Sot, delegacioni nga Kosova, i udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa dhe Presidenti Hashim Thaçi, përsëri po takohen në Bruksel me homologët e tyre nga Serbia. Bisedimet janë pjesë e valës së re të dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, proces ky që daton me ndërmjetësim të BE prej viti 2011.
Vazhdimi i bisedimeve po vjen në një kohë të tensioneve të shkaktuara politike në mes të Kosovës e Serbisë; në javët e fundit janë intensifikuar diskutimet në Prishtinë për drejtimin dhe formën e dialogut. Një pjesë e debatit është fokusuar në formësimin e dialogut, dhe në atë se a mund të kemi dialog domethënës në një kohë kur opinioni publik dhe politik në Kosovë janë kaq të polarizuar në relacion me njëri tjetrin.
Javën e kaluar një raport i shoqërisë civile aludoi se shumica e kosovarëve favorizojnë një formë të përfaqësimit të unifikuar në Bruksel. K2.0 analizon atë se pse po shtohen thirrjet për unitet, si mund të duket përfaqësimi i unifikuar dhe sa ka mundësi që një gjë e tillë të bëhet realitet.
Pse këto thirrje për më shumë konsensus të brendshëm?
Prej kur ka filluar procesi i dialogut, gjithmonë kemi patur thirrje për përfaqësim të unifikuar në dialog prej disa qarqeve në Kosovë, por këto vetëm që janë intensifikuar në dy vitet e fundit, si dhe çdo nocion për konsensus të brendshëm politik është shembur.
Kur dialogu u lansua në 2011, i vetmi subjekt që foli kundër tij ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila kërkoi që të caktohen disa parakushte për Serbinë para se të nisej procesi.
Në javët e fundit, natyra e dialogut u bë përsëri temë e nxehtë e diskutimit politik në Kosovë, pas disa ngjarjeve që i eskaluan tensionet me Serbinë.
Deri në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014 në Kosovë, një konsensus kaq i gjërë e i unifikuar u trondit nga opozita e unifikuar LDK-Vetëvendosje-AAK-NISMA, që lajmëroi qëllimet e saja për t’i rishqyrtuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, dhe premtoi “riformësimin” e dialogut. Megjithatë, rrethanat e brendshme ndryshuan kur u shemb blloku, dhe PDK-LDK formuan një koalicion të madh në fund të vitit 2014. Prej atëherë, tri partitë opozitare – Vetëvendosje, AAK dhe NISMA – kanë vazhduar që të kërkojnë ndryshime të formatit dhe përmbajtjes së dialogut.
Edhe më shumë frustrime në lidhje me drejtimin e dialogut u shtuan nga një marrëveshje që u arrit në gusht të vitit 2015, marrëveshje kjo që mes tjerash shtroi rrugën për krijimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Kjo i intensifikoi ndarjet brenda politikës kosovare. Kuvendi u paralizua me muaj, opozita pengonte seancat, si dhe pati protesta masive të udhëhequra nga opozita në rrugët e Prishtinës.
Në javët e fundit, natyra e dialogut u bë përsëri temë e nxehtë e diskutimit politik në Kosovë, pas disa ngjarjeve që eskaluan tensione të reja me Serbinë. Në janar, një tren i prodhuar nga Rusia, i mbështjellur me fjalët “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, u nis nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, pa leje paraprake të autoriteteve kosovare për hyrje në territorin kosovar – në fund u kthye në Beograd pa e arritur cakun, por ky akt nxiti fillimin e një luftë fjalësh, në të cilën presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic madje foli edhe për dërgim të trupave ushtarake në Kosovë.
Disa ditë më herët, lideri i AAK Ramush Haradinaj u arrestua në Francë për shkak të një urdhër-arresti të Interpolit të lëshuar nga Beogradi, dhe që e akuzonte atë për krime të luftës; zëra të opozitës kërkuan që dialogu me Serbinë të ndalet deri sa Beogradi ta ndryshonte qasjen drejt Kosovës, dhe kërkuan që qeveria t’i dëgjonte zërat e tyre.
A është e nevojshme një qasje më e unifikuar në dialog?
Shumë kritikë të gjendjes aktuale të dialogut pretendojnë që, edhe pse ka nevojë për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, mënyra e drejtimit të këtij procesi në Bruksel në fakt vetëm ka sjellur jostabilitet të brendshëm.
Sipas Agron Bajramit, kryeredaktorit të së përditshmës kosovare Koha Ditore, kjo më së shumti i atribuohet mungesës së konsensusit në lidhje me dialog në politikën kosovare. Kjo mungesë po e dëmton tërë procesin. “Pjesa më e madhe e tensioneve politike në Kosovë në 6 vitet e fundit janë në një mënyrë apo tjetër pasojë e dialogut”, thotë Bajrami, duke përmendur barrikadat e ngritura në veri të Kosovës nga serbët e Kosovës, murin e gjatë 2 metra që së fundmi u ngrit në fund të urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, si dhe incidentin e fundit me tren.
Jeta Krasniqi, menaxhere e programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), beson se mungesa e konsensusit po e dëmton “interesin nacional” të Kosovës, meqë tërë perspektiva evropiane e saj po rrezikohet nëse Kosova dështon në përmbushje të obligimeve të saja ndërkombëtare, një ndër ta edhe procesi i dialogut me Serbinë. “Është bërë e qartë që rruga jonë drejt BE-së është e lidhur me dialogun, e madje edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit përmendet çështja e dialogut”, thotë ajo, duke i referuar marrëveshjes që Kosova e nënshkroi me BE në 2015, e cila e njihet gjerësisht si marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së. “Kjo na vë në një pozitë që nëse duam të ardhme brenda Bashkimit Evropian, duhet ta gjejmë një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë”.
Prej kur Kosova e nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit me Serbinë në gusht 2015, dhe marrëveshjen e diskutueshme me Malin e Zi për demarkacion të kufirit në po atë muaj, jeta politike në Kosovë është dominuar me përleshje që e kanë kapërcyer funksionimin normal të një demokracie. Refuzimi i marrëveshjeve nga ana e opozitës çoi deri te përdorimi i mënyrave e mjeteve të pazakonshme për pengimin e funksionimit të Kuvendit, si përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës. U mbajtën edhe disa protesta kundër marrëveshjeve të cilat në raste rezultuan në skena të dhunshme në rrugët e kryeqytetit.
Krasniqi beson se për të shtuar besimin në dialog duhet të bëhet më shumë për t’i përfshirë ata që nuk janë përfshirë direkt deri më tani. “Qeveria duhet të gjejë mekanizma për ta bërë gjithë këtë proces më të pranueshëm e më të besueshëm – më të besueshëm për qytetarët, deputetët dhe të gjitha partitë tjera”, thotë ajo.
Kush po bënë thirrje për unitet të shtuar?
Thirrjet për unitet të shtuar janë intensifikuar në muajt e fundit. Ato po vinë më së shumti prej anëtarëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve tjerë.
Një sondazh me më shumë se 1,000 qytetarë që u botua javën e kaluar nga KDI tregon që më shumë se gjysma e qytetarëve që u intervistuan në komunitetet e Kosovës e mbështesin një qasje më gjithëpërfshirëse për dialog. Kur u pyetën se kush duhet ta udhëheq dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë në të ardhmën, 53 përqind zgjodhën “një koalicion gjithëpërfshirës i partive politike”, 25 përqind thanë qeveria, 8 përqind sugjeruan që ta bëjë presidenti, ndërsa 13 përqind thanë se nuk e dinë.
Krasniqi beson që deri sa dialogu hyn në fazat e ardhshme, duhet të bëhet më shumë për të përfshirë zëra të ndryshëm brenda Kosovës. “Duhet të ketë më shumë përkushtim nga kryeministri ose presidenti, për t’i ftuar partitë në tryezë e për të diskutuar mënyrën se si duan ata që ta përparojnë procesin, të pajtohen për çështjet dhe për synimet që Kosova i ka në lidhje me procesin e dialogut”, thotë ajo. “Duhet me pasë një konsensus dhe një tentativë konkrete [për] me e kriju këtë koalicionin gjithëpërfshirës për dialog”.
"Duhet të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje më të mirë që të kemi proces më të përkrahur dhe më të suksesshëm sigurisht”
Isa Mustafa
Edhe nga kreu i zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjithashtu kanë ardhur thirrje që opozita të përfshihet në procesin e dialogut dhe poashtu qeveria të rris nivelin e ndërgjegjësimit në mesin e qytetarëve për përfitimet që i sjell dialogu.
Disa deklarata të paqarta janë dhënë nga lidershipi i Kosovës në lidhje me këtë çështje. Javën e kaluar Mustafa i përsëriti deklaratat që i bëri edhe më parë kur bëri thirrje që opozita dhe anëtarët e shoqërisë civile t’i bashkohen ekipit të dialogut në Bruksel, dhe ceku nevojën për proces më gjithëpërfshirës.
“Jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë me të gjithë. Të kuptojmë cila është mënyra më e mirë e përfaqësimit, edhe e opozitës, edhe e shoqërisë civile, sepse në dialog nuk është vetëm një subjekt, por të gjithë ata që kanë marrë votën e popullit.”, tha ai pas takimit të së premtës me homologët e tij serb në Bruksel. “Duhet të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje më të mirë që të kemi proces më të përkrahur dhe më të suksesshëm sigurisht”.
Ka patur edhe thirrje të vazhdueshme nga qeveria dhe nga Thaçi për “unitet” të përgjithshëm, veçanërisht si reagim ndaj pengesave të opozitës në Kuvend vitin e kaluar.
Si do të dukej uniteti?
Thirrjet nga kryeministri për përfshirje të opozitës në dialog kanë mbetur vetëm si shprehje vullneti nëpërmjet mediave. Ende nuk është projektuar ndonjë plan konkret në lidhje me këtë çështje.
Për Bajramin, thirrjet e qeverisë dhe presidentit për “unitet” janë qëllimisht ç’orientuese dhe janë bërë kryesisht për ta hutuar publikun, që të mendojnë se lidershipi i Kosovës do unitet në dialog.
“Në në shoqëri demokratike kur dikush dëshiron me ndryshu diçka substanciale, ulet edhe folë edhe kërkon konsensus. Nuk mundesh me lypë konsensus masi t’i marrësh vendimet”, thotë ai, duke iu referuar marrëveshjeve që veç janë arritur në Bruksel deri më sot. “Unë po mendoj se këta që po e thërrasin opozitën në dialog nuk kanë kurfarë shprese që bashkohen, por e bëjnë që më vonë kur të thirren zgjedhjet me thënë ‘ja na i kemi thirrë në dialog, por këta nuk kanë dashur.’”
'’Përfshirja e Thaçit është si pasojë e nevojës së tij për me qenë faktor me peshë dhe i rëndësishëm përballë bashkësisë ndërkombëtare”
Agron Bajrami
Megjithatë, edhe pse nuk është dhënë ndonjë plan konkret për ta përfshirë opozitën në dialog, delegacionit në Bruksel pas tensioneve të fundit me Serbinë i është bashkuar Presidenti Thaçi. Përfshirja e Thaçit – i cili si ish-kryeministër e udhëhoqi më parë dialogun me Serbinë, madje edhe nënshkroi marrëveshjen e parë “historike” në prill 2013 – gjerësisht është parë me skepticizëm nga kritikët, e jo si përpjekje e sinqertë nga presidenti për ta përmbushur rolin e tij kushtetues si përfaqësues i “unitetit të popullit”.
`’Përfshirja e Thaçit është si pasojë e nevojës së tij për me qenë faktor me peshë dhe i rëndësishëm përballë bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Bajrami. “Por, për neve si shtet dhe shoqërinë, marrja në dorë e dialogut nga presidenti nuk mundet me sjellë asgjë pozitive”.
Sa ka gjasa që Kosova të ketë përfaqësim të unifikuar në Bruksel?
Historia më e re politike e Kosovës ka treguar që kur ka vendosmëri, mund të ekzistojë uniteti. Në fund të bisedimeve të vitit 2006 në Vienë, kur kërkohej një zgjidhje përfundimtare për statusin e Kosovës, delegacioni i Kosovës u mbështet gjerësisht nga partitë politike, dhe si pjesë e përfaqësuesve ishin edhe disa anëtarë të shoqërisë civile. Megjithatë, konteksti i asaj kohe ishte shumë më ndryshe, dhe diskutohej për një përfundim të përbashkët dhe shumë të prekshëm.
Në rrethanat aktuale, përfaqësimi i unifikuar në dialog me Serbinë vështirë që mund të pritet, meqë qëndrimet politike janë të polarizuara dhe ka shumë pak konsensus madje edhe për temat të cilat duhet të përfshihen për diskutim.
Sondazhi i KDI tregon se gjerësisht ka shumë mospajtime me çështjen që janë diskutuar deri më tani; 84 përqind të të anketuarve deklaruan se personat e humbur duhet të diskutohen, 75 përqind përmendën krimet e luftës dhe 65 përqind e ngritën çështjen e dëmshpërblimeve të luftës. Asnjëra prej këtyre temave nuk kanë qenë pjesë e dialogut, por qeveria e Kosovës vazhdimisht ka premtuar që të merret me çështjet e personave të humbur dhe dëmshpërblimeve të luftës.
Opozita ka insistuar se nuk do t’i bashkohet dialogut në formën aktuale, deri sa të përmbushen parakushte të caktuara nga Serbia – kryesisht në lidhje me të kaluarën dhe qëndrimin e “barabartë” të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Edhe pse ky ka qenë qëndrim i Lëvizjes Vetëvendosje tash e disa kohë, me zhvillimet e javëve të fundit, atyre iu bashkuan partitë tjera opozitare AAK – që deri në vitin 2014 madje kishte një përfaqësues në dialog – dhe NISMA.
Qeveria po insiston që opozita po e shfrytëzon këtë situatë për qëllime politike, dhe se është kundër rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Ata po bëjnë thirrje që opozita të jetë më “dobiprurëse”, sa i përket ruajtjes së mbështetjes ndërkombëtare të Kosovës.
Megjithatë, mundësitë për bashkimin e opozitës në dialog janë reduktuar edhe më tej me rolin e ri të Thaçit në këtë proces. Shumë pjesëtar të opozitës e shohin atë si personalisht përgjegjës për rezultatin e procesit të dialogut deri më tani.
Për Bajramin ka pak mundësi që të shohim përfaqësim të unifikuar të Kosovës në Bruksel së shpejti, por njëlloj mendon edhe për arritjen e një rezultati pozitiv nga ky proces: ”Jo vetëm për shkak të mungesës së unitetit, por edhe për shkak të përmbajtjes së gabuar të tërë procesit dhe mënyrës se si është ndërtuar, ky dialog është i dënuar për të dështuar”.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.