S`fundmi

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESIMI: PRODHIM VIDEOSH

Nga - 20.03.2024

K2.0 hap thirrje për shprehje interesimi për kompanitë ose individët që dëshirojnë të prodhojnë video të shkurtra.

Që nga themelimi, K2.0 ka ofruar platformë për zërat e rinj dhe fuqizimin e të rinjve/rejave.

Në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovë, projekti ynë “Të shkathët, të vetëdijshëm dhe aktivë — gazetaria digjitale për zërat i rinisë” synon t’i nxjerrë në pah pikëpamjet e të rinjve e të rejave kosovarë/e nëpërmjet gazetarisë multimediale digjitale.

Për t’i përmbushur këto synime, K2.0 fton palët e treta të shprehin interesimin e tyre për prodhimin e një serie videosh të shkurtër.

Rreth prodhimit të videove 

K2.0 aktualisht po kërkon të kontraktojë individë apo profesionistë/e me përvojë për prodhimin e një serie videosh. Seria do të përbëhet nga katër deri në tetë video të shkurtra, numri i saktë i të cilave do të përcaktohet përmes diskutimit me K2.0. Secila video do të ketë kohëzgjatje nga një deri në pesë minuta. Këto video do të jenë pjesë e një përmbledhjeje digjitale multimediale, që synon t’i nxjerrë në pah pikëpamjet e të rinjve/rejave mbi çështjet kryesore bashkëkohore të shoqërisë. Këto tema përfshijnë marrëdhëniet dhe mirëkuptimin ndëretnik, seksin dhe gjininë dhe pjesëmarrjen politike.

Videot, të prodhuara bashkërisht me të rinjtë/rejat e përfshirë/a nga K2.0 në bashkë-krijimin e zinës dhe të dizajnuara për t’u shpërndarë lehtësisht nëpër platformat e rrjeteve sociale, do të zhvillohen nën udhëheqjen e ekipit redaktues të K2.0 dhe do të integrohen në zinën digjitale për publikim. Ekspertit/es (ëve/eve) të përzgjedhur për prodhimin e videove u kërkohet të shprehin përkushtim të ngjashëm në angazhim dhe mentorim të pjesëmarrësve/eve të rinj/reja në bashkë-krijimin e përmbajtjeve mediale tërheqëse, të përqendruara tek të rinjtë/rejat dhe të cilësisë së lartë, të krijuara posaçërisht për përdorim në rrjete sociale.

Afati kohor i parashikuar për angazhimin e kompanisë/individit/ekipit është si vijon:

  • Përshtatja e konceptit dhe planifikimi i prodhimit: 8 prill deri më 11 prill 2024
  • Video-xhirime me të rinj/reja (produksion): 12 prill & 13 prill 2024
  • Post-produksion: 14 prill 2024 deri më 31 maj 2024

Publikimi është planifikuar mes qershorit dhe gushtit 2024.

Xhirimet do të zhvillohen gjatë një punëtorie dy-ditore të organizuar nga K2.0 në Prishtinë, ku do të marrin pjesë të rinjtë/rejat e përfshirë në projekt. Si rezultat, aplikantët/et e suksesshëm/me duhet të jenë të disponueshëm/me për dy ditë xhirime në terren dhe bashkëpunim me pjesëmarrësit/et e rinj/reja. Datat e sakta të xhirimeve mund të ndryshojnë, varësisht nevojave të K2.0 dhe pjesëmarrësve/eve të projektit. Aplikantët/et e suksesshëm/me duhet të përkushtohen dhe të marrin pjesë në secilën pjesë të punëtorisë, brenda periudhës kohore nga prilli deri në maj 2024.

Shërbimet për t’u ofruar 

Kandidatët/et fitues/e pritet t’i kryejnë të gjitha aktivitetet e nevojshme për prodhimin teknik të video-prodhimeve, përfshirë:

  • xhirimin e videos dhe incizimin e zërit;
  • montazhën e videos;
  • montazhën e ngjyrave;
  • miksimin / dizajnin e tingullit;
  • titrimi në gjuhët në të cilat operon K2.0.

Këtu përfshihen përgatitjet që lidhen me planifikimin dhe të gjitha aktivitetet e tjera përgatitore që çojnë në ekzekutimin praktik të shërbimeve. Kandidatët/et duhet t’i kenë të gjitha pajisjet dhe burimet njerëzore të nevojshme për t’i ofruar këto shërbime në kohë dhe në mënyrë të pavarur. Nëse nevojitet, K2.0 mund ta vë në dispozicion studion e brendshme për incizime shtesë.

K2.0 do të jetë prodhuesi përfundimtar i serisë së videove të shkurtra, duke u siguruar për cilësinë e produktit përfundimtar. Gjersa K2.0 do të ofrojë udhëzime mbi temat dhe konceptet e videove, kandidatët/et fitues/e pritet të luajnë rol të rëndësishëm në përmirësimin e aspekteve vizuale të videove dhe të bashkëpunojnë në mënyrë aktive me pjesëmarrësit/et e rinj/reja gjatë prodhimit të tyre.

Buxheti maksimal në dispozicion për shërbimet që kjo thirrje parasheh është 2,500.00 € në total (bruto). 

Kriteret për aplikim:

  • Për këtë thirrje mund të aplikojnë ose individë, grupe individësh ose kompani;
  • Kandidatët/et duhet të jenë me seli në Kosovë.

Kualifikimet

  • Njohuri të plota të Adobe Premiere Pro, Adobe After Effects dhe aplikacioneve të tjera të Adobe Creative Cloud;
  • Përvojë të dëshmuar në video-xhirime dhe audio-incizime me cilësi të lartë (minimumi katër vite), e preferueshme në prodhime të përshtatura për platformat e rrjeteve sociale;
  • Përvoja e dëshmuar në projekte audiovizive që ndërlidhen me rininë, të drejtat e njeriut dhe gazetarinë është e preferuar;
  • Njohuri të shkëlqyera të gjuhës shqipe dhe njohuri për punë të gjuhës angleze. Të kuptuarit bazik të gjuhës serbe është përparësi;
  • Aftësi të shkëlqyera komunikimi, organizative dhe përkushtim në respektimin e afateve;
  • Preferohen, por nuk janë obligative, kualifikimet formale në fushat përkatëse, si komunikimi masiv, produksioni, studimet mediale, teknologji të informacionit ose studimet audiovizive.

Si të aplikoni:

Aplikuesit e interesuar duhet t’i paraqesin:

  • Portfolion që tregon punën e mëparshme përkatëse;
  • Ndarje buxhetore, duke specifikuar numrin e videove që do të dorëzohen si pjesë e kontratës dhe ofertën financiare të aplikantit/es. Aplikantët/et janë të mirëpritur/a ta përdorin shabllonin tyre për këtë qëllim, duke siguruar qartësi dhe lehtësi të të kuptuarit.
  • Curriculum Vitae (CV) për aplikantët/et individualë/e ose CV e personelit të përfshirë në ofrimin e shërbimeve për kompanitë.
  • Për kompanitë, certifikatë biznesi dhe verifikimin tatimor jo më të vjetër se tre muaj.

Afati i fundit për aplikim është 2 prill 2024. Aplikimet e pakompletuara apo me vonesë nuk do të merren parasysh.

Aplikimet duhet të dërgohen në info@ktwopointzero.com, me mbishkrimin ku thuhet: “Aplikim për shërbimet e prodhimit të videove”.

Të gjithë aplikantët/et do të njoftohen përmes email lidhur me statusin e aplikimit të tyre.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Pikëpamjet e prezantuara gjatë aktivitetit nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.

  • 23 Mar 2024 - 22:20 | Pasha:

    Bashkëpunim!

  • 22 Mar 2024 - 12:43 | Rinor Gashi:

    Pershendetje une jam nje videograf me baze ne prishtine ku per 5 vite merrem profesionalisht me prodhimin e videove me kompani te ndryshme bashk me binjakun tim i cili eshte montazher, ne kemi punuar ne studio televizive, music video, dokumentare, intervista, reklama, filma, etj. Por nuk kemi kompani te deklaruar ne emrin tone si mundemi me apliku? Shpresoj se ky mesazh te merret parasysh, gjithe te mirat. Me respekt Rinor Gashi.

KOMENTO