S`fundmi | Mali i Zi

Tito vazhdon të jetojë në Mal të Zi

Presidenti i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë është kthyer në Podgoricë, por askush nuk e di pse.

Potera rreth vendosjes së një monumenti në nder të presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), Josip Broz Tito, në kryeqytetin e Malit të Zi, zgjati deri kur më në fund u vendos monumenti.

Vendimin për ta vendosur statujën e morri Këshilli i Qytetit të Podgoricës në fund të tetorit 2018. Në javët që pasuan, deri në mbajtjen e ceremonisë në Podgoricë më 19 dhjetor, Tito ishte një temë e rëndësishme në diskursin publik, vlerësimet për të cilin dalluan shumë. Disa e nderuan Titon për praktikisht gjithçka që e perceptonin si të mirë në Mal të Zi madje thanë se ishte personi që i vendosi bazat për restaurimin e pavarësisë së Malit të Zi e të tjerë pretenduan se ai ishte përgjegjës për vëllavrasje.

Nismat për kthimin e Titos në Podgoricë erdhën nga kryetari i qytetit, Ivan Vuković, i cili tha se nuk kishte lidhje me Jugonostalgji, por se ishte “dëshmi që Mali i Zi i qëndron besnik orientimit antifashist”.

Sot, monumenti i restauruar, i cili ishte mbajtur për gati 30 vite në një depo në një nga kazermat e Podgoricës, që është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, tërheq pak vëmendje. Vetëm një rrugë disa metërshe me guralecë të bardhë tregon se në afërsi është monumenti, në një pjesë të parkut afër Lumit Morača.

E kaluara po bëhet ironike

Monumenti që i përkushtohet Titos u shpalos më 19 dhjetor, në përvjetorin e çlirimit të Podgoricës nga forcat fashiste në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945.

Pozita e statujës është edhe simbolike. Tito tani banon në bulevardin që dikur mbante emrin e Leninit dhe sot është emëruar pas Shën Pjetrit Ortodoks të Çetinës.

Afër tij është ura e emëruar pas Blažo Jovanović, kryetarit të parë të Parlamentit të Malit të Zi (1976), ndërsa bulevardi kalon nëpërmjet Rrugës Ivan Milutinović, e emëruar pas një heroi partizan i cili ia la emrin e tij sheshit kryesor të qytetit gjatë kohës kur qyteti quhej Titograd, nga 1946 deri në 1992.

Tito gjithashtu e ‘vëzhgon’ ndërtesën që dikur i përkiste Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, që tani është pronë e Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, partia e udhëhequr nga Milo Dukanović, e cila aktualisht është në pushtet. Kjo parti hoqi dorë nga trashëgimia e saj komuniste në 1990 dhe brenda natës deklarativisht u bë parti social demokrate.

Kontradiktat e dukshme në ringjalljen e një monumenti të një personi nga trashëgimia e së cilit kanë bërë përpjekje të distancohen politikanët në pushtet, janë vërejtur nga malaziasët.

“Ironia është se monumenti i Titos është ngritur prej atyre që kanë punuar për ta shpërbërë RSFJ-në”, tha për K2.0 banori i Podgoricës, Predrag Nikolić, para se të shtonte se malaziasit, pa marrë parasysh a i duan apo urrejnë sundimtarët e tyre, janë të mësuar me afatshkurtësinë sa i përket nderimit të personit më të fundit.

“Sa i përket monumentit që i përkushtohet Titos, personat nga Parlamentit i Malit të Zi veç se po lajmërojnë se nuk do të qëndrojë gjatë”, tha ai.

“Unë nuk isha i pranishëm në hapje, sepse besoj që është hipokrizi që njerëzit të cilët e nënçmuan Titon më së shumti në vitet e 90-a tani ta ngrisin këtë monument nën urdhërat e dikujt.”

Marko Perković, Konsullata e Përgjithshme e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Fakti se Titon e kishin hequr më parë në mënyrë që ai të mos ishte kujtim i historisë për ata që deri së fundmi ishin të turpëruar nga historia e ndërsa tani e glorifikojnë këtë person, është një ofendim për burrin i cili mbase është individi më i dalluar në Mal të Zi, sa i përket Jugosllavisë.

Marko Perković, nga OJQ-ja e bazuar në Tivat Konsullata e Përgjithshme e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, nuk ishte i pranishëm në shpalosjen e monumentit dhe nuk e ka vizituar deri më sot.

Perković dhe Konsullata e Përgjithshme e ruajnë kujtimin e RSFJ-së duke shënuar data të rëndësishmë në historinë e saj dhe duke ua kujtuar qytetarëve malazezë vlerat e përpjekjeve antifashiste dhe partizanët e njohur.

“Unë nuk isha i pranishëm në hapje, sepse besoj që është hipokrizi që njerëzit të cilët e nënçmuan Titon më së shumti në vitet e 90-a tani e ngrisin këtë monument nën urdhërat e dikujt”, tha Perković për K2.0. “Nuk deshta të iu bashkohem. Në Tivat ne e nderojmë rregullisht Titon, kështu që nuk ka probleme në këtë aspekt dhe nuk do të ia jap dikujt tjetër rëndësinë duke qenë i pranishëm aty”.

Perković thekson se në Mal të Zi tani ka plot “të konvertuar” të cilët gjatë 90-ve “ishin kundër Titos dhe e nënçmonin Jugosllavinë dhe vëllazërimin e bashkimin”, duke iu referuar vlerave të ‘vëllazërisë dhe bashkimit’ ndërmjet popujve dhe kombësive, që ishte vlerë qendrore mbi të cilën Tito bëri përpjekje për ta ndërtuar RSFJ-në.

Ai pretendon se personat që po e mbështesin tani rivendosjen e monumentit janë të njëjtit që më parë “e kishin idenë për ta hequr monumentin që i turpëronte dhe ta fshehin prej popullit”.

Monumenti që i përkushtohet Titos, pa lule dhe me pak vizitorë, gjendet në bulevardin që dikur ishte emëruar pas Leninit dhe sot mbanë emrin e Shën Pjetrit të Çetinës. Foto: Marijana Camović.

Kur qyteti ende quhej Titograd, bazamenti qëndroi në rrethin e kazermave ushtarake Masline, por u hoq në fillim të 90-ve dhe u harrua kryesisht në dhomën përkujtimore të Brigadës së Pestë Proletare.

“Nuk u ngrit një monument që i përkushtohet Titos, por skulptura e tij doli në dritë; deri së fundmi, e kishte vlerën e lëndës së dytë materiale, ishin të turpëruar prej tij dhe e përgojuan në tri dekadat e fundit”, pretendoi Perković, duke shtuar se po ndodh një rishkrim i historisë në përputhje me dëshirat e atyre që janë në pushtet dhe “interesave të përditshme politike të tyre”.

“Kryengritja e 13 korrikut [të vitit 1941, që nisi në Mal të Zi nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë], AVNOJ [Këshilli Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë], Lufta e Dytë Botërore dhe tani Tito, të gjithë po përdoren, sepse me sa duket pa antifashizëm nuk mund të hymë në Bashkimin Evropian dhe tani të gjithë duan të veprojnë si antifashistë”, tha Perković.

Ai thotë se pretendimet e tij në lidhje me hipokrizinë dhe bredhjen ideologjike të qeverisë mbështeten nga hapja e një varreze gjermane afër Podgoricës para dy vitesh. Në këtë varrezë u varrosën mbetjet mortore të 64 ushtarëve gjermanë, të cilët luftuan kundër partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Partia Komuniste Jugosllave e cila u themelua në Mal të Zi në 2009 përkrah mbështetësve të nocionit të antifashizmit, protestuan në ditën kur u hapën varrezat, jo për shkak se u varrosën aty mbetjet mortore të atyre të cilët u menduan se janë të humbur për një kohë të gjatë, por për shkak të kërkesës që autoritetet malazeze të kujdesen për varrezat e braktisura të partizanëve; në fund të ceremonisë, artistja Tanja Maruša e vendosi një tufë lulesh me një karafil të kuq me pesë cepa, që simbolizon yllin partizan.

Luftë ideologjike

Në mesin e atyre që e kundërshtuan rivendosjen e monumentit të Titos për arsye ideologjike janë edhe përfaqësuesit e partive në Mal të Zi që avokojnë për të drejtat e minoritetit serb, kryesisht deputetë nga koalicioni Fronti Demokratik (FD).

FD i bashkon disa parti, përfshirë këtu Demokracia e Re Serbe dhe Lëvizja për Ndryshime që janë me orientim më nacionalist; Andrija Mandić dhe Milana Knežević nga FD janë aktualisht duke u gjykuar për tentimin e supozuar për puç në tetor 2016, për të cilin Prokuroria pretendon se u planifikua të bëhet në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Gjatë një diskutimi parlamentar që u mbajt vitin e kaluar për vendosjen e monumentit, Mandić tha se Tito ishte një nga simbolet e diktaturës dhe i bëri thirrje kolegëve të tij nga koalicioni që të mos shkojnë në atë drejtim për shkak se “ka plot shembuj më të mirë në historinë tonë që duhet t’i çmoni”.

“Megjithatë, ai ishte një burrë me aftësi modeste, një tetar austro-hungarez, një anëtar i Divizionit të 42-të të Dreqit [njësi ushtarake kroate e njohur për veprime të pamëshirshme në territorin e Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore], i cili u dekorua dy herë për varjen e gjysheve serbe në Mačva”, deklaroi Mandić ironikisht, duke shpikur dhe ekzagjeruar detajet për efekt dhe duke bërë thirrje për rikthimin e monarkisë.

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe i bëri apel autoriteteve “ta ndalin ndërtimin e të ardhmës së Malit të Zi mbi vëllavrasje”, duke thënë se do të ishte më mirë të ngritej një monument për Mussolinin, se për Titon.

Kolegu i tij partiak, Slaven Radunović, ka një qëndrim të ngjashëm, por në lidhje me çështjen e Titos, ai e hapi edhe çështjen e statusit të Kosovës.

“Kujdes çfarë bëni, ju që e mbështetët vendimin për ta ngritur një monument për Josip Brozin në Podgoricë”, paralajmëroi ai nga ulësja e tij në Parlament.

“Në thelb, ai është lajmëtari i pavarësisë së Kosovës. Në 1974, ai e miratoi Kushtetutën e cila mundësoi më vonë ndarjen e Kosovës [Kushtetuta e vitit 1974 i dha më shumë autonomi Krahinës Autonome të Kosovës, e cila ishte pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë]”, tha Radunović gjatë diskutimit.

“Përveç kësaj, ai është burri i cili i ndaloi serbët dhe malazezët nga Kosova ata që u persekutuan nga ballistët [lëvizje antikomuniste e përbërë nga shqiptarët e disa shteteve, aktive gjatë Luftës së Dytë Botërore] dhe okupuesit e Kosovës të mos kthehen në Kosovë pas luftës dhe kështu ndikoi drejtpërdrejt në strukturën demografike”.

Qëndrimet e tilla u mbështetën nga Metropolitani Amfilohije, një person me ndikim të madh në Mal të Zi. Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe i bëri apel autoriteteve “ta ndalin ndërtimin e të ardhmes së Malit të Zi mbi vëllavrasje”, duke thënë se do të ishte më mirë të ngritej një monument për Mussolinin, se për Titon.

Nga momenti kur u lajmërua qëllimi për ta ekspozuar përsëri monumentin e Titos, shumë në Mal të Zi e shtruan pyetjen “Pse tani?” Pati pak përgjigje koherente për këtë pyetje.

Nxitimi që e karakterizoi këtë vendim dhe problemet në zbatimin e tij reflektohen në faktin se teksti i mbishkruar në të u ndryshua një ditë pas vendosjes së monumentit; më 18 dhjetor, në një pllakëz para figurës së Titos shkruante: “Josip Broz Tito 1892-1980. Qytetarët mirënjohës të Titogradit dhe Podgoricës”, ndërsa një ditë pas ekspozimit të monumentit, teksti u nda në dy pjesë një pllakëz me emrin dhe vitin, dhe e dyta e vendosur në anën e djathtë të Titos, në të cilën u shpreh mirënjohja.

Përveç statujës së Titos në Podgoricë, disa monumente janë shpalosur dhe janë duartrokitur me mirësjellje nga publiku në Mal të Zi në kohët e fundit, por me sa duket ka pak koherencë në mesazhet e përçuara. Në Nikšić, vet Presidenti Milo Dukanović muajin e kaluar e shpalosi një statujë të re të shndritshme që i përkushtohet Komitas, që ai e përshkroi si “luftëtarët për lirinë e Malit të Zi gjatë okupimit austro-hungarez në Luftën e Madhe dhe luftëtarët që e mbrojtën dinjitetin e shtetit pas puçit të dhunshëm nga Serbia në 1918”.

Projekti i fundit i rëndësishëm i këtij lloji në rajon Shkupi 2014, që u kritikua shumë e ka lënë shoqërinë maqedone me një dilemë për atë se si duhet të vazhdojnë tani që nismëtarët e tij nuk janë më në pushtet. Dikur në të ardhmen, malazezët me sa duket do ta gjejnë veten me një huti të ngjashme për atë se si ta adresojnë trashëgiminë monumentale të liderëve aktualë të vendit.K

Foto kryesore: Marijana Camović.