Në thelb | Dhomat e Specializuara

Thaçi jep dorëheqje nga posti i presidentit

Nga - 05.11.2020

Konfirmohen aktakuzat ndaj figurave te larta politike.

Hashim Thaçi ka shpallur dorëheqjen si president i Kosovës pasi njoftoi që është konfirmuar një aktakuzë për krime lufte ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

Gjatë një konference për shtyp të enjten (më 5 nëntor), Thaçi ka thënë se dorëheqjen po e jep për ta mbrojtur integritetin e Kosovës. “Siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi, i cili gjithmonë ka mohuar fuqishëm pretendimet ndaj tij, u zotua se do ta dëlirë emrin e vet dhe ftoi të ketë reagim të matur. “Kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, dhe kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar,” ka thënë ai.

Konfirmimi i aktakuzës së Thaçit nga një gjykatës paragjyqësor në Dhomat e Specializuara vjen pas konfirmimit të aktakuzave kundër politikanëve të tjerë të profilit të lartë në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë pasardhësin e Thaçit si drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli.

ZPS-ja ka zbuluar në qershor se janë ngritur aktakuza ndaj Thaçit, Veselit dhe anëtarëve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në lidhje më “një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasjen e paligjshme, zhdukjen e detyruar të personave, përndjekjen dhe torturën”.

Ç’janë Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Me seli në Hagë të Holandës, Dhomat e Specializuara veprojnë me ligjin e Kosovës, edhe pse financohen nga BE-ja dhe kanë personel ndërkombëtar. Ato janë të lidhura me secilin nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë mandat të caktuar për t’i hetuar krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës në periudhën prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Juridiksioni i tyre mbulon krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës nën ligjin ndërkombëtar, si dhe krimet nën ligjin e Kosovës që lidhen me raportin “Dick Marty” — këto janë krime të pretenduara që janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë dhe menjëherë pas saj.

Dhomat e Specializuara kanë qenë temë e vazhdueshme diskutimi dhe polemike në Kosovë për vite me radhë dhe kanë bërë hije mbi skenën politike të Kosovës.

Ky mekanizëm gjyqësor është formuar me trysni të madhe ndërkombëtare dhe ka kërkuar ndryshime në Kushtetutë dhe legjislacion të ri. Deputetët kanë miratuar ndryshimet ligjore në gusht 2015, disa muaj pasi fillimisht i kishin refuzuar, por u deshën edhe dy vite të tjera që të funksionalizoheshin Dhomat.

Sipas ZPS-së, krimet e dyshuara përfshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. ZPS-ja po ashtu ka thënë se krimet e dyshuara përfshijnë përgjegjësinë penale për “afërsisht 100 vrasje të paligjshme”.

Ish-kreu i Shërbimit të Inteligjencës të Kosovës (ShIK) Kadri Veseli nxori një deklaratë të enjten në mëngjes ku njoftoi se ka vendosur të tërhiqet “nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces” pas konfirmimit të aktakuzës së tij nga Dhomat e Specializuara. Ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se e respekton plotësisht autoritetin e gjykatës dhe se do të shkojë vullnetarisht në Hagë që “më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve”.

Të martën, Jakup Krasniqi — ish-anëtar i shtabit dhe zëdhënës i UÇK-së, si dhe më vonë kryetar i Kuvendit të Kosovës — është arrestuar pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në Prishtinë. ZPS-ja ka lëshuar një deklaratë ku konfirmohet arrestimi i Krasniqit, duke shtuar se ai “është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DhSK”), në Hagë”.

Rexhep Selimi — një tjetër ish-anëtar i shtabit të UÇK-së dhe kreu i tanishëm i grupit parlametar të Vetëvendosjes — ka njoftuar të mërkurën se është konfirmuar një aktakuzë kundër tij. Selimi ka thënë se do të udhëtojë vullnetarisht për në Hagë për t’u përballur me akuzat dhe do të kthehet në Kosovë “me kokën lart”.

Dorëzimi i pushtetit

Mandati presidencial pesëvjeçar i Thaçit do të përfundonte në prill 2021, por pasi u shpallën akuzat kundër tij në qershor, ai premtoi se do të “jepte dorëheqje menjëherë” nëse ato konfirmohen.

Duke folur para ndërtesës së Presidencës të enjten në mëngjes, ai u tha gazetarëve: “Për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Eksperti i ligjit kushtetues Vigan Qorrolli thekson se një vendim i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2010 përkufizon “dorëheqjen” si vepër përfundimtare dhe të pakthyeshme.

Osmani mori pjesë në një ceremoni pranim-dorëzimi në Presidencë pasditen e së enjtes.

Pas dorëheqjes së Thaçit, qeveria e Kosovës lëshoi një deklaratë të shkurtër ku thuhet se “kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë tranzicion të qartë të ushtrimit të përgjegjësive pa krijuar vakum institucional”.

Sipas kornizës kushtetuese të Kosovës, dorëheqja e presidentit do të thotë që kryetari i Kuvendit të Kosovës — në këtë rast, Vjosa Osmani — bëhet ushtrues i detyrës së presidentit.

Osmani mori pjesë në një ceremoni pranim-dorëzimi në Presidencë pasditen e së enjtes dhe do t’u drejtohet mediave brenda ditës.

Në të kaluarën, ajo ka thënë se do t’i përmbushte detyrat kushtetuese të kërkuara nëse do të vinte puna të bëhej ushtruese e detyrës së presidentit. “Nuk do të kishte problem sepse marrëdhëniet e mia me partitë politike janë shumëfish më të hapura sesa ato të Thaçit”, ka thënë ajo për programin Desku të KTV-së më 13 tetor.

Neni 90 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të mbahet për më shumë se gjashtë muaj.

Qorrolli thotë se gjatë kësaj periudhe, Kuvendi duhet të zgjedhë një president të ri. Sipas Nenit 86 të Kushtetutës, presidenti zgjedhet me dy të tretat e shumicës së deputetëve të Kuvendit.

“Nëse nuk mund të zgjedhet një president i ri brenda këtyre gjashtë muajve, atëherë automatikisht shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”, ka thënë Qorrolli.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Raportimi nga Jack Butcher, Bekë Veliu dhe Tringë Sokoli.