Pikëpamje | Demokraci

Thaçi vendosë dialogun para demokracisë

Nga - 22.06.2018

Roli udhëheqës i Presidentit në fazën ‘finale’ do ta polarizojë më tej politikën kosovare

Këtë të dielë (24 qershor), Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vučić në Bruksel për raundin e parë të diskutimeve në të ashtuquajturën “fazën finale” të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të mërkurën (20 qershor), President Thaçi e njoftoi publikun nëpërmjet një konference për shtyp se kishte reaguar pozitivisht ndaj ftesës së dërguar nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë. Në atë ditë, ai gjithashtu e mbajti një takim me ambasadorët e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë – të gjitha këto shtete janë mbështetës të fuqishëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Thaçi tha në konferencën për shtyp se e parasheh një fazë “të vështirë” finale të dialogut dhe se shpreson të arrijë një kompromis me Serbinë. Megjithatë, ai nuk zbuloi hollësi të mëtejme në lidhje me temat që do të diskutohen.

Por, përderisa Thaçi po përgatitet për të arritur një “kompromis” me Serbinë, në Prishtinë, spektri politik është më i ndarë se kurrë. Ka mungesë konsensusi për dialogun dhe shumë zëra në Kuvendin e Kosovës e kundërshtojnë fuqishëm rolin e Thaçit, përfshirë këtu një prej partnerëve të koalicionit qeverisës, Nisma Social Demokrate.

Thirrjet për “konsensus” mund të kenë dominuar në fjalorin politik të politikës kosovare në muajt e fundit, por presidenti, qeveria dhe partitë e opozitës kanë bërë shumë pak për të arritur ndonjë marrëveshje – qoftë për ekipin negociues, apo më me rëndësi, për temat që duhet të diskutohen në Bruksel.

Si mund të zhvillojë një komb dialog me një komb tjetër nëse parimisht dështon të zhvillojë dialog të brendshëm?

Termet dialog dhe konsensus përbëjnë vlerat thelbësore të demokracisë, por po shihet qartë se të dyja po mungojnë në politikën bashkëkohore kosovare. Dhe rrjedhimisht shtrohet pyetja legjitime: Si mund të zhvillojë një komb dialog me një komb tjetër nëse parimisht dështon të zhvillojë dialog të brendshëm?

Dy ditë para takimit në Bruksel, nuk ka hollësi për temat që do të përfshihen, apo ndonjë kornizë kohore që na informon për atë se kur do të mbyllet dialogu me një marrëveshje “të obliguar ligjërisht”. Gjithashtu duket e qartë se Thaçi, do të krijojë pakënaqësi dhe polarizim të mëtejmë të forcave politike kosovare duke ia caktuar vetes rolin udhëheqës, pa ndërtuar një klimë të konsensusit politik apo shoqëror.

Kosova është demokraci parlamentare, por përfaqësuesit të cilët e përbëjnë Kuvendin e Kosovës po anashkalohen në këtë fazë finale. Sipas Nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti e përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, por presidenti nuk posedon autoritet politik për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura, të paktën pa autorizim nga Kuvendi i Kosovës. Më parë, dialogu është udhëhequr gjithmonë nga qeveria, përfshirë këtu kohën kur Thaçi ishte në rolin e tij të kaluar si Ministër i Punëve të Jashtme.  

Këtu nuk duhet të injorohet roli i komunitetit ndërkombëtar. BE dhe SHBA janë duke e rrezikuar procesin demokratik në Kosovë duke lejuar që udhëheqja e dialogut të merret përsipër prej individëve, në vend se prej institucioneve. Thirrjet e tyre për konsensus tani tingëllojnë të zbrazëta.

Gjatë viteve të pasluftës, komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht ka ligjëruar për domosdoshmërinë e respektimit të institucioneve dhe ndërtimit të një demokracie funksionale me ndarje të mirëfilltë të pushteteve. Por, anashkalimi i Kuvendit të Kosovës është pikërisht kundër frymës së kushtetutës së Kosovës dhe dëmton demokracinë dhe vlerat që i ka promovuar vazhdimisht BE-ja.

Heshtja e tyre në lidhje me udhëheqjen e dialogut nga ana e Thaçit është legjitimim i ndërhyrjeve dhe politikave me kokëfortësi dhe një leje e nënkuptuar për t’i shkelur institucionet e Kosovës.

Mësim i hidhët nga historia jo e largët

Më shqetësues është fakti se Kosova veç se ka parë shumë precedentë, ku demokracia është dëmtuar kur nuk është arritur konsensusi para nënshkrimit të marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare. Për shembull, marrëveshja në lidhje me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi u nënshkrua pa diskutim paraprak në Kuvendin e Kosovës apo spektrin e gjërë politik.

Rezultatet e kësaj mungese të debatit, u dalluan gjatë përpjekjeve për ta zbatuar marrëveshjen – me skena të dhunshme në Kuvendin e Kosovës që e dëmtuan reputacionin e kësaj demokracie të re – dhe marrëveshja e demarkacionit u miratua tek në prill 2018, gati tre vite pas nënshkrimit të saj.

Sjelljet e tilla politike vetëm do ta krijojnë një situatë ku do të ndërtohet një demokraci formale, ku termi ‘demokraci’ përfaqëson ato që mund të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Në fund, kur u miratua marrëveshja, u bë me minimumin e votave të nevojshme, pas presionit nga komuniteti ndërkombëtar dhe ndryshimit të qëndrimit të disa deputetëve në lidhje me këtë temë. Sjelljet e tilla politike vetëm do ta krijojnë një situatë ku do të ndërtohet një demokraci formale, ku termi ‘demokraci’ përfaqëson ato që mund të miratohen në Kuvendin e Kosovës dhe jo një formë të mirëfilltë demokratike të qeverisjes, ku njerëzit kanë mundësi ta shprehin vullnetin e tyre.

Mungesa e dialogut politik paraprak dhe transparencës i karakterizoi edhe marrëveshjet e nënshkruara për formimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, që nxitën protesta të mëdha nëpër Kosovë. Statuti që do ta përcaktojë Asociacionin/Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe është ende i pa draftuar, por tema e formimit të tij pritet të diskutohet në këtë fazë finale të dialogut.

Përfaqësues i popullit?

Aktualisht, vullneti i popullit, të paktën sa i përket përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Kosovës, është kundër idesë se presidenti duhet ta udhëheqë fazën e ardhshme të dialogut. Në Kuvend, kundërshtuesit e kësaj ideje janë më të shumtë në numër se mbështetësit e presidentit – përveç që po e kundërshtojnë partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe Partia Social Demokrate e Kosovës, kjo ide po kundërshtohet edhe nga Nisma.

Para se të udhëtonte për në Bruksel, Thaçi është dashur jo vetëm të vlerësojë se a është i aftë për ta përfaqësuar popullin e Kosovës, por edhe të angazhohej në një proces të themelimit të konsensusit dhe të një qëndrimit të unifikuar politik në lidhje me dialogun – siç është përshkrimi i detyrës së tij kushtetuese.

Ndonëse dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm, mbështetja e dialogut pa ndërtim të infrastrukturës së një konsensusi të brendshëm, është kundër parimeve të demokracisë që i ka avokuar perëndimi në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve.

Në vend të kësaj, ne kemi një president i cili me padurim pret thirrjen e Mogherinit për ta përfaqësuar Kosovën ne dialog, por nuk shpjegon se çfarë do të diskutohet, e madje shpeshherë e përshkruan dialogun thjeshtë si obligim ndërkombëtar.

Kosova dhe Serbia janë angazhuar në dialog prej vitit 2011, por procesi i normalizimit është dëshmuar si proces të cilit i mungon jo vetëm zbatimi i shumë marrëveshjeve – siç është theksuar në disa dokumente të BE-së, përfshirë këtu raportet e progresit – por edhe transparenca, që është aq jetike për shoqëritë e dy shteteve.

Ndonëse dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm, mbështetja e dialogut pa ndërtim të infrastrukturës së një konsensusi të brendshëm, është kundër parimeve të demokracisë që i ka avokuar perëndimi në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve. Në planin afat të gjatë, kjo vetëm sa do të kontribuojë në kultivimin e një kulture politike ku politikanët do t’i anashkalojnë institucionet dhe do ta dëmtojnë demokracinë kosovare për përfitime personale. Sjelljet e tilla politike veç se e kanë një histori. Rezultatet veçse dihen.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.