Më poshtë gjeni një version të lexuar me zë të të gjithë artikullit.
Jeton Kelmendi, 50-vjeçar, jeton me bashkëshorten dhe vajzën e tyre 9-vjeçare në fshatin Vitomiricë, rreth 6 kilometra larg qytetit të Pejës.
Jetoni është jurist, por nuk ka punuar ndonjëherë në fushën e tij. Ai ka paralizë cerebrale në dorën dhe këmbën e djathtë. Paraliza cerebrale është një çrregullim neurologjik që ndikon në lëvizjen dhe koordinimin e muskujve, e cila zakonisht shkaktohet nga dëmtimi i trurit në fazat e hershme të zhvillimit. Njëjtë si Jetoni, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) janë dhe rreth 20 milionë njerëz në të gjithë botën. Po ashtu sipas OBSH, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 10% e popullsisë së një shteti. Ngjashëm, në Kosovë jetojnë mbi 150,000 persona me aftësi të kufizuara.
“Nuk kërkoj mëshirë. Dua vetëm një mundësi për të treguar se edhe unë mund të jap kontributin tim për komunitetin, sidomos për personat me aftësi të kufizuara”, thotë Jetoni. Ai thotë se me këtë sëmundje është rritur, por kjo nuk e ka penguar asnjëherë që të ndjekë ëndrrat e tij, ndonëse e ka të vështirë të kryejë ndonjë punë me dorën e djathtë.
“Është sfiduese, por jo e pamundur,” thotë ai, duke shtrënguar grushtin e tij të majtë. “Mësova të shkruaj dhe të studioj me dorën e majtë”. Në vitin 2020, Jetoni ka përfunduar studimet themelore për Drejtësi në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ku vazhdon edhe studimet në nivelin Master. Aktualisht, i ka ndërprerë studimet, për shkak të dhimbjeve që i ka në këmbë, por shpreson të kthehet sa më shpejt. Shumicën e kohës, ai thotë se e kalon duke shikuar basketboll e sportet tjera, aktivitet që vazhdon të jetë pasion i tij që nga koha kur kishte punuar si gazetar i sportit në të 2000-tat e hershme.
Punën në medie e la për shkak se paguhej shumë pak. Të njëjtën punë e kishte bërë edhe bashkëshortja e tij, e cila tash është e papunë. Bashkëshortja dhe vajza janë mbështetja më e madhe që e motivojnë Jetonin të mos heqë dorë nga ëndrra e tij për t’u punësuar sërish.
“Kur shoh buzëqeshjen e vajzës sime, kuptoj se të gjitha përpjekjet ia vlejnë,” thotë Jetoni. “Dua që ajo të rritet duke parë një babë që nuk dorëzohet”.
Tri premtimet
Jetoni ishte takuar me bashkëshorten e tij, Meritën, në vitin 2012. Kur u martuan Jetoni i bëri asaj tri premtime.
“[Premtimi i parë] që do ta kryej fakultetin. Premtimin tjetër që ia kam bo në 2012, ishte që si çift do të bëhemi me shtëpi. Më kanë ndihmu shumë njerëz, faleminderit prej tyre. Premtimi i vetëm që nuk e kam përmbush është punësimi”, thotë Jetoni.
Ai shpreson që një ditë të punësohet në një institucion publik, si në Komunën e Pejës, pasi mendon se kjo do të ishtë mënyrë e mirë për të kontribuuar për komunitetin. Megjithatë, kjo s’është arsyeja e vetme. Puna në një institucion publik në vendlindje, do t’ia mundësonte të ishte afër familjes dhe sipas tij, do të ishte një vend pune më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.
Sektori publik përgjithësisht është më i pëlqyer nga punëkërkuesit në Kosovë për shkak të pagave më të qëndrueshme, trajtimit më të dinjitetshëm të punëtorëve e respektimit të ligjit.
Bazuar në Ligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, çdo punëdhënës në sektorin publik apo privat në Kosovë është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.
Sipas një raporti të Avokatit të Popullit të publikuar në fund të vitit 2023, në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuara në institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë, Komuna e Pejës e ka përmbushur këtë kuotë duke punësuar pesë persona me aftësi të kufizuara nga 249 të punësuar gjithsej. Në këtë raport, Avokati i Popullit thotë se duke punësuar një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 punëtorë, institucionet e konfirmojnë pajtueshmërinë me Kushtetutën dhe me kërkesat ligjore. Por, në një përgjigje për K2.0, Komuna e Pejës ka bërë të ditur se aktualisht në këtë komunë punojnë vetëm tre persona me aftësi të kufizuara, pasi dy tjerë kanë dalë në pension dhe vendet e tyre s’janë mbushur ende.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 85,000 qytetarë janë të punësuar në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 250,000. Nëse kërkesat ligjore që vijnë nga Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara do të respektoheshin, në Kosovë, në të dy sektoret, do të duhej të ishin së paku 6,700 persona me aftësi të kufizuar të punësuar.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për K2.0, ka bërë të ditur në të gjitha institucionet publike qendrore, janë të punësuar 180 persona me aftësi të kufizuara. Këto institucione përfshijnë Zyrën e Kryeministrit, ministritë, agjencitë ekzekutive, e pavarura dhe rregullatorë.
Jetoni dhe personat e tjerë në Kosovë me aftësi të kufizuara përveç që e kanë të vështirë të gjejnë punë dhë të krijojnë të ardhura të qëndrueshme financiare, skema e asistencës sociale që synon t’u ndihmojë ofron asistencë të pamjaftueshme financiare dhe kriteret për të pasur qasje në të janë diskriminuese.
“Ne nuk shërohemi”
Jetoni dhe familja e tij, jetojnë me vetëm 200 euro në muaj – njëri pensioni i tij i paaftësisë për punë në vlerë prej 100 euro dhe 100 euro tjera si ndihmë sociale si familje e varfër. Por për ta vazhduar marrjen e pensionit, Jetonit i duhet ta dëshmojë çdo tri vjet që është person me aftësi të kufizuara.
“Çdo tri vjet dalim në rivlerësim edhe jemi në stres a po na e vazhdojnë a s’po na e vazhdojnë pensionin prej 100 eurosh”, thotë ai. Për Jetonin, ky vlerësim periodik nuk ka kuptim në rastet si të tijin. “Ne nuk shërohemi, vetëm sëmuremi më shumë”, thotë ai.
Jetoni ka marrë vlerësim të ndryshëm për paaftësinë e tij të përhershme, gjendje që siç thotë ai e ka që në fëmijëri.
Për shembull, përgjatë tri viteve – 2018 deri më 2021 – Jetoni është kualifikuar si përfitues i skemës sociale për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë.
Në bazë të Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë, personat në këtë kategori konsiderohen ata që kanë problem me lëvizjen e gjymtyrëve. Sipas përkufizimit në ligj, “paraplegjikë quhen personat, të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së ekstremiteteve (gjymtyrëve) të poshtme, ndërsa tetraplegjikët janë personat, të cilët kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së gjymtyrëve të poshtme dhe të epërme”.
Ky ligj ka rregulluar kompensimin monetar për këta persona në dy grupe, të cilat i vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës.
Nëse kategorizohet në grupin e parë, një person mund të marrë deri në 375 euro kompensim në muaj — 150 euro për vete, 150 euro për shoqëruesin dhe 75 euro si pako sanitare dhe pajisje shtesë. Grupi i dytë, ndërkaq, ka kompensim prej 150 eurosh, pasi llogaritet se këta persona nuk kanë nevojë për shoqërues apo pako sanitare.
Këto pensione jepen për tre ose pesë vjet dhe rregullat parashohin që pas kësaj periudhe të bëhet rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të përfituesit të pensionit.
Kur Jetoni u rivlerësua pas tre vitesh, në 2021, u vlerësua se nuk i plotësonte më kushtet. Prej atëherë është kthyer te përfitimi prej 100 eurosh në muaj si person me aftësi të kufizuara, pension të cilin thotë se e merr që nga mosha 8-vjeçare.
Institucioni i Avokatit të Popullit, në një raport “Ex officio”, i cili u publikua në fund të vitit 2023, e quan rivlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë të grupit të parë, si shkelje të të drejtave, përkatësisht shkelje të dinjitetit të njeriut.
Në raport theksohet se Ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë trajton humbjen në formë “të përhershme” të mundësisë së zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të sipërmeve apo/dhe të poshtme. “Pra, në të dyja rastet bëhet fjalë për gjendje të përhershme”, thuhet në raport.
Sipas raportit, dinjiteti i personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, në rend të parë cenohet për shkak të vështirësive praktike që ata i kanë për t’u paraqitur para Komisionit Vlerësues, aq më pak që Rregullorja nuk ka paraparë shprehimisht obligimin që Komisioni Vlerësues të mund t’i vizitojë këta persona në vendbanimet e tyre.
Ndërkohë, ndihma sociale për papunësi i ka pasur peripecitë e veta diskriminuese. Sipas Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, ndihmë sociale mund të përfitojnë vetëm familjet që nuk kanë ndonjë anëtar të punësuar. Në momentin e punësimit të njërit të anëtarëve, ndihma sociale ndalet automatikisht pavarësisht se paga mund të jetë e pamjaftueshme për t’i nxjerrë nga gjendja e vështirë ekonomike.
Nëse puna ka qenë e përkohshme, atëherë e njëjta familje duhet të dëshmojë sërish që nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe mjetet u kthehen në llogari në mënyrë retroaktive.
Në vitet e fundit, pasi përfundoi studimet, Jetoni thotë se ka punuar disa herë në periudha të shkurta kohore. Sipas tij, këto punë të përkohshme i kanë kushtuar me ndalje të ndihmës sociale dhe asaj të paaftësisë për punë (invalidore).
“Në momentin që jam punësu për një kohë të shkurtë këtu në Pejë në një organizatë joqeveritare dhe më kanë pagu [kontribute pensionale në] Trust, ma kanë ndalë pensionin”, thotë Jetoni. “Vitin e kaluar kam bërë praktikë në Universitetin Haxhi Zeka, për 6 muaj. Por, unë nuk e kam pranuar pagesën për shkak se ma ndalin pensionin invalidor”.
Jetoni mendon që qeveria do duhej ta bëjë kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara për të ditur se sa janë të aftë për punë dhe mos t’i llogarisë të gjithë si të paaftë për punë në rast se vuajnë nga ndonjë kufizim.
“Nuk jemi të kategorizuar si persona me aftësi të kufizuara në aspektin shëndetësor. Duhet ta dinë sa jemi të aftë për punë, se jam unë i aftë për punë. Ne na ka shti me një thes sa i përket diagnozave mjekësore”, thotë Jetoni.
Për autorin:
Taulant Qenaj është gazetar. Ai ka përfunduar studimet në Gazetari dhe Komunikim Masiv. Si gazetar në Kosovë punon që nga viti 2010. Ka qenë pjesë e televizionit kombëtar KTV – Kohavision. Pastaj për pesë vjet ka punuar si producent i mediave sociale dhe gazetar në Radio Evropa e Lirë. Së fundi ka punuar edhe në Gazetën Nacionale dhe Club FM.