Në thelb | Politika

‘Na janë çartë zotnijtë mes veti’

Nga - 05.11.2018

Një histori e përplasjeve të vazhdueshme ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.

E udhëhoqën të njëjtën ushtri guerile, por ngaherë mendohej se nuk kishin raporte aq të shëndosha me shoqi-shoqin. Tani që i udhëheqin institucionet e vendit, raportet mes dy liderëve kryesorë politikë të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt — përkatësisht ish-Drejtorit Politik i UÇK-së dhe ish-Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit — duket se akoma janë të rrëmbyeshme.

Përplasjet ndërmjet këtyre dy figurave kanë qenë të shpeshta në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Në një libër të botuar në 1999, “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”, që doli në formën e një intervisteje me gazetarin e ndjerë, Bardh Hamzajn, Ramush Haradinaj shprehej: “Unë e respektoj [Thaçin] si ushtar dhe epror të UÇK-së, por nuk jam i kënaqur me punën e tij në veprimtarin politike; kam disa vërejtje në lidhje me aftësinë e tij për ta bashkuar [skenën politike të Kosovës] dhe nuk më kanë pëlqyer pozicionet e tanishme [të tij]”. Ai gjithashtu i kritikoi shokët e Thaçit nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe më vonë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, duke thënë se ata “kanë menduar se në Kosovë gjithçka duhet të shkojë sipas mendimit të tyre”.

Marrëdhëniet e tyre u tendosën tutje më 2001 me krijimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një epokë kur plot simpatizantë të UÇK-së mendonin se të bashkoheshe me PDK-në ishte de rigueur. AAK-ja drejtohej nga Haradinaj, deri asokohe gjeneralmajor dhe zëvendëskomandant në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës (TMK), si dhe ishte partia e dytë që doli nga lufta e UÇK-së pas, PDK-së së udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Një hap asodore u pa në sytë e militantëve të PDK-së si diversion ndaj kohezionit të atij që quhej “krahu i luftës”, i cili po ballafaqohej me “krahun e paqes”, që mishërohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Ibrahim Rugovës. Shumë nga militantët e “krahut të luftës” e akuzuan LDK-në për ngurrim në momente kyçe historike, përfshirë këtu refuzimin për ta nisur luftën e armatosur kur Kosova nuk përfitoi nga Marrëveshja e Dayton-it më 1995. Shumë prej tyre madje e akuzuan Rugovën për tradhti, për takimin e tij me Milošević-in në kulmin e luftës në Kosovë.

Thaçi ishte një nga nënshkruesit e nismës që themeloi Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, në të cilën Haradinaj shërbeu si zëvendëskomandant. Megjithatë, ai u tërhoq nga karriera ushtarake dhe themeloi një parti të re dhe kësisoj mbështetësit e Thaçit zunë ta shohin atë si kundërshtar. Foto: Creative Commons.

Militantët e PDK-së e panë krijimin e një partie të re që doli nga kuadrot e UÇK-së dhe TMK-së si dhe nga aglomerati i partive që rridhnin nga organizatat ilegale të viteve ‘80 si një dobësim të radhëve të krahut të luftës.

Në vitin 2002, me formimin e një qeverie të koalicionit të gjerë ku përfshiheshin të gjitha partitë parlamentare, u ul paksa tensioni ndërmjet Haradinajt dhe Thaçit. Megjithëkëtë, pas zgjedhjeve të vitit 2004 arriti kulmi i përplasjes ndërmjet dy liderëve, dy partive dhe rrjedhimisht ndërmjet militantëve të të dy palëve.

Pas zgjedhjeve, Ramush Haradinaj kishte pranuar të hynte në një koalicion qeveritar vetëm me LDK-në e Rugovës dhe ta linte në opozitë PDK-në e Thaçit. U ringjallën akuzat se Haradinaj e kishte ‘tradhtuar UÇK-në’, madje dhanë dorëheqje edhe zyrtarë të lartë të AAK-së, si sekretari i partisë, Rexhep Selimi, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sot deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Mospajtimi e arriti kulmin në marsin e vitit 2005 gjatë përvjetorit të gjashtë të Epopesë së Prekazit, përvjetorit të masakrës ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij Bajramit dhe Krishtlindjes së “krahut të luftës”. Tekqë kryeministri i atëhershëm i Kosovës dhe kreu i koalicionit zhurmëmadh, Ramush Haradinaj, po e mbante panegjirikun e tij, shumë persona nga turma zunë të fishkëllenin.

Haradinaj, i cili njihet për stilin e drejtpërdrejt dhe ekstravagant të komunikimit me publikun, as nuk e shpërfilli publikun e padurueshëm, as nuk veproi sikur nuk kish dëgjuar gjë: “Mshelne, komandantë të Bllacës. Q***** nanën!”, u tha ai. Bllaca ishte kamp refugjatësh në kufirin Kosovë-Maqedoni për strehimin e shqiptarëve të dëbuar dhe me këtë deklaratë Haradinaj deshi t’ua kujtonte kritikëve të tij nga “krahu i luftës” se kush luftoi dhe kush iku kampeve të refugjatëve.

Me arrestimin e Haradinajt nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në vitin 2005 dhe gjykimin e tij në Hagë që zgjati deri më 2013, u ul edhe intensiteti i përplasjeve ndërmjet dy ‘partive të UÇK-së’. Frustrimi i militantëve të PDK-së u pakësua nga fundi i dhjetëvjeçarit të fundit, veçanërisht me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 2007-s kur Hashim Thaçi erdhi në pushtet si kryeministër me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe me faktin se shpallja u lexua nga Thaçi vetë. Me sa dukej ata zunë të besonin se më në fund “e drejta kishte fituar”.

Hashim Thaçi dikur e mirëpriti me tepih të kuq Ramush Haradinajn gjatë kthimit të tij në Kosovë, por që nga atëherë raportet e tyre janë mërkëmbur shumë herë. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Kur Haradinaj u shfajësua për herë të dytë nga tribunali i Hagës në nëntorin e 2012-s, kryeministri Thaçi e mirëpriti atë me tepih të kuq në Aeroportin e Prishtinës. Fill më pas, pavarësisht faktit se partia e tij ishte në opozitë, Haradinaj nisi t’i thurrte lavde Qeverisë së Thaçit. Kjo bëri që shumë analistë të vlerësonin se Thaçi ia kishte bërë një premtim të rremë Haradinajt se do ta merrte në koalicion dhe do t’ia lëshonte kolltukun e Kryeministrit.

Kur njëri ishte në pushtet e tjetri në opozitë

Në vitet që pasuan nisi opozitarizmi i fuqishëm i Haradinajt ndaj Thaçit dhe PDK-së. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, ai ishte një nga liderët më aktivë në krijimin e “bllokut LVAN” (i përbërë nga LDK-ja, Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma), me partitë e këtij koalicioni që ngulën këmbë se asnjëra nuk do të pajtohej që të hynte në koalicion me partinë më të votuar në zgjedhje, PDK-në, dhe se në vend të kësaj do ta formonin qeverinë me Haradinajn si kryeministër.

Haradinaj pretendonte se Thaçi sërishmi ia kishte ofruar postin e kryeministrit, por se ai nuk e kishte pranuar. Sidoqoftë, në dhjetor, LDK-ja “e theu besën” dhe iu bashkua PDK-së në koalicionin qeveritar, me kryetarin e saj, Isa Mustafën që u zgjodh si kryeministër. Në shkurt 2016, në Kuvend, LDK do të votonte për zgjedhjen e Thaçit si President të Kosovës.

Krejt çka pasoi në dy vitet pas formimit të kësaj qeverie ishte vetëm protesta, protesta dhe protesta. Tani ishte radha e Haradinajt për ta akuzuar PDK-në dhe Thaçin për “tradhëti të vlerave të luftës”. Në janar 2015, pjesa e mbetur e LVAN-it, minus LDK-në dhe tashmë e njohur si VAN (Vetëvendosja, AAK-ja, Nisma), nisi protesta kundër qeverisë PDK-LDK si rrjedhojë e një deklarate që e kishte dhënë një ministër serb i Qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jablanović-i.

Protestat nuk u ndalën me kaq. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në verën e 2015-s, filluan protestat e bllokut VAN kundër qeverisë si në Kuvend ashtu edhe në rrugë.

Në janar dhe shkurt të vitit 2016 protestat e arritën kulmin, si nga masoviteti, poashtu dhe për nga metodat gurë dhe koktej Molotovi nga protestuesit, dhunë dhe arrestime nga Policia. Në Kuvend, deputetët e tri partive parlamentare hodhën gaz lotsjellës dhe e bënë të pamundshme zhvillimin e gati secilës seancë të Kuvendit.

E, pa dyshim se Haradinaj ishte ndër liderët më aktivë në krejt këtë ballafaqim. Përpos hedhjes së gazit lotsjellës pati raste tjera të sjelljeve agresive të ish-komandantit të UÇK-së: shtyrja fizike me sigurimin e Kuvendit, ofendimet si “Kapi këta horra, kryetar [Kadri Veseli], e çu nga këtu” ose kur e quajti kryeministrin Isë qeni”.

Gjersa fliste për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për Hashim Thaçin tha: s’ka mujt’ Sulltani me e ndërru kufinin, e le mo ky djali i Burojës”. Buroja, vendlindja e Thaçit, është fshat në rajonin e Drenicës. Gjithë këto veprime rrjedhimisht çuan deri tek një averzion dhe irritim ndaj Haradinajt në mesin e militantëve të partive në pushtet, posaçërisht atyre të PDK-së.

Por, as kjo situatë nuk zgjati shumë. Në maj 2016, ishte e qartë se VAN ishte përçarë. Vetëvendosja doli nga blloku për shkak të mospajtimeve me dy partitë e tjera dhe kështu i erdhi fundi një viti e gjysmë të intensitetit të opozitarizmit aktiv.

Gjuha e Haradinajt u zbut dhe në maj 2017, në mbrëmjen e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, AAK-ja e Haradinajt e zyrtarizoi koalicionin me PDK-në dhe Nismën, partinë e tretë të dalë nga UÇK-ja (e themeluar pas ndarjes nga PDK-ja më 2014).

Haradinaj dikur si pjesë e opozitës ishte një nga kritikët më të mëdhenj të PDK-së së Thaçit e në fund u bë kryeministër i koalicionit qeverisës që përfshin PDK-në dhe u inaugurua nga President Thaçi. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Ishte hera e parë që të gjithë komandantët e dikurshëm të UÇK-së ishin bërë bashkë dhe kishin hyrë në koalicion. “Krahu i luftës” ishte i bashkuar kundër “krahut të paqes” koalicionit mes LDK-së së Mustafës dhe AKR-së së Behgjet Pacollit. Dukej se ndasive të vjetra ndërmjet ish-komandantëve u kishte ardhur fundi.

Asgjëmangut, Haradinaj nuk bëri drejtpërdrejt koalicion me kundërshtarin e vjetër, Thaçin, qyshe tani ai ishte President i vendit dhe jo lider i PDK-së. Sidoqoftë, sipas disa deputetëve të koalicionit, Thaçi ishte “kumbari” i koalicionit ‘PAN’ (PDK-AAK-Nisma).

Përplasje edhe kur janë në koalicion

Koalicioni PAN doli si fitues i zgjedhjeve dhe Haradinaj u zgjodh kryeministër në shtator 2017. Por, fakti që ai tani ishte një lider institucional, përkrah Thaçit, nuk nënkuptonte se konflikteve të tyre të kahmotshme u kishte ardhë fundi.

Rishtazi, në një situatë të përmbysur, Haradinaj e ka ‘uzurpuar’ pozitën e bajraktarit të rezistencës ndaj Presidentit Thaçi dhe ideve të tij. Ndërkohë që partitë opozitare kanë kaluar një pjesë të madhe të mandatit duke e sulmuar njëra-tjetrën, partitë që e përbëjnë koalicionin qeveritar kanë shërbyer si opozitë ndaj njëra-tjetrës. Kosova ka funksionuar ipso facto me dy skena paralele politike që nuk merren me njëra-tjetrën por luftojnë mes vete qeveria me qeverinë, opozita me opozitën.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Me të filluar mandatin e tij si Kryeministër, Haradinaj u ftua në Presidencë nga vetë Thaçi. Të dy ishin të kujdesshëm të mos hapnin tema të ndjeshme politike, si Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi që në atë kohë akoma s’ishte miratuar në Kuvend. Ata u fokusuan në tema mbi të cilat që të dytë pajtoheshin, siç ishte arritja e liberalizimit të vizave nga BE-ja.

Një pikë tjetër që me sa dukej i bashkoi dy kundërshtarët e dikurshëm ishte neveria e tyre për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihet si “Gjykata Speciale”. Kjo gjykatë e ka për detyrë gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga UÇK-ja dhe është e bazuar në një raport të përpiluar nga Dick Marty, në të cilin lakohej emri i Thaçit. Gjithashtu është thënë se vëllai i Haradinajt, Dauti, mund të përballet me një padi.

Pavarësisht mundësisë që vetë të përballej me ndonjë padi, Thaçi ishte figura kyçe në miratimin e ndryshimeve kushtetuese që ishin të nevojshme për ta krijuar gjykatën në vitin 2015. Megjithëkëtë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik të Gjykatës Speciale në tetor 2017, President Thaçi ndryshoi qëndrimin e tij dhe filloi ta sulmonte vlefshmërinë e Gjykatës. “Kosova e mbajti fjalën, e themeloi gjykatën”, pati thënë Presidenti Thaçi. “Bashkësia ndërkombëtare nuk i përmbushi asnjë nga premtimet [e saj]. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euro-atlantik”.

Gjërat ndryshuan së shpejti dhe idili i raportuar nga mediat ose ishte jetëshkurtër ose mbase as që kish ekzistuar ndonjëherë.

Më vonë në atë vit u lansua një nismë për shfuqizimin e gjykatës nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, lëvizje që u mbështet nga Haradinaj, i cili pretendoi se kishte qenë kundër Gjykatës Speciale edhe gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë. Mediat më vonë deklaruan se në fakt Thaçi kishte arritur ta manipulonte Haradinajn, pavarësisht “gjithçkaje që pritej nga ky i fundit”.

Gjërat ndryshuan së shpejti dhe idili i raportuar nga mediat ose ishte jetëshkurtër ose mbase as që kish ekzistuar ndonjëherë. Në mars nisi diskutimi për atë se si arrestimi i zyrtarit të lartë serb, Marko Đurić, nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut i kishte tensionuar marrëdhëniet ndërmjet Thaçit dhe Haradinajt. U raportua se Thaçi e kishte shpërfillur kryeministrin e tij kur i kishte urdhëruar njësitë speciale të Policisë së Kosovës ta arrestonin Đurić-in.

Së shpejti pasoi sërish një tjetër skandal dhe përsëri kryeministri dhe presidenti patën qëndrime të ndryshme. Më 29 mars, Policia e Kosovës i arrestoi pesë persona të kombësisë turke, punëtorë të shkollave “Mehmet Akif” në Kosovë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Turqi, Anadolu, institucionet arsimore “Gülistan” që i udhëheqin katër shkollat fillore dhe të mesme “Mehmet Akif” në Kosovë janë pjesë e asaj që ata e quajnë “organizata terroriste gyleniste, FETO”.

Haradinaj tha se deportimi i qytetarëve turq ishte një lloj “vjedhje” e njerëzve nga Kosova dhe pretendoi se nuk ishte i informuar për deportimin e tyre. Thaçi tha “askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke thënë se nuk ka qenë i informuar” dhe e mbrojti veprimin e arrestimit duke thënë se e pranoi një raport nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë pas arrestimit dhe, duke e cituar raportin, tha se “turqit në fjalë kanë kryer aktivitete të jashtëligjshme dhe të rrezikshme në Kosovë”.

Mosmarrëveshje patën edhe për qasjen ndaj Milan Radojčić-it, një njeriu që është etiketuar në shtyp si një ‘bos mafioz i cili e kontrollon pjesën veriore të territorit të Kosovës që banohet nga serbët’. Lidhja e Radojčić-it me vrasjen e Oliver Ivanović-it njashtu u spekulua në shtyp dhe u pretendua se Thaçi i nxiti institucionet e rendit ta marrin në pyetje Radojčić-in për rolin e tij në këtë vrasje.

Ndërkohë, Haradinaj është fotografuar duke ngrënë drekë më gangsterin e hamendësuar e ka folur për respektin që e ka për Radojčić-in, si dhe e ka ftuar në zyrën e tij në kryeministri. Më vonë Thaçi foli nënkuptueshëm në media për marrëdhëniet e tyre, duke e akuzuar Haradinajn se kishte vepruar ‘për hir të një individi në veri’. Haradinaj u kundërpërgjigj, duke deklaruar se edhe presidenti ishte takuar me Radojčić-in në Prishtinë.

Përplasje rreth korrigjimit të kufirit dhe numrit të veteranëve të UÇK-së

Tensionet ndërmjet këtyre dy figurave sërish dolën në publik pas korrikut, kur u shpërfaq idea që fillimisht u quajt ‘shkëmbim i territorit’ dhe më vonë ‘korrigjimi i kufijve’ me Serbinë.

Haradinaj tha përsëri se nuk do të negocionte me Serbinë për ndarjen e Kosovës dhe i bëri thirrje të gjitha partive politike ta arrinin një konsensus për dialogun. Kur u pyet për deklaratat e Thaçit se nuk do të kishte vija të kuqe në dialogun me Serbinë, kryeministri tha: “e kemi Kushtetutën dhe kushdo që nuk e respekton atë e shkel kontratën e Deklaratës së Pavarësisë”.

Edhe dy muaj më vonë, Haradinaj tha se besonte se deklaratat e Presidentit për shkëmbim të territorit ishin vetëm pjesë e retorikës së tij. “Serbia po e kërkon veriun e Kosovës dhe Presidenti po kërkon diçka”, tha Haradinaj. “Mund ta kërkojë Nishin, Luginën e Preshevës… Kjo e Thaçit është kundër-retorikë, nëse është ndryshe atëherë kemi probleme serioze në Kosovë”.

Në fund të shtatorit, kur u pyet për kërkesën që e kishte dorëzuar Presidenti në Gjykatën Kushtetuese për t’i qartësuar kompetencat e tij për ta mbyllur marrëveshjen, Haradinaj tha “asnjëherë nuk e kemi vu në pikëpyetje Presidentin e kompetencat e tij, mirëpo nuk duhet të vihen në pikëpyetje as kompetencat e Kuvendit”, duke përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të votonte kurrë për korrigjim kufijsh.

Përplasjet ndërmjet Thaçit e Haradinajt janë bartur edhe në rrjete sociale. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj lajmëroi se qeveria e kishte hartuar një Projekt-Rezolutë 6-pikëshe për t’i harmonizuar qëndrimet mbi dialogun, e cila sipas shumë vlerësimeve po ngritej nga partnerët e koalicionit për ta frenuar presidentin nga negocimi i mëvetëm i marrëveshjes me Serbinë.

Sidoqoftë, Thaçi reagoi me gjuhë konstruktive. “E përshëndes vendimin e subjekteve politike të koalicionit qeveritar për harmonizimin e qëndrimeve politike dhe hartimin e rezolutës së përbashkët për dialogun”, shkroi Presidenti në Facebook, duke shtuar se është shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës që të gjitha partitë të jenë më unike dhe të bashkuara për mbrojtjen e interesave qytetare dhe shtetërore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sivjet, kryeministri Haradinaj ka folur publikisht kundër politikave të Thaçit për dialogun me Serbinë, madje edhe kur u paraqit përkrah presidentit të tij. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në fillim të tetorit, kur Thaçi dhe Haradinaj ishin në Skënderaj në inaugurimin e një kompleksi memorial të një dëshmori, ky i fundit tha “Kosova duhet ta ruajë territorin e vet dhe kufijtë e vet t’i mbajë të paprekshëm prej gjithkujt, qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund”.

Kundërpërgjigjia nga Presidenti nuk vonoi shumë. Disa ditë më vonë, në një konferencë për shtyp, ai i bëri thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe më i përgjegjëshëm në deklaratat e tij për dialogun, madje e kërcënoi duke thënë se “pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë… gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”.

Në fund të tetorit u raportua përsëri se President Thaçi i kishte çuar fjalë Haradinajt nëpërmjet Pal Lekajt, Ministrit të Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, se nëse nuk i zbut fjalët për Presidentin, ky i fundit do ta rrëzojë qeverinë. Haradinaj u përgjigj duke thënë “nëse dikush mendon me më disiplinu me një karrigë, gabim e ka, kushdo qoftë”, ndërsa nënkryetari i partisë së tij, Ardian Gjini, tha se Presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese për ta shkarkuar kryeministrin.

Finalizimi i marrëveshjes me Serbinë nuk ishte e vetmja pikë mbi të cilën nuk u pajtuan Thaçi dhe Haradinaj muajve të fundit. Një temë tjetër për të cilën janë ballafaquar dy “komandantët” është edhe ajo e “ushtarëve të tyre”. Më saktësisht, numri i ish-ushtarëve të UÇK-së, pasi prokurori Elez Blakaj deklaroi se numri i veteranëve në listat zyrtare është i fryer dhe se kryeministri u mundua të ndërhynte në hetimet e tij në lidhje me këtë fryrje të numrave.

Haradinaj ngul këmbë se shifra prej 60,000 veteranëve nuk është joreale dhe e ka akuzuar Blakajn, duke i mohuar fuqishëm akuzat e atij. Në anën tjetër, Hashim Thaçi, sikur të donte që për inat ta kundërshtonte Haradinajn në gjithçka, tha se nuk kanë qenë më shumë se 12-15,000 ushtarë në UÇK dhe i bëri thirrje përfaqësuesve politikë të mos ndërhyjnë në çështje të drejtësisë.

Paskëtaj, Haradinaj i ringjalli akuzat e vjetra ndaj Thaçit se ai gjatë luftës më shumë ka qëndruar nëpër hotelet e Tiranës se që ka luftuar në vijën e frontit. Kur iu kërkua t’i komentonte deklaratat e Presidentit për shifrën e veteranëve të UÇK-së, ai u përgjigj: “A i ka numëru edhe ata që kanë qenë në Rogner [një hotel në Tiranë]?”

E vërtetë apo teatër?

Anipse, me sa duket konflikti ndërmjet Thaçit dhe Haradinajt po zien, ka zëra që thonë se përplasjen ndërmjet dy krerëve institucionalë e shohin si joserioze apo thjesht si teatër.

Driton Lajçi, ish-deputet i PDK-së dhe këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, i ka thënë shtypit se përplasjet Thaçi-Haradinaj janë vetëm deklarata momentale dhe se s’ka asgjë dramatike prapa tyre. Ndërsa deputeti i LDK, Armend Zemaj, mendon se e gjithë kjo është shtirje. “Është taktikë për të tërhequr vëmendjen nga gabimet dhe mosushtrimi i përgjegjësisë si bartës të institucioneve”, tha ai.

Në një mënyrë, analisti politik Imer Mushkolaj pajtohet me dy qëndrimet. “Asnjëri [nga këta dy liderë] nuk kanë pasur konsistencë në qëndrimet e tyre dhe që të dy janë të paparashikueshëm, madje edhe anomiziteti i krijuar gjatë dhe veçanërisht pas luftës më shumë ka qenë për interesa personale dhe jo për çështje parimore”, ka thënë ai për K2.0.

Analisti politik Imer Mushkolaj nuk ishte i bindur se konfliktet ndërmjet Presidentit dhe kryeministrit që iu prezantuan publikut janë pasqyrim i vërtetë i marrëdhënieve të pushtetit prapa skenës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Mushkolaj e sheh këtë si pjesë të disa ‘konflikteve’ të brendshme ndërmjet partive të koalicionit PAN, që ai i sheh si shkaktarë të një ndjesie të demokracisë së brendshme që nuk është domosdoshmërisht e pranishme. Në lidhje me të ashtuquajturat ‘kundërshtime’ të Kadri Veselit ndaj Thaçit, Mushkolaj beson se “është më shumë një lojë ndërmjet këtyre dyve, sepse Veseli dhe Thaçi janë një, pavarësisht se mund të mos ketë dëshirë për t’i parë si të tillë ose mund të ketë tendencë për ta parë Veselin si reformator të PDK-së. Në fakt, të dy janë të njëjtë në mendime dhe veprime politike dhe Veseli nuk bën asgjë pa bekimin e Thaçit”.

Agon Maliqi, analist, ka thënë për K2.0 se është e mundshme që përplasja Haradinaj-Thaçi është vetëm një lojë, por vështirë të jetë një mundësi e sigurtë sepse i kemi parë disa sinjale, jo vetëm një. “Kushdo që e ka një sens të leximit të situatës mund ta vërejë se ka një përplasje, një farë tendosje, mes tyre”, thotë ai.

Mushkolaj beson se kërcënimi i Thaçit që “kryeministri duhet të korrigjohet” është shenjë që Thaçi mund ta prishë koalicionin kurdo që t’i përshtatet atij dhe se Haradinaj e di që nuk e ka në dorë që ta mbajë në këmbë qeverinë. Me këtë pajtohet edhe Maliqi, duke shtuar se Ramush Haradinaj në pushtet do të jetë më bashkëpunues se Ramush Haradinaj në opozitë, sepse “në fund të fundit, nëse vazhdon t’i bllokojë çështjet, paraqitet rreziku të rrëzohet qeveria, siç ka kërcënuar Thaçi, ndikimi i madh i të cilit në PDK është një levë përcaktuese”.

Maliqi beson se pavarësisht faktit se konsensusi duket të jetë shumë i vështirë në ditët e sotme po ta marrim parasysh historinë politike të Kosovës në tri-katër vitet e fundit ka mundësi të ndërtohet një lloj pajtimi, “nëse partitë e shohin se ka një dritare të hapur për një marrëveshje dhe kur ta shohin se ka një konsensus më të madh ndërkombëtar rreth kësaj çështjeje. Ndodhitë e këtij viti do të kenë përmasa më të mëdha botërore dhe presioni për të do të jetë shumëfish më i madh se për demarkacionin”, ka thënë ai.

Por përkundër optimizmit të Maliqit për një pajtim të mundshëm në të ardhmen, tani për tani e sigurt është se dy krerët e shtetit, Thaçi dhe Haradinaj, as nuk po i ndalin përplasjet mes vete e as nuk po mundohen që t’i mbajnë ato të fshehta. Mu si në atë këngën popullore shqiptare që e evokon një betejë të vrenjtur të fundshekullit XIX mes dy agallarëve me zë në Prizren: “Na janë çartë zotnijtë mes veti”.

Foto kryesore: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.