S`fundmi | Bursa për Gazetari

THIRRJE PËR APLIKIM: BURSAT PËR GAZETARI 2024

Nga - 12.03.2024

Po e nisim ciklin e pestë të Programit të Bursave për Gazetari të K2.0

K2.0 u themelua nga gazetarë/e dhe rrëfimtarë/e të rinj/reja, të cilët/at dëshironin të shtjellonin mënyra të ndryshme për të rrëfyer histori dhe të vendosnin se çka ia vlente të botohej. Në mungesë të hapësirës dhe burimeve të nevojshme, ne krijuam K2.0.

Kjo është arsyeja pse, në vitin 2018, e nisëm programin tonë të bursave — ashtu që platformën që kemi ndërtuar ta hapim edhe për brezat e rinj të profesionistëve/eve të medies që janë përkrahës/e të gazetarisë së pakufizuar dhe janë të përkushtuar për të çuar përpara ndryshime pozitive përmes punës së tyre.

Këtë vit, po hapim ciklin tonë të pestë të Bursave, në kërkim të pesë zërave të ardhshëm premtues në gazetarinë kosovare të përqendruar në të drejtat e njeriut. Bursistët/et tanë/ona të vitit 2024 do të marrin trajnim të hollësishëm, mentorim të vazhdueshëm dhe mbështetje financiare për të prodhuar përmbajtje gazetareske, që janë shumë të rëndësishme për të mbetur të parrëfyera. Përmes programit tonë, synojmë të mbështesim projekte të shkruara dhe multimediale që do t’i frymëzojnë redaktorët/et tanë/ona dhe do të bëjnë bujë në publik pasi të botohen në revistën KOSOVO 2.0.

Nëse je gazetar/e apo profesionist/e medial/e i/e ri/e, ke shkathtësi në të shkruar, në audio-incizim dhe/ose me aparat fotografik dhe nëse misioni yt është që të kontribuosh në përmirësimin e përfaqësimit dhe diversitetit medial, kjo thirrje është për ty.

Shikoni udhëzimet më poshtë për ta kuptuar nëse i plotësoni kriteret; për të mësuar për llojin e përmbajtjeve gazetareske që po kërkojmë; si do të vijojë tutje Programi i Bursave dhe për t’u informuar më shumë rreth procesit të aplikimit.

Afati i fundit për aplikim është 7 prill 2024.

Ky aktivitet organizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

  • 14 Mar 2024 - 20:41 | Blerta:

    Momentalisht në mendje kam, si të bëhem gazetare përfekte dhe e mirë, gjithashtu dhe të bëhem njëra ndër përfitueset e burses.

KOMENTO