S`fundmi | Punë

THIRRJE PËR APLIKIM: 8 praktika me pagesë në Institutin GAP dhe K2.0

Nga - 21.10.2021

Periudha e praktikës me pagesë: Nëntor 2021 – Prill 2022.

A ju pëlqen hulumtimi, gërmimi dhe gjetja e fakteve për t’u dalë në fund çështjeve të ndryshme? A doni ta përjetoni emocionin e shkrimit të analizave dhe artikujve derisa mësoni rreth procesit të prodhimit nga studiuesit dhe gazetarët profesionistë? Apo ndoshta keni aftësi në organizimin e ngjarjeve dhe drejtimin e aktiviteteve promovuese dhe dëshironi një mundësi për t’i shfrytëzuar këto aftësi?

Nëse po, aplikoni për t’u bashkuar me ne në Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP!

Për çfarë bëhet fjalë?

Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP po e inicojnë ciklin të tyre më të ri të Programit të Praktikës, pjesë e projektit “Inovacioni për Media të Qëndrueshme dhe Angazhim Qytetar” të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky program gjashtëmujor, nga i cili do të përfitojnë studentët e nivelit bachelor në Kosovë, shërben për t’i mprehur aftësitë e profesionistëve të rinj që synojnë ta ndërtojnë karrierën në sektorin e medias. Do të përzgjidhen gjithsej tetë praktikantë, nga të cilët katër së pari do t’i bashkohen ekipit hulumtues në Institutin GAP dhe pastaj ekipit redaktues të Kosovo 2.0, ndërsa katër të tjerët do ta bëjnë të kundërtën, së pari duke punuar në Kosovo 2.0 para se të kalojnë tek Institutin GAP. Tetë kandidatët do të punojnë ngushtë me të dy ekipet për të kryer hulumtime dhe analiza të të dhënave, shkrimin e artikujve bazuar në këto hulumtime dhe analiza, duke i komunikuar dhe promovuar aktivitetet përmes mediave sociale dhe organizimin e ngjarjeve që lidhen me projektin.

Cilat do të jenë detyrat e praktikantëve:

  • Do të jenë pjesë e ekipit të analistëve të Institutit GAP dhe do ta përcjellin procesin e hulumtimit;
  • Do të mbajnë takime dhe intervista me institucionet dhe organizatat përkatëse për të përgatitur raporte;
  • Do të punojnë me analistët e të dhënave për t’i kuptuar më mirë të dhënat (veçanërisht ato të lidhura me politikën publike) dhe mësimin e formave të reja për gjetjen më efikase të të dhënave;
  • Do të marrin pjesë në takime në përcaktimin e temave të hulumtimit në Institutin GAP dhe do të shohin se si konceptohen idetë hulumtuese;
  • Do të marrin pjesë në të gjitha takimet redaktuese të Kosovo 2.0 dhe do të shohin se si paraqiten idetë e storieve;
  • Do të kuptojnë se si grumbullohen dhe përdoren të dhënat si dhe do të mësojnë se si bëhen hulumtimet për artikuj të veçantë;
  • Do të jenë vazhdimisht pranë gazetarëve gjatë intervistave, hulumtimeve dhe punës në terren;
  • Do të punojnë me ekipin e programeve për të mësuar çdo hap që kërkohet për organizimin e ngjarjeve të ndryshme, të tilla si diskutimet dhe master-klasat;
  • Do të punojnë me ekipet e mediave sociale për përmirësimin e aftësive të tyre në promovimin e aktiviteteve të projektit;

Si do të zhvillohet praktika?

Praktikantët e përzgjedhur do t’i kalojnë tre muajt e parë të Praktikës në njërën nga dy organizatat, pastaj për tre muajt e ardhshëm do të kalojnë tek organizata tjetër.

Në Institutin GAP, praktikantët do të njihen me procesin e kërkimit dhe si kryhet ky proces. Pjesëmarrësve do t’u prezentohen hapat e kërkimit, teknikat e mbledhjes së informacionit dhe metodat e qasjes në informacionin publik. Pastaj, do ta kenë mundësinë të shohin se si hartohet një analizë e politikave publike.

Në Kosovo 2.0, çdo praktikant do të punojë me një gazetar/koordinator/producent të caktuar nga ekipi redaktues. Praktikantët do të jenë pjesë e pandashme e ekipit redaktues, nga pjesëmarrja në takimet e redaksisë deri tek përfshirja në procesin e shkrimit të artikujve, që përfshin mbledhjen e të dhënave, kryerjen e intervistave dhe shndërrimin e këtij informacioni në artikuj të duhur. Praktikantët do të punojnë gjithashtu me ekipin e programeve të K2.0 për organizimin e ngjarjeve në media, si dhe ekipin e komunikimit për të maksimizuar promovimin e projektit.

Kënd po e kërkojmë?

Njerëz entuziastë dhe të përkushtuar që kanë sfonde të ndryshme, por që interesi i tyre lidhet me arritjen profesionale! Programi i Praktikës kërkon të zhvillojë profesionistë të rinj në fushën e gazetarisë dhe atë të hulumtimit të politikave. Katër profilet që po kërkojmë janë:

  • Hulumtues / Analist i të Dhënave: dikë që i kupton të dhënat sasiore dhe di si t’i shfrytëzojë ato;
  • Media Sociale / Copywriter: dikë që mund t’i komunikojë publikimet dhe aktivitetet tona në mediat sociale;
  • Shkrues: dikë që shkruan mirë artikuj dhe konverton të dhënave në storie;
  • Koordinator ngjarjesh: dikush që mund të organizojë ngjarje dhe aktivitete.

Si bëhet aplikimi? 

Thirrja është e hapur për të gjithë studentët të nivelit bachelor nga Kosova nga fushat përkatëse duke përfshirë, por pa u kufizuar, në gazetari, shkenca politike, sociologji, ekonomi të cilët janë të interesuar në hulumtim dhe gazetari. Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP inkurajojnë të gjithë vajzat dhe djemtë e rinj që janë të interesuar në këto fusha ta sfidojnë veten duke u bërë pjesë e Programit Profesional të Praktikës.

Për të aplikuar, dërgoni CV-në tuaj dhe një letër motivimi (klikoni këtu për t’u qasur në një model) në info@ktwopointzero.com. Ju lutemi specifikoni saktësisht se për cilën Pozitë të Praktikës po aplikoni.

Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutemi mos ngurroni të na kontaktoni në info@ktwopointzero.com deri më 03.11.2021.

Afati i aplikimit është 07.11.2021

Të gjithë aplikantët do të njoftohen për statusin e aplikimit të tyre.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • 25 Oct 2021 - 11:14 | Eriola Cacaj:

    Pershendetje te gjitheve, jam Eriola Cacaj, studente e gazetarise ne vitin e 3te. Hulumtimi dhe gazetari jane dy nga gjerat te cila dua te zhvilloj edhe me shume tek puna ime si Gazetare. Andaj kjo mundesi mund te me perfillet nese do te jem njeri nga te perzgjedhurat e juaja.

KOMENTO