Në thelb | Kulturë

Trupa e ‘papërshtatshme’ teatrore sfidon ndërhyrjen politike

Nga - 11.08.2021

Teatri Salaš në Vojvodinë po udhëheq një revolucion të vogël.

Një revolucion i vogël ka filluar në fshatin e vogël të Kavilos. Që nga mesi i korrikut njerëzit nga e gjithë Vojvodina janë dyndur në këtë fshat me popullsi prej 177 banorësh, për ta sfiduar ndërhyrjen politike në sferën kulturore.

Çdo natë njerëzit mblidhen rreth një skene në natyrë për të parë performancën e shfaqjes “Kazimir dhe Karolina” të drejtuar nga Robert Lenarda dhe interpretuar nga Teatri Salaš (ose Tanyaszínház në Hungarisht). Shfaqja, e shkruar nga Ödön von Horváth në vitin 1930, u ndalua për herë të parë nga nazistët në vitin 1933. Tani në vitin 2021, turneu i planifikuar i trupës së Teatrit Salaš, i cili prezentoi shfaqjen, është ndaluar nga Këshilli Kombëtar Hungarez në Serbi.

Ndalimi i fundit është rezultat i një kërkese nga Këshilli Kombëtar Hungarez (KKH), i cili pretendoi se shfaqja përmban “fjalor të papërshtatshëm”. KKH mbështet trupën e Teatrit Salaš me rreth 600,000 dinarë në vit (rreth 5,100 euro), shumë që teatri nuk mund ta përballojë ta humbë.

Ky vendim u mbështet nga Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (AHV), partia më e madhe hungareze në Vojvodinë dhe partia simotër e partisë Fidesz të kryeministrit hungarez Viktor Orban. AHV gjithashtu merr pjesë në qeveri si partnere e Partisë Progresive Serbe e udhëhequr nga Aleksandar Vučić.

Për dallim nga politikanët, publiku dhe shumë artistë e shohin pezullimin e turneut si censurë dhe janë mbledhur për t’u ndihmuar kolegëve të tyre. Menaxhmenti i teatrit vendosi ta vazhdojë performancën e shfaqjes çdo ditë deri më 12 gusht, datë kjo deri në të cilën ata supozohej të performonin në rrugë, duke pranuar kështu kërkesat e publikut që vinin nga të gjitha anët, përfshirë Hungarinë. Gjatë gjithë kohës, vizitorët vijnë dhe sjellin ushqim dhe pije, ndërsa paratë mblidhen çdo ditë si mjet për ta siguruar mbijetesën e teatrit.

“Ne do ta kalojmë këtë verë falë mbështetjes së publikut, por aktualisht nuk e kemi idenë se si Teatri Salaš do të vazhdojë të jetojë”, tha Daniel Gomboš, drejtor i teatrit.

Zyrtarët deri më tani kanë heshtur lidhur me vendimin për pezullimin e turneut. Sidoqoftë, më në fund, u njoftua për një takim midis presidentit të AHV-së, Ištvan Pastor dhe të dërguarve të teatrove hungareze në Vojvodinë. Takimi, i planifikuar të mbahet “pas pushimeve vjetore”, mund të rezultojë në një vendim që do të ndikonte në fatin e Teatrit Salaš, por gjithashtu mund të ndikojë ndjeshëm në jetën kulturore të hungarezëve të Vojvodinës.

Vendimet pas pushimeve

Teatri Salaš është i pazakontë dhe unik për shumë gjëra. Aktori Friđeš Kovač dhe regjisori Đerđ Hernjak e themeluan atë në vitin 1978 me idenë për ta sjellë teatrin më afër të gjithëve. Grupi i vogël u regjistrua si organizatë joqeveritare dhe filloi t’i vizitojë fshatrat në Vojvodinë, duke performuar në fusha ose në ndonjë hapësirë tjetër të hapur, para një audience të ulur rreth skenës.

Si rregull, shfaqjet luheshin para mbrëmjeve sepse nuk kishin ndriçim, dhe trupa e vogël udhëtonte në këmbë dhe me kuaj. Vetëm disa vjet më parë, u modernizuan dhe blenë traktorë me rimorkio për udhëtimin e aktorëve dhe bartjen e pajisjeve. Ky vit shënon herën e parë që kishin një minibus.

Të gjitha shfaqjet janë pa pagesë, ndërsa publiku ― nëse dëshiron ― mund të vendosë para në një kapelë të cilën dikush nga trupa e vogël e mban me vete pas shfaqjes. Kështu Shekspiri, Molieri, Sterija Popović dhe shumë të tjerë arritën në fshatrat më të largëta të Vojvodinës për dekada të tëra.

Këtë vit, ata donin t’i vizitonin fshatrat e Vojvodinës me një shfaqje të luajtur gjatë Oktoberfest (Festa e birrës) në vitin 1930, duke përshkruar dashurinë e një çifti, marrëdhënia e të cilëve gërryhet për shkak të rrethanave shoqërore. Kjo shfaqje u ndalua në vitin 1933, dhe skenari u dogj në maj të të njëjtit vit kur nazistët u vunë zjarrin veprave të disidentëve.

Dekada më vonë, kjo pjesë nga von Horváth, një shkrimtar hungarez që shkroi në gjuhën gjermane gjatë viteve 1920 dhe 1930, u bë një klasik dhe hyri në listën e leximit të rregullt në Gjermani dhe Austri.

Premiera zyrtare e shfaqjes në Vojvodinë u mbajt më 24 korrik në Kavilo. Menjëherë pas kësaj, shfaqja teatrale pati dy performanca të tjera, pas të cilave ata do të duhej të kishin qenë në turne.

I pyetur për të shpjeguar se çfarë po ndodh dhe cili mund të jetë burimi i mundshëm i këtij reagimi, drejtori Gomboš i tha K2.0 se ai pyet veten për të njëjtën gjë. Gomboš përcolli qëndrimin e menaxhmentit se ndalimi i një shfaqjeje në shekullin XXI është “arrogant dhe i papranueshëm”, duke shtuar se të gjithë ishin të befasuar nga kërkesa e Hajnal Jene, president i KKH-së.

"Ashtu si çdo tjetër, Teatri Salaš ua vë veshin kritikave dhe është gjithmonë i hapur për dialog".

Drejtori i Teatrit Salaš, Daniel Gomboš.

“E ftuam disa herë të vinte dhe ta shihte shfaqjen, edhe para se të merrej ky vendim, mirëpo ai refuzoi me mirësjellje”, tha Gomboš.

Gomboš shtoi se ka dëgjuar kritika se shfaqja përdor fjalor shumë vulgar, dhe nuk është e përshtatshme për asnjë institucion kulturor, përfshirë kundërshtimet se aktorët “urinojnë në skenë” gjatë shfaqjes ― domethënë, ata spërkasin ujë dhe pretendojnë se po e bëjnë nevojën. Megjithatë, ai e përshkruan fjalorin në shfaqje si “pak djegës”, duke shtuar se fëmijët ekspozohen ndaj “fjalorit më të rëndë” gjatë rrugës për në shkollë sesa mund ta dëgjojnë gjatë shfaqjes.

“Dhe urinimi në skenë me ujë të gazuar është një nga momentet më qesharake në shfaqje”, tha Gomboš.

“Ashtu si çdo tjetër, Teatri Salaš ua vë veshin kritikave dhe është gjithmonë i hapur për dialog”, tha Gomboš, duke shtuar se menaxhmenti nuk pati shans për tu përgjigjur në asnjë mënyrë. “Duket se e vetmja zgjidhje e pranueshme për presidentin e KKH-së ishte ndërprerja e turneut”.

Vendimi u interpretua gjerësisht si politik, megjithëse anëtarët e trupës teatrore po u thonë mediave se nuk duan të spekulojnë dhe janë të vendosur ta presin takimin që presidenti i AHV-së Ištvan Pastor ― nga presioni i publikut ― njoftoi në faqen e tij në Facebook, “Në vend të deklaratave të mëtejshme dhe komunikatave për publikun”.

Në vend të një turneu rajonal të shfaqjes “Kazimir dhe Karolina”, të drejtuar nga Robert Lenard, pjesa po luhet çdo mbrëmje në oborrin e Teatrit Salaš në përputhje me kërkesën e publikut. Foto: Natalija Jakovljević.

Siç e njoftoi Ištvan Pastor publikun, tema e takimit me përfaqësuesit e teatrit do të jetë diskutimi i së ardhmes së tyre, “ajo që ka qenë në pritje prej vitesh dhe që ka sjellë këtë rast të pafat”.

Për më tepër, Pastori postoi një letër të hapur ku mbështeste kërkesën e KKH-së për ta ndërprerë turneun, duke akuzuar kështu menaxhmentin e teatrit se po bën përpjekje për ta politizuar situatën. Në letrën e hapur, të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai deklaroi se “shikuesit e Teatrit Salaš janë ekspozuar ndaj ngacmimeve për vite me radhë” dhe se menaxhmenti nuk është nën kontrollin e askujt gjersa “shfaq shfaqje të tilla në mënyrë katastrofike neveritëse”.

Pastor njoftoi se zgjidhjet për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e teatrove hungareze, jetës kulturore dhe institucioneve nuk mund të shtyhen më. Ai shkroi se kjo duhet të rezultojë në “vendime strategjike”.

Në anën tjetër, Gomboš beson se kjo letër është një shenjë se po vijnë kohë të vështira.

“Në vend të pëmirësimit dhe zhvillimit, ekziston kërcënimi që ata mund të duan të na zbusin”, tha ai, duke shtuar se roli i teatrit është t’i “vë në pah dhe t’na i kujtojë problemet shoqërore ― të mbajë një pasqyrë për audiencën”.

“Disa prej tyre do ta njohin veten dhe do të bëjnë diçka për t’i ndryshuar gjërat. Të tjerët do të ofendohen dhe do të përpiqen ta thyejnë atë pasqyrë. Kemi frikë se kjo është pikërisht ajo që po ndodh me ne”.

Receta e Viktor Orban

Mospranimi po vjen nga të gjitha anët.

Žuža Kalmar, një aktore e dramës në gjuhën hungareze në Teatrin Kombëtar në Suboticë, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e saj në Këshillin Kombëtar Hungarez për shkak të vendimit për ta ndërprerë turneun.

Bashkëpunëtorja e saj e teatrit, Greguss Erdélyi Hermina, tha për K2.0 se “po rrinte e habitur para faktit” që turneu do të ndërpritet, duke e konsideruar atë një “lëvizje haptazi politike”. Greguss nuk ngurron ta përdorë fjalën censurë në kontekstin e këtij rasti. Ajo tha se vendosja e kontrollit mbi çdo lloj arti dhe jete kulturore është e papranueshme.

Ajo i jep mbështetjen e saj të plotë menaxhmentit dhe grupit të vogël që vendosi ta vazhdojë shfaqjen e shfaqjes.

“Politika nuk ka vend të ndërhyjë në këto gjëra ose të kufizojë çdo formë të lirisë së mendimit ose krijimtarisë, dhe veçanërisht të përcaktojë se çfarë është e mirë për njerëzit dhe çfarë nuk është”, tha Greguss Erdélyi kategorikisht.

Gazetari i Budapestit Gabor Bodiš, me origjinë nga Subotica, e krahason këtë rast me atë që po i ndodh Hungarisë.

Gazetari i Budapestit Gabor Bodiš, me origjinë nga Subotica, e krahason këtë rast me atë që po i ndodh Hungarisë. Ai tha se publiku është dëshmitar i “marketingut politik, të përshkruar dhe urdhëruar nga Viktor Orban”.

Ai kujtoi se në fund të vitit 2019, Hungaria miratoi një ligj që lejon qeverinë e Viktor Orbanit të ndërhyjë në menaxhimin e institucioneve dhe emërimin e drejtorëve.

“Kur dikush manipulon në nivelin shtetëror, siç janë Vučić dhe Orban, atëherë kjo është tragjike për njerëzit, sipas mendimit tim”, tha Bodiš. “Kjo këtu i ngjan një komedie me viktima kolaterale”.

Trupa e teatrit të Teatrit Salaš është e vendosur të mos heqë dorë nga performanca e shfaqjes dhe luftimi i censurës. Foto: Natalija Jakovljević.

“Ata këmbëngulin në “urinimin” dhe sharjet — sepse kjo është e dëmshme përi fëmijët tanë. Nuk ka rëndësi nëse kjo po ndodh në të vërtetë në shfaqje apo jo”, tha Bodiš, duke treguar aspektet e vendimit dhe duke pohuar hapur besimin e tij se prapavija është marketingu politik i importuar nga Hungaria.

Ai na kujton se vitin e ardhshëm, 2022, do të ketë zgjedhje në Hungari dhe se Orban mbështetet gjithashtu në votat nga jashtë.

Hungarezët e Vojvodinës janë grupi i dytë më i madh etnik në Serbi. Sipas regjistrimit të fundit, ata përbëjnë rreth 13 përqind të popullsisë së Vojvodinës. Vojvodina është shtëpia e institucioneve kulturore dhe arsimore në gjuhën hungareze, si dhe mediave të shumta. Hungarezët janë popullata shumicë në tetë komuna në këtë pjesë të Serbisë.

Shumica e hungarezëve që jetojnë në Vojvodinë kanë nënshtetësi hungareze. Autoritetet me bazë në Budapest kanë ndihmuar hungarezët e Vojvodinës në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe materialisht, ndërsa udhëheqësi i Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës mbështet hapur Orbanin.

“Këtu, në Vojvodinë, nuk ka nevojë të zbusësh kulturën sepse ajo ishte zbutur shumë kohë më parë. Respekti im shkon për numrin e vogël të përjashtimeve. Përveç tyre, AHV-ja financon dhe kontrollon gjithçka, duke lejuar liri më të madhe për disa, dhe jo për të tjerët”, deklaroi Bodiš.

Sidoqoftë, me gjithçka që po ndodh, disa shohin një copëz shprese në faktin se publiku është mbledhur, duke mbështetur shfaqjen dhe teatrin.

“Kjo manovër e kryer ngathtësisht u dha intelektualëve hungarezë arsye të mjaftueshme për t’u bashkuar rreth një ideje që të gjithë mund ta mbështesin”, tha Bodiš, duke shtuar se nga e gjithë kjo mund të vinte dilte ndonjë dobi. “Nëse bëhet një lëvizje drejt veprimit të përbashkët politik, atëherë ka ndonjë qëllim për të”.

Megjithatë, Daniel Gomboš thotë se ngjarjet rreth Teatrit Salaš shtynë ekipin e ri të aktorëve të bashkohen dhe të forcohen; ky unitet dhe energji është i dukshëm çdo mbrëmje.

“Ata patjetër do ta mbajnë mend ditën kur turneu u ndalua, si do ta mbajnë mend “po”-në gjëmuese kur u pyetën në oborrin e Teatrit Salaš nëse pranojnë ta performojnë shfaqjen në të ardhmen”, tha Gomboš.

Publiku në Vojvodinë ka frikë se ndalimi i turneut të trupës teatrore mund të sinjalizojë një periudhë shumë më të rëndë. Foto: Natalija Jakovljević.

“Ata janë akoma aktorë studentë të universitetit. Një numër i madh angazhimesh i presin akoma dhe, shpresojmë, një karrierë e pasur. Kodi “Kam luajtur në Teatrin Salaš në vitin 2021″ me siguri do t’ua hapë dyert për teatrot e tjera dhe do t’i shënojë ata si aktorë të rinj të guximshëm. Por gjithashtu, ajo do të mbyllë dyer të tjera, të tilla si ato në ngjarje dhe manifestime që shërbejnë për përfitime politike”, tha Gomboš.

Drejtori shton se aktualisht, ata kanë nevojë dhe po marrin mbështetje nga kolegët në Serbi dhe Hungari, por fakti që audienca vazhdon të jetë prezente do të thotë shumë për ta.

Imazhi i ballinës:  Natalija Jakovljević.

KOMENTO