Plani ishte i thjeshtë. Arbitri do t’ia zinte pritën një anëtari të rangut të ulët të KIRN-it, nga i cili pastaj do ta mësonte vendndodhjen e kalemxhinjve. Mirëpo, edhe pse ky ishte vetëm një mision zbulimi dhe mbledhjeje të dhënash, ai prapëseprapë duhej të ishte i kujdesshëm sepse po shkonte pa implante dhe si i “verbër”.
Arbitri e parkoi veturën në një lagje banimi. Kishte arritur herët. Caku i tij nuk do të shfaqej edhe për ca kohë. Përbrenda veturës mund ta shihte pallatin ku banonte caku dhe rrugën që shtrihej përpara.
I urrente vrojtimet e fshehta. I urrente heshtjen dhe pritjen. Por tani nuk kishte zgjidhje tjetër. Iu desh të shndërrohej në një grabitqar të pritës, i cili pret me durim derisa armiku të gabojë dhe të bjerë në kurthin e tij.
Arbitri ia lëshoi një sy çantës së zezë sportive në ulësen e përparme. Zgjati krahun dhe e nxori një dosje. Ndërsa vëzhgonte herë pas here rrugën dhe hyrjen e pallatit, ai nisi t’i lexonte informatat për cakun e tij. Mbase për herë të parë, Arbitri vërejti se kalemxhinjtë dukeshin sikur njerëzit e tjerë, e jo sikur përbindëshat në përshkrimet e të tjerëve. Ndoshta këtu edhe qëndron rreziku, mu në këtë fasadë që fsheh ligësi të pamatshme, mendonte vetë me vete.
Detyra për eliminimin e kalemxhinjve dukej aq e thjeshtë — qe diçka që kishte bërë qindra herë — por të gjithë ia rikujtonin dhe e paralajmëronin për vështirësinë dhe ndjeshmërinë e këtij misioni. Por, pa implante ndezur s’mund të ishte i sigurt. Ishte mësuar të mbështetej në ndihmën e tyre për aq gjatë, saqë i dukej sikur kishte harruar se si t’i besonte intuitës. I shkonte mendja se disa aspekte të këtij misioni ishin të ekzagjeruara. Sidoqoftë, e kishte parasysh edhe kryelartësinë e vet.
Së voni ishte kthyer prej një misioni të suksesshëm kontraktual në Kinë, ku kishte qenë i domosdoshëm për ta gjurmuar dhe zhbërë një rrjet propagandues kundërqeveritar të lajmeve të rreme që përbëhej prej mijëra individëve të shpërndarë. Kjo ia fitoi nofkën Ying Feng, Era e Madhe e Shqipes, sepse, pasi mënjanonte caqet, dëgjohej vetëm versioni kibernetik i erës dhe i kashtës së djegur ku më parë qarkullonin sasi të mëdha informacioni.
Para asaj, ai kishte udhëhequr një fushatë të përgjakshme në Rusi kundër partive opozitare që përpiqeshin ta përdornin kontrabandë informatike, përmajtje të censuruar dhe propagandë kundër establishmentit për t’i shtyrë njerëzit të dalin në protesta para zgjedhjeve. Ishin shkurre të këqija që duheshin çrrënjosur e shfarosur, dhe u bë me aq shumë efikasitet dhe saktësi, saqë rusët vazhdimisht ua rekomandonin Kosën Shqiptare të gjithë aleatëve.
I përpiu edhe disa hapa dhe mori frymë thellë. I vinte t’i ndezë implantet vetëm për pak kohë. I mungonte lidhja me Vërtetarin. I mungonte lumturia që ndiente kur terabite të dhënash qarkullonin nëpër qenien e tij çdo sekondë. I mungonin bashkësimi dhe komunikimi i njëkohshëm që e ndiente me arbitrat e tjerë. I mungonte mentaliteti kolektiv i zgjoit. E ndiente një vetmi të padurueshme, sikur në kohën para lidhjes me Vërtetarin.
Pavarësisht nga dhimbja, ai bëri siç u urdhërua. Edi Ramadani i Pestë, Arbitër i së Vërtetës i Kategorisë së Parë, ishte pikësëpari profesionist. Dhe ky mision ishte me prioritet dhe ndjeshmëri më të lartë. Ishte tjetër lojë të shkoje në gjueti për kalemxhinj përbrenda Shqipërisë, apo të ndihmoje për shfarosjen e ndytësirave me ftesën e qeverive mike (ose të atyre që paguanin); ndërsa ishte krejtësisht ndryshe të shkoje në një mision në truallin e armikut.
* * *
Papritur, anëtari i KIRN-it u shfaq në stom të rrugës dhe ecte drejt hyrjes së pallatit. Arbitri nxori një palë syze kundër teknologjisë për njohjen e fytyrës dhe i vuri në fytyrë. Nuk ishin aq të hijeshme sa ato të hipsterëve kibernetikë që i kishte takuar te Kolektivi, por korniza e zezë prej nano-fibrave të karbonit mund ta përballonte edhe një plumb nga afër. Doli nga vetura me çantën e zezë në dorë.
Heshturazi, Arbitri e ndoqi burrin shkallëve përpjetë.
“Më falni zotëri, a mund të më ndihmoni ta gjej…” dhe një shkreptimë e fuqishme elektrike ia mori vetëdijen ndërsa ai e hapte derën e banesës.
Trok-trok, kush është?
Artrit Bytyçi i hapi sytë për ta parë një fytyrë të panjohur. Ishte i lidhur në një karrige, dhe shkreptima e taser-it ia kishte nxjerrë ujët e hollë. Ndërsa rrinte në pellgun e shurrës së vet, ai nuk kishte dyshim se personi që ia ngulte sytë prej përballë ishte një arbitër. Si s’funksionoi sistemi i paralajmërimit?, mendohej vetë me vete.
Arbitri e zgjati pëllëmbën dhe e preku lehtas pjesën e pasme të veshit të Artritit.
“Çka dreqi! Hiqmu more, o pervers!” bërtiti ai, dhe e pështyu Arbitrin në fytyrë, “S’e kam ditë që ju priftat kibernetikë jeni t’përdalun. Ndihmomë dikush, ndihmomë!”
Zëri i tij jehoi prej mureve të zhveshura të banesës së zbrazët, e cila dukej sikur dikush sapo kishte nisur të banojë aty. Por, kjo estetikë minimaliste ishte dekori i vetëm që kishte pasur për rreth pesë vjet: një dyshek të vjetër në dysheme; pirgje me qindra libra të shtypura pranë mureve; një llambë aq e zbehtë sa s’vlente fare për lexim; dhe një tavolinë me dy karrige, njëra prej të cilave tash po përdorej për ta mbajtur të lidhur.
“Qetësohu, z. Bytyçi, vetëm po e kërkoj implantin tënd kibernetik”, tha Arbitri me ftohtësi ndërsa i ngjiti diçka në portin e Artritit. Pastaj, Arbitri bëri një hap prapa dhe ngadalë e fshiu pështymën nga fytyra. Në dorën tjetër e mbante një mjet që lidhej me kabllo prapa veshit të Artritit.
“Ndihmë!” Artriti nisi të piskasë sërish, “Më ndihmo dikush!” Dhe pastaj e ndryshoi tonin: “Qiju, more shkërdhatë, more truthamë”.
Arbitri bëri edhe ca hapa prapa dhe nxori një mjet tjetër nga çanta e zezë sportive në dysheme, i cili ishte më i madh dhe dukej si kuti e zezë. I lidhi të dy mjetet dhe i ndezi. Artriti e ndjeu një dridhmë të lehtë të rrymës ndërsa gjuha iu bë miza-miza.
Në anën tjetër, Arbitri dukej se po përjetonte ekstazë; që në fakt dhe ishte e vërtetë duke pasur parasysh se i kishte munguar kontakti dhe informatat kibernetike për një kohë te gjatë. Dhe kjo ishte mu gjëja e duhur për ta kthyer në vete.
“Më ndihmo dikush! Janë tu m’keqtrajtu. Jam në rrezik! Ndihmë!”
“Askush s’do të të dëgjojë”, tha Arbitri. “Hetimi do të përfundojë së shpejti. Ju lutem qetësohuni”.
“Jam qytetar i Republikës së Kosovës. Kjo o’ vepër ilegale. Ndihmë! Kam të drejta”.
“Jam i vetëdijshëm për këtë. Me vjen keq për këtë takim të pafat. Ju lutem qetësohuni, do të kryhet së shpejti”.
“Qiju, bre nanëqimë i karit. S’jam unë ai që po e lypë. Ndihmë! Nuk jam luftëtar armik. Jam gazetar. Jam i mbrojtun me ligje ndërkombëtare. Ndihmë!”
“Të dhënat e mia thonë ndryshe”, tha Arbitri.
“Kqyr edhe nji herë onllajn, mundesh m’i gjetë artikujt e mi”.
“Përpjekje e mirë”, tha Arbitri, “e admiroj ngulmimin tuaj për t’i paralajmëruar shokët. E di se je paramilitar i KIRN-it. Pra, vetëm qetësohu, tash do të mbarojë”.
“Ju arbitrat kujtoni që jeni nana e drejtësisë”, Artriti papritmas e ndryshoi tonin, “po’ ju jeni veç kuklla t’lakmisë së korporatave. Ideologjia ju’j veç i pasunon koferat e shefave tu’j. Kallxom qysh po shkojnë sendet n’Republikën Saudite këtyne ditëve? Apo ti je ma shumë tip i ekspeditave n’Kinë? A thu, Agjencia a ta jep naj përqindje kur kontrakton shërbime nëpër botë?”
“Mirë pra. Edhe unë di ta luaj këtë lojë. Gazetar thua, por kauza me të cilën identifikohesh ju sjell përfitime shitësve të tregut të zi, lajmeve të rreme, portaleve propaganduese, padronëve të pornografisë, kriminelëve kibernetikë”.
“Nëse m’duhet me zgjedhë mes lirisë apo cenzurës…”
“Shqipëria është vend i lirë dhe i begatë. Dhe mendjet e qytetarëve janë të çliruara nga të pavërtetat e mbjella prej sojit tënd”.
“Boll me metaforën e Shpellës së Platonit, o magar trushpërlamë”, dhe nisi sërish të bërtasë, “Ndihmë! A osht najkush! Ndihmë!”
“Askush s’mund të të dëgjojë, mik”, tha Arbitri qetas.
“S’m’ki mik, bre llaskuc. Je llaskuc i ni tirani, a po merr vesh? Nji tiran që, ka gjasa, o’ i pavdekshëm. Ndoshta m’merr vesh nëse s’ta kanë përzhitë trurin krejt. Ose ndoshta jeni ideologjikisht t’shpërlamë, qysh po flitet — që kur mendët tuja përbashkohen me inteligjencën artificiale, ju e hupni krejt vullnetin e lirë”.
“Në bëhemi pjesë e Agjencisë me vullnetin tonë. Implantet kibernetike dhe lidhja me Vërtetarin vetëm e lehtësojnë punën tonë”.
“Mos m’lodh. Kallxomë, a janë t’vërteta thashethemet? A e ka ngarku Edi i Madh vetëdijen te Vërtetari A.I.? A po i shërbeni hala Edi Ramës? Natyrisht që po. O’ vullneti i Edit të Madh, a çka dreqin llomotitnii në fenë tuj”.
“Kodi s’është as fe, as ideologji. Më duhet të shkoj”, tha Arbitri sikur herën e parë kur u përshëndet me Bashkimtarin e moshuar, sikur të kishte qenë i paraprogramuar.
U dëgjua një viu bashkë me një kërcitje të gjatë. Sfondi i dhomës së Artrit Bytyçit nisi të shpërbëhej në pikselë dhe objektet fizike filluan të shfytyroheshin.
E tërë skena kishte ndodhur në sferën virtuale. I gjithë procesi i ekstraktimit mori vetëm një të qindtën e sekondës te pragu i derës së paramilitarit të KIRN-it. Ai s’kishte hyrë fare në banesë. Nuk e kishte pështyrë fare Arbitrin në fytyrë. Asnjëherë nuk kishte qenë i lidhur për karrige.
Por, për fat të keq, tash ishte i pajetë.
Ndodhte kështu ndonjëherë me ata që rezistonin marrjen në pyetje dhe procesin e ekstraktimit; dhe ai rezistoi më shumë se zakonisht.
Arbitri u gëzua. Së shpejti do të mund t’i ndizte implantet e tij. Më në fund e kishte mësuar vendndodhjen e fshehtë të kalemxhinjëve.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Muzika: Liburn Jupolli.