Në thelb | LGBTQ+

Thonë “po” në Mal të Zi dhe pastaj largohen nga vendi

Nga - 28.11.2023

Ndonëse Mali i Zi me letra e njeh bashkësitë civile midis personave të të njëjtit seks, cilësia e jetës së tyre nuk është aspak e kënaqshme.

Gjatë tri viteve prej kur Parlamenti i Malit të Zi miratoi ligjin që njihte bashkësitë civile për çiftet midis personave të të njëjtit seks, shumica dërrmuese e bashkësive të regjistruara kanë qenë mes të huajve. Çiftet midis personave të të njëjtit seks mund të lidhin bashkësicivile në Mal të Zi, por jetën e zhvillojnë jashtë vendit.

“Pasi ta regjistrojmë bashkimin tonë, do të jemi çifti i parë ose i dytë homoseksual që ka vendosur të qëndrojë dhe të jetojë këtu”, thanë Alen dhe Igor (emrat e tyre të vërtetë janë të njohur për K2.0).

Ligji për Partneritet midis Personave të të Njëjtit Seks u miratua më 1 korrik 2020, duke u siguruar partnerëve të të njëjtit seks të gjitha të drejtat që gëzojnë çiftet heteroseksuale të martuara apo që bashkëjetojnë, përveç adoptimit të fëmijëve.

Zbatimi i ligjit filloi një vit më vonë, kur u regjistrua bashkësia e parë civil në Budva. Regjistrimet e mëpasshme të bashkësive midis çifteve të të njëjtit seks në Budva vijuan, duke vazhduar edhe në Bar/Tivar, Herceg Novi dhe Podgoricë, me numrin e përgjithshëm që tani është mbi 75.

Organizatat vendore të shoqërisë civile (OShC) vërtetojnë se shumica e bashkësive të regjistruara të të njëjtit seks janë mes shtetasve të huaj.

“Shumica e çifteve që ne iu ofrojmë ndihmë ligjore dhe mbështetje lidhur me regjistrimin e bashkësisë civile janë nga jashtë, megjithëse ka disa raste të rralla kur njëri nga partnerët është shtetas/e malazez/e”, tha John Barac, drejtor ekzekutiv i Forumit LGBT Progres.

Sipas Danijel Kalezić, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për të Drejtat e Barabarta LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (ERA), nuk është çudi që shumica e çifteve midis personave të të njëjtit seks që regjistrojnë bashkësinë e tyre në Mal të Zi jetojnë jashtë vendit. Edhe pse bashkësitë civile mes çifteve midis personave të të njëjtit seks janë legalizuar, ai pajtohet se shoqëria malazeze vazhdon të “vuajë” nga simptoma relativisht të qarta të homofobisë.

Barac kujtoi se ceremonia e parë e bashkësisë civil midis personave të të njëjtit seks në Podgoricë u sigurua nga policia si masë parandalueses. Asnjë nga bashkësitë e mëvonshme nuk pati prani policore, por ai vlerësoi se shumica e institucioneve publike — përfshirë edhe Parlamentin malazez — nuk kanë arritur të përmbushin pjesën e tyre sa i përket rregullimit të të drejtave që ofrohen nga [ligji i] bashkësisë civile mes të personave të të njëjtit seks.

“Ata ende po presin të hartojnë amendamente në shumë ligje për t’i harmonizuar me këtë ligj. Nëse janë hartuar tashmë, amendamentet presin të miratohen. E gjithë kjo ka rezultuar në pasiguri të konsiderueshme ligjore brenda të gjithë sistemit, kështu që procesi mbetet i papërfunduar në dëm të komunitetit LGBTI dhe të drejtave të njeriut në Mal të Zi”, tha Barac.

Danijel Kalezić, drejtor ekzekutiv i ERA — Shoqatës LGBTI për të Drejtat e Barabarta për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Fotografia: PR Centar.

Nëntë muaj pas miratimit të ligjit, një numër i organizatave joqeveritare (OJQ) i paraqitën një propozim qeverisë malazeze për t’i integruar rregulloret në fuqi. Propozimi u mbështet nga një analizë e kornizës normative, një sërë rekomandimesh specifike për amendamentet dhe një listë aktesh nënligjore që duhet të harmonizohen ose përgatiten dhe miratohen. Në praktikë, kjo do të përfshinte — por nuk do të kufizohej në — ofrimin e të drejtave të garantuara për partnerët e  të njëjtit seks në rast të ndarjes apo vdekjes. Megjithatë, kjo ende pritet të realizohet.

 

Ndërkohë, dy qeveri kanë ardhur e kanë shkuar, me një tjetër që po formohet.

Ligji për Bashkësitë e çifteve midis personave të të njëjtit seks u miratua tri vjet më parë dhe hyri në fuqi një vit më vonë e prapëseprapë Ministria e Brendshme nuk ka krijuar një databazë për bashkësitë. Si rezultat, certifikatat e partneriteteve lëshohen ende nga autoritetet vendore, pra nga komuna që ka regjistruar bashkësinë civile.

Pasi nuk ka të databazë për bashkësitë, kontrollimi i statusit pengohet dhe është e vështirë të verifikohet nëse një person që synon të lidhë një bashkësi civile mes personave të të njëjtit seks në një juridiksion komunal është tashmë i lidhur në një komunë tjetër.

“Ne besojmë se Ministria e brendshme duhet të mbajë një regjistër-shënimesh të partneriteteve pasi neni 9 i Ligji për Partneritet midis Personave të të Njëjtit Seks parashikon se “një person nuk mund të lidhë një bashkësi civile tjetër derisa të zgjidhet ndonjë bashkësi apo martesë që e ka lidhur më parë. Prandaj, institucioni qendror përkatës duhet të mbajë të dhëna të bashkësive në mënyrë që të mund të lëshojë certifikata të statusit të partneritetit beqar, siç është rasti me certifikatat e statusit martesor beqar. Certifikatat e tilla të lëshuara nga autoritetet kompetente janë e vetmja dëshmi e vlefshme ligjore e gjendjes civile; në raste specifike, kjo i mundëson regjistruesit të përcaktojë se njëra nga dy palët që synojnë të lidhin një bashkësi civile (ose të dyja) ka përfunduar çdo bashkësi apo martesë që mund të kenë regjistruar me të njëjtin ose një person tjetër në një komunë tjetër të Malit të Zi”, shpjegoi zyra e kryeqytetit të vjetër mbretëror e kryetarit të Cetinje.

E njëjta çështje është ngritur edhe nga komunat tjera, përfshirë nga kryeqyteti Podgorica.

“Një nga çështjet që ka të bëjë me zbatimin e këtij ligji është se ministria përkatëse nuk mban të dhëna të bashkësive civile, gjë që ua pamundëson atyre të lëshojnë certifikata të statusit të partneritetit beqar”, thanë nga zyra e kryeqytetit të Podgoricës në përgjigjen e tyre për K2.0.

Ministria e brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0 lidhur me krijimin e një regjistri të dhënash të tilla. Ndërkohë, kryeqyteti  dha vërejtje shtesë për rregulloret e bashkësive midis personave të të njëjtit seks.

“Bëhen dallime ndërmjet Ligjit për Familjen dhe Ligjit për Bashkësitë midis personave tëe të njëjtit seks pasi në ceremonitë e bashkimit nuk marrin pjesë anëtarë/e të këshillit të qytetit, të cilët supozohet t’i solemnizojnë dhe t’i vërtetojnë ato në mënyrë efektive”, thanë nga kabineti i kryetares së Podgoricës, Olivera Injac.

“Në përgjithësi, megjithatë, zbatimi i këtij ligji si dhe vetë jetesa e çifteve të personave të të njëjtit seks janë shumë më poshtë standardeve të pranuara përgjithësisht të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut”.

Kalezić nga ERA sheh gjurmë të homofobisë në faktin se anëtarët/et e këshillit të qytetit nuk janë të detyruar të marrin pjesë në ceremonitë e bashkimeve.

Për më tepër, nga komuna e Podgoricës thanë se ligji nuk përcakton asnjë lloj procedure njohjeje të vendimeve apo dokumenteve të gjykatave ndërkombëtare, kështu që “ende nuk ka bazë ligjore për regjistrimin e ndonjë bashkimi që shtetasit malazezë mund të kenë lidhur jashtë vendit”.

Për shkak të kësaj, Forumi LGBT Progres paditi Malin e Zi vitin e kaluar.

“Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të gjërave që nuk funksionojnë aq mirë në praktikë. Duhet theksuar se rasti jonë është ende në pritje. Në përgjithësi, megjithatë, zbatimi i këtij ligji si dhe vetë jetesa e çifteve midis personave të të njëjtit seks janë shumë më poshtë standardeve të pranuara përgjithësisht të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut”, tha Barac nga Forumi LGBT Progres.

 

Homofobi institucionale

 

Kalezić përmendi se një familje ka ngritur dy padi kundër shtetit të Malit të Zi për shkak se fëmijët ende nuk kanë marrë nënshtetësinë e tyre edhe pse njëri nga prindërit është shtetas malazez.

Marijana Laković-Drašković, avokatja e paditësve, ka thënë për mediet lokale se diskriminimi fillon të shfaqet kur ky rast krahasohet me rastet e familjeve dhe fëmijëve të tjerë që ndjekin procedura të ngjashme ose identike për marrjen e shtetësisë.

Kvir Montenegro, organizata që ka mbështetur këtë familje gjatë gjithë rastit, tha se mesazhi që njerëzit LGBTQ+ në Mal të Zi marrin nga e gjithë kjo është i qartë: shoqëria malazeze ende u mohon të drejtën e tyre themelore njerëzore, e cila është “e drejta për jetë familjare, duke i shtyrë kështu ata në margjinat e ekzistencës”.

Edhe Avokati i Popullit i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që ligjërisht ta korrigjojë këtë problem, por ende pa rezultat.

Në mars, Avokati i Popullit inicioi një rast për të vendosur nëse ka prani të elementeve diskriminuese në kodet dhe urdhëresat e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me trajtimin e sterilitetit. Rasti përqendrohet në faktin se dhurimi i qelizave riprodhuese mbetet i kufizuar për njerëzit që janë përfshirë në marrëdhënie homoseksuale brenda pesë viteve të mëhershme.

​Avokati i Popullit ka pranuar gjithashtu një ankesë për një rregull të procedurës që ka të bëjë me të drejtën e grave beqare për teknologjinë e riprodhimit të asistuar (TRA). Rregullorja aktuale thotë se të drejtat e TRA janë të rezervuara vetëm për gratë që mund të ofrojnë dëshmi për statusin e tyre beqare, diçka që Kalezić e ka cilësoi si “homofobi institucionale”.

Krenaria e Malit të Zi 2021. Fotografia: PR Centar.

Siç shpjegohet nga autoritetet komunale, partnerëve që dëshirojnë ta regjistrojnë një bashkësi civile u kërkohet të sigurojnë letërnjoftimet ose pasaportat e tyre, certifikatat e lindjes, certifikatat që dëshmojnë se nuk ka pengesa (certifikatat e statusit martesor beqar/e, certifikatat e statusit të partneritetit beqar/e ose dokumente të tjera të ngjashme që vërtetojnë statusin e tyre civil), letërnjoftimet ose pasaportat e dëshmitarëve, vërtetimin e vendbanimit nëse janë shtetas/e të huaj dhe vërtetimin e pagesës administrative.

K2.0 kontaktoi të gjitha komunat e Malit të Zi, duke kërkuar informacion mbi numrin e bashkësive të regjistruara në juridiksionet e tyre përkatëse. Komunat Gusinje, Mojkovac, Danilovgrad, Kolašin, Tivat dhe kryeqyteti i vjetër mbretëror i Cetinje nuk kanë asnjë të dhënë për ndonjë bashkësi të tillë. Këto komuna thonë se nuk ka interesim për bashkime të tilla në të ardhmen e parashikueshme.

Komuna e Budvës nuk iu përgjigj pyetjeve tona, por të dhënat e saj publike tregojnë se ajo ka regjistruar 26 bashkësi të çifteve midis personave të të njëjtit seks nga janari 2023. Që nga fillimi i zbatimit të Ligjit për bashkësitë midis personave e të njëjtit seks, 28 bashkësi të tilla janë lidhur në kryeqytetin e Podgoricës.

“Në vitin 2021, lidhëm dy bashkësi midis personave të të njëjtit seks, me një shtetas të Malit të Zi të përfshirë. 12 bashkëssi u lidhën vitin pasues, me dy qytetarë/e të Malit të Zi të përfshirë. Gjatë këtij viti, janë lidhur 14 bashkësi, me katër qytetarë/e të Malit të Zi të përfshirë”, thanë nga zyra e kryeqytetit të Podgoricës.

“On average, life partners are aged between 30 and 40, most of them being Russian nationals.”

Komuna e Herceg Novi ka regjistruar 20 bashkësi midis personave të të njëjtit seks; një u realizua në 2021, 15 në 2022 dhe katër në 2023.

“Mesatarisht, partnerët jetësorë janë të moshës mes 30 dhe 40 vjeç, shumica prej tyre janë shtetas rusë”, thanë zyrtarët komunalë.

Bashkia e Tivarit ka lidhur katër bashkësi, një në vitin 2021 ndërmjet shtetasve të Kazakistanit dhe tri në vitin 2022 mes shtetasve rusë. Deri më tani në vitin 2023, nuk ka pasur bashkësi të sapokrijuara, por zyrtarët komunalë kanë regjistruar një të tillë që tashmë ishte lidhur mes një çifti malazezo-amerikan.

Sipas uebfaqes të një biznesi që bën organizimet e nevojshme lidhur me ngjarjen, organizimi i një ceremonie bashkësie midis personave të të njëjtit seks kushton nga 900 deri në 3,500 euro.

Opsioni më i përballueshëm përfshin konsultimet, mbledhjen dhe përkthimin e dokumenteve, tarifat dhe transportin deri në vendin e ceremonisë, si dhe fotografitë dhe videot e ceremonisë, por jo përgatitjen e vetë ceremonisë.

Për 3,500 euro, çifti përfiton shërbime në aeroport, dekorime, transport gjatë gjithë kohës, përgatitje të një ahengu me deridhjetë persona, katër orë video-incizim, një udhëtim me varkë…

Çiftit fillimisht i kërkohet ta dërgojë të gjithë dokumentacionin e kërkuar me email në mënyrë që kompania ta përgatisë atë. Më pas, partnerët mbërrijnë në Mal të Zi, ku qëndrojnë për disa ditë, ose deri menjëherë pas ceremonisë ose derisa certifikatat e tyre të bashkësisë të përkthehen dhe të jenë gati për t’u përdorur si dëshmi e bashkësisë në vendin ku banojnë.

Sipas faqes së internetit, kompania mund të sigurojë edhe dëshmitarë/e.

Barac tha se Forumi LGBT Progres nuk është në dijeni nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë problem të konsiderueshëm lidhur me ceremonitë e bashkimit ose ngjarje të tjera që ndërlidhen.

“Shumica e çifteve me të cilët jemi në kontakt zgjedhin ceremoni modeste, shpesh duke ftuar vetëm dëshmitarë ose shoqërinë/familjen e tyre më të ngushtë. Kjo tregon për një problem themelor, të cilit ne i kushtuam vëmendje edhe kur po hartohej ligji — shoqëria malazeze në masë të madhe vazhdon ta refuzojë komunitetin LGBTI, ndërkohë që homofobia, bifobia, transfobia dhe diskriminimi janë të po aq të shfaqura gjithashtu. Për shkak të gjithë kësaj, çiftet midis personave të të njëjtit seks priren t’i mbajnë ceremonitë e tyre të partneritetit ‘private’ në mënyrë që ta anashkalojnë çdo reagim të mundshëm negativ”, tha ai.

Krenaria e Malit të Zi 2021. Fotografia: PR Centar.

Alen dhe Igor gjithashtu planifikojnë ta zyrtarizojnë lidhjen e tyre më vonë. Megjithatë, ata rrallë ëndërrojnë se si dhe ku do ta festojnë atë ditë të veçantë me të dashurit e tyre. Ata thonë se kanë shumë gjëra të tjera për të cilat u duhet të brengosen. Teksa kanë marrë me qira një apartament, kanë kaluar muaj duke pritur finalizimin e kontratës së qirasë, në mënyrë që Igor — i cili nuk është shtetas malazez — të mund ta regjistrojë vendbanimin e tij. Ata po përpiqen gjithashtu të marrin kredi që më në fund ta blejnë banesën e tyre.

Këto janë pak a shumë të njëjtat shqetësime të vjetra të shprehura nga çiftet heteroseksuale që janë në një pozitë të ngjashme — anipsse zgjedhjet e tyre të jetës miratohen nga rrethi i tyre më i ngushtë.

“Njerëzit e mi e dinë që unë jam homoseksual prej vitesh dhe do ta pranonin nëse do të kisha vendosur të qëndroja beqar për gjithë jetën time”, tha Alen.

Atë fjali e la të papërfunduar, por vështrimi në sy dukej se konfirmoi komentin e gazetares së K2.0: “Sigurisht, sepse nuk do të duhej t’i shpjegoheshin njerëzve që i rrethojnë”.

Në korrik 2013, Budva organizoi paradën e parë të krenarisë në Mal të Zi nën praninë e madhe të policisë. Anëtarët e komunitetit LGBTQ+ besojnë se “zhvillimet kryesore shoqërore që kanë ndodhur që atëherë janë rezultat i Krenarisë së parë të Malit të Zi”. Edicioni i njëmbëdhjetë i Krenarisë së Malit të Zi u mbajt më 21 tetor 2023 në Podgoricë.

Imazhi i ballinës: Krenaria e Malit të Zi 2021. Fotografia: PR Centar.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë?  Klikoni këtu për të mësuar më shumë.