S`fundmi | Drejtësi

Thaçi e Veseli akuzohen për krime lufte

Nga - 24.06.2020

Presidenti dhe kreu i PDK-së akuzohen për 'afër 100 vrasje'.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, janë akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se dy muaj më parë, më 24 prill, ka ngritur aktakuzë kundër Thaçit, Veselit, dhe të tjerëve — të cilëve nuk iu ka përmendur emrat —  në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në një komunikatë për media u shpjegua se vendimi për publikimin e lajmit në këtë kohë vjen si pasojë e një “fushate të fshehtë” të Thaçit e Veselit për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës dhjetëpikëshe, Thaçi, Veseli dhe të tjerët dyshohet se kanë kryer “një mori krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”. Zyra e Prokurorit të Specializuar shtoi se krimet e pretenduara “përfshijnë qindra viktima shqiptare, serbe, rome e të etnive të tjera të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë”.

Gjithsej, pretendohet se të akuzuarit janë penalisht përgjegjës për “afër 100 vrasje”.

Edhe pse prej kohësh ka pasur zëra se Thaçi e Veseli do të mund të akuzoheshin pas përmendjes që iu ishte bërë nga “Raporti i Dick Marty-t” në Këshillin e Evropës në vitin 2011, është hera e parë që dy ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zyrtarisht janë përfshirë në procese gjyqësore.

Aktualisht, aktakuza po shqyrtohet nga një gjyqtar i procedurave paraprake të Dhomave të Specializuara, i cili do të vendosë nëse do t’i konfirmojë ato.

Në njoftimin për media të bërë të mërkurën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u theksua se aktakuza është ende vetëm “një padi penale”, por se rezultoi pas një “hetimi të gjatë” dhe besimit se “të gjitha akuzat mund të provohen pa asnjë dyshim”.

Ky zhvillim vjen në një kohë të ndjeshme sa i përket qeverisjes së brendshme, ashtu edhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Koalicioni i ri qeveritar i udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së ka filluar punën para vetëm tri javësh, kur pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit zëvendësoi qeverinë e zgjedhur rishtazi, që udhëhiqej nga Albin Kurti i Vetëvendosjes. Administrata e Hotit u formua në rrethana të diskutueshme pasi Gjykata Kushtetuese mbështeti dekretin e presidentit Thaçi përmes së cilit mundësohej formimi i një qeverie të re pa shpallur zgjedhje të reja.

Presidenti i Kosovës ishte në prag të takimit me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor për të rifilluar bisedimet në mes të dy shteteve fqinje. Për rreth një dekadë, BE-ja ka lehtësuar një proces të ngathët dialogu në të cilin nën presidencën e Donald Trampit, SHBA-ja ka shprehur interesim urgjent për t’u përfshirë, duke nxitur kështu tensione transatlantike.

Riçard Grenell, i dërguari special i Trampit për dialogun Kosovë-Serbi, në mbrëmjen e së mërkurës shkroi në Twitter se Thaçi ishte tërhequr nga pjesëmarrja në takimin e planifikuar dhe se do të zëvendësohej nga kryeministri Hoti.  

Reagimet

Presidenti Thaçi ende nuk ka bërë ndonjë deklarim publik, ndërsa të mërkurën në mbrëmje Veseli mbajti një konferencë për media në të cilën u shpreh se njoftimi i Prokurorit të Specializuar ishte “politikisht i motivuar” duke iu referuar kohës kur u lëshua njoftimi, vetëm pak ditë para vizitës së planifikuar të Thaçit në Shtëpinë e Bardhë.

Kreu i PDK-së përsëriti mohimet e tij të mëparshme se ishte i përfshirë në krime të luftës dhe mbrojti vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai gjithashtu tha para gazetarëve se akuzat e bëra për pengim të punës së gjykatës janë të pabazuara.

Në dhjetor 2018, deputetët e PDK-së ishin në mesin e atyre që në momentin e fundit tentuan të shfuqizonin legjislacionin për Dhomat e Specializuara, gjë që pas një kundërshtimi të fuqishëm ndërkombëtar rezultoi pa sukses. Një përpjekje e tillë e radhës në muajt në vazhdim sërish dështoi.

Megjithatë, në njoftimin e shkurtër të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Special ishte e paqartë nëse pretendimet për ndërhyrje në drejtësi i referoheshin këtij manovrimi historik, si dhe Zyra refuzoi të ofrojë më shumë informacion lidhur me këtë gjë.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj publikoi një deklaratë në rrjetet sociale, përmes së cilës mbështeti Thaçin e Veselin dhe “luftën e pastër” të UÇK-së. Haradinaj ka përvojë personale me gjykatën;në qershor 2019 kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi ishte thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.   

Në një intervistë të dhënë për emisionin DESKU të KTV-së, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes tha se për nga aspekti i shtetësisë së Kosovës, njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar është i dëmshëm. “Këtë lajm e marrim si shtet; Thaçi mban pozitën më të lartë shtetërore, andaj kjo natyrshëm është e dëmshme për çdo proces në Kosovë”, tha ai.

Në kohën kur u bë publik njoftimi, nuk pati asnjë deklaratë publike nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë në lidhje me aktakuzën kundër presidentit të Kosovës.

Temë e ndjeshme

Që prej disa vitesh, Dhomat e Specializuara kanë qenë temë e vazhdueshme diskutimi e polemikash, duke rënduar gjatë mbi politikën e Kosovës.

Ky mekanizëm gjyqësor u themelua nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar dhe kërkonte ndryshime kushtetuese e legjislacion të ri. Në gusht 2015, deputetët aprovuan ndryshimet ligjore pas disa muajve të kundërshtimeve. U deshën edhe dy vite të tjera për funksionalizimin dhe fillimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Me seli në Hagë të Holandës, Dhomat e Specializuara veprojnë nën ligjin e Kosovës, edhe pse financohen nga BE-ja dhe kanë staf ndërkombëtar. Ato janë të bashkëngjitura në secilin nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë mandat të veçantë për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.    

Juridiksioni i tyre mbulon krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës sipas ligjit ndërkombëtar, si dhe krimet nën ligjin e Kosovës që ndërlidhen me raportin e Dick Marty-t. Këto të fundit janë pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Akuzat e drejtuara ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjithmonë kanë përbërë një tematikë të ndjeshme.

Pak javë më parë, kreu i Vetëvendosjes dhe në atë kohë kryeministri Albin Kurti shkarkoi këshilltarin e tij, Shkëlzen Gashin, pasi ai foli publikisht rreth dyshimeve për krime të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së dhe nevojës për adresimin e tyre.

Shumica e partive politike dhe shumë qytetarë janë skeptikë kundrejt Dhomave të Specializuara, duke i konsideruar si imponim të padrejtë ngase gjykojnë vetëm pretendimet për krimet e kryera nga shqiptarët kosovarë, dhe jo edhe ato nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Megjithatë, organizata që punojnë në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe personave të zhdukur, si Fondi për të Drejtën Humanitare, kanë mirëpritur themelimin e këtij mekanizmi gjyqësor, duke e cilësuar si shenjë të maturisë së vendit për t’u përballur me të kaluarën e vet të dhimbshme.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Deklarata e Zyrës së Prokurorit të Specializuar

Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.