Tregime të rezistencës përballë dhunës së përsëritur - Kosovo 2.0

Tregime të rezistencës përballë dhunës së përsëritur

K2.0 sjell zërat e grave nga strehimoret e Kosovës.

Çdo rast i femicidit në Kosovë mund të ishte shmangur, thonë aktivistet feministe, nëse mekanizmat e drejtësisë, prej policisë deri te gjyqësori, do të ishin mobilizuar mirëfilli për t’i mbrojtur gratë. 

Në mungesë të këtij mobilizimi, që pos që ka rrënjosur dhunën, ka betonuar mosbesimin në institucione, viktimat kryesisht kërkojnë ndërhyrjen e shtetit vetëm kur rreziku për jetën e tyre bëhet i pashmangshëm — në shumë raste pasi të kenë duruar vite të tëra të dhunës së vazhdueshme. Kjo dhunë, e cila shpesh ndodh prapa sigurisë së supozuar të mureve të shtëpisë, jo rrallë nuk është vepër vetëm e partnerit, por një akt i përbashkët, që përfshin anëtarë të tjerë të familjeve — edhe të partnerit e edhe të viktimave.

Familjet e viktimave, të mbuluara nga praktika patriarkale, me të madhe shpërfillin shtypjen e grave brenda shtëpive të tyre. Thirrjet e grave për ndihmë hidhen poshtë nga vetë familjarët e viktimave dhe humbasin në besimet e vjetëruara se gruaja i detyrohet gjithçka bashkëshortit të saj. 

Kur mbërrijnë të ikin nga familjet abuzive, strehimoret u ofrojnë viktimave të dhunës një strehim të përkohshëm dhe të sigurt. Në to, gratë marrin mbështetje psikosociale dhe mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj, megjithëse në disa raste të jashtëzakonshme, qëndrimi mund të zgjasë më shumë. Në Kosovë ekzistojnë tetë strehimore të licencuara për t’i strehuar viktimat e dhunës. 

K2.0 vizitoi disa prej tyre dhe dëgjoi tregime të rezistencës, përballë një cikli të vazhdueshëm të dhunës së përsëritur. Shumë viktima kanë kërkuar strehim në këto strehimore më shumë se një herë. Rrëfimet e tyre thurin një fije të përbashkët — ato kanë përjetuar dhunë nga partnerët dhe familjet e partnerëve të tyre. 

Nita, Valmira, Blerta, Anita dhe Mirjeta, emrat e të cilave janë ndryshuar për çështje të sigurisë, si shumë gra tjera, të braktisura edhe nga familjarët e tyre, qëndrojnë, shpesh vetëm, në pritje që shteti t’u sigurojë liri ekonomike dhe të drejta pronësore.

Ilustrimi: Arrita Katona / K2.0.

— Nita —

Drita e diellit që depërtonte nëpër perde lëshoi një shkëlqim të ngrohtë në fytyrën e Nitës, në kontrast të mprehtë me fytyrën e saj të zbehtë dhe rrathët e errët në sytë e saj të ënjtur. 

Vështrimi i saj shfaq një përzierje të rehatisë së sapogjetur dhe frikës së mbetur, teksa ulet në cepin e dhomës të dekoruar në mënyrë modeste në një nga strehimoret e Kosovës. Në moshën 25-vjeçare, Nita ka një pamje rinore që gati mashtron duke mbuluar ngarkesat e rënda dhe të moçme, që e ndoqën në vendbanimin e ri të përkohshëm. 

Heshtja e dhomës përshkohet vetëm nga murmuritjet e buta të vajzës së vogël, e cila e zhytur thellë në lojën e saj, ndërton me zell struktura të larta nga blloqet e saj. Krejt ndryshe nga ndërtimet ambicioze të vajzës së saj, Nita tregon se si jeta e saj me partnerin ia rrënoi lirinë.

Nita kujton ditët e hershme, një epokë kalimtare të ditëve më të mira, përpara se dhuna ta shndërronte atë në dikë që nuk e njeh më, siç e përshkruan veten me një përzierje përhumbjeje dhe pikëllimi. Menjëherë pas e fajëson veten, ose perceptimin e saj të turbullt, që sipas saj, e bëri atë të paaftë për ta dalluar njeriun që ai ishte me të vërtetë.

“Ky është faji im. Nuk e di se si e lashë të ndodhë”, thotë ajo, teksa fjalët e saj ngjajnë në një përpjekje për të gjetur një shpjegim për veten më shumë sesa për këdo tjetër.

Ringjallja e kujtimeve të ndryshme ndër vite vetëm sa zbulon skenat, secila prej të cilave, bëhet shkallë-shkallë më shqetësuese se tjetra. Ajo kujton veten të shtrirë përtokë, e mbytur nga dhimbja prej goditjeve të tij dhe zërin i tij që buçiste nëpër dhomë me akuza për pabesi, akuza që ekzistonin vetëm në mendjen e tij. Sulme, fyerje e përçmime të njëpasnjëshme. Kërcënime për jetë. 

“Ti je i vetmi person në botë që meriton të vdesë për asgjë”, është një fjali që vazhdon t’i jehojë ende kudo. 

Në një moment, Nita ndalon rrëfimin. Mbërthehet nga një valë turpi e vështirësie, teksa mbledh veten për ta artikuluar një tjetër përvojë traumatike: ai e kishte rrahur aq shumë sa lëkura e saj ishte bërë e kaltërt nga mavijosja. Një herë e kishte akuzuar se ajo kishte qenë me një burrë tjetër, pastaj e kishte rrahur. Për gjithë këtë, si arsyetim ai kishte përdorur moseksitimin e Nitës gjatë intimitetit të tyre.

“Unë qajsha edhe prej dhimbjes, por edhe prej lëndimit emocional, se qysh ai dyshon në mu dhe më sheh si person që bën tradhti”, thotë ajo. “Por tani e tregon edhe injorancën e vet për trupin e gruas që nuk e njeh, se edhe unë mos me ditë diçka e kisha pyet, por jo me më rrehë që mos me njoftë veten”.

Dita ditës, liria e saj zbehej dhe hapësira e jetës së saj të përditshme tkurrej. Kufizimet ishin të prera dhe të qarta: miqësi të shuara, patentë e shoferit, që nuk ia lejoi ta merrte dhe ligjëratat, të cilat e detyroi t’i braktiste.

Teksa flet, kthen kryet kah vajza e saj, burimi i vetëm i gëzimit në martesën, që ajo e quan “burg”.

Dikur kishte besuar se lindja e një fëmije do ta zbuste partnerin e saj. Të paktën, ashtu i kishin thënë të tjerët. Shtatzënë dhe me shpresë, çdo muaj që kalonte ia përplaste të kundërtën e shpresës. Dhuna e tij ndaj saj përshkallëzohej e ndjenja e pafuqisë shtohej.

Dita e dasmës së tyre shkrepi mes kujtimeve të hidhura. Ata u martuan gjatë kohës kur Nita ishte shtatzënë dhe gjatë shpërthimit të pandemisë COVID-19, që e kufizoi festën e tyre përbrenda shtëpisë. Në ditën e dasmës së vet, ndonëse e lodhur nga shtatzënia, ajo luajti mikpritësen, duke u kujdesur për të ftuarit gjatë gjithë ditës.

Me kalimin e mbrëmjes, i ra ndër mend se nuk kishte vënë asgjë në gojë gjithë ditën dhe iu afrua tavolinës me pije. Derisa po e mbushte gotën, ai u shfaq pranë saj.

“Çohu dhe shërbe, përndryshe do të pendohesh”, i kishte thënë ai.

Ajo e la gotën e saj të paprekur në tavolinë. 

Shpresa e saj se martesa do t’i ndryshonte gjërat u shpërbë shpejt pas dasmës. Ajo e dinte se nuk kishte asnjë arsyetim për dhunën dhe anipse dhuna i ishte bërë ngjarje e përsëritur, prapëseprapë, justifikimet që ai i jepte për shpërthimet e tij vazhdonin ta tronditnin. Një ditë, kur ishte sëmurë, ajo kujton se ai me një këmbëngulje të palëkundur i kërkonte ta hante një banane. Refuzimi i saj u prit me rrahje, që e la me shenja për ditë të tëra. 

Megjithatë, vendimi për ta braktisur erdhi në një rast tjetër. Një shëtitje e shkurtër me vajzën e saj në lagje përfundoi në një sulm tjetër edhe më brutal.

“Qysh po del ti kur po don”, i kishte thënë ai. 

Gjaku nëpër trupin e saj ishte paralajmërimi i fundit se nëse nuk do të largohej, ai mund ta vriste. 

Kështu, disa muaj më parë iku në strehimore.

Ilustrimi: Arrita Katona / K2.0.

— Valmira —

Valmira, në të katërdhjetat, ka rrëfim të ngjashëm me atë të Nitës dhe viktimave të shumta të dhunës në baza gjinore në Kosovë. Historitë e tyre nuk janë të konflikteve të njëhershme apo të argumenteve specifike, por kronika të dhunës sistematike që i shndërruan shtëpitë e tyre e në streha të përhershme të paparashikueshmërisë dhe frikës. 

Metodat e abuzimit të partnerit të Valmirës ishin sa të ndryshme aq edhe mizore – shtyerje, tërheqje zvarrë në dysheme, grushtim, shënjestrim i pjesëve të ndryshme të trupit. Në fillim, Valmira përpiqej të zbërthente në vete arsyet pas çdo akti dhune. Por shpejt, përpjekja për ta kuptuar pse ndodhte secila rrahje, përfundimisht i lëshoi vendin një shqetësimi tjetër, një më të ngutshëm: nuk mund të mendonte më për arsyet, i duhej të mendonte se si të mbijetojë.

Në këtë mjedis mbytës kontrolli dhe dyshimi, edhe veprimet më të thjeshta si vizitat tek familja e saj apo veshja për një shëtitje, bëheshin shkas për sulmet e tij. 

“Pse duhet të shkosh atje? Për kë po vishesh?” ai e pyeste vazhdimisht. 

Por një natë e kohëve të fundit i vuri kapakun gjithçkaje. Motra e Valmirës ishte kthyer nga jashtë vendit dhe në ditët e fundit në qytet, ajo e ftoi Valmirën për të bujtur në shtëpinë e saj. Ishte një kërkesë e thjeshtë, një moment çmalljeje midis motrash, por që shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që e dërguan Valmirën në strehimore.

Valmira ishte bërë gati, duke pritur të shoqin që ta dërgojë tek motra, siç i kishte premtuar. Por me kalimin e orëve, u bë e qartë se ai nuk po kthehej në shtëpi. Heshtja e tij në telefon nuk ishte vonesë e zakontë mesazhesh — ishte e qëllimshme.

Duke ndier një përzierje turpi ndaj motrës dhe një vendosmëri për ta takuar atë, Valmira vendosi se të mos priste më dhe thirri motrën për ta marrë.

Derisa ishte te motra e saj, Valmira mësoi se i shoqi i kishte telefonuar babait të saj, i indinjuar që ajo ishte larguar nga shtëpia pa lejen e tij. Më vonë, në telefon, i kërkoi Valmirës që të kthehej në shtëpi më së largu deri në orën 5:00 të mëngjesit.

“Si mund të kthehem në atë orë?” e kishte pyetur Valmira. “Ti nuk dëshiron që unë as të hyj në autobus”.

“Fluturo”, ia kishte kthyer ai prerazi.

Kthimi i saj në shtëpi të nesërmen u prit me një akuzë që ajo ende e ka vështirë ta artikulojë: “Po e don burrin e motrës. Çka ke pasë me ndejtë atje?”

“Shuj more se marre po të nin edhe motra jem e s’ka kuptim se po e prishë edhe atë me burrë”, ishte përgjigjur Valmira. 

Por para se të mbaronte fjalinë, ajo ndieu duart e tij në flokët e saj dhe shtrëngimin e tij të dhunshëm. Brenda pak sekondash, ai ia përplasi kokën për vitrine. 

Ai vazhdoi ta gjuante me objekte, duke rrëmbyer çdo gjë që kishte para vetes. Ndërsa ajo mundohej të mbrohej nga një palë taka të larta që vinin drejt saj, papritmas dëgjoi zërin e djalit të tyre në panik: “Eshtë duke e mbytë nënën”. 

Pas sulmit, Valmira telefonoi motrën e saj, e cila e dërgoi me urgjencë në spital. Ishte hera e parë në vitet e abuzimit, që Valmira denoncoi dhunën në polici. 

Derisa ajo po qëndron në strehimore qe disa muaj, fëmijët e saj janë me bashkëshortin e saj, i cili u ka thënë se nëna e tyre ishte larguar “për t’u martuar me një burrë tjetër”.

Ilustrimi: Arrita Katona / K2.0.

— Blerta —

Blerta, vetëm 19 vjeç, është në strehimore për të tretën herë. Para kësaj here, në strehimore kishte qëndruar më pak se një vit më parë, në kërkim të dëshpëruar për siguri pas dhunës së vazhdueshme të ushtruar nga partneri i saj. 

Përvoja e saj e parë në strehimore ishte dikur gjatë fëmijërisë, pas ndarjes së prindërve. E lënë të rritet me gjyshin, ajo kaloi nga të qenit nën përkujdesin e tij në të qenit kujdestare e gjyshit. Teksa Blerta rritej, gjyshit të saj i përkeqësohej shëndeti nga mosha.

Pas ndarjes, babai i Blertës ishte në burg, teksa nëna ishte rimartuar. Megjithatë, në sytë e familjes, zgjedhja e nënës së saj për t’u martuar sërish shihej si arsye për t’ia penguar të ardhmen e Blertës — xhaxhallarët ia ndërprenë shkollimin befas në vitin e dytë të shkollës së mesme.

“Do të bëhesh si nëna”, ishte arsyetimi i tyre. 

Ajo thotë se kjo rritje e cunguar e la atë të ndihej e cenuar dhe e pambrojtur në moshën 17-vjeçare dhe përfundimisht ndikoi që ajo të lidhej me një partner manipulues, i cili i premtoi një botë tjetër — më të mirë.

Veç tri ditë pas martesës së tyre, mirësia me të cilën ajo kishte rënë në dashuri dhe kishte gjetur pak paqe, u zhduk. Ajo ishte hera e parë që ai kishte ushtruar dhunë.

Dy muaj pas, ajo mbeti shtatzënë. Dhuna vazhdoi. Bashkëshorti e izoloi, duke ia ndaluar që të takohej me të afërmit e saj kur ishte vetëm, teksa daljen nga shtëpia ia lejonte vetëm nën mbikëqyrjen e motrave të tij.

“Dita e vetme e lumtur ishte kur dita kur lindi djali”, thotë ajo. 

Edhe kjo lumturi u krye shpejt. Ai e rrahu vetëm tre ditë pasi ajo lindi. Rrahjet iu bënë rutinë.

Një herë, sa ishte në një vizitë te halla e saj, ai ia kishte dërguar një mesazh: “Do të të vras”. 

Kur ajo ishte kthyer në shtëpi, ai e kishte kërcënuar me thikë dhe e kishte goditur me grusht. Ajo natë, kujton Blerta, kulmoi me arrestimin e tij, një urdhër mbrojtje dhe dënimin pasues prej disa muajsh. Ai e siguroi që nuk do të ushtronte më dhunë. Pas përfundimit të dënimit, ajo u kthye përsëri tek ai.

“Unë durova se s’kam kërkon, as nanë, as vëlla, as hiç kërkon. Nuk kam kurrëfar ndihme prej kërkujna, njeri të gjallë nuk kam përveç qitij djalit”, thotë ajo. “Nuk ka qenë askush të më thotë që ti mundesh të vazhdosh vetë”. 

Përjetimet e dhunës vetëm përsëriteshin dhe Blerta kujton një rast ku tërbimi i tij ndaj saj bëri që një mjeke nga Qendra e Mjekësisë Familjare ta largonte bashkëshortin nga dhoma ku fëmija i tyre i sëmurë po merrte kujdes mjekësor.

Ditë pas këtij episodi shqetësues, frika e saj u shpeshtua kur e dëgjoi duke thënë: “Ti je jetime. Unë të kam në dorë, ti ke ba kurorë me mu dhe mund të bëj çka të dua me ty”.

Pavarësisht se kishte duruar dhunë edhe më të rëndë në të kaluarën, atë ditë ajo me të vërtetë nisi të kishte frikë për jetën e saj.

Blerta, përdori Viberin për të dërguar një mesazh në mënyrë diskrete në Qendrën e Mjekësisë Familjare që kishte vizituar ditë më parë. Ajo thotë se iu ka kërkuar të lajmërojnë policinë dhe i ka dërguar adresën e banimit. Ai e zuri teksa ajo dërgonte mesazhin dhe, në një sulm tjetër të harlisur, e goditi deri në gjakosje përpara se ajo të mbërrinte të ikte nga shtëpia. 

Duke mbledhur disi forcën, ajo arriti të dilte jashtë dhe të kërkonte përsëri ndihmë. Atë natë, që ishte rreth tre muaj më parë, policia e shoqëroi për në strehimore.

“Veshi trenerkat se kush të vjen këtu, ti ke me i shërby”

Mirjeta ndodhet për herë të dytë në strehimore. Hera e parë ishte para më shumë se një viti, teksa tash është kthyer në strehimore disa muaj më parë. Mirjeta nuk kishte pasur një martesë tradicionale. I dashuri e mori për të jetuar në shtëpinë e tij kur ajo ishte vetëm 17 vjeç. Sapo hyri në shtëpinë e re, hasi në një atmosferë jo mikpritëse.

Ajo përjetoi të gjitha format e dhunës nga partneri dhe dhunë emocionale dhe psikologjike nga nëna e tij. Duke qenë në këtë martesë për afër dy dekada, ajo ka kaluar të paktën 15 vjet përballje me këtë mjedis abuziv. Nuk e mban mend nëse abuzimi fillestar ishte fizik apo verbal dhe nëse e kishte origjinën nga partneri apo nëna e tij.

Pas një viti martesë, ajo mbeti shtatzënë, por shpejt pati një abort. Mjeku ia atribuoi këtë moszhvillimit të fetusit, por Mirjeta beson se në abort kontribuuan punët e tepërta e të rënda të shtëpisë që e detyronin t’i kryente. Edhe pas kësaj përvoje, pavarësisht këshillave mjekësore për të pushuar, nëna e partnerit kishte këmbëngulur që ajo të vazhdonte të punonte nëpër shtëpi.

“Ti duhesh me u çu me ba punë. Sa abortin e kam pasë unë, e ti kështu”, kujton Mirjeta fjalët e saj. “Veshi trenerkat se kush të vjen këtu, ti ke me i shërby”.

Abuzimi verbal, përfshirë poshtërimin, të bërtiturat, sharjet dhe komentet nënçmuese, nuk u kufizua vetëm tek vjehrra e saj, por u vazhdua edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Përgjegjësitë e Mirjetës brenda familjes së partnerit përfshinin një sërë detyrash të punës së papaguar. Ajo menaxhonte shtëpinë, kujdesej për kopshtin dhe për kafshët. Ajo kultivonte dhe korrte fasule, të cilat shiteshin në treg për të ardhurat e familjes, nga të cilat ajo nuk pa asnjë cent.

Në Kosovë, ku varfëria është e shpeshtë dhe të drejtat ekonomike të grave shpërfillen gjerësisht, çiftet e reja shpesh jetojnë me familjet e tyre të gjera — pothuajse gjithnjë me familjen e bashkëshortit — si një mënyrë për të përballuar vështirësitë dhe pasigurinë financiare. Megjithatë, në shoqërinë kosovare, ku strukturat familjare janë thellësisht edhe patriarkale, ky mjedis i zgjeruar familjar mund të jetë mjedis përjashtues dhe shtypës, veçanërisht ndaj grave.

Në këto familje të gjera, normat e ngulitura gjinore e vendosin barrën e punës së papaguar të kujdesit drejtpërdrejt në supet e “nuses”. Kjo përgjegjësi, pavarësisht nga pjesëmarrja ose jo e gruas në treg të punës, kryesisht bartet nga nëna e partnerit, teksa babai i tij kontrollon financat e familjes.

“Dhuna e gjinizuar nuk është dhunë e cila çdo herë ushtrohet nga burrat. Ajo më shumë e qendërzon atë që e përjeton, e që janë në masë dërrmuese gratë. E kjo dhunë, gjithsesi është e shtresuar në disa nivele të pushteteve që krijohen në marrëdhëniet familjare”, thotë Liridona Sijarina, aktiviste feministe. “Një nga raportet më të dhunshme në familje është institucionalizimi i raportit nuse—vjehrri—kunetër”.

Realiteti shqetësues i të jetuarit së bashku me abuzuesit dhe i durimit të abuzimit nga një familje e tërë e gjerë nuk mbizotëron vetëm në shtëpinë e Mirjetës. Strehimoret janë të mbushura me viktima, të cilat janë përballur me konflikte të ndryshme e të shpeshta me familjarët e partnerëve të tyre. Në rastet kur ka dhunë fizike nga një partner në një mjedis të tillë familjar, ajo pothuajse gjithmonë shoqërohet ose paraprihet nga abuzimi psikologjik nga anëtarët e tjerë të familjes. Megjithatë, pavarësisht nga denduria e kësaj dhune, ka një hendek të madh në të dhëna, analiza dhe kërkime që shqyrtojnë ndërveprimet dhe dinamikën brenda këtyre familjeve.

“Në një mendësi dhe praktikë ku gruaja shihet si “rob”, ajo bëhet lehtë e komandueshme prej çdo kujt në familjen e bashkëshortit”, thotë Sijarina. “Sidoqoftë, ky raport është dukshëm më kompleks dhe i cili kërkon një vëmendje më të lartë kërkimore për t’i shpjeguar në detaje si raporte”.

Edhe Nita e Blerta kanë përjetuar dhunë sistematike nga familjet e bashkëshortëve të tyre. 

Vështirësitë e Mirjetës, në veçanti u shtuan edhe nga motrat e bashkëshortit të saj, të cilat shpesh e ngarkonin atë me punë të ndryshme shtëpiake dhe i bënin kërkesa të shumta, duke përfshirë detyra si lustrimi i këpucëve.

Ajo përmend edhe një rast të dhunës psikologjike të ushtruar nga babai i bashkëshortit i cili i thoshte: “Më parë e djegi të gjithë qytetin sesa ta la ty nipin, nëse ti dhe djali im ndaheni”. 

Ndërkohë, një faktor domethënës që e shtyti bashkëshortin t’ia ndërpresë shkollimin Nitës ishte ndikimi i nënës së tij. Ajo i ankohej shpesh djalit të saj se ndërsa ai ishte në punë, Nita ishte e përqendruar vetëm në studimet e saj, e ulur para laptopit dhe nuk ndihmonte në punët e shtëpisë. Edhe gjatë ditës së dasmës së vet gjatë pandemisë, pavarësisht se ishte shtatzënë, përveç bashkëshortit, Nita ishte nën presionin e vazhdueshëm të nënës së tij për t’u kujdesur dhe për t’u shërbyer të ftuarve gjatë gjithë ditës.

“[Nëna e tij thoshte] ti po ma sulmon djalin, po e nervozon dhe po e ban punën me të sulmu ty”, thotë Nita.

“Vetë e ke zgjedhë”

Gratë qëndrojnë shpesh në situata të dhunshme jo për shkak se nuk e kuptojnë atë që po u ndodh, por për shkak të mungesës së alternativave, presionit shoqërore dhe sistemit joadekuat i mbështetjes.

“Nuk kanë shtëpi, nuk kanë ku të kthehen, edhe vendosin në një mënyrë me duru dhunën derisa të rriten fëmijët, të ndryshojnë rrethanat e tyre”, thotë Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, organizatë që angazhohet në zhvillimin e studimeve dhe hulumtimeve të çështjeve gjinore në Kosovë. 

Në strehimoret e Kosovës, viktimat e dhunës në familje janë prej moshës 20 deri në 60-vjeçare, të cilat kanë përjetuar dhunë nga një vit deri në dy dekada. Shumë e gjejnë veten duke u kthyer te abuzuesit e tyre.

Zymtësia e të mos pasurit të alternativave pas largimit nga një shtëpi abuzive ilustrohet qartazi përmes rrëfimit të Anitës, një tjetër viktimë e dhunës në familje, që K2.0 e takoi në një nga strehimoret. 

Ilustrimi: Arrita Katona / K2.0.

— Anita —

Anita, 33-vjeçare, jeton në një strehimore qe gati tri vjet. Aty ajo lindi lindi edhe fëmijën e dytë, dy vjet e gjysmë më parë. Anita disa herë shkoi të jetojë tek familjarët e saj, por as në mesin e tyre, nuk gjeti një vend të përhershëm dhe kështu kthehej në strehimore. Fëmija i saj i parë, të cilin e lindi një vit pas martesës një-dekadëshe, banon me bashkëshortin e saj, duke e vendosur atë përpara një vendimi të vështirë. 

“[Bashkëshorti] më ka pyetur nëse do të isha kthyer. Nëse është kjo rruga e vetme për me jetu me dy fëmijët, po”, thotë Anita. 

Sipas aktivisteve për të drejtat e grave në Kosovë, shteti dhe familjet shpesh i detyrojnë gratë të qëndrojnë a kthehen në situata të dhunshme. Mundësitë e kufizuara të punësimit, dënimet e buta për abuzuesit, mungesa e zbatimit të politikave për rintegrim në shoqëri si banimi dhe rehabilitimi mbesin të mangëta.

Adelina Berisha, menaxhere e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë se, po ashtu, familjet e viktimave janë shpesh ato që pengojnë të drejtat ekonomike për vajzat dhe gratë, veçanërisht duke ua mohuar aksesin në trashëgimi, si mundësi të ikjes nga dhuna.

Ajo shton se gratë pengohen të kërkojnë ndihmë për shkak të frikës së stigmatizimit që lidhet me shpërbërjen e familjes për rastet e dhunës që konsiderohen “të vogla” dhe që vjen nga vetë familjarët e tyre.

Grave me të cilat ka folur K2.0, pasi kanë ikur nga partnerët abuzues duke kërkuar strehim te familjet e tyre, zakonisht iu është kërkuar të kthehen te partnerët e tyre, veçanërisht nëse kanë pasur fëmijë. Për më tepër, në disa raste, këtyre grave u është thënë drejtpërdrejt se duhet të kthehen në mënyrë që të mos bëhen barrë për familjet e tyre.

“I thonë nuk shkatërrohet familja për një shuplakë e kështu me radhë, kështu u thuhet grave, por jo edhe burrave që mos e shkatërro familjen për shkak të dhunës”, thotë Berisha.

Pas një rasti të dhunës, Nita mori fëmijën dhe kërkoi strehim tek familja e saj, e vendosur të mos kthehej. Megjithatë, ajo u përball me mungesën e mbështetjes prej tyre, të cilët këmbëngulnin që të kthehej tek bashkëshorti i saj.

“Vetë e ke zgjedhë”, i kishte thënë nëna.

Kur Valmira ankohej për dhunën nga bashkëshorti, përgjigja e babait të saj ishte gjithmonë shpërfillëse:

“Shko dhe mytu te ura e fshatit, s’ke çka bon”.

Të gjitha gratë me të cilat foli K2.0 po mendojnë të kthehen nëse nuk mund të sigurojnë strehim për vete dhe fëmijët.

Mes tyre tashmë Blerta është kthyer te bashkëshorti.

Imazhi i Ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Ky artikull është pjesë e projektit “Human Rightivism”, i cili financohet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë, që zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit përmes Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e shprehura në këtë aktivitet nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.