S`fundmi | Demokraci

Tri herë “Urra!” për Rambon paqësor!

Nga - 03.06.2017

Më shumë risi nga sezoni i zgjedhjeve.

Kosova po përgatitet për zgjedhjet e 11 qershorit, me fushatën e nisur zyrtarisht të mërkurën (31 maj). Sezoni i zgjedhjeve tani është shëndrruar në një rrëmuje me strategji e iluzione të fushatave, takime të sikletshme dhe raste për fotografi gjithandej vendit. Këto janë disa nga momentet e preferuara të K2.0 për këtë javë.

Fushata më kreative

Këtë javë, PDK e ngriti komunikimin me votuesit potencialë në një nivel të ri, duke postuar posterë të tre kandidatëve për Kuvend në një varrezë në Drenicë. Përderisa shumë njerëz e përqeshën Bekim Haxhiun, Naim Bazajn dhe Muharrem Xhemajlin, K2.0 dëshiron ta përshëndes iniciativën e tyre. Me kaq shumë njerëz të vdekur që vazhdojnë të jenë në lista të votimeve, dhe me aq shumë votues në zgjedhjet e kaluara që e kanë hedhur votën e tyre nga varri, PDK duket qartë se ka për qëllim ta arrijë një pjesë të re të elektoratit përtej kësaj bote. Bravo për kandidatët që po i trajtojnë të gjithë votuesit në mënyrë të barabartë, të gjallë apo të vdekur.

Fushata më e përshtatshme për fëmijë

Një tjetër kandidat për kryeministër që po mendon gjithashtu jashtë kornizave është ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Me qartësimin që e ka bërë partia e tij që e ka prioritet uljen e moshës për votim, Kurti e kaloi këtë javë duke e impresionuar elektoratin më të ri. Më 1 qershor, Kurti i takoi votuesit e tij të ardhshëm për t’u lexuar tregimin “Luli i vocërr”, i cili e kishte mposhtur varfërinë për ta kryer shkollimin. Kurti i tregoi gjeneratës së ardhshme të socialistëve që problemet do të zgjidhen nëse i ndajmë mollat tona në mënyrë të barabartë, por K2.0 vazhdon të pyes vetën se çka duhet bërë nëse njëra mollë është e prishur.

Kandidati më befasues

Në një vendim që i ka shokuar të pranishmit, ish-nënkryetari amerikan, Joe Biden, i është bashkëngjitur LDK-së dhe është kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Nëpër materialet promovuese që janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale, Biden përfaqëson një imazh burrërie, që shihet duke vallëzuar me një grua më të re. K2.0 është e sigurtë që Joe i butë do të jetë deputet i shkëlqyeshëm dhe do t’i mposht kundërshtarët e tij para… më falni, çka? Joe nuk është në garë? Cila Vlorë? Ajo dëshiron të thellojë çka? Aha, aleancat! Na falni. Lajme të rrejshme. Lajme të rrejshme.

Miqësia më e afërt

Kryeatri i PDK-së, Kadri Veseli, fundjavën e kaluar e kaloi në Mitrovicë, në festimet e fitores së kampionatit me klubin e futbollit “Trepça 89”. Shihet qartë që Veseli ka lidhje të forta me qytete dhe Facebook-u e ka dokumentuar momentin magjik kur Veseli rastiset në njërin prej miqve të tij më të mirë, “Mc Kreshta”. Thashëthëmet që Vesteli, Kreshta, Unikappili, Gold AT dhe Toizy e kanë kallur atmosferën pas lojës, janë hedhur poshtë.

Plani më i çuditshëm i uljeve

Kah fundi i javës, në takimin e fushatës së PDK-së, dy prej bashkëpunëtorëve më të largët të Veselit, Nasim Haradinaj dhe Hajdar Beqa, u njoftuan mes vete më intimisht pasi vendet e tyre u përzien. Beqa verbërisht e mori guximin që ta zinte karrigen e rezervuar për Veselin dhe në shpejtësi u desh të rivendosej në karrigën më të afërt, e cila doli të jetë gjuri i Haradinajt. Anëtarja e re mbretërore e PDK-së, Arbana Xharra, u përvodh nga kjo skenë dashurie në rendin e parë, dhe iu afrua edhe më shumë Veselit.

Më i mprehti kulturalisht

Të premten, (2 qershor) koalicioni parazgjedhor AKR, Alternativa dhe LDK, e publikuan platformën për zgjedhjet e ardhshme. Në pamfletin 9-faqesh, politikat për kulturë, rini dhe sport janë të rradhitura në dhjetë pika, dhe përfshijnë edhe një zotim për themelimin e Muzeut Etnologjik të Kosovës. Ky premtim është shokues për Muzeun Etnologjik në Prishtinë, i cili funksionon prej vitit 2006, dhe i cili përnjëherë e ka gjetur vetën në konkurrencë të tregut. LDK doli edhe njëherë të jetë përkushtuar për t’i bërë konkurrencë sektorit publik.

Shpërndarësi më i barabartë i punës

Këtë javë, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, tentoi ta jetësojë një anekdotë të gjallë për votuesit si demonstrues i premtimeve të njëpasnjëshme të pasuksesshme të qeverive të PDK-së, përmes metaforës së gruas gjatë Ramazanit. Duke e luajtur rolin e burrit fiktiv, Pacolli kërkoi të marrë vesh prej konkubinës së tij nëse ajo kishte mbushur ujë, nëse e kishte ndezur zjarrin dhe e nëse kishte përgatitur ushqimin për iftar. Gruaja e konfirmon që i ka kryer të gjitha detyrat, para se në një kthesë shokuese del se ajo në fakt nuk ishte e sinqertë! Nuk na befason që të ka gënjyer, Behgjet, puno diçka edhe vetë, dost.

Punëtori i javës

Mijëra pjesëtarë të diasporës së Kosovës që nuk kanë mundësi të regjistrohen për të votuar, ishin viktimë e qartë me të cilën sistemi elektoral u përpoq të merrej. Jo, nuk ishte demokracia. Ishte familja Daka. Duke folur për “Radion Europa e Lirë”, shefja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, e përshkroi përvojën e lodhjes kronike të përjetuar në zyret e KQZ-së, “Nuk kemi kohë për familje. Nuk kemi jetë personale!” shpjegoi ajo.

K2.0 ka dëshirë të jetë e para për ta treguar përkrahjen për një iniciativë për mbledhje të fondeve për Z. Daka dhe tërë ekipin e KQZ-së, që të shkojnë në një pushim të zgjatur te banja “Nëna Naile” për rehabilitim, ndoshta deri në sezonin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në nëntor.

….dhe çmimi Nobel për paqe i shkon …

Këtë javë, kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, e tregoi anën e tij të butë, paqedashëse. Njeriu më parë i njohur si “Rambo” fillimisht e refuzoi konfliktin në një debat televiziv me kandidatët e tjerë për kryeministër, e më pas u dekorua me titullin “Misionar i Paqes” nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, organizatë kjo që ka pushtuar universin, mantra e të cilës shihet në uebfaqen e tyre të mrekullueshme , në formën e citatit nga themeluesi i tyre, heroi i mirënjohur ballkanas dhe autori i Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, Richard Holbrooke: “Idetë mbesin ide, mbesin ëndrra idilike dhe nostalgjia [siç] nëse nuk përqafohen nga njerëz energjikë dhe me shpirt për veprim …” Gjëra vërtetë inspiruese.

Shpërblimi i Haradinajt me siguri do të bëjë jehonë më të madhe në qytetin serb të Nishit, deri ku, së voni, ka premtuar se do t’i zgjerojë kufijtë e Kosovës. Po spekulohet edhe se atje ka gjasë ta marrë edhe çelësin e qytetit, në mënyrë që njerëzit gjithandej nëpër Ballkan ta demonstrojnë mirënjohjen për Rambon e ri paqësor. Shpresojmë që juria e Çmimit Nobel është duke e përcjellur me vëmendje.