Në thelb | Shqipëria

Probleme në det

Nga - 28.08.2017

Vdekjet gjatë verës po vënë në pikëpyetje sigurinë e plazheve shqiptare.

Të dhënat zyrtare po tregojnë se çdo vit gjithnjë më shumë turistë të huaj po e zgjedhin Shqipërinë dhe bregdetin e saj 300-kilometërsh si destinacion për pushime. Megjithatë, tregimet për plazhe të bukura dhe njerëz mikpritës po zbehen nga shqetësimet në lidhje me sigurinë, pasi shtatë persona vdiqën në det brenda një jave tragjike të fundit të korrikut të këti viti.

Këto aksidente kanë qenë shkaktare të një debati të madh në Shqipëri, kryesisht në rrjete sociale, për nevojën për më shumë informata për turistë në plazhet vendore. Është diskutuar edhe mungesa e kudjestarëve të plazheve përgjatë bregdetit.

Deri më tani nuk kanë reaguar zyrtarët dhe nuk është prioritizuar ndonjë hap i qartë për t’i bërë më të sigurta pushimet në Shqipëri.

Javë tragjike në bregdet

Nga 15 deri më 21 korrik, rrjetet sociale shqiptare ishin përplot tregimesh të dhimbshme për disa aksidente që ndodhën në plazhe. Shumë njerëz thanë se po të kishte kujdestarë të plazheve këto aksidente do të ishin parandaluar. Kjo tragjedi bëhet edhe më e rëndë për faktin se gati të gjithë njerëzit që u mbytën ishin të rinj.

Më 15 korrik, tre persona u mbytën në plazhin Zvernec afër qytetit të Vlorës. Dy gra shqiptare, me lidhje farefisnore, njëra 25 dhe tjetra 27 vjeç, u përballën me vështirësi gjatë notit për shkak të valëve të shumta. Derisa ato bërtisnin duke kërkuar ndihmë, Benjamin Ferhati (24-vjeçar nga Tetova) u mundua t’i shpëtojë.

U raportua se ai e shpëtoi 25-vjeçaren dhe e ktheu në plazh, e pastaj u kthye në det për t’i ndihmuar notares tjetër, e cila vazhdoi të kërkonte ndihmë. As ajo e as Ferhati nuk u kthyen më në breg, ndërsa gruaja e parë vdiq më vonë.

Fatkeqësisht, ky nuk ishte fundi i ngjarjeve tragjike atë ditë. Rreth dy orë pas këtij aksidenti, një djalë 14-vjeçar nga Shqipëria u shpëtua në det dhe u dërgua në spital, por nuk arritën ta kthejnë në jetë.

Këtë verë bregdeti shqiptar ka qenë skenë e humbjes tragjike të disa jetëve. Foto: Merxhan Daci.

Java tragjike vazhdoi. Pesë ditë pas tragjedisë së parë, një 35-vjeçar nga Kosova humbi jetën afër plazhit të Velipojës, në bregdetin veriperendimor. Sipas policisë, ky burrë hyri në ujë për ta shpëtuar bashkëshorten e tij, sepse ajo ishte në rrezik. Në fund gruaja mbijetoi, ndërsa burri vdiq.

Një ditë më vonë, një 15-vjeçare nga Rusia u mbyt në një plazh në Ksamil. Ajo shkoi për të notuar me nënën e saj, por pastaj ato të dyjat u ndanë në ujë. Trupi i adoleshentes u gjet më vonë nga një pastrues i plazhit. U raportua se ajo u godit nga një anije, por shkaku i vdekjes së saj ende nuk është konfirmuar. Sidoqoftë, pasi ndodhi kjo tragjedi, u arrestua një vendas i Ksamilit, meqë u dyshua se e kishte goditur vajzën me anije.

Më 21 korrik, një turist sllovak 66-vjeçar humbi jetën në plazhin Golem në Durrës. Sipas Policisë, ai po notonte kur pësoi sulm në zemër, dhe kështu nuk arriti të kthehej në breg.

Autoritetet mbesin të heshtura

Sipas Ligjit për Turizëm, i cili hyri në fuqi në vitin 2015, çdo person ose kompani që përdor ndonjë plazh për sipërmarrje duhet të ketë kontratë me autoritetet kompetente publike (në këtë rast Bashkinë) dhe duhet t’i përmbushë kërkesat e caktuara nga Këshilli i Ministrave. Në vitin 2016, Këshilli i Ministrave caktoi rregullat që konfirmojnë se kujdestarët e plazheve janë obligim ligjor në Shqipëri, siç janë edhe kullat e vrojtimit, të cilat duhet të vendosen çdo 200-250 metra në secilin plazh.

Këto rregulla gjithashtu parashohin se në kulla të vrojtimit duhet të ketë kujdestarë plazhesh të cilët janë të kualifikuar dhe të trajnuar “për të shpëtuar jetë njeriu dhe për të dhënë ndihmën e parë”. Kujdestarët duhet të punësohen nga administratorët e plazhit, që do të thotë ose nga Bashkitë, në rastin e plazheve publike, ose nga ndonjë biznes që është duke e shfrytëzuar plazhin, siç janë restoranet dhe kafeteritë. Kujdestarët e plazhit duhet të jenë të pranishëm gjatë tërë sezonit turistik, që zgjat deri më 30 shtator.

Dy institucionet kryesore kombëtare të cilat duhet të jenë përgjegjëse për këtë fushë janë Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregrisë dhe Sipërmarrësisë, meqë të dyjat kanë kompetenca të administrimit të bregdetit.

Gjatë dy javëve të fundit, K2.0 u përpoq të kontaktojë me zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, por ky institucion nëpërmjet postës elektronike na këshilloi që ta kontaktojmë Ministrinë. Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0.

Megjithatë, Auron Tare, shefi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, bisedoi me mediat lokale dhe tha se institucioni të cilin ai e kryeson e administroi bregdetin vetëm gjatë një viti. Ai tha gjithashtu se Bashkitë kanë kërkuar që t’i administrojnë vetë brigjet e tyre përkatëse. “Bashkitë kanë ngulur këmbë ta administrojnë bregdetin dhe Ministria është pajtuar”, zbuloi Tare. “Pyetjet në lidhje me sigurinë në plazhe duhet t’u shtrohen Bashkive”.

K2.0 u përpoq të kontaktojë me Bashkitë në të cilat ndodhën këto incidente, por nuk mori asnjë përgjigje.

Mungojnë kujdestarët e plazheve

Në vitin 2014, Agjencia Kombëtare e Bregdetit lidhi marrëveshje me qeverinë malazeze për trajnimin dhe certifikimin e 41 studentëve si kujdestarë të plazheve, brenda atij viti. Një vit më vonë, këta kujdestarë të rinj të plazheve u shpërndanë në tërë Shqipërinë, e më pas u zhdukën.

Disa orë pasi vdiqën tre personat në Zvernec, Tare ia kujtoi publikut këtë projekt nëpërmjet një interviste më një kanal lokal televiziv, duke thënë se në vitin e parë pas trajnimit, kujdestarët e plazheve ishin në terren, por pastaj përgjegjësia për punësimin e tyre u transferua nga Agjencia te Bashkitë dhe administratorët e plazheve – prandaj edhe u zhdukën.

“I trajnuam studentët shqiptarë në Akademinë e Sporteve në Mal të Zi. I certifikuam sipas standardeve të BE-së, i çuam në terren dhe pati rezultate konkrete. Shumë jetë u shpëtuan”, deklaroi Tare. “Është përgjegjësi e Bashkive t’ua refuzojnë lejen njerëzve ose bizneseve të cilat nuk u binden kritereve dhe standardeve. Siguria në plazh është pika më e rëndësishme”.

Ndonëse Saranda ka kontratë në fuqi për të garantuar që kujdestarët e plazheve janë të pranishëm në plazhin publik, plazhet tjera në Sarandë dhe në shumë Bashki bregdetare si duket kanë dështuar sa i përket ofrimit të këtij shërbimi. Foto: Bashkia e Sarandës.

Nikolin Mane, përfaqësues i “Lifeguard Albania”, qendër private e certifikuar për trajnimin e kujdestarëve të plazhit e cila funskionon prej vitit 2007, tha për K2.0 se ata kanë kontrata të punës me disa Bashki përgjatë bregdetit, duke përfshirë këtu edhe plazhin publik në Sarandë.

“Qeveria ka nevojë për ne”, tha Mane. “Ministria na ka thirrur disa herë sepse shumë persona janë mbytur së fundmi. Ata nuk kanë arritur ta mbikëqyrin këtë situatë problematike. Ne jemi munduar ta mbulojmë bregdetin me kujdestarë profesionalë të plazheve, dhe nuk ka qendër tjetër (publike ose private) që mund ta kryejë këtë punë kështu”.

Mane tha për K2.0 se kujdestarët e plazheve punojnë për kompenzim thuajse simbolik, që paguhet prej Bashkive në raste të rralla kur i punësojnë. “Rrogat e tyre janë qesharake”, tha ai. “Sivjet kujdestarët tanë paguhen 30,000 lek, rreth 230 euro në muaj”.

Keqardhja dhe zgjidhjet e përkohshme të Ramës

Kryeministri Edi Rama ka folur për këto incidente në profilin e tij në Facebook, duke u përfshirë në bisedë me njerëz të cilët i shtronin pyetje për sigurinë në bregdetin shqiptar. Në një prej përgjigjeve të tij ai shkroi se qeveria e tij nuk mban përgjegjësi për mungesën e kujdestarëve të plazhit, meqë plazhi në Vlorë, sipas tij, u konsiderua si “i egër”, e jo “i zakonshëm”.

“Pjesa e bregut të Vlores ku ka ndodhur fatkeqësia me djalin e vogel, as nuk përdoret nga bashkia si plazh publik, as nuk i është dhënë në asnjë centimetër për perdorim subjekteve private si plazh nga bashkia”, shkroi Rama, duke shtuar se ekziston një kantier ndërtimi afër këti plazhi.

“Ndërsa plazhi ku ka ndodhur aksidenti i trefishtë në Triport, është një plazh i egër, i cili nuk është fare në listën e plazheve të miratuara si plazhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit e për rrjedhojë, ashtu si në çdo vend të botës, ku fatkeqëisht ndodhin kudo tragjedi të tilla, nuk ekziston asnjë detyrim që të ketë shërbim ruajtes”, deklaroi Rama.

Në Durrës, që është rajon me bregdet 60-kilometërsh, me gjasë nuk ka kujdestarë të certifikuar të plazheve.

Rama nuk e përmendi mungesën e përgjithshme të kujdestarëve të plazheve në ndonjë koment, e as nuk përmendi ndonjë prej aksidentëve që ndodhën në plazhet tjera. Ai u përball me kritika në lidhje me këtë çështje gjatë gjithë verës, veçanërisht kur i publikoi në profilet e tij në rrjete sociale mendimet pozitive që i shprehën turistët e huaj për Shqipërinë.

uebfaqen zyrtare të saj, Agjencia Kombëtare e Bregdetit e pranon se nuk ka kujdestarë të plazheve në plazhe të certifikuara anembanë vendit, dhe se numri i kullave të vrojtimit është i kufizuar. Për shembull, në Durrës, që është rajon me bregdet 60-kilometërsh, me gjasë nuk ka kujdestarë të certifikuar të plazheve.

Pas aksidenteve të kësaj vere dhe si pasojë e presionit publik, Bashkia e Sarandës dhe ajo e Durrësit kanë ndërtuar kulla të vrojtimit. Në Durrës, Bashkia caktoi 31 korrikun si afatin e fundit për ndërtimin e kullave të vrojtimit dhe për punësimin e kujdestarëve të plazheve nga ana e administratorëve të plazheve, por situata me sa duket nuk ka ndryshuar – edhe kullat e vrojtimit që sapo janë ndërtuar nuk kanë kujdestarë të plazheve. K2.0 nuk mori përgjigje nga këto dy Bashki.

Pas incidentit në Ksamil, policia e ndaloi lundrimin me motoskafë dhe anije rreth plazheve, meqë u konsiderua si rrezik i mundshëm për njerëzit që i frekuentojnë plazhet. Megjithatë, ky aktivitet policor u mbajt vetëm për 3 javë.

Më pas anijet u kthyen, ndonëse u shtuan disa masa të sigurisë, si korridoret e ndara për anije nëpërmjet zonave ekzistuese që janë të caktuara për not. Megjithatë, pa kujdestarë të plazheve, askush nuk ishte aty për të monitoruar përdorimin e zonave të caktuara për not dhe lundrim.

Gentian Mullaj, kreu i komunikimit në Policinë Shtetërore, tha për K2.0 se gjatë sezonës turistike kanë ndërhyrë në 75 raste kur janë rrezikuar jetët e njerëzve të cilët frekuentojnë plazhet, gjegjësisht duke ndalur dhjetëra anije dhe motoskafë.

“Kemi arrestuar dy persona në lidhje me incidente të shkaktuara me motoskafë. Kemi konfiskuar 33 anije përgjatë bregdetit dhe kemi ndalur dhjetëra tjera, deri kur u zbatuan masat e sigurisë nga institucionet përgjegjëse”, tha ai.

E ardhme më e sigurt

Shqetësimet për sigurinë mund ta dëmtojnë industrinë e re të turizmit në Shqipëri, meqë statistikat tregojnë se fluksi i kosovarëve që vizitojnë bregdetin shqiptar ra për 30 për qind në korrik.

Por pavarësisht kësaj, shumë turistë ende ndihen të sigurtë në Shqipëri. Njëri prej tyre, Ian Angelov nga Bullgaria, e kalon pushimin në Sarandë, një prej qyteteve më të vizituara në jug.

“Unë jam një prej shumë bullgarëve që vinë në Shqipëri për pushime, meqë kemi dëgjuar për plazhet magjepsëse dhe ushqimin e shijshëm”, tha ai, duke shtuar se i pëlqen shumë të qëndrojë në Shqipëri, por se mund të jetë më mirë nëse shtohen rregullat e sigurisë në qytetet bregdetare si Saranda, Vlora dhe Durrësi.

“Këtu kam parë shumë njerëz nga Rumunia, Ukraina, Rusia dhe Polonia, dhe kjo më bën të besoj se Shqipëria është destinacion shumë i mirë për udhëtime – dhe sigurisht që do të kthehemi. Shpresojmë vitin tjetër të ketë më shumë kujdestarë të plazheve”, tha ai për fund.

Blerim Qato, biznesmen i Durrësit, tha për K2.0 se ka parë raste kur turistët kanë pasur nevojë për ndihmë në plazh, dhe vetëm njerëzit e thjeshtë dhe turistët tjerë ishin aty për t’i ndihmuar. “Kjo nuk duhet të ndodhë më”, tha ai.

Institucionet publike po thonë se po investojnë në turizëm, dhe se ky sektor po përparon. Por aksidentet që ndodhën vetëm brenda një jave, si dhe shumë aksidente tjerë, kanë zbuluar se plazhet e Shqipërisë nuk janë gjithmonë të sigurta, dhe se, siç duket, asnjë institucion nuk po merr përgjegjësi për mungesën e masave paraprake për parandalimin e këtyre tragjedive.

Foto kryesore: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.