Në Kosovo 2.0, besojmë në fuqinë e mediave të vogla dhe të pavarura për të bërë një ndryshim të madh — sidomos në kohën kur integriteti i informacionit është nën kërcënim të vazhdueshëm. Nga mbulimi i boshllëqeve në raportim e deri te sfidimi i narrativave tradicionale, këto media janë thelbësore për ndërtimin e një mjedisi medial të larmishëm dhe demokratik në vend.
Prandaj, po e hapim këtë thirrje për propozime, pjesë e nismës sonë të re, “Përmirësimi i integritetit të informacionit në epokën digjitale dhe AI” — zbatuar në kuadër të projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatuar nga LuxDev.
Përmes kësaj nisme, po ofrojmë mbështetje financiare dhe mentorim për mediet lokale, të përkushtuara për të prodhuar gazetari faktike dhe të pavarur me fokus në komunitet — veçanërisht përballë ndryshimeve të thella digjitale dhe ndikimit në rritje të Inteligjencës Artificiale (AI).
Pavarësisht nëse jeni një medium i regjistruar apo një OJQ që prodhon përmbajtje gazetareske dhe punon për të kundërshtuar çrregullimin informativ — nëse bëni gazetari që i shërben interesit publik, kjo mundësi është për ju.
Çfarë po ofrojmë:
– Grante për projekte deri në 5,000 EUR
– Mentorim nga redaksia në teknika inovative të rrëfimit gazetaresk dhe mjete të Inteligjencës Artificiale
– Trajnim në menaxhimin e projekteve dhe raportim
Çfarë po kërkojmë:
Dëshirojmë të mbështesim iniciativa që:
– Prodhojnë përmbajtje gazetareske të pavarur dhe me cilësi të lartë;
– Kundërshtojnë aktivisht dezinformimin dhe keqinformimin;
– Angazhohen në mënyrë domethënëse me audiencën e tyre.
– Kërkojnë mbështetje financiare ose strategjike për të rritur ndikimin e tyre.
Detajet e financimit:
Deri në tre (3) aplikantë do të zgjidhen për këtë raund. Çdo projekt i zgjedhur do të përfitojë nga një grant deri në 5,000 EUR. Këto grante janë të bazuara në projekte dhe nuk mund të përdoren për mbështetje institucionale.
Afati i fundit:
Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 23 qershor 2025.
Për pyetje, kontaktoni në: [email protected] deri më 15 qershor 2025.
Mendoni se kjo thirrje mund të jetë për ju?
Shikoni udhëzimet e detajuara dhe aplikoni tani.