Para një shekulli, Presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson, i denoncoi publikisht marrëveshjet e fshehta ndërmjet liderëve politik si shkaktar të konfliktit dhe luftës. Përballë tmerrit të Luftës së Parë Botërore, dhe në përpjekje për ta vendosur rendin botëror të bazuar në bashkëpunim ndërkombëtar, drejtësi dhe ligj, nëpërmjet ‘Katërmbëdhjetë Pikave’, më 8 janar, 1918, ai kërkoi “marrëveshje të hapura të paqes, të arritura në mënyrë të hapur, pas së cilave nuk do të ketë marrëveshje private ndërkombëtare të çfarëdolloji, por diplomacia do të praktiktohet gjithmonë, në mënyrë të sinqertë dhe para syrit të publikut”.
Sot, marrëveshjet e fshehta e rrezikojnë Kosovën, ekzistenca e së cilës si shtet është rrjedhojë e një marrëveshje ndërkombëtare që është shtyer nga idealet Wilsoniane të të drejtave të njeriut dhe ndërhyrjes humanitare, multilateralizmit dhe vetëqeverisjes demokratike.
Presidenti i Kosovës Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Vucic po flasin për një marrëveshje për ‘ndryshim të kufirit’ e cila nuk është asgjë më shumë se eufemizëm për shkëmbim të territorit dhe ndarje. Ndonëse të dy presidentët flasin haptas për ‘ndryshim të kufirit’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata nuk zbulojnë se çfarë kuptimi ka kjo.
Ku do të ndryshohet kufiri? Cilat territore do t’i përkasin Serbisë dhe cilat Kosovës? Publiku në Kosovë dhe Serbi ka humbur në këto spekulime të papërmbajtura për kuptimin e ‘ndryshimit të kufirit’, që madje kanë shkaktuar edhe fantazi të shkëmbimit të popullsisë, që po promovohen tani nga disa ekstremistë.
Përveç fshehtësisë që po i karakterizon këto bisedime dhe mungesës së qartësisë për kuptimin e ‘ndryshimit të kufirit’, mënyra e të menduarit e të dy presidentëve ka një falsitet logjik. Nëse Kosova dhe Serbia i ndryshojnë kufijtë e tyre, me çfarë baze do të matet ndryshimi?
Kosova nuk mund të pranojë bazë tjetër për shkak se kështu do ta shkelte bazën politike dhe ligjore të ekzistencës së saj si shtet.
Kufijtë mund të ndryshohen vetëm nëse ekziston një vijë kufitare e njohur nga të dy palët. Interesant është t’i observojmë reagimet e ndryshme ndërkombëtare për propozimin për ‘ndryshim të kufirit’. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë kundër çfarëdo ideje për ndryshim të kufijve, ndërsa Shtetet e Bashkuara e madje edhe BE kanë treguar se janë të gatshëm ta pranojnë ndonjë marrëveshje që mund ta arrijnë Kosova dhe Serbia, përfshirë një të tillë që përfshin ‘ndryshim të kufirit’. Asnjëri prej tyre nuk po e shtron pyetjen “prej nga do të matet ‘ndryshimi i kufirit’”?
Çfarë është kufiri i Kosovës në relacion me Serbinë? Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar në Deklaratën e Pavarësisë së saj. Deklarata e Pavarësisë thotë në mënyrë të qartë se “reflekton vullnetin e popullit dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të OKB-së, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin Gjithëpërfshirës për Vendosjen e Statusit të Kosovës”.
Propozimi Gjithëpërfshirës për Kosovën konfirmon se territori i Kosovës përcaktohet nga “kufijtë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, siç ishin më 31 dhjetor 1988, duke përfshirë këtu ndryshimin që u bë me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001” (Aneks VIII, Neni 3.2).
Të gjitha shtetet që e njohën Kosovën e bënë në bazë të kësaj, duke marrë parasysh këtë caktim të kufijve. E arsyeshme do të ishte të supozojmë se baza për çfarëdo ‘ndryshimi të kufirit’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë kufiri i përcaktuar në Propozimin Gjithëpërfshirës për Vendosjen e Statusit të Kosovës, siç është pranuar në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Kosova nuk mund të pranojë bazë tjetër për shkak se kështu do ta shkelte bazën politike dhe ligjore të ekzistencës së saj si shtet. Por a do të thotë kjo se Serbia duhet të njeh këtë kufi si bazë për ‘ndryshime të kufirit’ në të ardhmen?
Misteri tjetër është se me kë do ta negociojë Serbia ‘ndryshimin e kufirit’? Me krahinën ‘Kosovë-Metohijë’, siç llogaritet ende Kosova nga Serbia, apo me Republikën e Kosovës si shtet? Kosova nuk mund të pranojë alternativë tjetër, vetëm këtë të fundit. Kjo do të thotë se Serbia fillimisht duhet ta njeh Kosovën si shtet brenda kufijve ekzistues në mënyrë që ta negociojë ‘ndryshimin e kufirit’ në të ardhmen.
Kështu funksionoi me Malin e Zi. Mali i Zi fillimisht e njohi Kosovën si shtet brenda këtyre kufijve dhe pastaj u negociua ‘ndryshimi i kufirit’. Nuk mund të funksionojë ndryshe siç po pretendojnë Thaçi dhe Vucic, veçanërisht në formë të një marrëveshjes ndërkombëtare të lidhur ligjërisht, siç është kërkuar nga BE.
Fija themelore e diskursit të ri politik do të jetë se ndryshimet kufitare në bazë të etnisë janë mënyrë legjitime për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare.
Një gabim logjik tjetër është reflektuar në deklaratën e Komisionerit të BE-së Hahn, se duhet të ketë “zgjidhje bilaterale e cila nuk duhet të shërbejë si plan për çështje të tjera”. Ky është një besim naiv se ndryshimi i kufijve (apo ta quajmë ashtu siç është, ‘shkëmbimi i territorit’ apo ‘ndarja’) për të cilin arrijnë marrëveshje Kosova dhe Serbia, do të pranohet si e aplikueshme specifikisht dhe ekskluzivisht vetëm për dy palët, e jo e përdorshme si precedent për shtete të tjera të diskutueshme, si Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia; një situatë e ashtuquajtur ‘sui generis’. Sikur do të ishte e mjaftueshme të përfshihet një klauzë në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se ky ‘ndryshim i kufirit nuk do të jetë precedent për shtete të tjera’.
Shumë politikanë dhe akademikë janë munduar ta portretizojnë rastin e Kosovës si sui generis. Rrethanat unike të ndarjes së ish-Jugosllavisë justifikojnë një zgjidhje speciale për problemet dhe rrethanat speciale të Kosovës.
Ligjërisht, kjo është mënyrë për ta kundërshtuar vendosjen e një precedenti. Por politikisht nuk funksionon.
Referenca e Rusisë ndaj Kosovës si justifikim për aneksimin e Krimesë tregon çfarë ndodh kur ndryshon një rrëfenjë politike. Kur vendoset rrëfenja politike se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në bazë të ndyrshimeve territoriale sipas linjave etnike, dhe se kjo është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, kjo do ta ndryshojë diskursin politik pa marrë parasysh rrethanat speciale të Kosovës.
Juristët do ta diskutojnë pafund atë se a është kjo situatë sui generis, por fija themelore e diskursit të ri politik do të jetë se ndryshimet kufitare në bazë të etnisë janë mënyrë legjitime për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare.
Këshilltari për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Bolton, u shpreh për gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta pranuar një ‘shkëmbim të tokës’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Këtë deklaratë e dha gjatë qëndrimit të tij në Kiev, e kjo me gjasë paralajmëron se ku do të mund të aplikohet ky diskurs politik tani, domethënë jo domosdoshmërisht në Bosnje dhe Hercegovinë apo Maqedoni, por në Ukrainë dhe Krime. Një rrëfenjë e tillë do t’i dëmtonte seriozisht përpjekjet e BE-së – dhe veçanërisht Gjermanisë – për ta stabilizuar situatën në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor, por do të përshtatej në mënyrë të përkryer me strategjinë realiste të politikës së jashtme të quajtur “balancimi jashtë vendit” (offshore balancing).
Politika ‘America First’ e Trump përkthehet në politikë ‘offshore balancing’, që Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë i vetmi hegjemon në botë. Për ta arritur këtë, fuqitë e tjera nuk mund të bëhen hegjemonë në rajonet e tyre sepse mund t’i kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara. Sa i përket Evropës, kjo do të thotë krijimi i konkurencës së sigurisë ndërmjet dy fuqive më të mëdha në rajon, domethënë Gjermanisë dhe Rusisë. Për ta arritur këtë, duhet të përçahet BE sa më shumë, dhe Gjermania të jetë kundër Rusisë. Ku? Në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Lindore.
E kompensimi për dëme të luftës? E personat e pagjetur? E trashëgimi shtetëror i pronës, arkivave dhe çështjeve tjera të rëndësishme?
Pra nuk erdhën si befasi takimi i fundit ndërmjet Merkel dhe Putin dhe përpjekja për të gjetur bazë të përbashkët për rivendosje të marrëdhënieve miqësore; është përpjekje për t’iu shmangur konkurrencës për siguri. ’Ndryshimi i kufirit’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pra ka implikime politike shumë më të mëdha dhe është pjesë e një loje politike shumë më të madhe, diçka që duhet ta kuptojë lidershipi politik i Kosovës. Por ata mund të gjejnë ngushëllim në faktin se as Komisioneri i BE-së nuk e ka të qartë këtë.
Një gabim logjik më serioz implikohet në rrëfenjën e Thaçit dhe Vucicit se ‘ndryshimi i kufirit’ është zgjidhja e fundit për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Diskursi aktual krijon imazhin ‘le të pajtohen Kosova dhe Serbia për ndryshim të kufirit dhe gjithçka do të jetë në rregull’. Kompleksiteti i problemeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që duhet të zgjidhet për t’i normalizuar si duhet marrëdhëniet, është reduktuar në formulën magjike të ‘ndryshimit të kufirit’. Ndoshta një qasje reduktive ka kuptim për Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini dhe Komisionerin e BE-së Hahn, të cilët mund ta synojnë një sukses sipërfaqësor diplomatik para se t’i kryjnë mandatet e tyre javën e ardhshme.
Por nuk zgjidh problemet reale politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse pajtohen për ‘ndryshim të kufirit’, çfarë ndodh me Kosovën? A do të mbetet si shoqëri multietnike? E Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë? A do të themelohet nëse arrihet marrëveshje për ndryshim të kufirit? Çfarë pushteti do të ketë një asociacion i tillë? Apo do të heqim dorë prej tij? Çfarë të drejta do të kenë komunitetet pakicë në Kosovë? A do të duhet të ndryshohet Kushtetuta? A do ta ndryshojë Serbia Kushtetutën e saj për të hequr dorë nga Kosova?
E njohja e Serbisë për Kosovën si shtet? E kompensimi për dëme të luftës? E personat e pagjetur? E trashëgimi shtetëror i pronës, arkivave dhe çështjeve tjera të rëndësishme? E fondet e pensionit në Serbi që nuk u janë paguar kosovarëve? E miratimi i marrëveshjes me Serbinë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që do ta lejonte Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe do t’i jepte fund Rezolutës 1244, e cila ende i referohet Kosovës si entitet autonom brenda Republikës Federative të Jugosllavisë. Të gjitha këto çështje nuk duket se janë relevante. Me rëndësi ‘ndryshimi i kufirit’.
Një shekull pas Katërmbëdhjetë Pikave të Wilson, me sa duket u jemi kthyer ‘marrëveshjeve ndërkombëtare private’ në mesin e liderëve politik që në mendje kanë interesa personale, e jo interesa të popullit. Kompleksiteti i problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të reduktohet në një formulë thjeshtë të ‘ndryshimit të kufirit’. Shpërfillja e këtij kompleksiteti dhe pretendimi se është arritur një ‘marrëveshje historike’ duke ndryshuar vijat kufitare nuk është recetë për normalizim, por për konflikt në të ardhmen.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.