Gëzohemi t’ju ftojmë që të aplikoni për Programin tonë Lokomotiva, përmes së cilit ofrojmë hapësirë të përbashkët për të rinj entuziastë të të gjitha gjinive dhe prapavijave që kanë vullnet të gjurmojnë ide të reja, si dhe të sfidojnë në mënyrë konstruktive narrativat e rrënjosura për identitetet shoqërore përmes formateve dhe mjeteve të shumta mediale.
Kjo mundësi e të mësuarit praktik synon të nxisë mendimin kritik dhe t’i frymëzojë pjesëmarrësit të bëjnë aktivizëm për katër çështje bosht — gjinia, etnia, feja dhe raca — duke i pajisur ata me mjetet e nevojshme për të bërë ndryshime pozitive. Si i tillë, programi është përvojë gjashtëmujore e të mësuarit shumëdimensional me plot dinamizëm, gjatë së cilit pjesëmarrësve u ofrohet një mundësi e jashtëzakonshme për hulumtimin e ideve të reja dhe për t’u shoqëruar me bashkëmoshatarë.
Faza e parë e programit — Njoftimi:
Ky rrugëtim fillon me një kamp online që do të mbahet në maj, ku të gjithë pjesëmarrësit e përzgjedhur dhe ndërmjetësit me përvojë do të takohen virtualisht për katër ditë, për t’u njoftuar me programin dhe me njëri-tjetrin, si dhe për ta pasur parasysh një pasqyrë të përgjithshme për ndërthurjen në mes të gjinisë, etnisë, religjionit dhe racës.
Pas kampit, pjesëmarrësit do të formojnë ekipet me të cilat do ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre të Lokomotivës. Secili ekip do të ketë një nga katër temat kryesore të programit: gjinia, etnia, religjioni dhe raca — varësisht nga fushat e interesit.
Faza e dytë e programit — Ndërtimi i kapaciteteve:
Përgjatë fazës së dytë të këtyre gjashtë muajve do të mbahen katër diskutime të hapura rreth temave të lartpërmendura. Anëtarët e Lokomotivës do të kenë mundësi të takohen dhe të diskutojnë për filma, fotografi, muzikë dhe formate të tjera mediale me njerëz të mirënjohur dhe frymëzues që kanë pasur ndikim të madh në mënyrën se si e perceptojmë botën përreth nesh.
Dhe nuk mbaron me kaq! Pas katër diskutimeve të hapura tematike, anëtarët e Lokomotivës do të kenë rastin e çmueshëm të marrin pjesë në shtatë punëtori mbi përdorimin e formateve mediale për ndryshim shoqëror, gjë që është thelbi i misionit të programit. Punëtoritë për fotografi, video, shkrim dhe publikim të teksteve, performancë të artit, muzikë, mjete online për shprehje kreative dhe metoda hulumtuese do t’i përgatisin pjesëmarrësit për fazën e fundit, e cila shënon kulmin e programit — nismat dhe intervenimet në komunitet!
Faza finale e programit — Nismat në komunitet:
Pas bisedave kreative dhe punëtorive, në këtë fazë anëtarët e Lokomotivës do të mbështeten në dizajnimin e nismave të tyre duke pranuar financim për realizim të një intervenimi në një fushë të zgjedhur në komunitetet e tyre. Ne presim nga anëtarët e Lokomotivës të jenë kreativë në zgjidhjet që ofrojnë dhe të përkushtuar ndaj nismave që propozojnë! Pas përfundimit të suksesshëm të programit, të gjithë pjesëmarrësit do të pranojnë certifikatat që vlerësojnë kontributin e tyre të rëndësishëm në nismat dhe zgjidhjet e udhëhequra nga komuniteti.
Me padurim presim të na bashkoheni në Lokomotivë nëse jeni:
- 18-24 vjeç;
- Me vendbanim në Kosovë;
- Të përkushtuar që të angazhoheni në mënyrë aktive në të gjitha fazat e programit gjashtëmujor;
- Të gatshëm të sfidoni në mënyrë kritike narrativat përçmuese për gjininë, etninë, fenë dhe racën;
- Të interesuar të takoni dhe të punoni për së afërmi me bashkëmoshatarë që kanë prapavija të ndryshme;
- Të hapur ndaj ideve dhe mendimeve të reja, dhe me vullnet të punoni në ekipe energjike;
- Të aftë të identifikoni dhe vlerësoni nevojat e komuniteteve tuaja;
- Të aftë të dizajnoni nisma që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fushat që përfshijnë gjininë, etninë, fenë dhe racën në komunitetin tuaj.
Aplikuesit do t’i njoftojmë përmes email-it për statusin e aplikimit të tyre. Afati i fundit për regjistrim është data 3 maj 2021.K
Programi Lokomotiva 2.0 mbështetet nga Prince Claus Fund.