K2.0 ka hapur thirrje për shprehje interesimi për kompanitë ose individët që
dëshirojnë të prodhojnë filma të shkurtër dokumentarë.
Që nga themelimi, K2.0 ka qenë platformë për zërat e rinj dhe fuqizimin e të rinjve.
Si pjesë e projektit tonë të ardhshëm “Të shkathët, të vetëdijshëm dhe aktivë — gazetaria digjitale si zë i rinisë”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë, K2.0 synon t’i mbledhë dhe t’i nxjerr në pah pikëpamjet e të rinjve e të rejave kosovarë/e nëpërmjet gazetarisë multimediale digjitale.
Për këtë arsye, K2.0 fton palët e treta të shprehin interesimin e tyre për prodhimin e një serie të shkurtër dokumentarësh.
Rreth mini-dokumentarëve
K2.0 po kërkon të kontraktojë profesionistë me përvojë për prodhimin e tre (3) dokumentarëve të shkurtër, secili me kohëzgjatje maksimale prej 20 minutash.
Çdo dokumentar i shkurtër duhet të marrë deri në 4 muaj kohë për t’u prodhuar. Afati kohor i planifikuar për prodhimin e mini-dokumentarëve është:
- Mini-dokumentari i parë: gusht – nëntor 2022
- Mini-dokumentari i dytë: shkurt 2023 – maj 2023
- Mini-dokumentari i tretë: gusht 2023 – nëntor 2023
Dokumentarët e shkurtër do të xhirohen në tri qytete të ndryshme, një qytet për një dokumentar, jashtë Prishtinës. Ndonëse qytetet mund të ndryshojnë varësisht prej rrethanave, përzgjedhja e tanishme përfshin qytetet si Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj. Kandidatëve të suksesshëm do t’u duhet të punojnë për një periudhë të caktuar ditësh në terren, si rrjedhojë e xhirimeve.
Mini-dokumentarët do të kenë për tematika çështjet themelore që prekin rininë në shoqërinë bashkëkohore, siç janë marrëdhëniet dhe mirëkuptimi ndëretnik, seksi dhe gjinia, si dhe pjesëmarrja politike.
Shërbimet që duhet të ofrohen
Kandidatët fitues pritet t’i kryejnë të gjitha aktivitetet e nevojshme për prodhimin teknik të mini-dokumentarëve, përfshirë:
- xhirimin e videos dhe incizimin e zërit
- montazhën e videos
- montazhën e ngjyrave
- miksimin / dizajnin e tingullit
- titrimi
Këtu përfshihen aktivitetet që lidhen me planifikimin dhe të gjitha aktivitetet e tjera përgatitore që çojnë në ekzekutimin praktik të shërbimeve. Gjithashtu, kandidatët pritet t’i kenë të gjitha pajisjet dhe burimet njerëzore të nevojshme për t’i ofruar këto shërbime në kohë dhe në mënyrë të pavarur. Nëse aplikohet, K2.0 mund ta vë në dispozicion studion e brendshme për incizime dhe/ose për zërim.
K2.0 do të jetë prodhuesi përfundimtar i serisë së dokumentarëve të shkurtër, duke pasur mbikëqyrje të plotë mbi produktin përfundimtar. Gjersa K2.0 do të ofrojë udhëzime mbi temat dhe konceptet e mini-dokumentarëve, kandidatët fitues pritet të japin kontribut përmbajtjesorë/thelbësor lidhur me realizimin vizual të filmave.
Buxheti maksimal në dispozicion për prodhimin e të tre dokumentarëve të shkurtër është 6,900.00 € në total (bruto).
Kriteret për aplikim:
- Për këtë thirrje mund të aplikojnë ose individë ose kompani;
- Kandidatët duhet të jenë me seli në Kosovë.
Kualifikimet
- Njohuri të plota të Adobe Premiere Pro, Adobe After Effects dhe aplikacioneve të tjera të Adobe Creative Cloud
- Përvojë të dëshmuar në video-xhirime dhe audio-incizime me cilësi të lartë (minimumi katër vite), e preferueshme në kontekstin e dokumentarëve gazetaresk apo video prodhimeve.
- Përvoja e dëshmuar në projekte audiovizive që ndërlidhen me rininë, të drejtat e njeriut dhe gazetarinë është e preferuar.
- Njohuri të shkëlqyera të gjuhës shqipe dhe njohuri për punë të gjuhës angleze. Të kuptuarit bazik të gjuhës serbe është një përparësi.
- Aftësi të shkëlqyera komunikimi, organizative dhe aftësi për respektimin e afateve.
- Preferohen, por nuk janë obligative kualifikimet formale në fushat përkatëse, si komunikimi masiv, produksioni, studimet mediale, teknologji të informacionit ose studimet audiovizive.
Si të aplikoni:
Aplikuesit e interesuar duhet t’i paraqesin:
- Ndarje buxhetore (aplikantët mund të përdorin formatin e tyre)
- Portfolion
- CV (nëse jeni kompani, CV-të e personelit që mendohet të angazhohet në projekt)
- Nëse jeni kompani, certifikatën biznesi dhe verifikimin tatimor
Afati i fundit për aplikim është 10 gusht 2022. Aplikimet e pakompletuara apo me vonesë nuk do të merren parasysh.
Aplikimet duhet të dërgohen në [email protected].
Të gjithë aplikantët do të njoftohen përmes email lidhur me statusin e aplikimit të tyre.
*Shënim i redaksisë: Për shkak të një lëshimi, në versionin paraprak thuhej se buxheti maksimal në dispozicion për prodhimin e të tre dokumentarëve të shkurtër është 6,000 €. Ky lëshim është përmirësuar dhe buxheti në dispozicion është 6,900 € bruto.
Imazhi i ballinës : K2.0
Pershendetje..e pashe konkursin tuaj dhe me vjen mire qe krijoni mundesi te tilla. Por kam nje sygjerin per te mos thene vrejtje..Nga ajo qe pashe ne listen e pozitave mungojne dy pozitat kryesore qe ne shume raste mund t'i kryej nje person-mungon skenari®jia. Por edhr pozita te tjera me rendesi. Çmimet jane qesharake-jokoherente per punen e kerkuar dhe kohen e angazhinit. Per te dal te propozimi-sugjerimi ndoshta me mire kishe me kane me ofru cmimin total dhe me ja dhane nje kompanie, refjisori apo producdnti dhr me pas ai e di si i ndan punet. Perndtyshe ky çmim nuk premton pune solide as edhe per 1 dokumentar apo fjala dokumentar eshte permendur si term? Une mora pak kohen time ndonese s'kam.interes me konkuru me keto kushte dhe cmime por ta keni parasysh per hera te tjera. Si reference mbase mund te ju sherbej cmimorja e QKK-se, edhepse si veprimtari mund te jeni te ndryshme, pof e shihni pak a shume ka sillen cmimet qe doni me konkuru dikush qe veftet mund t kryej kete pune me parametra profrsional. Sidoqofte suksese juve dhe atyre qe fitojne. Iliri