Në thelb | BE

Thirrjet për ndihmë nga Shtegu Ballkanik

Qasja në azil mbetet problem në Slloveni.

Nga - 31.08.2020

“Nuk çajnë kokën për ne. Kemi shkuar te strehimorja e refugjatëve disa herë dhe ata na kthyen në Kroaci”.

Kjo është pjesë e një porosie që kam marrë në Whatsapp nga 19 vjeçi Mohammed nga Maroku, i cili më shkruante nga një qendër në Slloveninë jugperëndimore ku mbahej nga autoritetet.

Mohammed-i më shpjegoi se ia kishte dalë të hynte në Slloveni disa herë më parë duke i kaluar malet, por ishte zbythur fillimisht në Kroaci dhe pastaj sërish në Bosnjë e Hercegovinë ose në Serbi. Kjo praktikë e deportimit të paligjshëm është regjistruar në vitet e fundit nga disa organizata të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch dhe Këshillin e Evropës, si dhe nga parlamentarët evropianë.

OJQ-të dhe kolektivet për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe rrjetin e monitorimit Border Violence po ashtu kanë thënë se nga korriku i vitit 2018, njerëzve të shpërngulur u është mohuar e drejta ligjore për të aplikuar për azil nga policia sllovene, të cilët kanë qenë pjesë e një zinxhiri ilegal të zmbrapsjeve nga BE-ja nëpërmjet Italisë dhe Kroacisë në Bosnjë ose në Serbi.

Mohammed-i më tej më tregoi se që nga 19 korriku ishte mbajtur bashkë me të tjerë azilkërkues të mundshëm në Qendrën për të Huajt në Postonja, një qytezë në Slloveni mes Lubjanës dhe kufirit italian.

Një nga burrat brenda Qendrës për të Huaj në Postonja ka prerë veten në shenjë proteste për mbajtjen e tij të vazhdueshme. Foto nga Ambasada Rog.

Zakonisht, njerëzit që mbahen në këtë qendër janë në proces të deportimit pasi t’u hidhet poshtë kërkesa për azil apo të shpallet i paligjshëm qëndrimi i tyre në vend, siç përcaktohet nga Akti për të Huajt. Sidoqoftë, deri vonë, azilkërkuesit dhe ata që duan të kërkojnë azil sikur Mohammed-i nuk janë vendosur atje, përveç në rrethana të veçanta ku janë konsideruar se mund të arratisen ose paraqesin rrezik për rregullin publik.

Përmes mesazheve telefonike, fotove dhe videove, disa nga personat brenda qendrave ia kanë dalë të kontaktojnë me gazetarët sikur vetja ime, si dhe me disa OJQ dhe grupe të shoqërisë civile.

Pas kësaj, një grup aktivistësh organizuan protesta më 25 gusht në përpjekje për të ngritur vetëdijen për atë se çfarë po ndodh, duke i mbështetur protestat që mbaheshin brenda qendrës nga personat e mbajtur. Ata paralajmëruan publikun për sjelljen e policisë sllovene dhe tërhoqën paralele me të ashtuquajturin model hungarez ku njerëzit mbyllen gjatë procesit të tyre të azilit.

Kërcënime dhe deportime

Qendra në Postonja ku mbahen njerëzit përbëhet nga një godinë e madhe në trajtë të një hangari që së voni është pajisur me 14 kontejnerë. Secili ka nga gjashtë shtretër. Gjithashtu janë dy kontejnerë sanitarë që shërbejnë si banja dhe tualete.

Ky kompleks ka kapacitet zyrtar prej 180 shtretërish, por numri i njerëzve të mbyllur ndryshon nga dita në ditë. Në fillim të gushtit, përmes komunikimit me email policia ka thënë se atëherë mbaheshin 145 njerëz në qendër, përfshirë 42 sosh që ishin në proces të deportimit dhe 65 që kishin kërkuar azil por ende nuk kishin marrë përgjigje zyrtare.

Nga numri i plotë, 38 ishin azilkërkues të regjistruar.

Pas disa ditësh, policia raportoi se në qendër mbaheshin 142 individë, përfshirë 111 azilkërkues.

Njerëzit që mbahen në Postonja pretendojnë se janë sjellë brenda dhe u është thënë nga policia se do të karantinohen për shkak të pandemisë.

Drejtorati i Përgjithshëm i Policisë ka mohuar se qendra në Postonja përdoret si formë karantine, duke pretenduar se kryhen vetëm kontrollet themelore mjekësore. Por duke u përgjigjur, ata po ashtu thonë se “shumica qëndrojnë aty më gjatë se 14 ditë”, e cila është periudha e rekomanduar e karantinimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për ata që kanë pasur kontakt të afërt me dikë të infektuar me COVID-19.

Porositë nga personat në qendër pretendojnë se u mohohet edhe e drejta e kërkimit të azilit, pavarësisht nga premtimet e policisë me të hyrë në qendër që secili do ta ketë mundësinë të aplikojë.

Disa, sikur Mohammed-i, thonë se tanimë kishin kaluar përvojën e privimit nga e drejta e aplikimit për azil dhe pastaj janë deportuar nga BE-ja në Ballkan. Ata thonë se janë orvatur të kërkojnë ndihmë pasi janë kërcënuar me deportim drejt Kroacisë 10 ditë pas vendosjes në qendër.

Në një nga këto porosi që i është dërguar një OJQ-je lokale, X. nga Maroku ka shkruar se kushtet e jetesës janë “të tmerrshme”.

“Na vunë në një hapësirë të mbyllur, disa nga ne janë këtu tash e 28 ditë dhe të tjerë për 25 ditë pa ditur se çfarë do të ndodhë me ne”, shkroi ai.

“Ata i nxjerrin disa dhe i lënë disa të tjerë, edhe pse kemi rastin e njëjtë dhe jemi arrestuar në rrethanat e njëjta. Nuk ka ligj dhe logjikë. Disa shkojnë pa vërtetim të identitetit, kurse disa dënohen me tre muaj”.

“Ka pacientë këtu dhe kujdesi mjekësor nuk është i mirë, disa shokë druajnë se çfarë do t’u ndodhë kurse të tjerëve u shkon mendja ta vrasin veten këtu”.

Shkelja e ligjeve të azilit

Zyra e Avokatit të Popullit në Slloveni ka paralajmëruar disa herë për rolin problematik të policisë kufitare në procedurat e azilit dhe për rolin e Qendrës për të Huajt në Postonja, e cila konsiderohet zyrtarisht si hapësirë e mbajtjes.

Për më shumë, në raportet e saj, zyra pranon që familjet dhe fëmijët ishin ndër ata që janë mbajtuar aty në të kaluarën, një praktikë kontraverse për të cilën bën thirrje të hiqet.

Burrat që tash për tash janë të mbyllur në Postonja ankohen për parregullsi të tjera, përfshirë akuzimin e përkthyesve që punojnë për policinë se janë të korruptuar dhe joprofesionistë. Këto përputhen me pretendime të ngjashme nga organizatat sikur Amnesty International në Slloveni, ndërsa zyra e Avokatit të Popullit po ashtu ka përmendur këtë në një nga raportet e saj dhe ka bërë thirrje që të reagojë qeveria.

“Problemet dhe parregullsitë sistematike lidhur me privimin e lirive personale në Slloveni njihen dhe analizohen së paku tash e pesë vjet."

Saša Zagorc, profesor i drejtësisë

Saša Zagorc, profesor i drejtësisë kushtetuese në Fakultetin Juridik të Lubjanës dhe anëtar i Odysseus Network me ekspertë të tjerë të azilit, thotë se deri më tash është bërë pak për t’i adresuar shqetësimet.

“Problemet dhe parregullsitë sistematike lidhur me privimin e lirive personale në Slloveni njihen dhe analizohen së paku tash e pesë vjet”, thotë ai.

Privimi i lirisë së atyre që kërkojnë azil konsiderohet masë e fundit në drejtësinë ndërkombëtare dhe është e ligjshme vetëm atëherë kur merren parasysh rrethanat e veçanta të individëve dhe konsiderohen fillimisht masat e mundshme më të lehta. Por Profesori Zagorc thekson mungesën sistematike të masave alternative në Slloveni.

Kolektivi i aktivistëve të vetorganizaur Grupi Punues për Azil — pjesë e kolektivit Ambasada Rog që punon me refugjatët dhe migrantët në Slloveni për shumë vjet — ka nxjerrë një deklaratë ku thotë se privimi i lirisë së njerëzve që kërkojnë azil tash përdoret si rregull në Slloveni e jo si përjashtim, siç parashihet në ligj.

Ministria e Brendshme mohon këto pretendime.

Procedurë jostandarde policore

Videot dhe fotot që dolën në publik dhe në media në fund të korrikut, pak pas protestave brenda kampit, krijuan trysni publike. Tri ditë pasi mora porosinë e parë nga Mohammed-i, burrat në Postonja thanë se ishin vizituar nga një grup zyrtarësh të Ministrisë së Brendshme me dy përkthyes të ndryshëm.

Sidoqoftë, tri javë më vonë më 21 gusht, ata ende ishin të mbyllur dhe të privuar nga liria, pa këshillim ligjor.

Disa nga të mbajturit në Qendrën për të Huajt në Postonja kërkuan ndihmë pasi pretendonin se kërcënoheshin me deportim drejt Kroacisë. Foto nga Ambasada Rog.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mia rreth formulimit më të gjerë të situatës së tanishme në Postonja, zyra e Avokatit të Popullit ka thënë se një pjesë e problemit është mungesa e qasjes sistematike në këshillim ligjor falas për njerëzit që u është privuar liria në Qendrën për të Huajt.

Përgjigja zyrtare e Ministrisë së Brendshme është që mbajtja e burrave në Postonja mund “të mos jetë procedurë standarde e policisë”, por që të gjitha veprimet e policisë janë të ligjshme.

Procedura standarde policore është që të dërgohen azilkërkuesit në Qendrën e Azilit në Lubjanë, ku kanë lirinë e lëvizjes pas disa ditësh karantinimi dhe një interviste fillestare. Ministria e Brendshme thotë se zyrtarët mund t’i bëjnë dhe i bëjnë intervistat fillestare me njerëzit që duan të aplikojnë për azil në Qendrën e Azilit në Lubjanë, si dhe në stacionet e tjera policore.

Në gjysmën e parë të vitit 2020, 64 nga 120 kërkesat për azil janë hedhur poshtë si “qartazi të pabaza".

Ata shpjeguan se kërkesat për azil mund “të konsiderohen qartazi të pabaza nëse një individ vjen nga një i ashtuquajtur shtet i tretë i sigurt”. Këto procedura kanë për qëllim t’i përshpejtojnë deportimet e individëve të cilëve u është mohuar kërkesa për azil.

Sidoqoftë, organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Këshillin e Evropës, kanë paralajmëruar se edhe në procedurat e tilla të përshpejtuara duhet të konsiderohen rrethanat individuale dhe ato mund t’i bëjnë të vlefshme pretendimet për azil edhe nëse aplikuesi është nga një i ashtuquajtur shtet i tretë i sigurt.

Praktikat policore reflektohen në statistikat zyrtare. Sipas Ministrisë së Brendshme, në gjysmën e parë të vitit 2020, 64 nga 120 kërkesat për azil janë hedhur poshtë si “qartazi të pabaza”. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, 30 nga 51 kërkesat për azil nuk janë pranuar duke u quajtur “qartazi të pabaza”.

Udhëzimet policore, të zbuluara muajin e kaluar nga mediat sllovene, tregojnë se si rregull, azilkërkuesit tash dërgohen në Postonja — e jo në Qendrën e Azilit në Lubjanë — si lloj përpjekjeje për t’i përshpejtuar deportimet.

Në një bisedë telefonike me një përfaqësues të Qendrës Ligjore-Informuese për OJQ, zbulova se që nga fundi i majit dhe qershori ata janë mbingarkuar me hartimin e mocioneve ligjore për t’i apeluar mbajtjet e azilkërkuesve në Postonja.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë që këtë vit, policët kanë privuar 75 azilkërkues të mundshëm nga liria, 69 prej të cilëve vetëm në qershor. Gjykata administrative këtë vit anuloi 35 nga këto masa.

Ndërkaq, bazuar në një kërkesë të bërë nga politikanët e krahut të djathtë në Itali, trupa shtesë të ushtrisë italianë do të stacionohen në kufirin me Slloveninë. Disa nga trupat tashmë janë pozicionuar në maj, ndërsa ideja për vendosjen e ushtrisë mbështetet nga grupet e së majtës ekstreme në të dy anët e kufirit.

Në Slloveni, Ministri i Brendshëm Aleš Hojs, anëtar i partisë së djathtë SDS, mirëpriti haptazi këtë ide,

Tash për tash, përpjekja e njerëzve në Postonjë dhe e shoqërisë civile sllovene vazhdon. Në një nga porositë që ua ka dërguar aktivistëve, X. ka shkruar:

“Ne nuk jemi kriminelë — ne jemi njerëz. Dallimi mes nesh dhe njerëzve të tjerë është vetëm letra — ne jemi njerëz pa letra dhe kjo nuk do të thotë që nuk jemi njerëz të mirë”.K

Imazhi i ballinës: Njerëz që mbahen në Postonja, foto nga Ambasada Rog.

KOMENTO