj nisme sepse ndjen përgjegjësi për të lënë trashëgimi për gjeneratat e reja, diçka që gjenerata e saj nuk ka pasur.
Tani për tani, shton ajo, njerëzit të cilët vinë në takimet dhe ngjarjet e Termokissit po shtohen dita-ditës. “Diqysh ky është vend për ta [adoleshentët]”, thotë Murseli, e cila është në të njëzetat e vonshme. “Ata e kanë qat energjinë e tepërt që po dojnë me qit dikund, se na mo kena hy nëpër punë e kena bo sende. Po thjesht e ni si përgjegjësi me ndihmu, që motra jeme ose vëllau jem ose djali i halles me pasë një vend ku munden me ardhë edhe me pasë diçka çka na nuk e kemi pasë”.
Por, Termokissi është ende foshnje, është koncept i ri, dhe njerëzit e Prishtinës mund të ngurrojnë të përfshihen në gjëra të reja dhe qarqe shoqërore. Andaj, Murseli, e cila për pesë vitet e fundit ka jetuar dhe ka studiuar në Itali, e di se do të nevojitet shumë mund që të përçohet mesazhi. “Pak je tu bërtit me një vend të shurdhët”, thotë ajo. “Për qata duhet me i dhanë pak ma shumë zor për me ta ndi ushtimen”.
Udhëtimi drejt së panjohurës
Hapësira e cila dikur rrethohej me katër mure të ftohta, plot shiringa, bar të egër e kutërbim urine, tani u shndërrua në një vend të këndshëm shoqërimi. Nëse dikush papritmas, apo nga ndonjë interes personal, do të vendoste të jepte donacion të nevojshëm për ta përfunduar këtë hapësirë deri në gozhdën e fundit, Termokissi do ta humbte një pjesë thelbësore të filozofisë dhe hijeshisë së vet.
Nuk pritet që ky vend të jetë gati brenda ditës; ideja është që vendi të zhvillohet. Dhe derisa Termokissi po formësohet, dhe po e gjen veten dhe origjinalitetin e vet, komuniteti i tij gjithashtu po bën një rrugëtim paralel me të. Personat mësojnë për vlerat e miqësisë, punës, sinqeritetit, mirësjelljes e besnikërisë si pjesë e një komuniteti i cili nuk ka për qëllim të jetë ekskluziv, por i hapur, i durueshëm, mirëpritës, dhe thjesht pjesë e një vendi mikpritës social.
Por të jemi të sinqertë, megjithëse vendi është i hapur për secilin që dëshiron të jetë pjesë e tij, pikëpamjet e komunitetit janë liberale — nëse tërë jetën të kanë bombarduar me paragjykime ndaj të ndyshmes, koncepti i zhvillimit njerëzor përtej përfitimeve është kafshatë që gati s’kapërdihet.
Ja kjo, ja një qendër tregtare!K
Termokiss do të mbajë koncert për mbledhje të fondeve të premtën, me 7 tetor.
Fotografitë: Fikret Ahmeti.
Shum mire iniciativa, po a ka pak lidhje edhe vendi? a e dini qe zhurma qe prodhohet ne ate objekt krejt lagjen perreth e trazon?! fatkeqsisht me peticioni kjo iniciative ose ka mu ndryshu mu bo pa zhurme ose kane me u largu prej aty!