S`fundmi

Trajnim i avancuar për Raportim të Diversitetit: Thirrje për pjesëmarrës

Nga - 28.12.2023

KUR: 13-16 Shkurt 2024

KU: Podgoricë, Mali i Zi

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit – Agjenda e Re fton Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC), aktivistët e aktivistet, mbrojtësit/et e të drejtave të njeriut, të marrin pjesë në trajnimin e trajnerëve/eve për Raportim të Diversitetit. Trajnimi do të zhvillohet në Podgoricë, nga data 13 deri më 16 shkurt 2024 dhe do t’i mbledhë 30 pjesëmarrës/e nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Pjesëmarrësit/et do të pajisen me aftësi që do t’i ndihmojnë ata/o t’i trajtojnë më me ndjeshmëri këndvështrimet e pakicave, ta identifikojnë gjuhën e urrejtjes dhe narrativat përçarëse dhe manifestimet e tyre, si dhe të jenë në gjendje t’i kundërshtojnë ato. Punëtoria tre-ditore do të përqendrohet në tri grupe aftësish: identifikimi i gjuhës së urrejtjes, trajtimi i narrativave urrejtëse dhe avokimi për respektimin e diversitetit gjatë raportimit.

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit synon të prezantojë dhe të krijojë praktika të reja që  kundërshtojnë përmbajtjet mediale përçarëse duke ofruar përgjigje alternative e duke kërkuar reagime (nga mediet, shoqëria civile dhe/ose autoritetet), si dhe duke ekspozuar publikisht autorët/et.

Kjo punëtori është krijuar për t’i pajisur pjesëmarrësit/et me kapacitete, kanale, burime dhe metoda për t’u angazhuar në mënyrë më efektive dhe aktive, si dhe për të punuar që kundërveprimi ndaj sjelljeve të papërgjegjshme dhe shpesh të paligjshme të akterëve në sferën mediale të bëhet pjesë e praktikës së tyre të rregullt në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit si dhe ruajtjen e standardeve demokratike në rajon. Kjo përfshin veprime avokuese të mirë-informuara dhe të sakta të OShC, që synojnë të ndikojnë në politika, por edhe ndryshimin e pikëpamjes publike ndaj sjelljes së papërgjegjshme të medies përmes fushatave efektive. Për këto arsye, Trajnimi i Raportimit të Diversitetit do të përqendrohet në ngritjen e aftësive të pjesëmarrësve/eve në krijimin e fushatave në mediet tradicionale dhe rrjetet sociale, si dhe në aftësitë e avokimit.

Të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit do të mbulohen nga organizatorët. Nëse keni kërkesa specifike për udhëtim dhe/ose akomodim, ju lutemi na njoftoni paraprakisht në rubrikën e komenteve të formularit.

Si pjesë e Trajnimit të Avancuar të Raportimit të Diversitetit, pjesëmarrësit/et do të marrin pjesë gjithashtu në Konferencën e Rrjetit të Raportimit të Diversitetit, e cila do të mbahet më 15 dhe 16 shkurt 2024. Për të aplikuar, ju lutemi plotësoni këtë formular para datës 22 janar. Pjesëmarrësit/et e përzgjedhur do të njoftohen nga 25 janar.

Gjuha me të cilën do të punohet është gjuha angleze.

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit (RDN) – Agjenda e Re synon ta aktivizojë rolin e shoqërisë civile në kundërshtimin e narrativave ndarëse dhe zëvendësimin e tyre me diskurs pozitiv që kontribuon në vlerat e respektimit të të drejtave të njeriut, respektimin e diversitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Rrjeti i Raportimit të Diversitetit mbledh organizata nga rajoni i Ballkanit Perëndimor: Albanian Woman in Audiovisual (AWA), Asociacioni për Avancimin e Praktikave Gazetareske MEDIA INOVATIVE, Qendra për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi, Fondacija za razvoj Medija i civilnog drustva – MediaCentar, Kosovo 2.0, Media Diversity Instituti Global (MDI Global) dhe Instituti i Diversitetit të Medias – Ballkani Perëndimor.

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit – Projekti “Agjenda e Re” bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Shoqërinë e Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkime dhe Krijim të Politikave (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), si dhe mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).