Në thelb | Shqipëria

Tronditjet në bashkësitë e shkatërruara të Shqipërisë

Nga - 30.11.2019

Mungesa e bashkërendimit dhe joefikasiteti zyrtar dëmtojnë përpjekjet për ndihmë.

Aty nga mesdita, një të mërkurë të ftohtë, ca rreze dielli ledhatonin një arush të madh pelushi të vënë mbi një grumbull çantash në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës.

Sikurse në pikat e tjera të grumbullimit nëpër kryeqytet dhe qytetet e tjera në gjithë Kosovën, vazhdonin të vinin çanta të mbushura me ushqime, rroba, batanije dhe të gjitha llojet e tjera të gjësendeve që banorët po i dhuronin për viktimat e tërmetit prej 6.4 ballësh i cili goditi Shqipërinë perëndimore herët në mëngjes.

Por arushi binte në sy për faktin e thjeshtë se ishte më parë dhuratë sesa donacion; në njëfarë mënyre e përfaqësonte ndjeshmërinë dhe solidaritetin e treguar ndaj Shqipërisë këtyre ditëve.

Plisat, tifozët e KF Prishtina, ishin në ditën e dytë të një fushate mobilizimi që synonte të kishte ndikim të menjëhershëm në përpjekjet për ndihmë zonave më të prekura të Durrësit dhe të fshatrave përreth. Në bashkëpunim me kompani dhe vullnetarë të ndryshëm, ata tashmë ia kishin dalë të dërgonin rreth pesë ngarkesa me furnizime.

Në kohën kur ne po e vizitonim vendin, më pak se 36 orë pasi goditi tërmeti, një ngarkesë e gjashtë – një autobus dykatësh dhe dy kamiona – ishin gati të niseshin për në Shqipëri.

Nga Termokiss, komuniteti shoqëror që shërbeu si pikë tjetër grumbullimi ad hoc për njerëzit e gatshëm që të dhuronin, katër persona ishin nisur tashmë për në Shqipëri, të pajisur me furnizime me qëllimin që të ngrenin një kuzhinë të lëvizshme në njërën nga zonat e prekura.

Fshati i shkatërruar

Kur ra muzgu, ne tashmë ishim në Thumanë, fshatin që kishte pësuar humbjen më të madhe të jetëve dhe që ishte shndërruar në skenë trishtimi e pasigurie.

Një xhami dukshëm e dëmtuar në qendër të fshatit dukej sikur vetë na tregonte rrëfimin e asaj që kishte ndodhur. Midis të gjithave, krejt ato vetura që endeshin rrugëve të ngushta gjarpërore të fshatit krijonin një ndjenjë të thellë emergjence.

Pas një vargu kthesash, arritëm në pikën kryesore të shpëtimit: qindra njerëz lëviznin me shpejtësi përgjatë rrugës së ngushtë nga qendra për te vendi ku dy ndërtesa banimi të periudhës komuniste ishin ndarë përgjysmë.

Rrethoheshin nga makineritë e rënda dhe zjarrfikësit, njerëzit e mediave dhe shikuesit kureshtarë. Skena ngjallte atë ndjenjën që ke si fëmijë kur shikon dheun poshtë dhe vëren turmat e milingonave që punojnë pa u ndalur rreth vrimave të veta të vockla e paksa të ngritura.

Një ekskavator po punonte me kujdes nën dritat e projektorëve e nën drejtimin e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që ishte nisur menjëherë në mëngjesin e 26 nëntorit; më se 50 pjesëtarë të FSK-së, të trajnuar për t’u marrë me reagimin urban ndaj katastrofave natyrore, ishin në terren në pjesë të ndryshme të zonave të prekura.

Shirita policorë që shënonin perimetrin e sigurisë i mbanin gazetarët dhe kalimtarët larg vendpunimeve, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit kontrollonin gjihë kujdes për ndonjë të mbijetuar të zënë nën rrënoja. Por, pothuajse 48 orë pas dridhjes së madhe, shpresat se ndokush ende mund të dilte i gjallë shpejt po veniteshin.

Fshati Thumanë ka pësuar humbjen më të madhe të jetëve në tërmetin prej 6.4 ballësh që goditi brigjet e Shqipërisë në orët e para të mëngjesit të të martës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Po qarkullonin zëra se autoritetet kishin gjetur një trup tjetër. Deri këtu, 14 trupa ishin nxjerrë tashmë nga rrënojat në Thumanë. Me fillimin e fundjavës, numri i të vdekurve këtu arriti në 26.

U thirr një ambulancë më afër rrënojave dhe ekskavatori pushoi. Tensioni në grumbullin e vogël të njerëzve që shikonin gjithë ankth ndërtesën gjashtëkatëshe, përnjëherë u shtua. Kamionat e trupave të FSK-së u vendosën midis dy vendeve kryesore të shpëtimit.

Në një moment qetësie përplot faj, vura re ndërtesën e hirtë të cilës vetëm gjysma po i qëndronte e ngritur. Ende dukeshin dhomat dhe hapësirat e tjera të banesave, megjithëse terri tashmë kishte rënë plotësisht. Pjesë mobiljesh, që deri në 3:54 të mëngjesit të të martës, kishin qenë pjesë intime të banesave private të njerëzve.

Në një dhomë të katit të pestë, një çantë e patrazuar ende varej frikshëm aty ku ishte vënë; në atë skenë të vetme kishte një sens të thellë ironie për jetën dhe sendet të cilave normalisht u kushtojmë aq fort rëndësi.

Një çantë varet aty ku e ka vënë pronari, ndërsa gjithçka përreth është e shkatërruar. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pak më tutje turmës, një burrë 50 e sa vjeç më ftoi t’i ulesha pranë në një platformë prej çimentoje. “Jam nga Shkodre, djalin e kam atje, brenda me vinç,” më tha.

Pas një grimë muhabeti për tema banale në këso rrethanash – futbolli italian dhe politika në të dyja vendet tona – më tha se ndërtesa e shembur, dhe shumë të tjera të periudhës komuniste, nuk ishin ndërtuar sipas standardeve adekuate të sigurisë.

“Ndërtesat gjatë kohës së Enver Hoxhës ndërtoheshin pa kurrfarë kriteri – thjesht sa për t’i kryer”, më thotë. “Kurrgjë këtu nuk bëhet si duhet”.

Disa metra poshtë një rrugice të shkurtër plot baltë, silueta e një ndërtese tjetër gjysmë të shkatërruar na shfaqej mbi koka. Tashmë ishte pastruar nga shpëtimtarët pas një kontrolli të thukët dhe njerëzit po ecnin ankthshëm përreth saj, duke pirë cigare. Në njërën prej banesave, lëvarej një pllakë ku shkruhej “Në shitje” me germa dore të bardha, ndërsa rrobat që ishin varë ballkoneve për t’u terur, ende rrinin të varura, të patrazuara.

Pas disa minutash, ambulanca u largua nga vendi – një tjetër trup qe nxjerrë nga rrënojat.

Thumana në fushë futbolli

Në një fushë futbolli, pak metra në të majtën tonë, ndodhej një kamp provizor i drejtuar nga autoritetet lokale dhe vullnetarët. Ofronte strehim të përkohshëm për rreth 500 vetë, kryesisht nga Thumana, megjithëse mosmbajtja e të dhënave të sakta e bënte të vështirë të dihej saktë.

Ndonëse policia që ruante portën kryesore nuk donte të na linte brenda kampit, mund të shihnim përtej gardhit një klloun që argëtonte një grup të vogël fëmijësh, i vëzhguar nga të rriturit; copa rrobash të mbetura andej-këndej; dhe stendën që shërbente si kuzhinë, duke u dhënë ushqime njerëzve që kalonin natën në tenda të ftohta.

Një kamp provizor në një fushë futbolli në Thumanë ofron strehim të përkohshëm për deri në 500 persona, por ata që rrinin në të ankoheshin se nuk ishte i mirëpajisur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Sa menduam se gjërat nuk mund të përkeqësoheshin, filloi të binte shi.

Pak më sipër rrugës, na tërhoqi vëmendjen një grup njerëzish që i bërtisnin njëri-tjetrin brenda një oborri. Kjo doli të ishte njëra nga qendrat e improvizuara të shpërndarjes në Thumanë, që përpiqej të shpërndante çdo send që dispononte.

Kur u afruam, njëri na bërtiti: «A po rrini në kamp apo jo?». Të tjerët, që e rrethonin, po kërkonin disa nga sendet e nevojshme për ndihmën emergjente. “Rregulla” tash dukej se ishte që njerëzit brenda kampit duhet të prisnin të merrnin hisen e ndihmës pasi të furnizoheshin të tjerët.

Dyshekët, sidomos, kërkoheshin shumë – tendat në kamp, si duket, nuk ishin të furnizuara mirë.

Një grua në të zeza po priste aty jashtë menjëherë, duke i shikuar burrat prej matanë gardhit, fytyrën plot rrudha të gdhendura me vuajtje.

Anxhelina Lena 65-vjeçare na falënderoi prej zemre pasi mësoi se ishim nga Kosova dhe na tha se po rrinte në kamp, bashkë me 11 anëtarët e familjes – burrin, fëmijët dhe kusherinjtë. Sqaroi se shtëpia e saj këtu në Thumanë nuk ishte më e banueshme dhe se familja 12-anëtarëshe kishte vetëm një dyshek në një tendë të vetme.

“Na duhen dyshekë, por këtu nuk ka asgjë tjetër”,” na tha duke treguar ndërtesën pranë. “Nuk po kërkojmë asgjë përtej kësaj, jemi këtu vetëm për të shpëtuar jetën, nuk mund të ankohemi. Nesër do të varroset një familje shtatanëtarëshe – kjo është më e tmerrshmja”.

Anxhelina Lena, 65 vjeçe, thotë se e gjithë familja e saj 12-anëtarëshe u detyrua ta ndante një dyshek të vetëm në kampin në Thumanë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pak para se të arrinim në Thumanë, shkundi njëra nga dhjetëra goditjet e mëpasme. Anxhelina na tha që e fundit ishte ndjerë ndërsa ndodhej në shtëpi ku kishte shkuar të merrte disa sende dhe të kthehej prapë në kamp.

“Djali tani po më ruan kudo, i shqetësuar,” më tha. “Ai më thotë: ‘Nanë, sa herë ti i afrohesh shtëpisë, po bie tërmet”. Ma zgjati dorën para se të hynte shpejt brenda ndërtesës për ta shënuar emrin në një listë pritjeje.

Kur po niseshim drejt veturës për të ikur nga Thumana, nisi një shi edhe më i madh.

Qyteti në kaos

Kishim marrë informacione se një ndërtesë afër stadiumit “Niko Dovana” në Durrës ishte shkatërruar krejtësisht, duke marrë shumë jetë.

Pasi bëmë një copë kohë me veturë nëpër qytetin me histori të lashtë, e gjetëm ndërtesën, e cila tani ishte veç grumbull rrënojash. Ishte vendosur një perimetër sigurie, ndërsa në vend ndodhej një ekip rumun shpëtimtarësh dhe zjarrfikësish të pajisur me qen nuhatës, bashkë me pjesëtarët e Ushtrisë Shqiptare.

Përshtypja fillestare ishte se kjo ndërtesë nuk mund t’i ketë pasur gjashtë kate. Por fqinjët sqaruan se katet ishin shembur nën tokë, duke ua vështirësuar edhe më shumë ekipeve të shpëtimit që të kërkonin viktima ose të mbijetuar. Ndërtesat ngjitur, megjithëse me të njëjtën lartësi, i kishin shpëtuar dëmtimit.

Askush as në ëndërr nuk do ta shihte që ta bënte atë punë.

Kishte filluar kërkimi i thukët me ekskavator, i shoqëruar nga dritat me bateri të fuqishme dhe sytë e kujdesshëm të shpëtuesve. Personi me dritën më të fortë po e drejtonte në vendin e saktë ku donte që ekskavatori të gërmonte, ndërsa shihte me kujdes për ndonjë shenjë të njerëzve të bllokuar nën rrënoja. Vetë ideja e të qenit në vendin e atij që merrej me ekskavatorin ma rrënqethi gjithë trupin; askush as në ëndërr nuk do ta shihte që ta bënte atë punë.

Sidomos disa nga sendet dukej se ishin me interes për zjarrfikësit: fotografitë, kuletat, çantat, librat dhe dyshekët. Kur njëri nga këta kapej në pirunin e ekskavatorit, shpëtimtarët menjëherë ndalonin punën dhe ekzaminonin dyshekun, vetëm për ta gjetur një kuletë të kuqe afër tij. Ajo u soll për t’u ekzaminuar nga ekspertë dhe familjarë ose fqinjë, me gjasë për t’u ndihmuar shpëtimtarëve të kuptojnë sa veta mund të kishin qenë në banesa kur ra tërmeti.

Në afërsi ishte ngritur një tendë e vogël për disa nga të mbijetuarit që dikur jetonin në ndërtesë, dhe po digjej një zjarr. Të mbijetuarit dukeshin shumë të prekur; fëmijët nuk pushonin së qari, ndërsa të moshuarit rrinin në vetura.

Pranë një ndërtese krejtësisht të shkatërruar në Durrës, ishte ngritur një tendë e vogël për të mbijetuarit, që kishin ndezur një zjarr për t’u ngrohur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Vetura qe bërë strehë e dobishme për njerëzit me shtëpi të shkatërruara dhe për të tjerët që kishin frikë të flinin nëpër shtëpi; të shihje njerëz që flinin dhe hanin në vetura ishte tashmë pamje e shpeshtë pas kësaj tragjedie.

Pas disa orësh, mbasi mbërritëm në hotelin tonë në Tiranë në mes të natës, menjëherë pamë për azhurnime. Që kur e kishim lënë ndërtesën gjashtëkatëshe në Durrës pak orë më parë, trupa të tjerë ishin nxjerrë nga rrënojat.

Për të shtuar ndjenjën e përgjithshme të pasigurisë në gjithë rrethin, goditi një tërmet prej 4.4 ballësh.

Dita kombëtare merr kuptim të ri

E nesërmja ishte 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar të Shqipërisë.

Normalisht një ditë feste krenarie, sivjet flamuri përfaqësonte veç pikëllim dhe solidaritet, ndërsa Shqipëria përpiqet të pajtohet me njërën nga krizat më të mëdha në historinë e saj moderne.

Numri i vdekjeve po rritet pothuajse çdo orë, ndërsa qeveria dukej e paaftë për t’u marrë me një krizë të përmasave të tilla. Dëshpërimi – dhe frustrimi – ndër të mbijetuarit po shtohej.

Vendndodhja e hotelit Mira Mare ishte ndër zonat më të goditura në Durrës. I ndërtuar para vetëm dy vjetëve, hoteli ishte shembur krejtësisht nga tërmeti, ndërsa edhe ndërtesat e tjera të ndërtuara rishtazi në zonën e plazhit, si Vila Verde dhe Hotel Lubjana, ishin dëmtuar deri në pikën e pakthimit.

Hoteli Mira Mare u ndërtua para vetëm dy vjetëve, por u shkatërrua plotësisht nga tërmeti. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Të enjten, vendi kishte tërhequr shumë njerëz, ndërsa ekipet e shpëtimit, të përbëra nga njësi shqiptare, turke, rumune dhe kroate, punonin për gjetjen e trupit të një 54-vjeçari që besohej se ishte zënë nën rrënoja.

Dash Noka nga fshati Sukë po qëndronte pranë rrënojave të Hotelit Mira Mare, duke shkelur mbi rërën e plazhit të rezervuar normalisht për pushuesit dhe duke vëzhguar ekipet e shpëtimit që punonin sipër ndërtesës së dikurshme. Kishte ardhur për ta kontrolluar gjendjen e pronës së vëllait, një tjetër hotel fill më tutje, që fatmirësisht kishte shpëtuar i padëmtuar.

Tek po tymoste duhan, Dashi shpjegonte se si familja e tij shtatanëtarëshe, me fëmijët e me prindërit e vet, ende ndodhej në fshat dhe se shtëpia i ishte shkatërruar. Gjatë dy netëve të fundit, kishin fjetur në oborr, nën qiellin e hapur, nga frika për të hyrë në shtëpi.

Dash Noka tha se familja e tij në fshatin Sukë ishte krejtësisht e braktisur nga autoritetet, që interesoheshin të kujdeseshin vetëm për njerëz në pushtet. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ishte i mllefosur me qeverinë, veçmas me mënyrën e shpërndarjes së ndihmave dhe me faktin që kurrkush nuk ia kishte vizituar familjen në fshat.

“Ndihma mbërrin vetëm te duart e pushtetarëve”, na tha. “Drejtorët e shkollave, njerëzit në poste të larta zyrtare që i njohim mirë, ndërsa shtëpia ime është shkatërruar dhe kurrkush nuk po vjen të na shohë”.

Na shpjegoi se nuk ia kishte dalë të merrte një tendë nga autoritetet. Netët e ftohta me shi po afroheshin shpejt dhe mundësitë e tyre dukeshin të kufizuara.

“Tërmeti na paralajmëroi; ka pasë dridhje nja dy herë para të madhit”, tha ai, duke theksuar se dridhjet ishin ndier pak para orës 10 të mbrëmjes të hënën dhe dy herë të tjera rreth orës 3 të mëngjesit të martën, përpara atij kryesorit 6.4 ballësh që goditi rreth një orë më vonë. “Njerëzit duhet të kishin dalë nga shtëpitë qysh atëherë”.

Pastaj, nga mesdita, toka na u dridh nën këmbë edhe një herë – goditi një tërmet prej 5.2 ballësh.

Mu përballë rrugës, një shitës minimarketi më tha se pronari i hotelit dhe disa mysafirë ia kishin dalë të shpëtonin nga ndërtesa që po rrëzohej për punë sekondash, vetëm sepse qeni i tyre ishte shqetësuar dhe po kërkonte të dilte nga hoteli.

Kërkimi në Mira Mare kishte tërhequr vëmendje të madhe. Njerëzit e kishin rrethuar vendin nga të gjitha anët, ndërsa kamerat i drejtoheshin duke pritur ndonjë lajm.

Pastaj, nga mesdita, toka na u dridh nën këmbë edhe një herë – goditi një tërmet prej 5.2 ballësh. Menjëherë, pati trazira të dukshme në zonë. Toka e fortë më nuk dukej aq e fortë.

Çdo gjë tjetër në atë moment humbi kuptimin, si ndonjë fjalë e përsëritur tepër shpesh.

Njerëz lënë pezull

U nisëm përsëri drejt qendrës së Durrësit.

Rrugës mësuam se tërmeti që sapo e kishim ndier kishte dëmtuar spitalin kryesor, duke shkaktuar shqetësime mes pacientëve që ishin pranuar pasi ishin lënduar në tërmetin kryesor në orët e para të mëngjesit të së martës.

Afër ndërtesës gjashtëkatëshe që kishim vizituar para një nate, pranë një ndërtese banimi në lagjen numër 16, na përshëndeti një njeri ndërsa përpiqeshim të kalonim përmes një shkurtice të ngushtë. Agron Lajthija 65-vjeçar po rrinte jashtë banesës së tij të katit përdhesë. Edhe një herë, sapo kuptoi se ishim nga Kosova, na mbushi me fjalë mirëpritjeje të përzemërt dhe dashamirësie.

Agroni me të shoqen qenë kthyer nga kampi, ku kishin kaluar natën, duke ardhur në banesën e tyre të dëmtuar për të marrë disa sende. Pas një bisede të shkurtër, na ftuan të hynim në shtëpinë e tyre për të parë me sytë tanë çarje në pothuajse të gjitha dhomat. Të dy kishin frikë të rrinin edhe një minutë brenda, e lëre më një natë të tërë në gjumë.

“Ndenjëm afër stadiumit, në një tendë; kemi frikë të rrimë në shtëpi”, tha Agroni, dukshëm i emocionuar dhe i dëshpëruar.

Shumë banorë të Durrësit kanë frikë të kthehen në shtëpitë e veta pasi u janë dëmtuar nga tërmeti. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Me prejardhje nga Kukësi, por me banim në Durrës tash 15 vjet, na tha se ishte gati të shkonte kudo, thjesht për t’u larguar. Parapëlqimin, sidoqoftë, e kishin që të shkonin në Kosovë, dhe tashmë ishin interesuar si të shkonin atje me autobus.

“Djalin dhe vajzën i kemi në Elbasan, por nuk mund të shkojmë atje …” thanë njëzëri.

Sapo ishim duke ua zgjatur duart që ta përfundonim bisedën, të gjitha mburojat e vetëkontrollit, të farkuara me kujdes, ranë, dhe Agroni u shkreh në vaj.

“Jemi në gjendje shumë të keqe,” murmuriste në lot. “Nuk kemi ku të shkojmë”.

Vështirësi me shpërndarjen e ndihmave

Një kamp i vogël me rreth 10 tenda ishte ngritur në afërsi të stadiumit Niko Dovana, përballë rrugës nga Shkolla “Leonik Tomeo” që shërben si pikë shpërndarjeje për donacione ushqimi dhe materialesh të tjera që vijnë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Para dyerve metalike të shkollës, shumë njerëz qenë mbledhur për të kërkuar gjëra që do të mund t’u ndihmonin këto ditë. Pas një nate tjetër të ftohtë, sendet më të kërkuara ishin batanijet.

Pas disa minutash, ia dolëm të hynim.

Banorët e Durrësit që nuk mund të kthehen nëpër shtëpi pas tërmetit kanë kërkuar ndihmë urgjente nga pika e shpërndarjes e vendosur në Shkollën “Leonik Tomeo”. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Automjete me targa Kosove mbërrinin vazhdimisht, të mbushura me çdo lloj ndihme që transportohej në Durrës nga vullnetarët. Vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe punonjësit e Bashkisë Durrës ishin në shkollë, duke u munduar t’i menaxhonin sasitë dërrmuese të dërgesave – mjedisi ishte pa asnjë lloj strukture organizative a planifikimi efektiv.

Ndërsa ishim aty, arrinin të tjera vetura nga Kosova dhe parkoheshin para shkollës, afër një grumbulli ndihmash të shkarkuara më herët gjatë ditës. Vullnetarët shpejt vendosën një linjë dhe i futën sendet në shkollë, ku vullnetarë të tjerë i rendisnin shpërndarjet dhe mbushnin dengjet e ndryshme të ushqimit dhe të rrobave.

Gazmend Kosumi, njëri nga vullnetarët që kishte marrë pushim nga puna dhe kishte mbërritur një ditë më parë nga Kosova, indinjohej nga përgjegjësit për drejtimin e qendrës, duke shpjeguar se ndihma po u jepej njerëzve pa bërë ndonjë përzgjedhje, dhe se kishte raste kur disa individë merrnin më shumë sesa u duhej.

“Nuk ka planifikim organizativ për të ditur kush ka nevojë për sende e kush jo”, tha ai dhe shtoi se ndihma mbërrinte me tonelata, por shpërndarja po dështonte në çdo nivel.

Gazmend Kosumi mori një javë pushim nga puna në Kosovë për t’i dalë në ndihmë banorëve të Durrësit, mirëpo thotë se është i indinjuar nga mungesa e organizimit prej zyrtarëve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Dje, kur i dhashë një fëmije një sanduiç përmes grilave të këtyre dyerve, sytë iu ndezën – shpirti iu ngjall”, tha ai.

Ndërsa shpejtuam për të dalë nga dera kryesore mespërmes grupit të njerëzve që qëndronin jashtë, një grua ma pa kartën e gazetarit dhe supozoi se ishim nga Kosova duke punuar me vullnetarët. Na përcolli me një përshëndetje të përzemërt: “Ah, Zoti ju ndihmoftë, ishallah.”

Në kampin afër stadiumit, ishte edhe më kaos.

Njëra prej tendave shërbente si pikë shpërndarjeje dhe vullnetarët po u jepnin batanije një grupi njerëzish që shtyheshin për ta marrë ndonjë. Një burrë që po largohej me tri batanije të paketuara u gjet përballë të tjerëve që nuk kishin marrë asnjë ose që kishin arritur të merrnin vetëm nga një.

Pasoi një fjalosje e shëmtuar, ndërsa shumë të tjerë përreth murmurisnin nga pakënaqësia për mënyrën e trajtimit të situatës.

Dridhet toka, hapen qiejt

Nga mbasdita u gjendëm në një rrugë fshati të përbaltur jashtë Kruje. Ishim nisur drejt fshatit të quajtur Bubq, i cili ka pësuar shumë dëme materiale. Për fat të mirë, askush këtu nuk kishte humbur jetën.

Afër fshatit, një shtëpi krejt e shkatërruar na paralajmëronte për nivelin e dëmtimeve të shkaktuara. Në qendër, në ndërtesën e komunës, ishin mbledhur shumë njerëz në pritje të ndihmës nga autoritetet qendrore. Disa kamiona të ushtrisë shqiptare kishin bërë rrugë deri aty, por banorët e zonës thoshin se askush nga autoritetet e tjera nuk kishte ardhur për të ofruar ndihmë ose për të vlerësuar dëmet e shtëpive.

Banorët pa vetura po flinin në oborre ose hapësira të tjera nën qiell të hapur.

Nevoja për tenda ishte urgjente, meqë shumica e shtëpive kishin mbetur të pabanueshme, përfshirë shtëpitë e ndërtuara para jo më shumë se 10-15 vjetësh. Vendasit thanë se ishin detyruar të flinin nëpër vetura, prandaj u dhimbnin këmbët nga hapësira e ngushtë dhe qarkullimi i pamjaftueshëm i gjakut.

Mbas pak, dy burra na çuan në lagjen e tyre, nja dyqind metra rrugës përpjetë.

Secila shtëpi në atë rrugë ishte ose e pabanueshme ose e plasaritur rëndshëm. Banorët pa vetura po flinin në oborre ose hapësira të tjera nën qiell të hapur.

Shtëpia e parë që kontrolluam ishte ajo ku kishin jetuar Burim Prrini me familjen. Një shtëpi e vjetër njëkatëshe me çati dhe mure të dëmtuara keqas, tani e pabanueshme dhe që priste ta prishnin. Nga brenda, mund të shihnim se Burimi, me ndihmën e të tjerëve, e kishte zbrazur tashmë shtëpinë. Tani, strehimin e kishte shqetësimin kryesor.

“Jemi mirë me ushqim, por nuk kemi ku të rrimë ose t’i kalojmë netët,” na tha.

Fqinjët e Burimit, Gani Daci dhe Indrit Preni, dikur banonin në një shtëpi të vogël me hyrje të veçantë fill më poshtë rrugës. Niveli i shkatërrimit kishte lënë edhe dy familjet e tyre pa kulm mbi krye.

Indrit Preni shqetësohet për shëndetin e tre fëmijëve të vet, mbasi dëmtimet në shtëpinë e familjes i kanë lënë të flenë në qiell të hapur në prag dimri. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Indriti jetonte me gruan dhe tre fëmijët. Edhe Ganiu ka tre fëmijë. Tash, me përkeqësimin e mëtejmë të motit, kishin frikë se mos u sëmuren fëmijët.

Më tej përpjetë rrugës, një shtëpi tjetër ma kapi syri. Dukej e re dhe jo e dëmtuar dukshëm nga jashtë, por shpejt kuptova se e kisha gabim. Shtëpia ishte dëmtuar nga brenda, kryesisht në nyjet strukturore dhe muret kryesore.

Hasan Rrushi me familjen po nxirrnin sende në oborr kur i përshëndetëm.

Hasani na sqaroi se e kishte ndërtuar shtëpinë para rreth 10 vjetësh dhe se kurrë nuk do ta besonte që do të mund t’i shkaktohej një dëm kaq i madh. Mendonte se nëse do të godiste ndonjë fatkeqësi, shtëpia e tij do të ishte ajo që do ta strehonte gjithë lagjen.

Ndërsa vajza e tij po më tregonte foto të dëmeve brenda shtëpisë, e pyeta se ku i kishin kaluar netët. Menjëherë treguan drejt një veture të vogël të parkuar përpara. “Shtatë vetë, të gjithë aty”.

Hasani tha se i duhej vetëm një tendë dhe se largimi nga shtëpia nuk do të ishte kurrë opsion. Ndërsa na solli disa mandarina që t’i kishim për rrugës për në Prishtinë, patëm një çast të shkurtër tek e tek.

“Gjithçka e kam bërë me djersë”, më tha, ndërsa sytë iu mbushën me lotë. “Tani gjithçka u zhduk”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.