T’i mbijetosh një masakre - Kosovo 2.0

T’i mbijetosh një masakre

Elhame Muqolli, e mbijetuar e masakrës së Poklekut, kujton jetën para dhe pas tragjedisë.

Nga Dafina Halili | 30 shtator 2024

Më 17 prill 1999, rreth orës 16:00, dy pjesëtarë të forcave serbe hynë në oborrin e shtëpisë së familjes Muqolli në Poklek të Drenasit. Brenda asaj shtëpie ishin strehuar 59 persona, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar — refugjatë vendas, fqinjë dhe njerëz prej anëve tjera të Kosovës, që kërkonin siguri midis dhunës së kudondodhur, gjatë luftës në Kosovë. 

Sinan Muqolli doli në oborr dhe u tha forcave serbe se në shtëpi ndodheshin kryesisht gra dhe fëmijë. Megjithatë, pjesëtarët e forcave serbe i nxorën të gjithë jashtë, i kontrolluan dhe më pas i urdhëruan të ktheheshin në shtëpi dhe t’i mbyllnin dyert.

Pas atyre dyerve u bë një nga masakrat më të tmerrshme të luftës në Kosovë. Kjo, jo vetëm për mënyrën brutale të ekzekutimit, por edhe për numrin e madh të grave dhe fëmijëve brenda.

Pasi i vranë pothuajse të gjithë, forcat serbe morën dy kanaçe me benzinë dhe i vunë zjarrin dhomës. 

Aty, pos që dogjën trupat e civilëve të vrarë, dogjën për së gjalli edhe katër njerëz, që fillimisht u kishin shpëtuar të shtënave. Midis tyre ishte një fëmijë dy-vjeçar.

Gjithsej 53 civilë u vranë në këtë masakër, përfshirë 24 gra dhe 23 fëmijë. Shumica e fëmijëve ishin nën moshën shtatë vjeç, kurse dy prej tyre ishin foshnja një-vjeçare. 

Gjashtë njerëz arritën t’i mbijetonin masakrës. Një prej tyre ishte Elhame Muqolli, asokohe 14-vjeçare. Ajo kujton jetën e saj dhe të familjes së saj para masakrës dhe gjurmët e thella që kjo ndodhi la në të dhe në shtëpinë e familjes.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky publikim është prodhuar në bashkëpunim me forumZFD. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e forumZFD.