“Ka disa vjet që ankohem se ky dialog është kthyer në abuzim. Ky është më shumë një dialog i arsyetimit të kastave politike në të dyja anët dhe deri diku në shërbim të politikave ditore herë të njërit e herë të tjetrit, për qëllime të brendshme politike”.
Ky ishte mendimi i Kryeministrit aktual Ramush Haradinaj kur ai foli me Deutsche Welle para një viti, pasi u mbajt në arrest në Francë për shkak të urdhërarrestit të Interpolit që u lëshua nga Serbia.
Haradinaj, i cili në atë kohë ishte në opozitë, thoshte se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i shërbeu mbrojtjes së regjimeve të korruptuara. “Rreziku në Ballkan vjen nga kastat e korruptuara dhe të kriminalizuara politike, të cilat bashkveprojnë për mbetje në pushtet”, deklaroi ai. “Dialogu duhet të hiqet nga këto agjenda. Nëse dialogu shërben për mbajtjen e dikujt në pushtet andej apo këndej, kjo është shumë e rrezikshme për rajonin”.
Disa muaj pas lirimit të tij, Haradinaj u bë Kryeministër i Kosovës. Në rolin e tij të ri si kreu i Qeverisë, Haradinaj ka mundësi të ndikojë te dialogu për të ndihmuar në spastrimin e procesit të cilin para një viti ai e konsideronte si të dëmshëm dhe të korruptuar.
Deri më tani Haradinaj nuk e ka shpjeguar vizionin e tij për këtë. Ai vetëm e ka përsëritur slloganin e përdorur edhe nga shumë politikanë të tjerë kosovarë të cilën e kanë gjetur veten në pushtet: “dialogu nuk ka alternativë”. Megjithatë, ai e ka emëruar ish-shefin e stafit të tij, Avni Arifajn, si kryenegociues të ri.
Zgjidhja e ngërçit
Diskutimet aktualisht janë ndalur pasi vrasja e Oliver Ivanoviqit e ndërpreu takimin e parë ndërmjet dy palëve pas gati 12 muajsh pushim. Delegacioni serb ka lënë të kuptohet se me gjasë nuk do t’i vazhdojnë bisedimet derisa të zgjidhet rasti. Kur të kthehen në tryezë, të dyja palët përsëri do të përpiqen t’i “normalizojnë” marrëdhëniet. Këtë janë munduar ta bëjnë prej marsit të vitit 2011.
Progresi në lidhje me këtë synim shpeshherë shihet me skepticizëm në Kosovë. Tensionet me Serbinë shpeshherë janë shtuar prej fillimit të dialogut. Kritikët kanë përmendur fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, “incidentin famëkeq me tren” dhe arrestimin e Haradinajt si dëshmi që dialogu ka dështuar të krijojë ‘marrëdhënie të normalizuara’.
Siç tha Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës së përditshme Koha Ditore, për K2.0: “Dialogu që po marrim pjesë na nuk po prodhon asgjë më shumë se tensione dhe aspak normalizim. Kush e dergoi trenin vitin e kaluar? Kush po na pengon me u anëtaresu në UNESCO? Janë të njejtit që po ulen me bisedu qe 7 vjet për normalizim. Nuk mundemi ne me aktru sikur gjithçka është në rregull”.
Në disa aspekte, të dyja palët duket se janë më larg njëra-tjetrës se që ishin në fillim. Në bisedë me K2.0 në dhjetor të vitit 2017, paraardhësja e Arifajt, Edita Tahiri, e cila i udhëhoqi negociatat nga viti 2011 deri në vitin 2017, i përshkroi homologët e saj si arrogantë dhe pa vullnet.
“Serbia nuk ka vullnet për paqe dhe as për fqinjësi. Ende jeton në ëndrra hegjemoniste”, tha ajo. “Prandaj po të mos ishte vendimi ndërkombëtar përmes Rezolutës së AP-së së OKB-së në shtator të vitit 2010, ajo as që do të pranonte të bisedonte me Kosovën, aq më tepër kur e ka kompleksin e humbësit të luftës ndaj Kosovës”.
Bisedë për Europën?
Por është e rëndësishme të kujtojmë pse dy palët i nisën fillimisht bisedimet. Siç tha Tahiri për K2.0: “Pas çdo lufte ka paqe, dhe ky dialog është i tillë. Synimi përfundimtar është vendosja e paqes dhe njohja reciproke ndërmjet dy shteteve”.
Është e qartë se nocioni i njohjes reciproke nuk është vizion të cilin e ka edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili javën e kaluar u tha gazetarëve në samitin në Davos: “nëse dialogu do të thotë njohja e Kosovës – atëherë falemnderit dhe ditën e mirë”.
Megjithatë, në disa fusha diskursi është më shumë në harmoni. “Kosova dhe Serbia duhet të mendojnë për të ardhmen në mënyrë që gjeneratat e reja të mos e trashëgojnë konfliktin ndërmjet shteteve tona”, tha Tahiri për K2.0. “Integrimi europian gjithashtu kërkon që secili shtet që ka aspirata t’u bashkohet BE-së të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore, dhe jo të ketë probleme të hapura me fqinjët”.
Deklarata e saj i ngjan shkrimit të Vuçiqit në Blic verën e kaluar, ku edhe ai nguli këmbë se çështjet që lidhen me Kosovën “nuk duhet t’u mbesin fëmijëve tanë”.
Pastaj është çështja e integrimit europian. Qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës dhe të Serbisë kanë shprehur vazhdimisht përkushtimin afatgjatë të tyre ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian në të ardhmen, por kjo duket e pamundur me marrëdhëniet aktuale.
Strategjia e BE-së për zgjerim e titulluar “Perspektiva Kredibile e Zgjerimit për Ballkanin Perendimor” do të bëhet publike më 6 shkurt. Në një shkrim të publikuar në janar, Balkans Policy Research Group, me seli në Prishtinë, zbuloi një pjesë të projekt-strategjisë: “Ekziston nevoja urgjente për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në formë të një marrëveshjeje legale. Është shumë e rëndësishme për perspektivën europiane të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe rajonit në tërësi”.
Në këtë aspekt, Tahiri beson se dialogu ka qenë më së shumti në interesin e Kosovës, meqë e ka shtruar rrugën për integrim europian dhe legjitimitet të sovranitetit të Kosovës. “Dialogu i Brukselit ka kontribuuar drejtpërsëdrejti në arritjen e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në me të cilën Kosova ka hapur kapitullin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE”, tha Tahiri.
Tahiri iu referua dialogut si “obligim ndërkombëtar” dhe theksoi faktin se pesë shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që mbështetet nga MSA-ja, pjesërisht për shkak të përkushtimit të Kosovës ndaj dialogut. “Angazhimi jonë në dialog përmirësoi imazhin tonë si shtet që angazhohet për paqe dhe stabilitet në rajon […]”, deklaroi ajo.
Enver Robelli, redaktor çështjeve të jashtme në gazetën e përditshme zvicrane Tages-Anzeiger, mendon se procesi i dialogut më shumë i ka shërbyer individëve sesa shtetit. Ai mendon se shteti kosovar hyri në bisedime duke pranuar kushte të cilat e lanë në disavantazh gjatë negociatave.
“Arsyeja e sjelljes së papërgjegjshme të palës kosovare ka të bëjë me synimin e liderëve të diskredituar që para bashkësisë ndërkombëtare të duken të moderuar dhe garantues të paqes dhe marrëveshjeve me Serbinë”, tha Robelli për K2.0. “Në shkëmbim të sjelljes së tyre të “moderuar” këta liderë presin përkrahje nga bashkësia ndërkomëtare, amnistim, trajtim të privilegjuar”, tha Robelli. Ndërkohë Agron Bajrami e mohon nocionin e Tahirit se dialogu e ka shtyrë përpara integrimin europian për Kosovën. Ai thotë se dialogu gjithmonë iu prezantua publikut kosovar si mënyrë e Serbisë për ta njohur Kosovën dhe si mënyrë për të hyrë në Bashkim Europian. “Përderisa Serbia e ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, Kosova nuk është njohur nga Serbia, as nga pesë shtetet e tjera të BE-së, dhe as nuk është në proces të integrimit në BE”, tha ai për K2.0.
Serbia i nisi negociatat për anëtarësim në BE në janar të vitit 2014 dhe deri më tani ka hapur 10 kapituj. I kanë mbetur edhe 25 kapituj të tjerë. Në anën tjetër, Kosova mbetet vetëm si kandidat potencial dhe ende nuk e ka filluar zyrtarisht procesin e anëtarësimit. Më 30 janar, euobserver raportoi se pas miratimit të strategjisë së lartpërmendur për zgjerim, shteti spanjoll i kishte dërguar një letër jozyrtare Komisionit Europian duke deklaruar se “Kosova nuk është pjesë e procesit të zgjerimit”.
Nëse dialogu shihet si vegël politike, atëherë Bajrami beson se ajo është përdorur në mënyrë shumë më efektive nga Serbia. “Çka ka ndodhë është që Serbia ka avansuar përmes procesit të dialogut, ndërsa Kosova edhe sot e ka të paqartë, sepse në këto 7 vjet as nuk na kanë njoftë dikush nga 5 vendet e BE-së, e as nuk është afruar Serbia drejt njohjes”, thotë ai.
Këtë pikëpamje e ndan lideri i dikurshëm i partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri. “Prej vitit 2011, Republika e Kosovës nuk ka qenë shtet normal sovran që përdor dialogun për t’i avansuar interesat dhe të drejtat e saj, dhe për t’i përmirësuar marrëdhëniet me shtetet e tjera”, tha Ymeri për K2.0 në dhjetor të vitit 2017. “Në vend të kësaj, shteti po përdoret nga dialogu”.
Në anën tjeter ish-kreu i dikurshëm i negociatave, Tahiri, sheh përfitime të brendshme si rrjedhojë e dialogut, veçanërisht konsolidimin e Kosovës. “Falë dialogut të Brukselit, sovraniteti shtetëror është shtrirë dhe është konsoliduar në fusha relevante në pjesën veriore të Kosovës”, deklaroi ajo. “Sot kemi policinë, gjyqësinë, doganat e Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit, ndërsa i kemi zhbërë strukturat paralele serbe”.
Ndërsa Bajrami mendon se, në këtë aspekt, thelbi i dialogut është defektiv. Ai argumenton se çështjet e diskutuara lidhen më shumë me rregullimin e brendshëm të Kosovës se me ndonjë dialog tipik ndërshtetëror. “Integrimi i veriut, shpërbëria e strukturave paralele… Këto janë çështje të brendshme të Kosovës”, tha ai.
Marrëveshjet për këto çështje kanë shkaktuar mospajtime sa i përket zbatimit. Kosova dhe Serbia vazhdimisht e kanë akuzuar njëra-tjetrën për vonesa të qëllimshme dhe dështime sa i përket zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë këtu Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës.
Rishikimi i zbatimit të Dialogut Kosovë-Serbi që u bë në shtator të vitit 2017 nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut i Columbia Unviersity theksoi pengesat e shkaktuara nga të dyja vendet sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Bajrami mendon se nikoqirët e dialogut, BE-ja, duhet ta kenë marr një mësim të mos llogarisin në marrëveshjet e liderëve, meqë zbatimi në terren kërkon më shumë unitet të brendshëm në të dyja vendet, e veçanërisht në Kosovë.
“[Hashim] Thaçi e nënshkroi marrëveshjen në vitin 2013 për ta krijuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por e kemi parë çka ndodhur – ai nuk kishte pushtet të mjaftueshëm për ta zbatuar atë”, tha Bajrami për K2.0. “BE-ja është dashur të mësonte prej kësaj, veçanërisht në 2 apo 3 vitet e fundit, sepse as Thaçi e as Vuçiq nuk kanë pushtet për t’i imponuar marrëveshjet – veçanërisht Thaçi”.
Pavarësisht faktit se Thaçi dhe Vuçiq kaluan në pozita presidenciale në vitet e fundit, është diskutuar shumë për përfshirjen e vazhdueshme të tyre në dialog. Të dy këta burrështetasit janë deklaruar të gatshëm të përfshihen në fazën e ardhshme të dialogut.
Po mungojnë përbërësit
Kjo fazë e ardhshme është emëruar si fazë e “normalizimit dhe pajtimit”. Bajrami dhe Robelli besojnë se koncepti i pajtimit i ka munguar shumë nga dialogu i deritanishëm. Sipas Robellit, ka munguar edhe vendosmëria politike për pajtim nga ana e palës serbe. “Pajtimi është proces dhe jo një akt spontan. Për këtë duhet vullnet politik, gatishmëri për të respektuar tjetrin dhe për të mësuar nga e kaluara”, tha ai për K2.0. “A ka arritur Serbia në këtë pikë? Fare. Madje ka një tendencë të gjerë për të rehabilituar figurat kyçe të regjimit të Sllobodan Millosheviqit”.
Bajrami thekson se mungesa e drejtësisë ka krijuar hapësirë të vështirë për mundësimin e pajtimit. “Pajtimi dhe paqja nuk mund të realizohen pa drejtësi”, deklaroi ai. “Njerëzit pajtohen kur ka drejtësi të kënaqshme në lidhje me krimet e së kaluarës. Si mund të ndodhë pajtimi kur nuk ka as kërkimfalje për ndodhitë e së kaluarës?”
Ymeri pajtohet me këtë qëndrim dhe shton se Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka folur për nevojën për kushtëzime në dialogun me Serbinë. “Hapi i parë është kërkimi i faljes për krimet e luftës të kryera në Kosovë, por duhet të folim edhe për dëmshpërblime për krimet e luftës dhe të gjitha viktimat, gjë për të cilën Serbia asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri”, thotë Ymeri.
Lëvizja para
Pa marrë parasysh kritikat e tyre, Ymeri, Bajrami e Robelli besojnë se dialogu me Serbinë është thelbësor për paqe. “Mendoj se dialogu nuk ka alternativë dhe se duhet të dialogojmë, sepse përndryshe ka luftë. Mirëpo, mendoj se duke thënë se dialogu nuk ka alternativë asnjëherë nuk bën të mendohet se nuk ka dialogje alternative”.
Ymeri mendon se ky dialog nuk është shumë i rëndësishëm për ekzistencën e vazhdueshme të Kosovës. “Unë nuk mendoj fare që i bëjmë ndonjë dobi as dialogut as rajonit, e aq më pak Republikës, nëse dialogun me Serbinë e marrim si kusht të domosdoshëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës”, thotë ai. “Neve na duhet dialog, por jo i tillë që te na bëhet kusht i ekzistencës sonë”.
Ai shton se duhet të qartësohen gjërat që po diskutohen. “Nëse unë dhe ju nuk dakordohemi se çka do të thotë e mirë, atëherë kot flasim e debatojmë për jetën e mirë sepse jemi duke folur për dy kuptime absolutisht të ndryshme, dhe mendoj se ky ka qenë problemi më i madh në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë”.
Robelli mendon se dialogu mund të ketë progres vetëm nëpërmjet pajtimit, dhe se kjo mund të arrihet vetëm nëse dy shtetet emancipohen nga klasat ekzistuese politike. “Aktualisht në të dyja shtetet po udhëheqin liderë popullistë, interesi kryesor i të cilëve është pasurimi i klaneve të tyre politike”, tha ai për K2.0.
Nuk është e sigurtë se kur do të nisë faza e ardhshme e dialogut, por suksesi i tij tani duket më i rëndësishëm dhe më i vështirë se kurrë, meqë pajtimi është shtuar në listën e detyrave të normalizimit të marrëdhënieve. Me kohë do të mësojmë se a do të jenë përfaqësuesit e dy shteteve të aftë ta arrijnë këtë.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.