Gjatë tri viteve të fundit, Shqipëria është rënduar nga pesha e dy krizave të ndryshme, por njëlloj shkatërrimtare; tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19. Përgjigjja ndaj këtyre krizave është formësuar më fort nga interesat për përfitim nga lart-poshtë, sesa nga solidariteti me njerëzit e thjeshtë.
Në fakt, çorientimi i popullatës nga pasojat e dy ngjarjeve i ka mundësuar Kryeministrit Edi Rama të shtyjë përpara agjendën e tij në favor të korporatave përmes ujdive jotransparente prapa dyerve të mbyllura dhe dhënies së koncesioneve të pazakonta, paralelisht me shtypjen e lirisë së medias dhe ushtrimit dhunë për të shuar mospajtimet.
Përgjigjja e Ramës ndaj këtyre dy fatkeqësive i ngjan një grupi politikash që Naomi Klein e quan “doktrina e shokut”. Të shtyra përpara në kohë krizash, politikat e doktrinës së shokut kanë për qëllim përparimin e fundamentalizmit të tregut — ideja libertariane sipas së cilës kur nuk pengohet tregu, ai mund t’i shërojë të gjitha telashet shoqërore dhe ekonomike. Këto politika kryesisht i shtyjnë përpara interesat e korporatave, pra bartin burimet nga të margjinalizuarit tek të fuqishmit.
Doktrina e shokut dhe tërmeti i vitit 2019
Më 26 nëntor 2019, një tërmet prej 6.4 shkallësh shkatërroi një pjesë të qytetit bregdetar të Durrësit dhe e la Shqipërinë në gjendje paniku dhe zie. Së paku 51 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 3,000 u lënduan. Numri i njerëzve të shpërngulur arriti shifrën 6,000, ndërsa 7,900 ndërtesa u regjistruan si të dëmtuara në tërë vendin.
Tendat – të paramenduara vetëm si zgjidhje e përkohshme – u ngritën për të shërbyer si hapësira banimi për familjet e prekura. Më shumë se 18 muaj më vonë, situata vazhdon të jetë e rëndë për shumë persona të shpërngulur. Ndonëse janë dhënë miliona euro në formë fondesh për zbutjen e katastrofës, shpresat se ata do të ristrehohen me ndihmën e qeverisë po vyshken.
Në librin “Nuk Mjafton Një Jo”, Klein thotë se doktrina e shokut përdorohet në kohë të katastrofave natyrore përmes ridistribuimit të trojeve dhe burimeve nga të varfrit te të fuqishmit. Ky proces aktualisht po ndodh në zonat më të prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Të fshehura nën petkun e zhvillimit, planet e qeverisë për rindërtim përfshijnë shpronësimin e pronave individuale në mënyrë që në vend të tyre të ndërtohen komplekse banesore shumëkatëshe. Vetëm kompanitë e përzgjedhura nga qeveria bënë oferta për tenderin e rindërtimit dhe fituesit u shpallën në kushte të dyshimta, gjë që nxiti spekulimet se rezultatet e tenderit publik janë vendosur qysh më parë. Qeveria po ashtu njoftoi për benefite të jashtëzakonshme tatimore për kompanitë e përzgjedhura, duke lënë kështu hapësirë për edhe më shumë shpërdorime.
Kjo kohë e begatë për kontraktorët u shoqërua me përpjekje nga ana e qeverisë për të shtypur lirinë e medias. Pas tërmetit, qeveria Rama shtyu përpara një ligj antishpifje, i cili gjoja kishte për qëllim kufizimin e shpërndarjes së lajmeve të rreme gjatë gjendjes së emergjencës.
Tash e një kohë të gjatë, një ndër karakteristikat kryesore të administratës së tanishme është lufta kundër medias është dhe duket që situata e krijuar nga tërmeti i ka dhënë Ramës mundësinë e përsosur për ta goditur atë edhe më tej. Ligjet e përfshira në pakon antishpifje kishin për qëllim t’ia kalojnë shtetit pushtetin për të rregulluar mediat online, gjë që do t’i jepte atij kontroll të drejtpërdrejtë mbi çdo gjë që botohet. Ky kufizim është problematik sepse e ndikon drejtpërsëdrejti të drejtën e qytetarëve për qasje në informacion dhe e pengon rrjedhën e lirë të informatave.
Doktrina e shokut dhe pandemia e COVID-19
Në kohën kur COVID-19 u bë pjesë e plotë e vetëdijes globale në mars 2020 dhe detyroi qeveritë të zbatojnë masa kufizuese për shëndetin publik, Rama pa një mundësi të artë për vetëmadhështim; ai vendosi t’i lajmëronte rregullat e izolimit përmes kanalit të tij Edi Rama TV (ERTV). Shqiptarët u detyruan t’i ndiqnin kanalet e Ramës në mediat sociale për të marrë vesh ligjshmërinë e veprimeve të thjeshta ditore sikur shëtitja ose blerja e harxhit.
Më pas, Rama shfrytëzoi masat e izolimit për të rrënuar papritmas Teatrin Kombëtar të Tiranës në dobi të ndërtuesve të favorizuar. Teatri 81-vjeçar ishte objekt historik i qytetit që përfaqësonte një pasuri të madhe kulturore dhe intelektuale. Para rrënimit, fati i teatrit ka qëndruar pezull për gati dy vjet, teksa negociatat mes aktivistëve të shoqërisë civile dhe qeverisë nuk gjenin zgjidhje.
Pak kohë pas zbatimit të kufizimit të lëvizjes për shkak të pandemisë, qeveria urdhëroi forcat policore që t’i nxjerrin dhunshëm aktivistët që flinin brenda teatrit. Aktivistët e tërhequr zvarrë, të cilët gulçonin nga gazi lotsjellës, shikonin të pashpresë teksa ekskavatorët shndërronin ndërtesën në gërmadhë.
Firma që ka dizajnuar zëvendësuesin e Teatrit Kombëtar është Bjarke Ingels Group (BIG), e cila njihet për projektet gjentrifikuese dhe të greenwashing (kur kompanitë paraqiten se gjoja mbrojnë ambientin). Për më shumë, kompania që do ta marrë përsipër ndërtimin është Fusha sh.p.k, një firmë shqiptare që në vitet e fundit ka fituar 40 tenderë në bashkinë e Tiranës. Ngjashëm sikur tenderi për rindërimin pas tërmetit, Fusha sh.p.k. duket se ka qenë ofertuesi i vetëm në tenderin për Teatrin Kombëtar, me kritere të përzgjedhjes që duket se janë dizajnuar për të kufizuar ose për të eleminuar tërësisht konkurrencën.
Një model i ngjashëm i tenderëve me konkurrencë të kufizuar dhe koncesione të pazakonta është vënë re gjatë gjithë vitit pandemik. Synimi i Ramës për të privatizuar nxitimthi tokën publike dhe për të hequr rregulloret e kufizimet për sferën e korporatave është i qartë në projekte të ndryshme ndërtimi të rëndësisë kombëtare, sikur aeroportët e Vlorës dhe Kukësit. Ky bollëk për kontraktorët dhe lufta e vazhdueshme e Ramës kundrejt mediave janë pjesë e përpjekjes së administratës për të shfrytëzuar këtë krizë mirë e mirë. Ai mund të mos ketë lexuar shkrimtaren Naomi Klein, por sidoqoftë, po vepron me logjikën e doktrinës së shokut.
Rezistimi i doktrinës së shokut: Çfarë mund të bëhet
Vegla më e efektshme e Shqipërisë kundër kapjes jodemokratike të sferës publike duhet të jetë kujtesa kolektive e frikës dhe traumës që rezulton nga mungesa e demokracisë. Meqë bashkjetojnë akoma me fantazmat e së kaluarës komuniste, shqiptarët dinë se sa larg mund të shkojnë individët e fuqishëm për të konsoliduar pozitën e tyre, si dhe pasojat që mund të rezultojnë nga ambiciet dhe paranoja e një burri të vetëm.
Shqiptarët po ashtu dinë, pra e kuptojnë gjer në palcë, rëndësinë e ëndrrave për rrëzimin e regjimeve. Pas së gjithash, ishte një ëndërr ajo që shkaktoi protestat e vitit 1991 dhe shënoi fillimin e rënies së regjimit të Enver Hoxhës. Çfarë mungon tash? Çfarë e pamundëson përsëritjen e atyre protestave të adhuruara? Mbase shqiptarët kanë harruar si të ëndërrojnë. Dhe pa gatishmërinë për të ëndërruar, ndryshimet domethënëse nuk mund të ndodhin.
Sugjerimi që ofron Klein për t’u rezistuar taktikave të shokut është rimësimi i mënyrës si funksionon demokracia. Në kohë kur shoqëritë janë të zhytura në krizë dhe liderët tanë politikë duket se nuk e kanë hallin tonë, është lehtë të shkëputemi tërësisht nga politika, të rrimë në shtëpi dhe të përfshihemi.
Por është pikërisht kjo kohë, kur gjendemi në greminën e dëshpërimit, kur duhet t’u kthehemi atyre premtimeve fisnike të demokracisë, t’ia kujtojmë vetvetes se kemi fuqi politike. Kemi të drejtën për të protestuar, zaptuar dhe demonstruar. Duhet të kemi ëndrra të mëdha dhe të zëshme në mënyrë që të sjellim çfarëdolloj ndryshimi.
Rimarrja e hapësirave publike
Është e zakonshme që Shqipëria të mendohet si vend ku vdesin lëvizjet shoqërore. Ç’është e vërteta, çdo protestë ose manifestim i viteve ta kaluara ka pasur fatin e njëjtë. Forcat policore shpërndajnë protestuesit paqësorë. Zemërimi dhe indinjata e qytetarëve shuhet shpejt. Dëshpërimi i gjithmbarshëm është situata gjatë dekadës së fundit.
Por unë besoj fuqishëm — ose thënë më mirë, guxoj të shpresoj — që kjo është ide e gabuar. Shoqëria civile në Shqipëri, sado e nëpërkëmbur dhe e frikësuar, ka treguar se është e aftë t’i kthejë mbrapsht politikat e dëmshme dhe të rezistojë ndaj padrejtësisë.
Nuk ka shembull më të mirë për këtë sesa lëvizja kundër ndërtimit të digave të hidrocentraleve në Lumin e Vjosës të Shqipërisë së jugut. Vitet e tëra përplot me protesta dhe organizime të shoqërisë civile kanë sjellë ëndrrën e Parkut Kombëtar të Vjosës më afër jetësimit. Pretendimet e pavërteta të kryeministrit për efektet negative të një përcaktimi të tillë janë ndeshur kokë më kokë me hisedarët në terren dhe tash çështja ka mbështetjen e figurave të famshme sikur Leonardo DiCaprio dhe Ellie Goulding.
Lufta ende nuk ka përfunduar. Administrata e Ramës ka pranuar vetëm të përcaktojë zonën si “të mbrojtur” dhe jo si “Park Kombëtar”, gjë që akoma lejon ndërtimin e hidrocentraleve në zonë.
Lufta për mbrojtjen e Lumit Vjosa është një sukses që jep mësime, të cilat shqiptarët duhet t’i ruajnë si sytë e ballit. Duhet të lejojmë që këto rrëfime të na shtyjnë përpara, të jenë sikur trampolina për reagimet ndaj krizave të së ardhmes. Vetëm rezistenca mund të ndikojë për parandalimin dhe zhbërjen e doktrinës së shokut.
Përtej kësaj, shqiptarët duhet të mësojnë sërish se si të ëndërrojnë. Lëvizjet e fuqishme nuk mbahen nga shkëndija që i ka krijuar, por nga të ardhmet që guxojnë t’i ëndërrojnë. Dhe siç thotë Klein, është saktësisht kjo “bashkëveprimi mes ëndrrave fisnike dhe fitoreve të përbotshme [që] ka qenë përherë në thelb të çasteve të transformimit të thellë”.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.